Në kulturën hebraike barsoletat janë urti, shpoti dhe shpëtim
Rrëfimet e mira e kanë një fillim, një mes dhe një fund. Rrëfimet e mira janë të shkurtra dhe përfundojnë mundësisht me një poentë. Poenta e arrin efektin më të madh kur i bën njerëzit të qeshin nga zemra. Sigmund Freudi e ka përshkruar kështu: çfarë ka për të thënë barsoleta, nuk e thotë vetëm me pak fjalë, por me shumë pak fjalë.
Njerëzit kanë treguar përherë barsoleta, që në Kosovë më shumë u themi vica, bazuar në fjalën gjermane Witz. Fjala “vic” në gjuhën shqipe ka hyrë ashtu si fjala “shtraficiger” (në shqip: kaçavidë), pra nga emigracioni në viset gjermanishtfolëse. Në gjermanisht shtrafcigeri është Schraubenzieher. Si shumica e popujve të Ballkanit, edhe shqiptarët kanë talent për vica, por kampionë të rajonit padyshim janë boshnjakët. E bukura e vicave të tyre është se shpesh i tregojnë në llogari të veten dhe jo vetëm për të dëshmuar sa budallenj janë komshinjtë.
Por në ligën ndërkombëtare të vica-treguesve më origjinalët janë hebrenjtë. Dhe kjo nuk është befasi. Për shkak të rrethanave historike populli hebraik e ka pasur fatin shpeshherë tragjik të jetë i shpërndarë nëpër botë dhe kësisoj të jetojë në ambiente nga më të ndryshmet, të ketë kontakte me njerëz të ndryshëm dhe të përballet me situata të ndryshme, edhe komike.
Në librin e tij mbi humorin hebraik me titullin “Mos u bë aq i vogël, ti nuk je aq i madh”, publicisti i njohur gjerman Josef Joffe pyet nëse vërtet është i nevojshëm edhe një libër mbi humorin hebraik. Më 2015, kur u botua libri, shtëpia digjitale e mallrave Amazon ofronte 50 tituj në gjermanisht mbi humorin hebraik. Amazon në anglisht në tezgën e vet digjitale ofronte 220 tituj.
Libri i Joffe është i nevojshëm për shkak se humori hebraik është një burim i pashtershëm. Në jetën publike dhe kulturore gjermane dhe në pothuaj mbarë hapësirën gjermanishtfolëse hebrenjtë kanë luajtur rol të rëndësishëm deri më 1933 (viti kur një piktor i dështuar austriak mori pushtetin në Berlin). Shkrimtarët më të njohur të gjuhës gjermane ishin hebrenj (Kafka, Zweig etj.). Deri më 1933 një e treta e nobelistëve gjermanë ishin hebrenj.
Përkundër gjenocidit ndaj hebrenjve, përkundër zhdukjes së një pjese të madhe të kulturës hebraike në viset gjermane, humori hebraik ka mbijetuar. Shumë hebrenj i morën anekdotat dhe barsoletat me vete kur emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1930. Sot në SHBA dhe në Kanada jetojnë 7 milionë hebrenj. Vicat që dikur tregoheshin në qytezat hebraike në Europën Lindore apo në trevat gjermane, pas Luftës së Dytë Botërore u modifikuan dhe gjetën vend në seritë televizive amerikane.
Humori hebraik i demaskon klishetë, njëkohësisht nuk ngurron t’i shpotisë pak edhe historitë personale të mërgimtarëve hebraikë. Për shembull: “Një mërgimtar i sapoardhur nga Rusia, i cili ishte i lumtur që kishte shpëtuar nga Cari rus, prezantohet në një lagje të New Yorkut me emrin ‘Sean Ferguson’. Pse e keni këtë emër, e pyesin njerëzit e East Side të New Yorkut, që para 100 vjetësh ishte geto klasike hebraike. ‘Këtë emër ma vuri zyrtari i emigracionit në Ellis Island. Kur më pyeti për emrin tim që kam pasur në atdheun e dikurshëm, u përgjigja në jidish: ‘E kam harruar’”.
Fantastike është barsoleta hebraike për hebrenjtë si popull i zgjedhur nga zoti. “E di, e di. Ne jemi populli i zgjedhur prej teje. Por a nuk mundesh nganjëherë të zgjedhësh ndonjë tjetër?”. Ekziston edhe një variant tjetër i kësaj barsolete: “Ti na ke zgjedhur mes popujve të tjerë. Athua çfarë të kemi bërë?”. Një komunikim plot humor me zotin.
Morbid dhe shumë goditës kundër antisemitëve, të cilët hebrenjtë i shohin si fajtorë për çdo gjë, është ky vic: “Një turist izraelit sheh një luan në një kopsht zoologjik duke futur shputën nëpër grila dhe kapur një vajzë për ta tërhequr dhe ngrënë në kafaz. Izraeliti ndërhyn dhe e godet luanin fuqishëm me grusht në hundë. Luani dorëzohet, fëmija shpëton.
Rastësisht një reporter vëren këtë skenë. ‘Djalosh, çfarë bëtë ishte një vepër vërtet e guximshme dhe vetëmohuese. Për këtë dua të shkruaj në mënyrë meritore në gazetën e nesërme. Si quheni? Nga vini? Çfarë profesioni keni?’. - ‘Avi Ben-Zvi. Nga Izraeli. Jam lejtënant i parashutistëve’.
Mëngjesin tjetër në faqen e parë të gazetës ky titull: ‘Një racist izraelit godet një azilant afrikan dhe ia vjedh drekën”.