Në atmosferën e një mëngjesi të hershëm të qytetit të Mitrovicës, ku gjithçka bëhet gati për gjallërinë e një tjetër dite, syri i kamerës çon në shtëpinë e Bajram Qerkinajt. Aty zbulohet jeta, veprimtaria, angazhimi i kryepersonazhit. Vuajtjet flasin heshtur. Karakteri i tij prej luftaraku e çon drejt përpjekjeve të pafundme në shërbim të kauzës për personat e pagjetur në Kosovë. Titullohet “Hijet” dhe në këtë dokumentar, nën regji të Valter Lucajt, me skenar të Rebeka Qenës, vuajtjet flasin heshtur
Portreti i Bajram Qerkinajt me përkushtimin e palëkundur në çështjen e personave të pagjetur prej luftës së fundit në Kosovë, është simbolika kryesore në dokumentarin “Hijet”. Vjen si dokumentim i bashkëjetesës së përditshme me dhimbjen dhe kujtimet e së kaluarës. “Hijet” shpalos një kapitull të veçantë të jetës së kryepersonazhit. Vjen si “aset” i trashëgimisë së luftës. “Kohavisioni” është stacioni i parë i dokumentarit që do të jepet premierë televizive sonte (e diel) prej orës 20 e 15.
Në atmosferën e një mëngjesi të hershëm të qytetit të Mitrovicës, ku gjithçka bëhet gati për gjallërinë e një tjetër dite, syri i kamerës çon në shtëpinë e Bajram Qerkinajt. Aty zbulohet jeta, veprimtaria, angazhimi i kryepersonazhit. Vuajtjet flasin heshtur. Karakteri i tij prej luftaraku e çon drejt përpjekjeve të pafundme në shërbim të kauzës për personat e pagjetur në Kosovë.
“Ai njeri që lufton për paqe dhe për mirësi të popullit, ai është njeri i mirë për mua”, thotë në dokumentar Bajram Qekinaj, kryetar i shoqatës “Zëri i prindërve” dhe drejtor ekzekutiv në Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur.
Narrativa për Bajram Qerkinajn ndërtohet me mozaikun e rrëfimeve nga familjarë, bashkëpunëtorë e udhëheqës institucionesh. Bashkëshortja e tij Fatime Qerkinaj, i biri i Isa Çekinit, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot, janë disa prej atyre që ndajnë mendimet dhe përvojat jetësore me Qerkinajn.
Nga shtatori i kaluar e deri në dhjetor ka zgjatur krejt procesi i realizimit të filmit dokumentar.
Regjisori Valter Lucaj, ka thënë se me të janë munduar të dokumentojnë jetën e përditshme në një ditë si rrugëtim goxha i gjatë për të mbërritur qëllimin që ia ka vënë vetes. Por edhe të risjellin ngjyrat e dhimbjes të cilat, sipas tij, ngjajnë se janë zbehur.
“Me dokumentar jemi munduar t’i kujtojmë njerëzit. Pavarësisht se nuk e kanë dikë në familje, e kanë dikë të njohur që e ka dikë të pagjetur. Qëllimi kryesor ka qenë t’i ofrojmë njerëzit te publiku dhe të ndjejnë atë që kemi ndjerë ne derisa kemi qenë në takim me familjarë të të pagjeturve. Kur e shihni dokumentarin shihet se është i xhiruar në një atmosferë shumë të zymtë sepse ashtu e kemi ndierë ne kur kemi qenë atje”, ka thënë Lucaj.
Ai ka treguar se projekti kishte emrin “Statistika” si titull pune. Kjo sepse “të pagjeturit kanë mbetur statistika”. Ka thënë se me të njëjtën qasje e kanë realizuar dokumentarin “Hijet”.
“Ata numra janë faktikisht familjarë të dikujt, jeta e dikujt, prindër, fëmijë. Gjatë rrugëtimit edhe kur jam takuar fillimisht me Bajramin të cilin e kam parë edhe më parë nëpërmjet mediave, njerëzit e njohin si figurë. Është figurë markante, është njeri karizmatik, prezenca e të cilit nuk mund të të ikë pa e vërejtur”, ka thënë Lucaj.
Qerkinaj i përfaqëson të gjitha komunitetet e Kosovës pa dallim, të prekura nga lufta. Dhe këtë e fakton më së miri edhe rrëfimi i Negovan Mavriqit, koordinator në Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur dhe Marinko Gjuriq, i cili ka gjashtë të afërm të pagjetur. Histori të tillë ka edhe Mavriq. Vëllai i tij ishte në mesin e të pagjeturve për pesë vjet. U rivarros në vitin 2004. Përtej nacionalitetit, misioni i tyre është i përbashkët.
Skenaristja Rebeka Qena, ka thënë se filmi dokumentar e dokumenton tragjedinë e popullit të Kosovës. Ka treguar se derisa kanë qëndruar në shtëpitë e njerëzve të prekur nga pasojat e luftës dhe kanë biseduar me ta, kanë kuptuar se çfarë do të thotë të jetosh përherë me dhimbje.
“T’i hysh dikujt në shtëpi ku i sheh muret, kujtimet, mbërrin të njoftosh një person që nuk është më, t’i kuptosh ëndrrat e atë se sa e kanë dashur jetën. E kupton se dikush është privuar dhe se ke mundur të jesh ti ai person. Mbërrin të afrohesh dhe ta kuptosh se çfarë do të thotë të jetosh në përditshmëri këtë dhimbje. Por edhe të inspirohesh për të kuptuar sesi njeriu arrin t’i tejkalojë, një prej tyre është Bajrami. Të marrësh forcë prej asaj dhimbjeje dhe të vazhdosh të mundohesh t’u ndihmosh të tjerëve, është inspiruese”, ka thënë Qena.
Sipas saj, duke i dëgjuar rrëfimet e njëri-tjetrit bashkëndjehet dhimbja dhe shprehet mbështetje. Sipas saj, arti e imiton jetën dhe se nuk ka asgjë më dramatike dhe artistike se vetë ajo.
“Për këtë shkak edhe filmat dokumentarë janë të veçantë, janë kategori tjetër. Pavarësisht se mund të përgatitesh sado, mund të kesh një skenar i cili mund të bjerë në ujë pasi vetë jeta do të ndodhë në ndërkohë. E ka një dozë të dramës në vetë krijimin e filmit dokumentar. Unë jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij ekipi që e ka realizuar dokumentimin e jetës së një personaliteti dhe një sfide me të cilën ballafaqohet populli i Kosovës”, ka thënë më tej Rebeka Qena.
Qëllimisht fatkeqësia e Qerkinajt është vendosur në pjesën e dytë të dokumentarit. Aty prezantohet si familje tradicionalisht e vuajtur në të kaluarën. Historia vazhdon edhe sot kur 25 vjet pas lufte, i biri i Qerkinajt është i pagjetur.
Dokumentari është prodhim i “Integras”, “Casa” dhe “Barabar Centre”.
Producenti i këtij projekti, Kushtrim Koliqi ka theksuar bashkëpunimin e kahershëm me Grupin KOHA. Ka thënë se “Hijet” është një prej dokumentarëve më të denjë që e trajton trashëgiminë e luftës dhe e vlerëson punën e njerëzve që me ngulm insistojnë të hedhin pak dritë në çështjen e personave të pagjetur.
“Arsyeja pse ne kemi vendosur që dokumentari fillimisht të ketë premierë televizive e pastaj të shohim opsione të tjera, është pikërisht për shkak të rëndësisë që e ka, temën që trajton, personazhin e jashtëzakonshëm, me idenë që të kemi sa më shumë arritje dhe të shpërndahet te njerëzit. Platforma që na ka dhënë KTV-ja në këtë rast është mënyra më e mirë që rrëfimi, sfidat, vuajtjet, arritjet, motivimi i tij për të punuar për temën e të pagjeturve të jetë inspirim për të gjithë shoqërinë”, ka thënë Koliqi.
Ka thënë se pas premierës televizive do të pasojnë premierat fizike në vend dhe jo vetëm.
“Këto aktivitete do të bëhen me siguri pas verës. Dokumentari ka karakter artistik dhe mëtojmë ta dërgojmë në festivale që trajtojnë të drejtat e njeriut, që kanë një audiencë tjetër jashtë asaj që është në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që puna e jashtëzakonshme e bacës Bajram që është në drejtim të gjetjes së fatit të personave të pagjetur, të dëgjohet jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë”, ka thënë ai.
“Hijet” vjen si dokument për hijen e kujtesës e të kaluarës që dhemb. Hije si prezencë e të dashurve që nuk janë aty, por ndjekin përherë në kujtime. Fakton dhimbjen e përditshme që mëton t’i ulet doza duke e trajtuar fort me punë. Ashtu siç ngjan me Bajram Qerkinaj edhe kur po shkon drejt dekadës së nëntë të jetës.