Shtojca për Kulturë

Historia e pabesueshme e poeteshës rome, Gina Ranjičić

Osijek, Beograd, Stamboll, Shqipëri, Itali, Paris, Vjenë: një nomade rome i këndon të dashurit të saj shqiptar.

Pa shënimet e Heinrich von Wlislockit nuk do të dinim gati asgjë për Gina Ranjičićin. Heinrich von Wlislocki ishte gjuhëtar që shkroi një disertacion mbi filologjinë e lashtë nordike dhe përktheu në hungarisht “Edda”, një përmbledhje e këngëve heroike nordike. “Edda” konsiderohet si një ndër burimet më të rëndësishme të mitologjisë gjermanike.

Heinrich von Wlislocki (1856-1907) ishte i biri i një aristokrati polak dhe i një saseje nga Transilvania (ose Siebenbürgen), një rajon në Rumaninë qendrore. Sasët kanë qenë një fis gjerman i shpërndarë në Europën Juglindore, përfshirë edhe Kosovën. Ata punonin kryesisht si zejtarë dhe prej tyre në gjuhën shqipe ka mbijetuar fjala xehe (Zeche).

Heinrich von Wlislocki interesohej shumë edhe për gjuhën, doket dhe kulturën rome. Lista e veprave të tij mbi jetën, etnografinë, gjuhën dhe mitologjinë rome është mbresëlënëse.

Nga fundi i jetës së tij Heinrich von Wlislocki njoftoi Gina Ranjičićin. Konsulli serb në Sombor (të Vojvodinës që atëbotë i takonte Perandorisë Austro-Hungareze) i tregoi Heinrich von Wlislockit për një grua rome me emrin Gina Ranjičić prej së cilës dëshironte të blinte një vëllim me poezi.

Heinrich von Wlislocki e takoi poeten rome në kasollen e saj afër Osijekut në Kroaci. Ajo ishte një grua që bartte mbi supe krejt peshën e jetës, vështirë mund të merrej me mend se dikur kishte qenë shumë e bukur. Gina Ranjičić tregoi se komuniteti i saj i romëve nomadë më 1848 ishte shtyrë nga trupat kroate të luftojë kundër udhëheqësit hungarez Lajos Kossuth i cili angazhohej për pavarësinë e Hungarisë nga Austria.

Kur revolucioni dështoi, grupi i romëve u arratis në Serbi. Sipas Heinrich von Wlislockit, Gina Ranjičić u bë pjesë e shtëpisë së një tregtari të pasur armen në Beograd. Atëbotë ishte adoleshente. Armeni së shpejti e adoptoi atë dhe e mori me vete në shtëpinë e tij në Konstantinopojë (Stamboll). Atje Gina mësoi të shkruajë e të lexojë. Thuhet se armeni Joakim Delens ia mundësoi të nxë gjuhën gjermane.

Image

Në Stamboll Gina u dashurua në Gabrielin, vëllain e Joakimit, dhe nisi të shkruajë poezi në gjuhën armene, turke dhe rumune. Ajo tregoi se kishte filluar të shkruajë poezi sepse ndihej shumë e lumtur në krah të Gabrielit, një burri më të moshuar se ajo. Situata ndryshoi rrënjësisht kur një ditë Ginës iu shfaq një djalë i bukur shqiptar me emrin Grigor (apo Gregor) Korahoni. Ai e mori Ginën me vete në Adrianopojë (Edrene) duke i thënë se Sulltani e kishte ndërmend të vriste të gjithë armenët në Stamboll. Po ashtu i tha Ginës se vëllezërit e saj ishin vrarë dhe ajo akuzohej se ishte e përzier në këtë krim. Grigori nisi të punojë si roje karvanësh dhe bashkë me disa shqiptarë sulmuan dhe plaçkitën një karvan, pastaj, bashkë me Ginën, ikën në Shqipëri.

Shumë shpejt mes Ginës dhe të dashurit të saj shqiptar shpërthyen mospajtime. Ndërsa Grigori i premtoi se do të niset në Serbi për të gjetur të afërmit e saj atje, Gina nisi një aferë intime me një serb në Adrianopojë (Edrene), të cilin e quante “burri i urtë”. Emri i tij nuk dihet. Dikur Gina u arratis në Itali ku u njoftua me tregtarin Jakob Hornstein me të cilin shëtiti Europën. Qëndroi në Napoli, në Paris, në Vjenë dhe në Bukuresht.

Disa poezi të saj Gina Ranjičić ia kushton edhe të dashurit shqiptar. Sipas Heinrich von Wlislockit po të kishte jetuar Gina në një epokë tjetër, ajo do të ishte njëra nga poetët më të njohura të të gjitha kohërave. Sot kjo grua përmendet në antologji të poezisë rome dhe në revista letrare si “Sarajevske sveske”.

Në poezinë “Shkëmbinj që ju dua” Gina Ranjičić i këndon shkëmbinjve afër Shqipërisë të cilët i japin kurajë: “Po shkoj në atë vend / Në atë vend ku je ti shqiptar / Dhe zëri yt i ëmbël / E dëgjoj atë zë / Në njërën anë të truallit / Atje gjendesh ti / Jam pranë teje / Jam trëndafili yt i pastër / Brenda teje zjarrin e ëmbël ndez / Më dashuro me gjithë zemër / Sepse dashuria më solli te ti”. Pa Heinrich von Wlislockit nuk do të dihej pothuaj asgjë për këtë grua rome, e cila supozohet se u lind më 1830 dhe vdiq më 1891 në varfëri të plotë.

Në kuadër të projektit “Gra të shquara të Serbisë” të përkrahur nga Ambasada e Holandës në Beograd, artistja Marija Sholn ka vizatuar një mural me portretin e Gina Ranjičić. Murali gjendet në rrugën “Sollunska 18” (rruga e Selanikut) në kryeqytetin e Serbisë.