Shtojca për Kulturë

Jeta administrative dhe ekonomike në shtetin e pavarur të Korçës

Fotografi e një rruge kryesore në Korçë më 1917

Fotografi e një rruge kryesore në Korçë më 1917

Shteti autonom i Korçës pati kartëmonedhën e vet, që ndihmoi shumë në allishverishet; nuk njohu megjithatë, “inflacion financiar” të keq, pas të këqijave e shtypjes së kartëmonedhave pafund. Historia e kartëmonedhave në Korçë është mjaft e çuditshme. Në krye të okupimit frëng të Korçës, këtu si dhe në Selanik; paraja frënge merrej me një humbje prej 14% në barazim me monedhën greke. Një nga veprat e para administrative të Komandës ushtarake frënge lokale, ka qenë të ndalojë, nën rrezik dënimi gjyqësor, këtë spekulim në gjithë territorin që varej prej autoritetit të saj; dekretoi pra që paraja greke dhe paraja frënge do të kishin të njëjtën vleftë në Korçë dhe në rrethe

Gjeneral Henri Descoins

Organizata administrative dhe ekonomike vijat e përgjithshme të të cilave u thanë më sipër nuk dhanë kurrë pakënaqësi. 

Anëtarët e Këshillit administrativ, të preokupuar vetëm me administrimin e vendit pa kërkuar të sjellin në fuqi këtë ose atë rrymë, realizuan, në pranimin më të fortë Bashkimin e shenjtë, shembullin e të cilit ua jepte nga ana tjetër Shtatmadhoria e komandantit ushtarak. 

Të frymëzuar prej dëshirës të bëjnë mirë, duke pasur një besim të plotë tek oficeri i lartë frëng që kryesonte atëherë të ardhmen e tyre, vinin dendur ta njoftonin gjysmëzyrtarisht komandantin ushtarak ose përfaqësuesin e tij mbi problemet e ditës. 

Secili prej tyre fitonte kështu një dokumentim vetjak, i cili si pas argumenteve të zhvilluara merrte formën e një besimi. Dhe kur duhej të bëhej votë në mbledhje, s’kishte më nevojë për diskutime dhe fjalime. 

Ecja e punëve të Këshillit nuk i dha kurrë rastin e ndonjërit nga anëtarët e tij të tregonte cilësitë e tij oratorike. Përkundrazi i lejonte të vendosnin shpejt dhe të venë edhe më shpejt në realizimin e vendimeve: nuk di të ketë pasur shembull të ndonjë vendimi që të mos jetë marrë njëzëshëm. 
Fuqia e punës dhe aftësia realizuese e Këshillit kanë qenë me të vërtetë të mëdha. 

Do të vihet re kjo gjë duke lexuar, në veprën e shënuar të Z. Justin Godart, numërimin e njëzetepesë ligjeve dhe rregulloreve të administrimit publik, të përpiluara, pranuara dhe vënë në zbatim midis 10 dhjetorit 1916 dhe 16 shkurtit 1918. 

* * *
Ja fjalët me të cilat Z. de Maziere, që erdhi të vizitojë Korçën, përshkruante në “Petit Parisien” të 10 Majit, rolin e Këshillit Administrativ: Përgatit, voton dhe kontrollon buxhetin e Republikës, i cili, gjë e rrallë, gjer tani ka një tepricë të ardhurash (38). 

Ky buxhet është bërë: për fushën prej të dhjetave, kujtim i kohës otomane; për qytetin prej taksës mbi të ardhurat gjë që është një përpjekje e merituar modernizmi. Të tjera të ardhura vijnë nga shitja e pullave të postes, dhe nga një përdorim me mend i kambios. Republika nxjerr të holla, të holla të vogla, kundërvlera e të cilave është e siguruar prej kujdeseve të administratës ushtarake frënge. Me këtë mjet ajo siguron shpenzimet e përbashkëta si blerja e farërave, mirëmbajtjen e qytetit, të një prefekture policie dhe të një ushtrie të përbërë prej 750 vetash të ndarë në gjashtë kompani katër prej të cilave janë me radhë në front, në pararojat, kurse dy janë në pushim në një kazermë fare të mirë. 

Zoti de Maziere flet këtu veçanërisht për taksën mbi të ardhurat, mbi kartëmonedhat e Bankës së Korçës, të Prefekturës dhe të Policisë:

Taksa mbi të ardhurat,  Në një vend të vogël, mjetet e gjithkujt janë mjaft të njohura që të mos jetë nevojë të përdoren mënyra inkuizicioni për t’i caktuar. Kështu që u bënë në baza krejt të drejta lista me taksat e gjithkujt. Centralizimi i fortë (në praktikë) i fuqisë ekzekutive në duart e komandës ushtarake frënge lejoi mbledhjen e këtyre taksave pa asnjë protestë nga ana e të interesuarve. 
Kartëmonedhat, Shteti autonom i Korçës pati kartëmonedhën e vet, (39) që ndihmoi shumë në allishverishet; nuk njohu megjithatë “inflacion financiar” të keq, pas të këqijave e shtypjes së kartëmonedhave pafund. Historia e kartëmonedhave në Korçë është mjaft e çuditshme. 
Në krye të okupimit frëng të Korçës, këtu si dhe në Selanik; paraja frënge merrej me një humbje prej 14% në barazim me monedhën greke. Një nga veprat e para administrative të Komandës ushtarake frënge lokale, ka qenë të ndalojë, nën rrezik dënimi gjyqësor, këtë spekulim në gjithë territorin që varej prej autoritetit të saj; dekretoi pra që paraja greke dhe paraja frënge do të kishin të njëjtën vleftë në Korçë dhe rrethet. Po pasi kjo gjë ishte ndryshe në vendet e tjera, të gjitha monedhat e vogla, sipas ligjit të mirë mbrojtur prej ekonomistëve, në rrethet ku këmbimi mund të bëhej, kështu që shkëmbimet tregtare u bënë të vështira. 

Vetëm për të shpëtuar nga kjo situatë e papëlqyeshme, u krijuan kartëmonedhat e Korçës, që ishin vetëm denominime të vogla. 

Këto kartëmonedha iu dhanë tregtarëve dhe bankierëve, si shkëmbim i kartëmonedhave të mëdha greke dhe frënge, që mbetën në kasën qendrore të Kazasë, nën përgjegjësitë personale të drejtorit të Financave. Kundërvlera pra e monedhës vendëse ka ekzistuar efektivisht në Kasën e Shtetit të Korçës. 

Prefektura e policisë, Prefekt i policisë ishte Themistokliu. Sipas artikullit IV të protokollit të 10 dhjetorit 1915, ai kishte organizuar një trup “xhandarmerie-polici”, që qe ngarkuar me mbajtjen e qetësisë në vend. 

Kjo “xhandarmëri-polici”, që varej vetëm nga autoritetet shqiptare, s’kishte të bënte aspak me “xhandarmërinë lëvizëse” për të cilën kam folur më sipër dhe që kam shënuar se kishte një emër jo të saktë. 

Themistokliu nuk merrte pjesë në Këshillin administrativ. Megjithatë, ai kishte mbi të një autoritet moral të vërtetë, për shkak të rolit që luajti në revolucionin e 10 Dhjetorit. Nga ndonjëherë vinte në mbledhjet e Këshillit, po jo zyrtarisht. 

Këtu si kudo gjetkë më ka dhënë ndihmën e tij të tërë dhe besnike. Më kishte dhënë fjalën: s’ka shembull shqiptari që t’i mungojë këtij angazhimi nderi që quan “besë” (40).

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë 
 



Henri Vincent Descoins, i lindur më 10 janar 1869 në Cambray (Francë), vdiq më 10 maj 1930 në Algjer (Algjeri) ishte gjeneral brigade dhe shkrimtar ushtarak francez. Si kolonel i kalorësisë gjatë Luftës së Parë Botërore, luajti një rol të rëndësishëm në vendosjen e forcave franceze në Korçë (1916 – 1920). Ndër të tjera, shkroi edhe raportin “Six Mois d’histoire de l’Albanie – Novembre 1916 Mai 1917” të cilin e përktheu dhe e botoi në shqip, Vasil Gërmenji (1908 – 1988). Ky tekst i përkthyer prej tij, e që botohet me vazhdime në Shtojcën për kulturë, është marrë nga monografia “Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” me autor Elez Osmanin, Botimet KOHA, tetor 2024


Fusnotat

(38) Arka publike ishte pothuajse bosh, kur ikën autoritetet greke. Teprica e të ardhurave mbi shpenzimet ishte prej disa qindra mijëra franga në maj 1917. U ngrit prej 10 dhjetorit 1916 gjer më 16 shkurt 1918, në 2.973. 034, 05. Kjo shifër është marrë nga libri i z. Justin Godart
(39) Kartëmonedhat, si dhe pullat e postës për të cilat është folur në raportin e 9 janarit 1917, kanë qenë vizatuar prej një ushtari frëng Davier, nxënës i Rotyt, dhe u shtypën brenda në Korçë.
(40) Ca muaj pas ikjes time prej ushtrisë të Lindjes, mësova se Themistokliu qe thirrur në Selanik, arrestuar nën akuzën se kishte marrëdhënie me armikun, dënuar me vdekje prej një këshilli lufte frëng, dhe u ekzekutua me ngutësi. Ky ekzekutim bëri përshtypjen më të hidhur në Korçë. Në qoftë se nuk na hoqi gjithë simpatinë e shqiptarëve, ka plot që u ftuan. Duke marrë parasysh lidhjet e mia me Themistokliun, së kanë pyetur shumë herë mbi gjyqin që iu bë. Ja se ç’mund të them:

1- Të gjithë dinë ndikimin që kanë çështjet e personave në Orient. Jam i bindur se po të kisha qëndruar në Korçë, Themistokliu do të kishte mbajtur kundrejt Komandës frënge, qëndresën besnike që kam vënë re që mbajti gjithnjë. 

2-Më është thënë që disa mënyra të gabuara kanë qenë vënë re se i janë bërë pas ikjes time. Nuk i di dhe s’dua t’i di. Në qoftë se kanë ekzistuar, ato nuk e kanë ndaluar Themistokliun të vazhdojë të luftojë krah për krah me neve. Më duket bile se ai mori kryqin e luftës frënge, vetëm ca ditë para se të arrestohej. 

3-Për arsye të rolit që luajti në ngjarjet e Shqipërisë, Themistokliu i tërhoqi vetes disa armiqësi të pafalshme nga ana e Esad Pashës (që s’kishte asnjë partizan në Korçë, po që kishte një pozitë shumë të madhe në Selanik), nga ana e drejtueseve grekë të Selanikut, dhe nga ana e policisë greke. Ekzistonte gjithashtu, edhe një rivalitet profesional i pakontestueshëm midis policisë frënge që funksiononte në Korçë dhe asaj të Themistokliut. Prej gjithë kësaj dilte që edhe kur kisha unë komandën në Shqipëri, qenë bërë qarje kundër Themistokliut, të cilat m’u desh t’i shqyrtoja. I kam studiuar gjithnjë me kujdesin më të madh, dhe çdoherë kam qenë i detyruar të njoh se kanë qenë shpifje. 

4-Themistokliu kishte marrëdhënie te armiku (gjë që nuk do të thotë me armikun). Neve i kemi përdorur këto marrëdhënie në shumë raste. 

5-Së fundi, Themistokliu as fliste as kuptonte gjuhën tonë, gjë që ishte një handikap për t’u mbrojtur përpara një Këshilli lufte frëng. 

Sidoqoftë kam dëgjuar shumë herë hipotezën se një gabim gjyqësor mund të ketë qenë bërë në këtë rrethanë. Kur gabime gjyqësore të këtilla mund të bëhen në kohë paqeje, kur i pandehuri mund të jetë rrethuar me gjithë garancitë e mbrojtjes, ato janë akoma më të kuptueshme me format e drejtësisë ushtarake në kohë lufte: si gjithkush e di që të këtilla kanë ngjarë edhe me shtetasit tanë. Rishikimi i gjyqit të Themistokliut kërkohet me nxehtësi në Shqipëri. Jam midis atyre që urojnë një gjë të tillë në Francë, dhe që një studim i ri i padisë, e bërë me kalimin e kohës, të heqë një herë e mirë në një drejtim ose në tjetrin dyshimin që ekziston edhe sot.