Performanca e elektro-vallëzimit nga “Duo Demezure” dhe muzika elektronike nga DJ Oda Haliti, kanë qenë introja në Prishtinë e “Javës së Frankofonisë” e cila për edicionin e sivjetmë ka zgjedhur Gjakovën si kryeqendër. Është edicioni i 25-të i “Javës...” e cila mban epitetin e ngjarjes më me traditë në Kosovën e pasluftës, dhe në secilin edicion dëshmohet si kapitull i veçantë jo vetëm i shpalosjes së kulturës frankofone, por edhe shembull i komunikimit ndërkulturor. “Atmospheres” vazhdon të jetë tema dhe në fillmpranverë, sjell atmosferë prej vallëzimit e muzikës, deri te filmi e teatri
Vallëzim, muzikë, teatër e film janë veç disa nga fushat artistike me të cilat sivjet shënohet “Java e Frankofonisë”. Me program të pasur ka nisur të premten mbrëma njëra prej ngjarjeve kulturore më me traditë Kosovën e pasluftës. Në teatrin “Oda” është inauguruar, por këtë vit programi do të shtrihet kryesisht në Gjakovë, një grimë zhvendoset edhe në Prizren e për mbylljen më datë 28 kthehet në Prishtinë për të festuar me frymën e muzikës klasike.
Këtë vit, për shtatë ditë Gjakova është kryeqyteti i Frankofonisë në Kosovë. Në ceremoninë e hapjes në teatrin “Oda”, nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Instituti Francez është thënë se atje do të udhëtojnë “për të përjetuar muzikën, letërsinë, teatrin, vallëzimin”. Është theksuar se ngjarjet, si rëndom, vijnë në bashkëpunim midis ambasadave të Belgjikës, Zvicrës dhe Francës.
“Jam shumë i lumtur t’ju mirëpres këtu. Çdo vit, ne ndryshojmë qytetet si kryeqyteti i Frankofonisë. Jemi këtu për ta inauguruar 25-vjetorin e ‘Javës së Frankofonisë’. Do ta kemi një javë të tërë në Gjakovë. Ju falënderojmë që jeni këtu: publikun, ambasadat, partnerët tanë. Sonte do të kemi ‘Duo Demezure’ që jemi të lumtur që i kemi këto dhe pastaj kemi DJ Oda. Pra presim që të vallëzoni për ta festuar diversitetin, letërsinë, muzikën, vallëzimin dhe krejt programin”, ka thënë në fjalën e shkurtër të hapjes, Edouard Mayoral, këshilltar i ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Grupi i valltarëve “Duo Demezure” dhe Oda Haliti me muzikë elektronike kanë qenë promovimi i kulturës franceze në natën e parë. Në sallën e shfaqjeve të teatrit “Oda” është hequr komplet platforma shkallë-shkallë e publikut, ndërsa është ngritur skena. Drita shumëngjyrëshe në ambientin e errtë e kanë bërë unike pamjen.
Dyshja Mathilde Boagno and Sherwin Assadan kanë sjellë performancën dinamike. E para hyn në skenë e vetme duke performuar lëvizjet e shpejta të cilat vihen në pah nga ndriçimi me ngjyrë të blertë.Francezja Boagno ka thënë se performanca rrëfen vështirësitë e jetës së tyre dhe mbështetjen që gjejnë te njëri-tjetri.
“Ne flasim për një çift, për një çift të veçantë në fakt. Ka lidhje shumë të forta, por mund të jetë e komplikuar, ka vështirësi, ka shumë kompromise, shumë gjëra. Ata mund të jenë të zemëruar e të lumtur, mund të ndiejnë shumë gjëra. Njerëzit shohin një çift të lumtur derisa ata punojnë të ndërtojnë diçka të fortë. Për krejt këtë flasim edhe individualisht unë dhe ai. Kur jam unë vetëm në skenë flas për problemet dhe vështirësitë e jetës sime, për luftërat”, ka thënë Boagno.
Performancës së saj dinamike i bashkohet pastaj edhe Assadan, i cili është shprehur se performanca tregon se si ishte jeta e tyre para se të takoheshin.
“Mathilde është ballafaquar me shumë vështirësi sikurse edhe unë, kryesisht me vështirësitë e fëmijërisë. Kur u takuam, ishte kohë e mirë sepse unë isha personi që isha gati të ndihmoja Mathildën të tejkalonte ato vështirësi, ashtu edhe ajo duke më treguar se pajtohet të më ndihmojë nëpër ato që po kaloja unë. Kjo është ajo çfarë mundohem të shpreh në pjesën time solo, pra vështirësitë e fëmijërisë sime dhe se si jeta në çift më ndihmoi t’i përballoj dhe të eci përpara”, ka thënë Assadan.
Ata janë në komunikim dhe në lidhje të pandarë me ritmet e muzikës. Në koreografinë e tyre që ka qenë premierë në Prishtinë, shpalosen raportet e një çifti që krahas dashurisë, ka edhe mosmarrëveshje e tensione.
Sherwin Assadan, kitarist e valltar që jeton e vepron në Francë, ka thënë se kjo performancë është rezultat i një pune të mëparshme të suksesshme.
“Ne bëmë një projekt në vitin 2023, i cili rezultoi mjaft i suksesshëm, shumë njerëz na thanë se ishte shumë e veçantë dhe se duhej ta shtynim më tej këtë punë. Pastaj ne e bëmë një skenë të hapur, pasi jam kitarist, ku unë luaja në kitarë dhe Mathilde vallëzonte. Menduam se kjo ishte diçka e mirë dhe duhet ta bëjmë prapë. Donim të vinim të dy në skenë si valltarë, kështu që patëm mundësinë të vijmë këtu. Ishte hera e parë që ishim të dy në skenë në bashku. Patëm shumë stres, shumë emocione, por e bëmë dhe jemi të lumtur”, ka treguar ai.
Dyshja ka shpalosur të njëjtin rrëfim edhe në Gjakovë, të shtunën mbrëma në teatrin “Hadi Shehu”.
Valltarja e koreografja Mathilde Boagno ka thënë se performanca e tyre e shfaqur së pari herë në Prishtinë është përzierje e elektro-vallëzimit si dhe hip-hop e eksperimental. Muzikën e ka punuar Sherwin Assadan.
“Ne e bëmë këtë vallëzim për një muaj, unë e bëra koreografinë dhe ai muzikën. Vetëm një nuk është e tija pasi nuk kishim shumë kohë për ta punuar të gjithën vetëm. Unë e kam bërë vallëzimin në mënyrë që ai të mund të vallëzoj me mua në skenë”, ka thënë Boagno.
Muzika me ritme nga natyra duket se sjell imazhin e peizazheve ku zhvillohet ngjarja. Përqafimet e tyre nganjëherë janë të papërfunduara e prekjet e ndaluara. Afërsia e tyre, e largët. Me të është sjellë edhe një copëz e kulturës frankofone.
“Ideja ishte të sillnim kulturë nëpërmjet elektro-vallëzimit. E vallëzoj vetëm këtë zhanër. Ai u adaptua me elektro, por ia doli shumë mirë dhe kjo ishte për të shfaqur kulturën e vallëzimit në Francë”, është shprehur Mathilde Boagno.
Pas interpretimit të tyre, DJ Oda Haliti ka miksuar këngë në gjuhën frënge si dhe e ka lënë publikun të shijojë ritmet e muzikës elektronike.
Të shtunën në teatrin “Hadi Shehu”, pos performancës së “Duo Demezure” gjithashtu janë lexuar poezi të autorëve francezë nga aktorët e teatrit. Dita e dytë e Frankofonisë dhe e para në Gjakovë është përmbyllur me performancë muzikore nga Kori i Grave të Gjakovës.
Një ditë më pas, në kinemanë “Hyrije Hana” shfaqet filmi “Toni, en famille” nga francezi Nathan Ambrosion. Më 24 mars do të ketë shfaqje shkollore e përgatitur nga gjimnazi “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Në galerinë e qytetit hapet ekspozita “Dis-moi dix mots sur la planete”, në teatër do të shfaqet komedia muzikore “Notre Dame de Paris”, ndërsa në kinema filmat “Les Choristes” nga Christophe Barrarier si dhe filmi “Feu feu feu” i Pauline Jeanbourquin në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren.
Mbrëmjen e 25 marsit do të shfaqet filmi “Tambour Battani” nga Franços-Christophe Marzal, ndërsa dita e nesërme shënohet me shfaqjen teatrale “Antigone” me autor Jean-Jacques Annaud, nën regji të Erson Zymberit.
Më 27 mars shfaqet filmi “Rien a foutre” nga Emmanuel Marre dhe Julie Lecoustre. Java e Frankofonisë mbyllet më 28 mars me koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në përkujtim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit Maurice Ravel.
Për të pestin vit me radhë “Java e Frankofonisë” mban titullin “Atmospheres”, bash për faktin se vjen si një atmosferë më vete. Edicioni i kaluar është mbajtur në Mitrovicë dhe produkt i ri i shtetit francez në Kosovë ka qenë Instituti Francez në Prishtinë.