Shtojca për Kulturë

Hani i Elezit – qyteti i parë në Kosovë ku arriti liria

Ushtarët britanikë të NATO-s drejt Kosovës, pasi kaluan kufirin në Bllacë, mëngjesin e së shtunës, më 12 qershor 1999 (Foto: AP)

Ushtarët britanikë të NATO-s drejt Kosovës, pasi kaluan kufirin në Bllacë, mëngjesin e së shtunës, më 12 qershor 1999

Foto: Associated Press

Në memorien e qytetarëve të Kosovës, Hani i Elezit, pos që mbetet simbol e sinonim i vuajtjes së madhe të shqiptarëve të Kosovës, sinonim i kolonave të shqiptarëve të përndjekur dhe të trenave serbë që po bartnin popullatën civile drejt një shteti fqinj, në të njëjtën kohë, ky qytet i vogël i vendit mbetet edhe porta e shpresës së madhe dhe ardhjes së lirisë së shumëpritur

Qyteza e vogël e Hanit të Elezit, për shkak të pozicionit gjeografik, është porta e parë e hyrjes në Kosovë nga Maqedonia Veriore. Qysh në periudhën e luftërave ballkanike 1912/13, ushtria serbe menjëherë pas pushtimit të qyteteve shqiptare të Vilajetit të Kosovës nisi ndryshimin e toponimeve dhe emërtimin me emra sllavë, nga Shkup në Üsküp, nga Hani Elezit në Gjeneral Jankoviq, apo nga Ferizaj në Uroshevac. Këto emërtime simbolizonin karakterin hegjemonist të shtetit serb ndaj pranisë shqiptare në Kosovë. 

Për shkak të këtij pozicionit, qyteza e Hani Elezit, e cila shërbente edhe si vendkalimi për shqiptarët e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, do të bëhej i njohur edhe në janarin e vitit 1999, kur autoritetet e shtetit serb do ta mbanin dhe përçmonin për orë të tërë gjyqtaren Louise Arbour, prokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, e cila po provonte të hynte në Kosovë për të hetuar masakrën serbe në fshatin shqiptar të Reçakut. Masakra kishte bërë që Gjykata

Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi të hapë një hetim urgjent. Kryeprokurorja Arbour, do të nisej për në Kosovë brenda dy ditëve të ardhshme për të hetuar vrasjet masive. “Ajo do të kërkojë qasje të menjëhershme në Kosovë, pa pengesa, dhe në vendin në Raçak, duke iu referuar refuzimeve të përsëritura serbe të vizave për hetuesit e gjykatës”, deklaronte zëdhënësi i Gjykatës së OKB-së, Christian Chartier.

Gjyqtarja Louise Arbour e bllokuar në kufi

Më 18 janar, Arbour dhe hetuesit e saj u kthyen nga kufiri kosovaro-maqedonas i Hanit të Elezit, pasi një pjesëtar i policisë kufitare serbe i deklaroi se ata nuk kishin viza hyrëse për RFJ-në. Arbor kishte kaluar dy ditë në kryeqytetin maqedonas, Shkup, duke pritur rezultatet e presionit ndërkombëtar ndaj presidentit jugosllav, Slobodan Millosheviq. Të gjitha fuqitë dhe organet botërore – Këshilli i Sigurimit i OKB-së, NATO-ja, Bashkimi Evropian, OSBE-ja, qeveria e SHBA-së, fuqitë kryesore evropiane, madje edhe Rusia – kërkuan që RFJ-ja t’i japë “qasje të menjëhershme dhe të pakufizuar” prokurorit të Hagës dhe hetuesve të saj dhe për të bashkëpunuar me ta në një hetim “të menjëhershëm dhe të plotë” të masakrimit të 45 shqiptarëve etnikë, të kryer më 15 janar në fshatin Raçak të Kosovës. Megjithatë, kjo doli të ishte e paktë në ndihmë dhe Millosheviqi mbeti i bindur se as Tribunali dhe as Prokurori nuk kishin punë në Kosovë, pasi atje nuk ka “konflikt të armatosur”, por vetëm “shtypje legjitime të terrorizmit”.

Në diskutimet e saj me autoritetet serbe të Beogradit, Arbour u kishte treguar atyre se çdo pretendim nga ana e tyre se TPNJ nuk ka juridiksion në Kosovë, është një çështje ligjore për të cilën duhet të vendosin gjyqtarët e saj. Po ashtu u bë e ditur se nëse është e nevojshme, Arbour do të fillonte procedurat për të lejuar një zgjidhje të hershme të kësaj çështjeje. Pavarësisht se Këshilli i Sigurimit i kishte bërë thirrje zyrës së Arbourit që të hetojë pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë, autoritetet e Beogradit nuk i mundësuan Arbourit qasje të lirë në Kosovë. Më në fund, pasi ishte mbajtur për orë të tërë në pikën kufitarë në Han të Elezit, atë e kishin kthyer prapa. Përkundër pretendimeve të Beogradit, qysh më 10 mars 1998, Prokurorja e atëhershme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) Louise Arbour kishte deklaruar se ajo ishte e autorizuar të hetonte krimet që po kryheshin në Kosovë. Këshilli i Sigurimit mbështeti vendimin e Prokurorisë kur “nxiti Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Ndërkombëtar të themeluar në përputhje me rezolutën 827... të fillojë mbledhjen e informacionit në lidhje me dhunën në Kosovë që mund të jetë brenda juridiksionit të saj. Siç shpjegon një autor, “në dritën e mandatit të Tribunalit, dhe në funksion të kompetencës së tij juridike... , nuk kishte nevojë për një rezolutë të veçantë të Këshillit të Sigurimit që autorizonte Tribunalin. Por, dita e së vërtetës do të vinte shumë shpejt: më 27 maj Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë në Hagë kishte lëshuar aktpadinë kundër Sllobodan Millosheviqit dhe bashkëpunëtorëve për krime lufte në Kosovë. Tani Millosheviqi gjendej i rrethuar si nga ana diplomatike, ashtu edhe nga ajo ushtarake dhe NATO-ja.

Bllaca e trishtimit dhe pikëllimit

Gjatë muajve të gjysmës së parë të vitit 1999, Hani i Elezit me rrethinë, sidomos Bllaca, ishte shndërruar në vend i trishtimit dhe pikëllimit për qindra mijëra shqiptarë, për të cilën kalimi në Maqedoni ishte pak shpresë se të paktën i kishin ikur vdekjes së sigurt nga trupat serbe. Vetëm pak ditë pasi filluan bombardimet e NATO-s dhjetëra mijë shqiptarë kishin kapërcyer Hanin e Elezit për të hyrë në Maqedoni. Pak ditë më vonë ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, në gazetën “Berliner Zeitung” tha se forcat serbe kishin filluar zbatimin e një plani të koduar “Patkoi”, që kishte për qëllim dëbimin e popullatës etnike shqiptare të Kosovës. Shumë liderë evropianë nuk e kishin marrë seriozisht kur Milosheviqi u kishte thënë hapur në fillim të marsit se mund ta zbrazte Kosovën brenda një jave dhe se do t’i vriste shqiptarët si dikur që kishin bërë me shqiptarët në Drenicë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Deri në fund të luftës ishin dëbuar pothuajse gjysmë milion shqiptarë vetëm përmes pikës kufitare të Hani të Elezit, ose kishin ikur nga Kosova ende përgjatë vitit 1998. Trenat serbë që vinin për çdo ditë nga Ferizaj, Prishtina, Mitrovica kujtonin imazhet e depërtimit të hebrenjve nga filmi “Lista e Shindlerit”.

Drama e Kosovës në sytë botës

Para 25 vjetësh, pikërisht në Han të Elezit, përkatësisht në Bllacë drama e Kosovës kishte depërtuar në çdo cep të botës nëpërmjet efektit televiziv CNN. Në lajmet e mediave perëndimore tani mbizotëronin skenat apokaliptike të qindra mijë refugjatëve shqiptarë të stacionuar nën qiellin e hapur në Bllacë të Hanit të Elezit. Autoritetet maqedonase, të alarmuara dhe frikësuara nga ky invazion i madh i shqiptarëve, përdorën forma të ndryshme për të bllokuar refugjatët, midis të cilave edhe moslejimi i hyrjes së tyre në Maqedoni, më 3 prill. 

Kjo bëri që 65.000 njerëz të ziheshin në kurth në pikën e kufirit në Bllacë. 

“Në kufirin e Maqedonisë me Kosovën, afër Bllacës, kanë mbetur të bllokuar dhjetëra mijëra refugjatë. Ata banojnë pa ujë pa ushqime, në një shkretëtirë pisllëku dhe balte. Kjo të bën të vjellësh. Ky kriminel në Beograd urdhëron vrasjen e njerëzve, dëbon qindra mijëra prej tyre dhe dëshiron me këtë të destabilizojë Ballkanin, ose së paku Maqedoninë dhe Shqipërinë me kufijtë e tyre ashtu e kështu delikatë”, shkroi Rudolf Scharping në librin “Wir dürfen nicht wegsehen”.

Nga fundi i luftës, sipas UNHCR, afro 900 mijë shqiptarë të Kosovës ishin larguar nga Kosova. Afro 400 mijë u arratisën në Maqedoni. Millosheviqi e kishte parasysh faktin që në luftërat e mëparshme të ish-Jugosllavisë, shumica e refugjatëve nuk ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre, sidomos në qoftë se vendi ku banonin vazhdonte të ishte nën kontrollin e forcave armike. Përveç kësaj, kosovarëve u ishin grabitur të gjitha dokumentet e identifikimit apo edhe ato pronësore apo çfarëdo lloji, me qëllim që ata të mos arrinin ta dokumentonin se ishin qytetarë të Kosovës. Vendet perëndimore në përgjithësi nuk ishin aspak të përgatitura për të përballur valën e madhe të refugjatëve shqiptarë nga Kosovës.

Tentativa e Millosheviqit për destabilizimin e Ballkanit

Ishte e qartë se Millosheviqi po përpiqej të destabilizonte gjithë Ballkanin Jugor dhe të përhapte luftën në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë. Regjimi i Millosheviqit po dëbonte një numër të madh të shqiptarëve, me qëllim që të provokojë kundërshtimin e Evropës Perëndimore. Por, Millosheviqi nuk i kishte bërë mirë llogarinë në lidhje me aftësinë e tyre për t’u kundërpërgjigjur me vendosmëri. 

Trupat e NATO-s u dërguan me shpejtësi për të ndihmuar në ngritjen e kampeve gjigande të refugjatëve të Stankovecit, Çegranit e të tjera. Llogaria e dytë që Millosheviqi e kishte bërë gabim ishte se kishte besuar që mund të eksportonte luftën në vendet tjera të rajonit. 

“Qëllimi i Millosheviqit ishte që nëpërmjet valës së refugjatëve të provokonte kaos në Maqedoni dhe në Shqipëri, për të destabilizuar kështu para së gjithash Maqedoninë, për të rrezikuar zonën vendimtare për marshimin dhe furnizimin të NATO-s. Instrumenti kryesor i udhëheqjes kriminale të luftës nga ana e tij ishte dëbimi i shqiptarëve të Kosovës. Sipas të dhënave të Komisariatit të Lartë për Refugjatë të OKB-së (UNHCR) brenda vetëm 9 javësh, 350 mijë refugjatë nga Kosova arritën në Maqedoni”, shkroi Joschka Fischer, asokohe ministër i Jashtëm i Gjermanisë. 

Politika e Millosheviqit që nga viti 1989, pothuajse deri në detaje ishte identike me programin e nacionalistit radikal serb, Vasa Çubrilloviq, i cili u hartua në mars të vitit 1937 në Beograd. Më 28 prill të vitit 1999 gazeta “Frakfurter Rundshau” e kishte ribotuar këtë program për dëbimin e shqiptarëve. 
“Por, Millosheviqi duke se kishte harruar se Evropa nuk jetonte më në vitin 1937, por se kishte arritur në vitin 1999 dhe se bazohej në vlera krejtësisht të tjera”, shkroi Fischer. Ndërsa fushata ajrore e NATO-s vazhdonte, po bëhej gjithnjë më e qartë se do t’i duhej të përgatitej për një luftë tokësore, për t’i dëbuar forcat serbe nga Kosova në qoftë se Millosheviqi nuk pranonte një marrëveshje paqeje e cila përfshinte edhe trupat e NATO-s. Në këtë situatë, Millosheviqi pranoi planin e paqes.

Trupat gjermane të NATO-s nisen drejt kufirit maqedonas me Kosovën të shtunën, më 12 qershor 1999. Trupat e NATO-s hyn në Kosovë të shtunën kur po zbardhte, disa orë pas hyrjes së befasishme të Rusisë në Prishtinë të cilën forcat aleate planifikojnë ta bëjnë selinë e tyre për kthimin e një milion shqiptarëve vendës në shtëpitë e tyre (Foto: AP)

Lajmëtari i përfundimit të luftës, mëngjesi i 11 qershorit të 1999-s

Ndërsa më 5 qershor filluan bisedimet në afërsi të kufirit kosovar, në Bllacë të Maqedonisë. Gjenerali Mike Jackson u ngarkua të zhvillonte bisedime me ushtarakët serbë në bisedimet e zhvendosura në Kumanovë. Serbët nënshkruan Marrëveshjen Teknike-Ushtarake më 9 qershor 1999, që në fakt përbënte kapitullimin e tyre, pikërisht aty ku më 1912 Serbia kishte shënuar fitoren vendimtare gjatë Luftës së Parë Ballkanike.

Për shkak të pozicionit gjeografik, Hani i Elezit u bë lajmëtari i parë i përfundimit të luftës. Herët në mëngjesin e 11 qershorit, trupat britanike filluan të hynin në Kosovë. Njerëzit e parë që takuan ushtarët britanikë dhe gazetarët e huaj, ishin pjesëtarët e UÇK-së, të cilët pas largimit të trupave ushtarake dhe policore serbe, ishin vendosur në zyrat e tyre. Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, atëkohë ishte pjesë e UÇK-së, e mban mend mirë takimin e parë të pjesëtarëve të UÇK-së me ata të NATO-s. 

“Më kujtohet, takimi i parë ka qenë KFOR-i anglez. Sjellja e KFOR-it ishte shumë bashkëpunuese”, kujton Ballazhi.

Në memorien e qytetarëve të Kosovës, Hani i Elezit, pos që mbetet simbol e sinonim i vuajtjes së madhe të shqiptarëve të Kosovës, sinonim i kolonave të shqiptarëve të përndjekur dhe të trenave serbë që po bartnin popullatën civile drejt një shteti fqinj, në të njëjtën kohë, ky qytet i vogël i vendit mbetet edhe porta e shpresës së madhe dhe ardhjes së lirisë së shumëpritur.

Brenda pak ditësh, kufiri me Maqedoninë u mbush sa nuk mbante më. Qindra, mijëra shqiptarë të Kosovës vërshuan pikën kufitare në Han të Elezit për t’u kthyer në shtëpi. Brenda pak ditësh, gjysma e refugjatëve që ishin arratisur nga Kosova, ishin kthyer. Ishte kthimi më i madh dhe më i shpejtë në histori, por gjithashtu edhe ndërrimi më i shpejtë i roleve. Siç shkruan historiani britanik Tim Judah, “ndërsa shqiptarët po ktheheshin në shtëpitë e tyre të djegura dhe të rrënuara, mijëra serbë nuk ndenjën të prisnin se çfarë do të ndodhte më tej. Kështu që, bashkë me policinë dhe ushtrinë që po largoheshin, ata mbushnin makinat e traktorët dhe u nisën”. Siç thotë shkrimtari Ismail Kadare, në këtë situatë jo rastësisht me një lloj “racizmi antishqiptar që ka zënë vend në Evropë”, është provuar të vihen shenja të barazimit, atje ku barazi as ka e as nuk mund të ketë kurrë. “Marrja e barbarisë për forcë dhe e emancipimit për dobësi, mund të ketë rrjedhoja fatale, sidomos në një gjendje postkrimi, në një mjedis që të kujton një ballo me maska, siç është sot Ballkani Perëndimor”, thotë Kadare.

Çerek shekulli më pas

Çerek shekulli më parë, më 11 qershor 1999, Hani i Elezit – pika qendrore e lirisë së Kosovës – ishte vendi prej nga u larguan trupat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, të cilat deri atëherë endeshin nëpër qytet të dalldisura, duke shkatërruar gjithçka që u dilte përpara në momentet e tyre të fundit. Por tash, Hani i Elezit, me trashëgimi të bujshme artistike dhe me edicionin e dytë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar, shënoi kremtimin e Ditës së Çlirimit. Për tre net me radhë, Hani i Elezit u bë epiqendra e mikpritjes së artistëve nga e gjithë gjeografia kombëtare shqiptare, duke u bërë Hani i Shqiptarisë.

Për tre netët me radhë, 9, 10 dhe 11 qershor, Hani i Shqiptarisë, ashtu siç e ka zakon, shpërfaqi tërë dashurinë, mikpritjen dhe bujarinë e jashtëzakonshme, duke e shpërfaqur një qytet të vogël por me zemër të madhe! Hani është i bukur jo vetëm sepse është qyteti i parë kosovar që u çlirua nga emërtimi i dhunshëm i një gjenerali famëkeq serb, por edhe për faktin se na kujton qershorin e vitit 1999, ditët kur u dëgjua uturima e dislokimit të makinerisë ushtarake të NATO-s dhe largimin përfundimtar të një ushtrie okupuese të fqinjit verior. Vetëm dy ditë më parë, më 9 qershor 1999, ushtarakët e NATO-s dhe ata serbë nënshkruan në Kumanovë atë që u quajt Marrëveshja Ushtarake-Teknike. Pra, në mënyrë simbolike, Kosova u humb nga serbët në të njëjtin vend ku ata kishin shënuar fitoren e tyre në vjeshtën e vitit 1912.

Hani edhe sot na kujton se prej aty erdhi aroma e fuqishme e lirisë së Kosovës. Ndryshe nga festimet e tjera që ndodhnin në kryeqytet këtë 12 qershor, Hani nuk kishte vend për edhe një festë tjetër klishe me fjalime uniforme që ngjasonin në një retorikë pompoze. Më 9, 10 dhe 11 qershor, Hani marshoi, defiloi, vallëzoi dhe këndoi shqip! Kryetari i Hanit, Mehmet Ballazi me bashkëpunëtorë gjejnë kohën e duhur për të nderuar dhe përshëndetur çdo mysafir të ardhur në Han të Elezit për të ndjekur nga afër programin e festivalit. Ambientet e shtëpisë së kulturës “Imri Curri” ishin përplot me mysafirë dhe artistë nga vise të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët ishin të veshur me kostume nga krahina të ndryshme të shqiptarisë, por të gjithë ishin aty për një lajtmotiv të veçantë: për ta ngritur edhe më lart këngën, kulturën dhe folklorin e pasur shqiptar. Për tre net me radhë, zëri i fuqishëm i Hanit të Elezit kumboi shqip dhe u dëgjua në çdo anekënd shqiptarisë.

Nëse dikur Hani i Elezit ishte bërë simboli për largimin shqiptarëve nga Kosova, sot ky qytet tregon se pas një çerekshekulli në liri, po ndërron imazhin e tij, duke u bërë kryeqytet i kulturës dhe traditës folklorike shqiptar për artistë dhe instrumentistë nga e gjithë gjeografia shqiptare. Hani i Elezit ishte dhe do të mbetet jo vetëm qyteti i parë ku mbërriti liria, por edhe qyteti që po shkove një herë aty, ke dëshirë të shohësh përsëri.