Shtojca për Kulturë

Idetë për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve në Jugosllavi

Idetë për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar kanë qenë gjerë­sisht të diskutuara nga specialistë albanologë, romanistë, sllavistë, serbokroa­tistë, kla­sicistë, indoeu­ropia­nistë-kompa­ratistë, historianë, arkeologë, etnologë, etj., që u for­muan dhe zunë hapësirat e veprimta­rive nëpër institucionet e shtetit të për­bashkët pas Luftës së Parë Botërore. Ata vinin kryesisht nga shkollat dhe universitetet austriake dhe të Europës së Mesme, për një pjesë pak më të vonë nga Franca. Në qarqet elitare universitare qarkullonin idetë gjerësisht të njohura në Europën Qendrore me mbi­sundim të gjermanishtes si gjuhë komunikimi shkencor

Interesimi i hershëm për albanistikë

Brenda suazave të një kumtese (në version të përmbledhur) do të merrem me nyjëtimet krye­sore të çështjeve të prejardhjes së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar duke mbaj­tur parasysh faktin se interesi për studimin e çështjes së prejardhjes së gjuhës shqipe në Jugosllavi kishte qenë i hershëm dhe ishte nxitur sidomos pas themelimit të Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene/Jugosllavisë: më 1924 u themelua nga H. Ba­rić në Beograd Se­minari Albanologjik, u botuan në tri vëllime të “Arhiv za arbanas­ku starinu, jezik i etnologiju” (vë­llimi i katërt doli me rastin e ribotimit të tre të pa­rëve më 1970 në Prishtinë) dhe një sërë librash, pastaj pati një heshtje; Seminari kishte një kohë dhe lektor shqiptar – Xhevat Korça, e pastaj Vojislav Dančetović. Disi të ndër­lidhura qenë dhe veprimtaritë rreth studi­meve ballka­nike me “Révue des études sud-est européennes et balka­niques” 1937 - (Skok Zagreb, Bu­dimir Beograd). Semi­nari albanologjik gjatë LDB-së nuk fun­k­sionoi, pas saj më 1948 në horizontin e Jugos­llavisë së re, Barić, si i dënuar politikisht nga gjyqi i nderit i Universitetit të Beogradit, nuk mundi të ishte më atje. Ai një kohë pati angazhime në Zagreb e Sarajevë, ku më vonë themeloi In­stitutin Ballkanologjik. Në Beograd në krye të Seminarit Albano­logjik erdhi V. Dančetović, i cili nuk e kishte staturën prej komparatisti, indoeuro­peisti, albanologu, roma­nisti e sllavisti të Barić-it, por mund të kishte njohuri praktike për shqipen, ndërsa si asistent u angazhua Anton Çetta, lektor Idriz Ajeti. Më 1953 në Prishtinë u the­melua Instituti Albanologjik me Selman Rizën, por u mbyll më 1955 (Riza u dëbua në Shqi­përi); pas 1960 u ha­pën studimet për gjuhën dhe letërsinë shqipe në Prishtinë, e pas ndryshimeve të vitit 1966, më 1967 u rithemelua Insti­tuti Albanologjik. Përveç Henrik Barić-it, kroat nga Dubrovniku, i formuar në Graz e Vjenë, e V. Danče­tović-it nga Vushtrria, në tërë këtë hapësirë gjeografike e kohore nuk pati spe­cialistë të mirëfilltë albanologë joshqiptarë, por pati studiues të shquar të fushave të tjera që merre­shin dhe me çështje të shqipes, si­­do­mos në kontekstet ballka­nistike në raport me konsideratat paleoballkanike apo ndonjëherë dhe lidhur me kontaktet me gjuhët fqinje, apo me shqiptarët.

Interesimet për shqiptarët në fillim të sh. XX

Në fillim të shekullit XX, Serbia kishte dërguar në hapësirat shqiptare në Kosovë e Maqedoni si konsuj njerëz të dijshëm, që do të merreshin me gjendjen e atjeshme me synim shtrirjen sipas pro­gramit të tyre nacional. Në opinionin serb ishin krijuar ideologema me të cilat arsyetohej shtrirja e synuar pas rënies së Perandorisë Osmane: për shqiptarët flitej si për popullatë të dhunshme, zullum­qare, të shtrirë në hapësirat e Serbisë së Vjetër (aluzion për Mbretërinë e Dušanit) me mbë­shtetje të qeverive të Stambollit, po­pullatë fisnore, agresive si 'lumi shkretues' që do mbledhur në shtratin e tij dhe kthyer në rrjedhë të dobishme, etj. Përgjithësisht përshkruheshin si anarkikë, në shkallë zhvi­llimi jo të përshtatshme për ndërtimin e shtetit të vet. Shquheshin për këtë lloj diskursi edhe politikanë e shtetarë si Vladan Đorđević, J. Hadživasiljević, historianë e studiues si J. Tomić, deri edhe J. Cvijić, etj.

Arbanasë, serbë të arbanizuar, këtej e andej Drinit

Për shkrimtarin dhe diplomatin Branislav Nušić, në dy librat e tij për Koso­vën në fillim të she­kullit, para pushtimit serb të Kosovës, shqiptarët ishin ilirë. Prej tyre dolën ilirët e romanizuar – vllehtë, dhe shqip­tarët, të dy këta ndeshën serbët kur erdhën në Ballkan. Ndër shqiptarë bënte dallimin midis shqip­tarëve dhe arnau­tëve të vërte­të. Këtu ndër­lidhen dy ideologema të rëndësishme: dallohen, Arbanasi, që ja­në më të paktë, të përshkruar me tone pozitive, dhe poarbanašeni Srbi, që përbëjnë shumicën, e që janë të dhunshëm, anarkikë. Flitej gjithnjë për hapësirat Stara Srbija, Južna Stara Srbija, me refe­renca te shteti mesjetar serb. Por atje jetojnë Arbanasi; pra duhet të jenë po­arba­našeni Srbi [serbë të arbë­neshizuar], ndërsa synimi për të depërtuar me sundimin e ri shkonte te lumi Drin, si kufi përtej të cilit janë arnautët e vërtetë, ndërkaq këtej Drinit kishte 'serbë të arnautizuar'. Dallimet midis shqip­ta­rëve këtej Drinit dhe atyre përtej Drinit, duke qenë thelbësore, nënkuptohej, mund të ndërli­dhen dhe me da­llime të lashta.

Ndërkaq, për njohës të atëhershëm të botës shqiptare të Veriut nga sllavët e jugut, si Lovro Mi­hačević, përcaktimet Arnau­taši, prekodrimski Arnauti, etj. nuk kishin kuptim.

Tradita e studimeve

Idetë për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar kanë qenë gjerë­sisht të diskutuara nga specialistë albanologë, romanistë, sllavistë, serbokroa­tistë, kla­sicistë, indoeu­ropia­nistë-kompa­ratistë, historianë, arkeologë, etnologë, etj., që u for­muan dhe zunë hapësirat e veprimta­rive nëpër institucionet e shtetit të për­bashkët pas Luftës së Parë Botërore. Ata vinin kryesisht nga shkollat dhe universitetet austriake dhe të Europës së Mesme, për një pjesë pak më të vonë nga Franca. Në qarqet elitare universitare qarkullonin idetë gjerësisht të njohura në Europën Qendrore me mbi­sundim të gjermanishtes si gjuhë komunikimi shkencor. Atje kishin vepruar dhe studiues të njohur sllavë të jugut, si J. Kopitar, F. Miklošič, V. Jagić, etj. Në Sarajevë ishte themeluar Zemaljski muzej mbi bazë të konceptimeve nga qarqet vieneze, ku vazhdonte të kishte ndikim qendror arkeo­logu K. Patsch, e ku do të ndërlidheshin albanologë si F. Nopcsa. Gjuhëtarët e shquar si R. Meringer me “Wör­ter und Sachen”, P. Kretschmer, W. Meyer-Lübke, me njohuri për botën albanologjike, kishin qenë dhe mentorë të studiuesve të shquar në Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene/ Jugo­slla­vinë e mëtej­me, ndër të cilët duan përmendur P. Skok, H. Barić, K. Oštir, M. Budi­mir etj.

Në Slloveni pati zhvillime të hershme përmes mësimdhënies kompa­ratiste të K. Oštir (1888-1973), i cili njohuritë e veta i zgjeroi dhe në Britani, ndërsa mësimet i la në Lubjanë, ku më vonë do të shquhen F. Bezlaj, B. Čop, tani M. Snoj, e vijojnë edhe S. Klemenčič, etj. Oštir njihet për kë­mbënguljen e tij në studimet kra­hasuese rreth tin­gujve h, që ndërkohë do të bëhet e njohur si teori e laringaleve, edhe më shumë me studimet e tij për afritë midis gjuhëve njerëzore. Teoria e tij, ku një vend e zë edhe materiali nga shqipja, njihet si teori alarodike, pra gjuhësi e kra­hasuar që studion lidhjet e afrisë midis gjuhëve që janë folur qysh para ardhjes së indoeuropianëve në hapësirat midis Pirene­jeve dhe Kavkazit – që njihen si etruskishte, materiale të ishullit Lemnos, baskishte dhe, në sajë të elementeve të kë­tij substrati në gjuhët IE, mëtohej zbulimi i gjendjes gjuhësore në Europë, pra edhe ndër­lidhjet me gjuhët semite, altaike, berbere, etj. Ata që vijnë më vonë, sidomos Bez­laj, Čop, Snoj, do t'i kufizojnë horizontet e tyre të krahasimit në fushat indoeu­ropiane. Čop dhe Snoj kanë pasur ndikim edhe në themelimin e veprimin e lek­toratit të shqipes në vitet '80-'90 të sh. XX në Lubjanë.

Në Zagreb për interesimet dhe studimet albanistike shqu­hej gjuhëtari romanist e sllavist, Petar Skok (1881-1956), ndërsa për historinë shqiptare mori famë të madhe Milan Šufflay (1879-1931), që vinte me ndërlidhjet e tij me botën hungareze e vieneze, përfshirë C. Jireček, L. Thallóczy, me njohjet e jashtë­zakonshme arkivale për mesjetën. Në albanologji njihet mjaft mirë vepra e Šufflay-it. Pikëpamjet e tij për lashtësinë dhe prejardhjen ilire të shqiptarëve, ash­tu si për simbi­ozën shqiptaro-slla­vojugore të mes­jetës janë të njohura. Për P. Skok-un dihet më pak, ­ndaj po lejohem të sjell ndonjë hollësi lidhur me orientimin e tij, më pak lidhur për rezultatet kon­krete gjithsesi me rëndësi.

Do të shtoj menjëherë se në Kroaci ka pasur dhe interesime të tjera për botën shqip­tare dhe sidomos për lidhjet historike të shqiptarëve me botën e lashtë. Është shquar A. Mayer me vep­rën e tij “Die Sprache der Alten Illyrier I, II”, Vjenë 1957-59. Merita e tij e madhe qëndron në faktin se kishte mbledhur materialin e disponueshëm për gjuhën e ilirëve. Është shënuar gjerësisht se A. Mayer mendonte që ilirishtja ishte gjuhë IE e tipit satem dhe kjo kishte rëndësi për zhvillimet e ideve lidhur me shqipen po ashtu satem. Më vonë po në Kroaci do të kemi interesime dhe rezultate të shënueshme për ilirët e lashtë sidomos ndër arkeo­logë e historianë, po edhe ndër stu­diues të gjuhëve klasike. Do të përmend këtu M. Suić, D. Ren­dić-Mio­čević, A. Stipčević (arbënesh nga Zara), ndër arkeologë, dhe në mënyrë të veçantë R. Katičić, gjithsesi më i njohuri i këtyre anëve në botën perën­dimore, i cili ka lënë dhe vep­rën e rëndësishme të kohës për gjuhët e Ballkanit të lashtë (1976).

Ideologjia e një libri të Skok-ut

Në librin “Dolazak Slovena na Mediteran”, Split, 1934, P. Skok, në ujërat e jugo­sllavizmit të atëhershëm, i kishte shtruar vetes detyrë “t'i jipte bazë shkencore ideologjisë sonë adriatike”. Sepse, “derisa për fatin e slla­vizmit në brigjet e Mes­dheut nuk kishte asfarë rëndësie tipi kontinental roman në Ballkan, ndërkaq për zonën nga Preveza e gjithë deri tek Ulqini me rëndësi vendimtare ka qenë një tjetër popull ballkanik. Këta janë Arbanasët”, f. 50. “Arbanasët e sotëm... i kanë shtyrë tërësisht nga Adriatiku në këtë segment sllavët... ky popull ka ardhur në Adriatik para 4 shekujve të fundit dhe ... jo vetëm që nuk ka asfarë termino­logjie detare, po nuk ka as frymë detare... I përmendin për herë të parë dy burime bi­zantine të v. 1079 në Epir”, f. 50. Pas ekspozimit të mendimeve të tij sidomos për labët e Labë­rinë, nuk ngurronte të shprehte idenë se “duke qenë se Ljab është formë sllave, nuk për­­­­­jashtohet që lebë­rit janë sllavë të shqip­tarizuar”, f. 101. Komenti është i tepërt.

Duke mos pasur shpjegim për zhdukjen e sllavëve në Epir, vinte me idenë se ata do të jenë “shndërruar në cincarë”, f. 164, ndërkaq, arbërit, jodetarë, malorë kanë mentalitet që shihet në “prirjen e fuqishme drejt plaçkitjes dhe brigandërisë. Me rëndësi është pikërisht fjala pljačka vetëm me fundjen e jona. Për nga baza është greke dhe Arbanasët e përhapën në tërë Ballkanin. Ajo është një fjalë nga më të zakonshmet në gjuhën e tyre. Dhe atyre duhet t’u jemi mirënjohës që kjo fjalë u bë ballkanike”, f.165. Si barinj, kur zbrisnin nga malet “mund të palç­kisnin vetëm popullatën bujqësore, ndërsa e tilla ishte sllave”, f. 166.

Në fillim të shekullit XX, Serbia kishte dërguar në hapësirat shqiptare në Kosovë e Maqedoni si konsuj njerëz të dijshëm, që do të merreshin me gjendjen e atjeshme me synim shtrirjen sipas pro­gramit të tyre nacional. Në opinionin serb ishin krijuar ideologema me të cilat arsyetohej shtrirja e synuar pas rënies së Perandorisë Osmane: për shqiptarët flitej si për popullatë të dhunshme, zullum­qare, të shtrirë në hapësirat e Serbisë së Vjetër (aluzion për Mbretërinë e Dušanit) me mbë­shtetje të qeverive të Stambollit, po­pullatë fisnore, agresive si “lumi shkretues” që do mbledhur në shtratin e tij dhe kthyer në rrjedhë të dobishme, etj. Përgjithësisht përshkruheshin si anarkikë, në shkallë zhvi­llimi jo të përshtatshme për ndërtimin e shtetit të vet

Prapavija ideologjike në këtë libër është kjo: të ruhet pozita sllave në breg­­­det, sepse ësh­të për të vajtuar që nuk u ruajt bregdeti shqiptar. Prandaj, duhet ideja e soli­daritetit të slla­vëve dhe këtu ai referonte drejtpërsëdrejti idenë e solidaritetit sllav të J. Kollar-it të sh. XIX. Ai dëshmonte se Serbia e Karagjorgjeviqëve kishte filluar ta thek­sonte idenë e so­lidaritetit ball­kanik dhe të sloganit “Ballkani – popujve ballkanikë”. Idenë sllave të solidaritetit ne e kemi zgje­ruar në Ballkan, thoshte ai, f. 258. Ideja “Balkan balkanskim naro­dima” thotë po atë gjë që thotë ideja e solidaritetit sllav, f. 258.

Në përgjithësi, Skok-u ndiqte idenë e prejardhjes iliro-trakase, apo të kompromisit, siç ishte thënë për idenë e tillë të Jokl-it, edhe për shkak se mendonte që shpjegimi donte ndërlidhur me qëndri­min për rumanishten dhe raportet e saj me shqipen.

Budimir-i në vijë tjetër

Ndër studiuesit jugosllavë, ka varietet pikëpamjesh dhe interpreti­mesh. M. Budi­mir-i (1891-1975), serb antifashist i deklaruar, sillte një vësh­trim tjetër, më pa­rë të një filologu klasik me formim të gjerë kom­­­pa­ratist. Konceptimi tij li­dhej me idenë e pellastishtes. Do të rikujtojmë një studim krejt të vonë të tij, që merret me vendin e shqipes në kuadër të gjuhëve indo­europiane (Budimir 1965: 5-13). Sipas tij, popujt e lashtë ballka­nikë: ilirë, trakas, dardanë, make­donë e liburnë përbëjnë një grup të veçantë. Vene­tët që përmen­den bashkë me ilirët më shpesh dalin në lidhje me slla­vët, ndaj duan lënë veç. Ilirët e lash­të duhet të për­cak­­tohen sa i përket shtri­r­jes, sepse për një kohë në gjuhësi sundonte lëvizja e pani­lirizmit. Ka dhe një ilirizëm më modest: Illyrii pro­prie dicti në jug të Bokës së Kotorit drejt bregdetit epirot. Por kjo, nga ana tje­tër, është hapësirë tepër e ngu­shtë (Bu­dimir 1965: 6).

Pas diskutimit për gjurmë të tjera, Budimir-i shtronte pyetjen: a ja­në shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të ndonjë populli tjetër? Meqë ha­pë­sira e ngushtë e ilirëve proprie dicti përputhet me ha­pësirën e shqip­ta­rëve toskë e gegë, mendohet se ata janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve, sepse nuk e kanë ndryshuar vendbanimin, men­donte ai. Por nuk e linte pa diskutuar më tej kritikën e H. Hirt-it lidhur me karakterin centum të ili­rishtes dhe satǝm të shqipes, ashtu si me idetë atëherë të reja të V. Georgiev-it e të tjerëve për supozimin që thoshte se shqiptarët janë të ar­dhur prej përtej Nishit, nga hapësira dardane, madje me distancim lehtësisht ironizues: “Linguistëve më të rinj as kjo nuk u mjafton. Linguistët bullgarë, si Dechev, nën ndikimin e Georgiev-it, i bartën paraardhësit e arbana­sëve të sotëm përtej Dan­ubit, atje në Daki” (Budimir 1965: 11).

Për­fundimi kryesor i tij këtu është: “Prandaj paraardhësit linguistikë të gjuhës shqipe bien në atë grup që për­bëjnë pe­llastët në Ballkanin antik dhe që duhet të konsiderohet jashtëza­ko­nisht ar­­­kaikë dhe kon­ser­vativë. Vendbanimet e hershme të para­ardhësve shqip­tarë nuk mund të jenë larg nga malet Scardus, emri i të cilave në slla­vishten nuk e tregon atë metatezën e likuideve të cilën e shfa­qin emrat ilirë në perën­di­min ballkanik – Scard e Scardona – Skradin...” Budimir 1965: 12. Stu­dimet e Budimir-it në këtë fushë nuk kanë pasur ndjekës në Jugosllavi.

Teoria për prejardhjen trakase të shqipes

Henrik Barić (1888-1957), sipas Ivan Pudić-it, qysh në Dubrovnikun e tij të lindjes ki­shte marrë një formim liberal, njohuri të thelluara në literaturën teologjike dhe në gjuhët kla­sike e moderne, kishte qenë “aktiv dhe luftarak në radhët e rinisë kombëtare serbe të vendlindjes”, lin­guist kroat sipas Enciklopedisë kroate, jugosllav sipas burimeve serbe po edhe sipas I. Ajetit, kishte shkruar serbo­kroatisht ekavisht, në Graz e Vjenë kishte studiuar gjuhësi të për­gjithshme dhe krahasimtare, nismëtar dhe themelues i Seminarit të albanologjisë në Universitetin e Beo­gradit më 1924 dhe i revistës me vlerë në albanologji “Arhiv za arbanašku starinu, jezik i etno­logiju (1924-1928)”, autor i një vargu studimesh për raportet midis gjuhëve ballkanike, sidomos midis shqipes dhe rumanishtes dhe midis shqi­pes e gjuhëve sllave, albanologu nga të shquarit të kohës së tij dhe me siguri më i shquari në Ju­gosllavi. Në studimet historiografike dhe në etno­logji, mendonte ai, mbisundon teoria për prejar­dhjen ilire të shqiptarëve. Por kjo është vetëm një ‘istorisko domi­šljanje’ (shqip e kanë përkthyer si ha­mêndje his­torike) që mbështetet në emrin e vjetër kombëtar të shqiptarëve dhe në faktin se në periudhën his­torike ata jetojnë në një pjesë të hapësirës së dikurshme ilire.

Një identifikim i tillë i arbërve me ilirët, sipas tij, nuk ka fuqi të mjaftueshme dëshmuese. Në­se shqip­tarët jetojnë në një pjesë të Ilirisë së dikurshme, kjo nuk do të thotë se ata janë me prejardhje ilire, sepse, si të ardhur, kanë mundur të vërshonin dhe të asimilonin në atë hapësirë ilirët e lashtë që takuan, e për këtë të mos kenë mbetur dëshmi. Në vijim ndodhi ndeshja e tezave për prejardhjen ilire apo trakase të shqipes.

Shqipja i përket grupit satem si indo-iranishtja, armenishtja dhe balto-sllavishtja, dhe këtë e ilustronte me shembujt vis: vьsъ: vicus (palatalet paragjuhësore , h u zëvendësuan me sibilante). Prandaj, sipas tij, çelësi për zgjidhjen e çështjes së prejardhjes së gjuhës shqipe në raport me trakishten e ilirishten qëndron këtu. Sikur gjuha e ilirëve ballkanikë dhe e mesapëve (të shkuar atje rreth 1000 para K.) të ishte satem, kjo do të thoshte: ose se izoglosa centum/satem shkonte përmes ilirishtes (e pabesueshme, se­pse ky tipar është IE më i vjetër), ose se venetët nuk janë ilirë. f. 9. Sot kjo e dyta pranohet tërësisht.

Sipas tij, në thelb, shqipja është dialekt i trakishtes, ndërsa karakteri i saj trako-ilir është rezultat i simbiozës së mëvonë. Po kur erdhën paraardhësit trakas në hapësirën ilire? Sipas Ba­ri­ćit mjaft vonë, sepse “vetëm kështu mund të shpjegohet që në gjuhën e tyre nuk ka gjurmë të terminologjisë indigjene detare dhe që toponimet në hapësirën gjuhësore historike arbëre nuk kanë fytyrë fonetike shqipe, d.m.th., që nuk kanë pësuar ndryshime të caktuara fone­tike, që do të kishin ndodhur patjetër sikur arbënit prej kohësh të kishin qenë në territorin e so­tëm të tyre”. Du­ke marrë parasysh toponimet antike që "nën fashën sllave fshehin fytyrën fonetike arbëre”, si Nish – Naissus, Shkup – Scupi, Shtip – Astíbos, Ohër – Lychnid, ai supozon­te se djepi më i her­­shëm iliro-trakas ballkanik i shqiptarëve do të ketë qenë Dardania dhe Peo­nia. Por kjo nuk do të thotë se ata ishin dardanë a peonë, po vetëm një etapë në lëvizjen drejt perëndimit të tra­­kasve të zbritur nga Hemusi e Rodopet. Pas kësaj etape, paraardhësit e shqipta­rëve migruan drejt maleve dinariko-pindase dhe bregdetit Adriatik dhe kjo do të ketë ndodhur para përfun­di­mit të periudhës latine, në valë nga sh. III e më së largu deri në sh. VI të epokës së re.

Të gjitha në konceptimet e tij ndërlidhen me grupin e lashtë trako-frigo-armen, ku trakishtja del si një hallkë midis shqipes e armenishtes.

Një pikë tjetër me rëndësi që lidhet me çështjen e prejardhjes dhe të vendit të formimit të shqipes në studimet e H. Barić-it qëndron në shqyrtimin e raporteve të shqipes me romanitetin në përgjithësi dhe me romanitetin ballkanik në mënyrë të veçantë. Është nga të rëndësishmit në studimet e raporteve me rumanishten. Ky aspekt e bën atë po ashtu të anojë në argumentimet për prejardhjen trakase të shqipes. Sido që të jetë, studimet e Barić-it për shqipen e kanë ruajtur një vlerë të tyre pikërisht se nuk manifestonin prapavija ideologjike si ato që kishte manifestuar Skok a ndonjë tjetër. Studimet e mëvona nuk i kanë dhënë të drejtë sa i përket idesë për prejar­dhjen trakase të shqipes, ndërsa aspektet si raportet me armenishten më 1987:11 i kishim cilë­suar si vijon: “...Argumenti i afërive me armenishten ish­te tepër i hollë për ta mbë­sh­tetur gjithë këtë kon­struksion” (Ismajli në “Recherches albanologiques 4”/1987;7-22).

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Kjo kumtesë është version i përmbledhur i asaj që akademik Rexhep Ismajli ka prezantuar në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike të mbajtur në Tiranë prej 25 deri më 27 nëntor, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Botohet me leje të autorit

© KOHA Ditore