Më 4 shtator 2020, kur në Washington u nënshkrua marrëveshja midis ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pika e rëndësishme e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ishte e ndryshme nga fryma e pikave të tjera për të cilat ishin dakorduar nënshkruesit. Njohja që pasoi me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në shkurt 2021, ishte kulmi i rinjohjes mes dy popujve, të cilët historia i kishte takuar dhe miqësuar në periudhat më të errëta me të cilat ishin ballafaquar
Kur shënohet njëvjetori i Marrëveshjes së Washingtonit e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, një nga pikat e së cilës ishte edhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit, vijnë edhe çaste të reflektimit për atë ditë, por edhe miqësinë mes dy popujve, historikisht.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike ka zyrtarizuar raportet mes dy shteteve, por këto marrëdhënie kanë filluar shumë dekada më parë, dhe janë zhvilluar ndër vite.
Nëse shikohet në këndvështrimin historik, kjo miqësi nuk është e viteve të fundit, por fillet i ka shekuj më parë. Prania e hebrenjve në Ballkan është e evidentuar nga shumë studiues, megjithatë në theksin e miqësisë mes dy popujve tanë, janë disa momente të cilat meritojnë theksin e duhur.
Gjurmët e pranisë së hebrenjve në trevat ku sot jetojnë shqiptarët janë të njohura, ndërsa procesi për zbulimin e tyre vazhdon.
Hebrenjtë në Iliri
Historiani dhe studiuesi, tashmë i ndjerë, prof. Apostol Kotani, i cili për shumë vjet ka hulumtuar dhe dokumentuar miqësinë dhe marrëdhëniet mes dy popujve tanë, përmend se nga disa burime të vjetra bëhet fjalë për marrëdhëniet iliro-hebraike qysh nga fundi i mijëvjeçarit të dytë para erës sonë. Sipas Kotanit, një grup jo i vogël hebrenjsh janë dukur në Iliri qysh në vitin 70 të erës sonë. Ajo ishte periudha kur romakët me në krye perandorin Titus, shkruan më tej Kotani, pasi kishin thyer rezistencën disavjeçare të hebrenjve, kishin pushtuar vendin e tyre, kishin shkatërruar që nga themelet tempullin e mbretit Solomon dhe si shenjë e mposhtjes morën një numër hebrenjsh si skllevër dhe i kishin nisur për në Romë. Për fatin e mirë, thekson Kotani, njëra nga ato anije u përplas nga një furtunë e madhe në brigjet shqiptare të detit Jon.
Një nga zbulimet e rëndësishme dhe e cila ofron jo vetëm informacion të duhur historik, por edhe si një atraksion turistik është Sinagoga e Sarandës. Kisha e zbuluar në vitet 1979-1980, sipas studiuesve, u përket shekujve V-VI të erës sonë, në të cilën u zbuluan tri shtresa mozaikësh. Njëri nga ta, që ka ngritur dyshimet për ndërtimin e këtij objekti, ishte një mozaik me imazhin e menoras (shandanit hebraik). Më pas u vërtetua që kisha ishte ndërtuar mbi themelet e sinagogës së dikurshme, e cila supozohet se u përket shekujve I-II të erës sonë. Më tej, prof. Kotani nënvizon momente të tjera në shekujt në vazhdim, për praninë e hebrenjve në Durrës dhe bashkëpunimin me Komunën e Raguzës.
Inkuizicioni spanjoll
Një nga momentet kyç në historinë e dhimbshme të hebrenjve është inkuizicioni spanjoll, në shekullin XV, kur nga gadishulli iberik u detyruan të largohen, për t’u vendosur në pjesët e tjera të Evropës, mes tyre një numër i madh u vendosën në Ballkanin e pushtuar nga osmanët, në kohën e Sulltan Bajazitit II. Rrjedhimisht, në fund të viteve 1400, shumë familje hebraike të larguara nga Spanja u vendosën në Vlorë, Lezhë, Berat, etj. Sipas burimeve të kohës, në Vlorë u vendosën 528 familje, kurse në Berat 25. Edhe në Kosovë, prania e hebrenjve është regjistruar në periudha të ndryshme, megjithatë nga më të rëndësishmet konsiderohet afër minierave aktive të kohës, në Novobërdë. Megjithatë, hebrenjtë në Kosovë, edhe pse historikisht në numër jo të madh, ishin të koncentruar kryesisht në qendrat e mëdha administrative dhe ekonomike.
Prania e hebrenjve në shekujt më të hershëm në trevat tona konsiderohet mjaft e rëndësishme, ndërsa edhe sot mund të gjenden lokacione të ndryshme, qoftë nga lagjet e dikurshme, gjurmë nga komplekset e varrezave, e të ngjashme, të cilat kanë mbetur të padokumentuara, por në gojëdhënat e popullit brez pas brezi.
Duke pasur parasysh historikisht tolerancën që ka mbizotëruar te populli shqiptar, edhe hebrenjtë me praninë e tyre janë integruar lehtë në shoqërinë e kësaj ane, ndërsa ndër vite dhe gjenerata ai integrim është zhvilluar në miqësi më të forta, përderisa në anën tjetër ishin të pushtuar dhe nën sundimin osman.
Miku i mirë në kohë të vështirë
Një nga momentet kyç që njeh historia moderne është periudha e Holokaustit, kur populli shqiptar me kurajë të madhe bëri gjestin më fisnik, duke vënë jetën në rrezik për të shpëtuar ata që historia i kishte vënë prapë në rrezikun e zhdukjes dhe shkatërrimit.
Shpëtimi i hebrenjve që përndiqeshin nga nazistët, është periudha kur miqësia mes dy popujve tanë edhe një herë vërtetoi thënien “Miku i mirë njihet në ditë të vështira”.
Duhet pasur parasysh që rrethanat në të cilat gjendej populli shqiptar, ishin plotësisht të pavolitshme për të marrë guximin dhe për të vepruar në formën e tillë. Këtu duhet marrë parasysh rrethanat politike, ekonomike dhe sociale të popullit shqiptar, i cili vetëm pak vite më parë ishte çliruar nga sundimi osman, që kishte lënë pasoja të mëdha.
Sidoqoftë, të gjendur para sprovës së madhe, populli shqiptar gjeti kurajën dhe guximin, duke vënë jetën e rrezikuar të miqve hebrenj përpara gjithçkaje.
Fenomeni i Besës, ishte kyç në shpëtimin e jetës së hebrenjve në trojet shqiptare. Shqipëria dhe një pjesë e madhe e Kosovës ishin të pushtuara, fillimisht nga fashistët, e më vonë pas kapitullimit të Italisë, nga nazistët, që ishte situatë mjaft e komplikuar.
Familjet shqiptare që kishin gjetur kurajën për të strehuar dhe shpëtuar hebrenj ishin plotësisht të vetëdijshme para këtij rreziku, por Besa e dhënë nuk mund të shkelej. Rreziku u kanosej njëjtë ashtu sikurse vetë hebrenjve të përndjekur, për arsyen e vetme se i kishin strehuar. Dhe rastet kur edhe shpëtimtarët ishin gjendur në rrezik të tillë janë të shumta, por falë veprimit të shpejtë dhe të duhur në largimin dhe fshehjen e hebrenjve të strehuar, ngjarjet tragjike ishin shmangur (ose pamundësuar).
Andaj, edhe historikisht trevat shqiptare dhe Shqipëria njihet si “toka e premtuar” e asaj periudhe për hebrenjtë, pasi që të gjithë ata që ia dolën të hynin në territorin e Shqipërisë gjetën strehim dhe shpëtim. Kështu, gjatë viteve të luftës ata mbijetuan, ndërsa me të përfunduar lufta një pjesë e hebrenjve qëndruan në Shqipëri e Kosovë, ndërsa një numër i madh i tyre emigroi në shtetin e sapoformuar, në Izrael.
Periudha e ndarjes dhe rinjohjes
Me ndryshimet gjeopolitike pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët mbetën nën regjime të ndryshme, ndërsa gjendja e tyre ishte e komplikuar dhe çdo ditë e më e vështirë. Kosova në periudhën e pasluftës së dytë u ballafaqua me sfida të shumta, veçanërisht populli shqiptar ishte në buzë të mbijetesës. Në Shqipëri diktatura komuniste e kishte orientuar vendin kundër Perëndimit duke shkëputur lidhjet me pjesën më të madhe të botës. Në rrethana të tilla edhe komunikimi i popullit shqiptar dhe hebrenjve ishte pamundësuar dhe për pothuajse pesë dekada nuk kishte ekzistuar fare.
Por, me fillimin e ndryshimeve në vendet e bllokut lindor, në fund të viteve 1980 dhe fillim 1990, filluan ndryshimet edhe në këtë fushë.
Më 1990, ish-kongresisti amerikan, Jospeh DioGuardi, dhe kongresisti i ndjerë amerikan, Tom Lantosh, ishin zyrtarët e parë amerikanë, të cilët kanë vizituar Shqipërinë gjatë periudhës komuniste. Ata janë takuar atje me diktatorin Ramiz Alia. Ky i fundit u prezantoi dokumente të panjohura për opinionin për të gjithë hebrenjtë, që kanë qenë të strehuar në Shqipëri dhe nuk kanë qenë të persekutuar. Dy zyrtarët amerikanë, pastaj, i dërguan ato në institutin përkujtimor “Yad Vashem” në Izrael tek e vërtetuan autenticitetin e tyre. Prej atëherë ka filluar të bëhet i njohur fenomeni që shqiptarët si komb kanë strehuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kontribut të jashtëzakonshëm vazhdon të japë Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me z. Joseph DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardin, të cilët angazhohen fuqishëm, në mënyrë që kjo vepër e kombit tonë të sensibilizohet para opinionit botëror. Ndërsa në Kosovë ishte znj. Xhangyle Ilijazi, aktivistja e parë që në vitet ‘80 filloi të hulumtojë dhe t’i regjistrojë faktet mbi fenomenin unik të shqiptarëve të Kosovës, të cilët i strehuan hebrenjtë gjatë periudhës më të errët të njerëzimit në kohë moderne, Holokaustin. Por mundësi të reja për zbulimin e këtij fenomeni u krijuan vetëm pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Pas rënies së diktaturës në Shqipëri, marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve u rikthyen, përderisa në Kosovë situata ende rëndohej.
Megjithatë, gjatë luftës në Kosovë dhe dëbimit me dhunë të popullit shqiptar nga forcat shtetërore, paramilitare e ushtarake serbe, situata nuk kaloi pa vëmendjen e opinionit në Izrael. Përveç ndihmave humanitare të dërguara për refugjatët, ushtria izraelite kishte ngritur edhe një spital fushor për të ofruar shërbimet e nevojshme mjekësore për refugjatët nga Kosova në Maqedoninë Veriore. Veç kësaj, u organizua edhe pranimi i një grupi refugjatësh në Izrael.
Pas çlirimit të Kosovës filloi fuqizimi i marrëdhënieve mes dy popujve. Boshti i këtyre marrëdhënieve është historia e shpëtimit të hebrenjve te shqiptarët, që edhe është gurthemeli i këtij raporti tejet të veçantë.
Në vitin 2005, bashkë me të ndjerin Mustafë Rezniqi, si dhe me veprimtarë të tjerë dhe anëtarë të familjeve të tjera shqiptare të Kosovës që kishin strehuar hebrenj gjatë Holokaustit, Xhangyle Ilijazi themeloi shoqatën e miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel”, qëllimi kryesor i së cilës është hulumtimi, zbulimi, regjistrimi, dokumentimi dhe publikimi i të gjitha fakteve mbi shpëtimin dhe strehimin e hebrenjve gjatë Holokaustit në Kosovë dhe në Ballkan. Deri më tani janë dy familje kosovare, të cilave u është akorduar titulli “Fisnik mes kombeve” nga Yad Vashemi. Pas Asllan Rezniqit më 2008, ishte familja Sharri, respektivisht Faik dhe Sabrije Sharri, të cilët pas vdekjes u dekoruan me këtë titull. Ata kishin shpëtuar hebrenj, ndërsa kontributi i tyre u njoh falë punës dhe angazhimit të pasardhësve, përkatësisht së bijës, Bediha Sharri-Mustafa, për gjetjen e fakteve për ngjarjen e ndodhur në familjen e saj.
Një nga ngjarjet më të mëdha përmes së cilës opinioni botëror filloi të mësonte për këtë pjesë të historisë sonë, ishte pikërisht hapja e ekspozitës “BESA”, e fotografit të ndjerë Norman Gershman, i cili me mbështetjen e LQSHA-së dhe shoqatës sonë realizoi ekspozitën unike të shpëtimtarëve të hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë. Si pjesë e këtij projekti, anëtarët e familjeve shpëtimtare shpalosën për herë të parë dhe lirshëm historitë e familjeve të tyre dhe kontributin e paraardhësve për shpëtimin e hebrenjve.
Megjithatë, si një margaritar i tërë punës së vazhdueshme për zbulimin e kësaj pjese të historisë sonë, është edhe shënimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Senatin Amerikan në Washington DC, nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, pikërisht më 28 nëntor 2012. Prania e kongresistëve dhe e senatorëve bëri që ngjarja të kishte jehonë të madhe në mbarë opinionin botëror. Më duhet patjetër të veçoj edhe momentin e takimit të ish-kongresistit Joseph DioGuardi me të ndjerin Papa Gjon Palin e Dytë në Vatikan, kur në një audiencë i kishte treguar drejtpërdrejt për historinë e shpëtimit të hebrenjve tek shqiptarët.
Njohja në kohë pandemie
Kulmi i marrëdhënieve tona mbeten dy momente. Hapja e Ambasadës së shtetit të Izraelit në Tiranë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës. Hapja e ambasadës, pas shumë vitesh të marrëdhënieve diplomatike, nënvizon raportet e shkëlqyera mes dy popujve dhe seriozitetin e vazhdimit dhe të thellimit të tyre në të gjitha fushat.
Më 4 shtator 2020, kur në Washington u nënshkrua marrëveshja midis ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pika e rëndësishme e njohjes së pavarësisë së Kosovës ishte e ndryshme nga fryma e pikave të tjera për të cilat ishin dakorduar nënshkruesit.
Kjo marrëveshje, e cila pasoi me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në shkurt 2021, ishte kulmi i rinjohjes mes dy popujve, të cilët historia i kishte takuar dhe miqësuar në periudhat më të errëta me të cilat ishin ballafaquar. Përderisa gjithçka ndodhi në kohë pandemie, me kufizime të shumta, ndërsa për herë të parë vendosja e marrëdhënieve mes dy shteteve u bë online, ku homologët reciprokë ishin në zyrat e tyre. Njëjtë vazhdoi edhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në kushte pandemie.
Marrëveshja solli vëmendjen për marrëdhëniet e veçanta në periudha të ndryshme të historisë. Historikisht komunikimi mes nesh ka filluar shekuj më parë, por janë rrethanat e ndryshme historike, veçmas ato të shekullit 20, të cilat vënë në pah një raport të veçantë. Andaj, duhet theksuar se gurthemeli i marrëdhënieve tona është pikërisht sjellja shembullore e kombit shqiptar gjatë Holokaustit, prandaj shpëtimtarët e hebrenjve me të cilët mburremi meritojnë nderimin e përhershëm.