Shtojca për Kulturë

Hasan Kaleshi nuk mund të anashkalohet me vendim të një grupi

Një muaj pasi që u shënua 100-vjetori i H. Kaleshit në Degën e Orientalistikës, pra më 7 prill 2022, doli kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, në një intervistë në KTV me deklarata të papritura, duke thënë se “Hasan Kaleshi u anashkalua në kohën kur ishte gjallë dhe pas vdekjes së tij për një arsye të thjeshtë: ai mbrojti tezat serbe për shqiptarët”. Duke pranuar “sekretin” se në Akademi ka “klane” ose “grupe interesi” mund të shtrohet pyetja: Kush qëndron mbas atij “konstatimi” se H. Kaleshi u anashkalua “në kohën kur ishte gjallë dhe pas vdekjes” ...

I

Më 7 mars 2022 u shënua në Degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë, fillimi i 100-vjetorit të akademik Hasan Kaleshit (07. 03. 1922 – 19.07.1976) ku u paraqitën fjalë të rastit për kontributin e themeluesit të kësaj dege, e para në trevat shqiptare, e cila vitin e ardhshëm do të shënojë 50-vjetorin e themelimit me suksese që përkujtojnë kontributin e H. Kaleshit edhe pas vdekjes së tij.

Në këtë kuadër, më 30.03.2022 në Institutin Albanologjik të Prishtinës – ku H. Kaleshi ishte një prej themeluesve të tij në fazën e parë dhe prej bashkëpunëtorëve tij në fazën e dytë (1967-1970) – u bë promovimi i katër vëllimeve të para (dy në shqip, një në serbokroatisht e një në arabisht) prej dhjetë vëllimeve të veprave të zgjedhura që do të botohen me rastin e 100-vjetorit. Po edhe në këtë rast, në sallën e madhe e mbushur me ata që mendojnë se H. Kaleshi ende është i pranishëm dhe referencë për shumë tema të historisë sonë, u përcoll me vëmendje fjala e drejtorit, prof. dr. Hysen Matoshit, e cila u botua në tërësi në “Kohën Ditore” më 03.04.2022 me titull: “Hasan Kaleshi midis biografisë e shkencës”.

Tani janë në përgatitje e sipër edhe katër vëllime (tre në shqip e një me studimet e tij të botuara në turqisht), që do të promovohen më 15 korrik 2022 në ceremoninë qendrore që do të mbahet në vendlindjen e tij, në Kërçovë të Maqedonisë, kurse vëllimi fundit (i dhjeti) do të dalë në tetor 2022 me studimet e tij të botuara në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Tek atëherë, pra me vepra të zgjedhura që kapin nja 3.500 faqe, mund të shihet ç’shkencëtar ishte H. Kaleshi në nivel të Evropës e më gjerë e jo vetëm brenda trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup.

Në këtë kontekst, mu një muaj pasi që u shënua 100-vjetori i H. Kaleshit në Degën e Orientalistikës, pra më 7 prill 2022, doli kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, në një intervistë në KTV, me deklarata të papritura duke thënë se “Hasan Kaleshi u anashkalua në kohën kur ishte gjallë dhe pas vdekjes së tij për një arsye të thjeshtë: ai mbrojti tezat serbe për shqiptarët” (“Koha Ditore” online, 07.04.2022).

Kuptohet, me gjithë respektin e madh për akademik Mehmet Krajën si shkrimtar i mirënjohur në botën shqiptare, për një paraqitje të këtillë është dashur një historian që e ka Akademia. Kuptohet, edhe ai historian do të jepte një mendim të vetëm në bazë të tërë opusit të H. Kaleshit, e jo vetëm në bazë të disa fjalëve të dëgjuara ose në bazë të disa fragmenteve. Duke pranuar “sekretin” se në Akademi ka “klane” ose “grupe interesi” mund të shtrohet pyetja: Kush qëndron mbas atij “konstatimi” se H. Kaleshi u anashkalua “në kohën kur ishte gjallë dhe pas vdekjes”, a është konstatim i tij personal apo i një “grupi” në Akademi apo i tërë Akademisë?

Pyetja është me vend, sepse gjendja në trekëndëshin, edhe më gjerë, tregon se ky “konstatim” nuk u dëgjua më parë dhe nuk “u respektua” në veprimtarinë tonë shkencore.

II

Mu në ato ditë kur u shënua 100-vjetori i H. Kaleshit doli në Tiranë libri që shënon kthesë në studimet osmane në Shqipëri: Eduart Caka, “Vakëfet dhe ndikimi i tyre social në Shqipërinë e periudhës osmane”, botim i Institutit të Historisë në Tiranë. Në parathënie të librit, autori vë në pah një kontrast interesant: gjatë regjimit monist në Shqipëri studimet osmane ishin të përparuara në Kosovë dhe në tërë Ballkanin, kurse pas 1990-s ndodhi e kundërta: ato filluan të përparojnë në Shqipërinë demokratike, kurse të ngecin në Kosovë.

Ndoshta vetë puna shkencore e autorit E. Caka, me shumë libra të botuara që janë referencë për historinë e Shqipërisë gjatë sundimit osman, tregon këtë përparim që vërehet tani në studimet osmane në Shqipëri. Megjithatë, ky libër tregon se H. Kaleshi është ende i gjallë në mesin e gjeneratës se re të historianëve shqiptarë. Sa për informatë, H. Kaleshi ishte orientalisti/osmanisti i parë shqiptar që parandjeu me kohë rëndësinë e institucionit të përshpirtësisë (vakufi) në historinë ekonomiko-sociale dhe urbanistike të trevave shqiptare gjatë sundimit osman, ndaj ai e mori këtë temë për disertacionin me titull “Dokumentet më të vjetra të vakëfit në gjuhën arabe në Jugosllavi” që e mbrojti më 1960 në Degën e Orientalistikës në Beograd. Ky disertacion, me disa zgjerime, u botua në gjuhën serbokroate në Prishtinë më 1973 dhe u vështrua si kontribut origjinal në disa revista shkencore në Evropë e në Azi.

Me këtë qasje të re, që i lidh ndryshimet ekonomiko-sociale dhe urbanistike në Shqipëri me institucionin e përshpirtësisë (vakëfit), që i atribuohet H. Kaleshit, Eduart Caka na sjell një kontribut origjinal duke u mbështetur si H. Kaleshi në vakëfnamet ose dokumentet e përshpirtësisë të gjeneratës së parë shqiptare që u shqua në funksione gjatë sundimit osman, duke derdhur shuma të mëdha për ndërtimin e monumenteve të ndryshme në vendlindjen e tyre. Një prej tyre ishte Iljaz be Mirahori, i cili konsiderohet si themelues i Korçës me ato monumente të ndryshme që i ndërtoi në fund të shekullit XV si përshpirtësi ose vakëf. Besoj se ky libër, kur përmendet H. Kaleshi si pionier në këtë fushë, do të tërheqë vëmendjen e qarqeve shkencore jashtë Shqipërisë sa që shumë shpejt mund të parashikohet ndonjë përkthim i tij.

Ndërkohë, në Prishtinë u botua më 2012 disertacioni i H. Kaleshit me titull “Dokumentet më të vjetra të vakëfeve në gjuhën arabe në Jugosllavi”, në përkthim të Ismail Rexhepit e në botim të BEK-ut. Për dhjetë vjet (2012-2022) mund të thuhet se H. Kaleshi nuk ka vdekur, ashtu sipas kryetarit të Akademisë, por brenda këtyre viteve vërehet tani një gjeneratë e re historianësh në Kosovë që kanë doktoruar jashtë dhe përvetësuan burimet osmane dhe literaturën profesionale dhe merren po ashtu me dokumentet e përshpirtësisë (vakëfit), si burime për historinë ekonomiko-sociale dhe urbanistike të Kosovës.

III

Pasi që një prej vëllimeve të Veprave të zgjeruara u botua në arabisht, këtu vlen të përmendet se H. Kaleshi ishte me dekada emër i njohur në botën arabe pasi që u zgjodh më 1967 anëtar i Akademisë Arabe në Kajro. Ndonëse ka disa akademi në botën arabe, ajo e Kajros ka rëndësi sepse u themelua më 1932 në kohën e mbretit Fuad I, i cili ishte kandidat serioz për fronin e Shqipërisë më 1913 dhe kishte me statut 50 për qind (20 anëtarë) për egjiptianët dhe 50 për qind për të huajt. Kështu, H. Kaleshi u zgjodh atje i pari akademik shqiptar me meritë – e jo me kritere partiake sikurse në atë të Shqipërisë e themeluar më 1972 – në saje të kumtesave në konferencat ndërkombëtare dhe punimeve të botuara edhe në arabisht. Ndaj, botimi i këtij vëllimi në arabisht u prit mirë saqë akademiku tunizian me qëndrim në Paris, Nexhmeddin Halafalla, e quan atë një pasqyrë të “shkollës kaleshiane të orientalistikës evropiane”, duke kërkuar që të përkthehen në arabisht edhe vepra të tjera të Kaleshit (gazeta al-Arabi al-Jadid 19. 04. 2022).

IV

Pasi akademik Mehmet Kraja e përmendi në mënyrë negative punimin e H. Kaleshit, “Depërtimi turk në Ballkan dhe islamizimi: faktorët e ruajtjes së qenësisë etnike dhe kombëtare të popullit shqiptar”, do të ishte mirë tani të citohet prezantimi i këtij punimi që doli tash në numrin e ri të revistës “Përpjekje”, që editohet nga Fatos Lubonja që të shihet më mirë ç’dallim kemi tani midis Kosovës e Shqipërisë në lidhje me H. Kaleshin:

“I cilësuar nga vetë autori si shkrim heretik ndaj prodhimtarisë së shkollës historiografike shqiptare, botimi i këtij artikulli përmbush një detyrim të vonuar për pasqyrimin e një prej tezave më origjinale të hartuara nga një studiues shqiptar me përgatitje dhe talent krejt të rrallë. Vetë vonesa e botimit të këtij artikulli në gjuhën shqipe, është treguesi më i mirë i gjendjes së terrenit kulturor shqiptar gjatë këtyre dekadave. Mjerisht, ndarja e parakohshme nga jeta ia pamundësoi Hasan Kaleshit thellimin apo saktësimin e kësaj skice historike”.

V

Është e vërtetë që një grup, për motive të ndryshme, vendosi ta shpallë H. Kaleshin si njeri që “punon për agjendën serbe” duke vendosur për anashkalimin e tij në jetë e pas vdekjes, por ato motive nuk ishin thjesht “kombëtare”, por personale, profesionale dhe politike në emër të shqiptarizmit, për çka do të shkruajmë herën tjetër.

Image

Katër vëllimet e para (dy në shqip, një në serbokroatisht e një në arabisht), prej dhjetë vëllimeve të veprave të zgjedhura që do të botohen me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Hasan Kaleshit