“Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” i Enver Robellit, bashkon copëza historie që tregojnë se jeta zhvillohet pavarësisht luftërave dhe se ajo njëmend shkruan, nëse jo gjithmonë sende të bukura, atëherë gjithsesi gjëra interesante
Kur për herë të parë ishim mbledhur në sallën e ngushtë të “Grandit”, nuk do të kisha menduar se do të mbërrinim kaq shpejt tek edicioni i 15-të i Shpërblimit.
E nisëm atë në vitin kur Kosova shpalli Pavarësinë, me qëllim që përmes nderimit të figurës së babit dhe nëpërmjet shpërblimeve që mbajnë emrin e tij, t’u japim përkrahje gazetarisë kosovare në veçanti dhe letërsisë shqipe në përgjithësi.
Numri përherë e më i madh i konkurruesve në të dyja kategoritë ka dëshmuar për rëndësinë që ka marrë dhe për prestigjin që ka krijuar në 14 edicionet e kaluara. Është shumë domethënëse për themeluesit dhe për KOHËN. Është shenjë se tradita duhet të vazhdojë.
* * *
Një copëz tjetër tradite e kësaj ceremonie është edhe përurimi i një libri të veçantë. E ky që e ka shkruar Enver Robelli është vërtet i veçantë, sepse të tillë në shqip nuk e besoj të ketë.
Se jeta është e paparashikueshme dhe sjell edhe befasi të këndshme, mbase më së miri do ta ilustronte mu përurimi i sotëm.
Para 11 vjetësh, Enveri pati nismën e realizimit të intervistave të personaliteteve të ndryshme, të cilët do t’u përgjigjeshin 40 pyetjeve të njëjta. Nuk e mbaj mend saktësisht se sa njerëz kaluan nëpër pyetjet e Enverit, por e di që njëri nga ta u dallua aq shumë për nga përgjigjet saqë Enveri, me sugjerim të Vetonit, e zgjeroi listën e pyetjeve dhe e shkroi librin e tij të parë... me titull të gjatë... e që i përmbante mendimet e Arbën Xhaferit.
Po atë vit, Enveri u bë redaktor i librit të Vetonit, “Libri i Fluturave” – dhe e bëri përurimin e tij në edicionin e katërt të shpërblimit. E nisi fjalimin me: “...në vitin 1983, kur kam shkuar në Zvicër, dhe diku në Lubjanë u prish treni, më pyetën, tek e shikoja hënën, se ‘ku është atdheu?’...Atëherë nuk e kam pasur të qartë se do të kthehesha këtu, pas 30 vjetësh, të flas për një autor, një gazetar, prej të cilit ne si të rinj kemi mësuar shumë”...
Jam e sigurt se kur ka qenë dhjetë vjeç dhe e ka shikuar hënën, nuk e ka pasur të qartë që pas dyzet vjetësh do të vinte në edicionin e 15-të të shpërblimit, për ta përuruar librin e tij të katërt. E ky libër, fatmirësisht, nuk mori dhjetë vjet për t’u shkruar, siç ndodhi me të tretin, që ia kushtoi pasqyrimit të një krimineli lufte.
Mori më pak, edhe për shkak të një afati që kishte për ta mbërritur.
* * *
E gjitha nisi në FB.
Enveri shkruan statuse shumë interesante dhe ka shumë përcjellës. Shpesh përkthen poezi, për të cilën do të mund të thosha se e adhuron, ashtu siç e adhuron natyrën e Zvicrës, të cilën më duket se e ka bërë nijet ta kalojë të gjithën këmbë.
Mes vjershash, fotografish e përshkrimesh, nisi të postonte copëza historie me një titull intrigues: “Një rrëfim për një ditë të bukur...” e të cilat i përfundonte me këtë fjali: “Rrëfimet më të bukura (dhe nganjëherë më interesante) i shkruan jeta”.
Nuk kishte si të mos pajtoheshe me këtë konstatim. Porse për t’i sjellë në formë të lexueshme rrëfimet e bukura, e mbase jo përherë të bukura që i shkruan jeta, duhej të gjendej dikush që do t’i mblidhte, lexonte, përpunonte e t’i përshkruante.
Me shumë ëndje i lexoja sa herë që i postonte – sepse njëmend paraqesin histori që nuk janë aq të përhapura dhe se për nga pesha nuk mund të bëjnë garë me diçka kaq të madhe, siç është një luftë botërore. Por që, megjithatë, janë histori që tregojnë se jeta zhvillohet pavarësisht luftërave dhe se ajo njëmend shkruan, nëse jo gjithmonë sende të bukura, atëherë gjithsesi gjëra interesante.
Dhe një ditë qershori telepatia u vu në funksion. Ia shkrova një porosi në msn:
“Këto rrëfime a po i përmbledh, e ta bëjmë një libër?, përcjellë me një ?.
Përgjigjja erdhi “allaminut”: “Po, Flakë, kjo është ideja. Veç thashë ta prezantoj idenë kur të pimë kafe në Prishtinë, se nesër po vij”.
E pra, e pimë kafenë, më shpjegoi se bërthamën e rrëfimeve që i shkruan jeta do ta bënin nobelistët e shekullit XX, por që do të pasuroheshin edhe me rrëfimet dhe ngjarjet e personazheve që kanë lënë pas një legat për gjithë njerëzimin... dikush më shumë e dikush më pak, por, megjithatë, trashëgimi nga e cila ende mund të mësojmë.
* * *
Enveri ka shumë vjet që jeton në Zvicër, aty ku edhe kreu shkollë dhe praktikë në gazetari. Ka qenë gazetar në redaksi e më vonë edhe korrespondent nga Ballkani për dy gazeta gjermanofone: "Süddeutsche Zeitung" të Munihut dhe "Tages Anzeiger" të Cyrihut. Tash, për krenarinë personale tijën dhe tonën, është redaktor në "Tages Anzeiger" dhe kolumnist dhe kontribuues i KOHËS.
Dhe me të gjitha angazhimet e veta të përditshme, e mbajti fjalën dhe tekstin e dorëzoi në afatin e caktuar nga redaktorja ?, e cila më pas, me kënaqësinë më të madhe, e lexoi librin me aq shumë rrëfime, me aq shumë detaje, me aq shumë kuriozitete, saqë vendosi që ta rilexonte pa asnjë presion, posa të dalë versioni i shtypur i tij.
Sa për t’jua dhënë një ide se çfarë rrëfimesh do të gjeni në të, do t’ju lexoj copëza nga dy prej rrëfimeve mbresëlënëse:
“Më 30 prill 1945, rreth orës 22:40, trupat sovjetike arritën të depërtonin në kulmin e Reichstagut në Berlin.
Grupi i ushtarëve kishte me vete një flamur të kuq, por s’kishte shtizë. E përdorën një qyng në vend të shtizës dhe e vendosën flamurin në një skulpturë gruaje.
Kjo skenë mbeti e pafotografuar, sepse, me gjasë, aty s’qëlloi askush me aparat fotografik, andaj në mëngjesin e 2 majit, fotografi Jevgeni Haldej e inskenoi edhe një herë ndodhinë e para 30 orëve: dy ushtarë sovjetikë ngritën në kulmin e Reichstagut përsëri flamurin e kuq sovjetik me drapër e çekan.
Disa muaj më vonë Haldej e retushoi njërën nga dy orët në dorën e ushtarit që ngriti flamurin për të hequr dyshimet se bëhej fjalë për një orë të vjedhur.
Në ato ditë vjedhja e orëve ishte veprimtari e preferuar e ushtarëve sovjetikë që po e pushtonin Berlinin...”
*
“Më 1953, Winston Churchill u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi. Më 1955, tashmë 80-vjeçar, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Britanisë së Madhe. Më 1956 në portin e jahteve në Monaco e takoi pronarin e anijeve, grekun e famshëm Aristotelis («Ari») Onassis. Në ditët e sotme një person si Onassisi do të quhej oligark. Atëherë quhej: njeri i pasur me lidhje të mira.
Më 1959, Churchill u njoftua edhe me Maria Callasin. Ajo ishte e dashura e Onassisit. E që ajo ishte edhe njëra prej sopranove më të njohura të shekullit XX – këtë Churchill nuk e kishte ditur. Emri i saj s’i thoshte asgjë”...
* * *
Rrëfimet e tjera, të shpërndara në 240 faqet edhe të një libri me titull të gjatë, ju ftoj t’i lexoni për festat e fundvitit. Apo, kurdo që doni të dëfreheni dhe që nëpërmjet kurioziteteve të kuptoni edhe për një pjesë të historisë së shekullit XX, e cila ka qenë aty, e mbase nuk e kemi ditur.
Enver, faleminderit që i përmblodhe e ua dhe një rrjedhë logjike. Kam kënaqësinë të ta dorëzoj ekzemplarin e parë, kushtimisht të quajtur “kopja e autorit”.
Faleminderit!
Fjala e lexuar në edicionin e 15-të të shpërblimit vjetor për gazetari dhe letërsi, “Rexhai Surroi”, më 22 dhjetor, 2022