Edicioni i dytë i ekspozitës “Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinj kosovarë” vjen si reflektim i përfaqësimit të skenës vendore të grafistëve. Artistët shprehin botën e tyre artistike në veprat me dimensione që nuk ekzagjerohen. Limitohen brenda hapësirës së materialit ku hidhet kjo shprehje artistike, por fantazia artistike duket e pakufishme
Janë dhjetëra vepra të ekspozuara në muret e kafe-galerisë “KultPlus” në Prishtinë. Fletëgrafikat e njëzetekatër artistëve duken të një bote tjetër. Imagjinata e grafistëve shpërndahet në teknika e koncepte artistike. Përmblidhen në ekspozitën e dytë “Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinj kosovarë”, me mistiken përbrenda.
Edicioni i dytë i ngjarjes ka qenë si reflektim i përfaqësimit të skenës vendore të grafistëve. Artistët shprehin botën e tyre artistike brenda veprave me dimensione që nuk ekzagjerohen. Limitohen brenda hapësirës së materialit ku hidhet kjo shprehje artistike, por fantazia artistike duket e pakufishme.
Rrëfimi aty manifestohet prej më abstraktes e deri në realizëm. Bëhet e ditur se botën jolëndore të këtij abstraksioni e paraqesin grafikat “Në mes” të Adhurim Maliqit, “Dëshpërimi” i Ardiana Vishit e “Kompozicion” i Miradije Morinës.
Jo larg kësaj shprehje shkojnë edhe grafikat “Figurat në hapësirë” e Besime Haxhës si dhe “Malet e kujtesës” e Berat Bajramit.
Veprat kërkojnë sy të mprehtë për t’u kuptuar e perceptimi psikologjik çon në shtigje të tjera, përtej asaj që ofron autori. Si shfaqje e botës psikologjike e si revoltë personale vijnë veprat “Labirinthi” dhe “Rilindje e egër” të grafistes Arbenita Kuliqi.
Organizator i ngjarjes e kurator i ekspozitës “Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinj kosovarë” është profesori i grafikës në Universitetin e Prishtinës, Basri Mekolli.
Ai ka thënë se edicioni i dytë i ekspozitës së hapur të premten mbrëma, përmbledh grafistë të gjeneratave të ndryshme njësoj sikurse qasja.
“Konceptet artistike të tyre i kanë të fushave multidimensionale duke filluar prej abstraksionit të skajshëm, pastaj abstraksionit asociativ, motiveve realiste por që i përshkruan një notë mistike dhe portretet e abstrahuara. Ndërsa teknikat për realizimin e grafikave janë kryesisht teknikat e shtypit të thellë, gjilpërës së thatë, bakërshkrimit, ka edhe shtyp të depërtueshëm. Këto janë kryesisht teknikat që janë prezantuar këtu”, ka thënë ai derisa ka shpjeguar më tej konceptet e artistëve.
“Koncepti i abstraksionit të skajshëm, botës jomendore janë disa grafika të prezantuara që e përshkruajnë atë botë. Të tjerat i përkasin një abstraksioni asociativ me motive nga bota reale, natyra të qeta, por të cilat po t’i analizosh, e përcjellin një misticizëm”, ka shpjeguar Mekolli.
Ka thënë se në ekspozitë ka edhe grafika reale që përshkruhen me atë që ai e quan si notë misticizmi.
”Qasjet janë të ndryshme, varësisht prej individit, përmbledhjes, njohurive të tyre empirike, racionale, botës në të cilën ata jetojnë nga informata të ndryshme. Lënë gjurmë në ndërdijen e tyre dhe ajo manifestohet edhe në fletë grafike që ata i kanë materializuar vetë”, ka thënë grafisti Mekolli për KOHËN.
E, para të pranishmëve të shumtë të mbledhur ka bërë të ditur se artistët – pjesa dërmuese e të cilëve janë ish-studentë të tij – i ka përzgjedhur në atë mënyrë që në ekspozitë të ketë përfaqësim nga vende të ndryshme.
“Kam bërë një përmbledhje të punimeve të grafistëve të gjeneratave të ndryshme të cilët në pikëpamjet e tyre e konceptet artistike përfshijnë narracione të ndryshme, prej raporteve sociale, hapësinore, kohore dhe relacioneve midis tyre. Më është dashur të hulumtoj gjatë, dy muaj kohë më ka marrë kjo përmbledhje e artistëve, me tematika të ndryshme duke përfshirë abstraksionin e skajshëm, por edhe ato me një notë asociative”, ka thënë ai.
Në ekspozitë janë ekspozuar edhe veprat e Albulena Tafollit, Besiana Muhadrit, Betim Fetahut, Bislim Elshanit, Brikena Shabanit, Dafina Maxharrajt, Elirë Aliut, Gentian Gashit, Isuf Gallapenit, Labinot Aruqit, Lirigzon Dermakut, Mimoza Simnicës, Rinor Sallahut, Shiqerie Lutfiut, Tringa Metës, Valenton Zymberajt dhe Zojë Ferizit.
Artisti Festim Matoshi ka dy vepra të ekspozuara aty. “Heshtja” e punuar me teknikën shtyp i depërtueshëm sjell atë që ngjan në një lloj katrahure degësh që shfaqin veç pjesën më të lartë të pemës, sikurse edhe vepra “Gjurmë” me të njëjtën teknikë. Por mënyra sesi i sjell, e përcakton distancën kohore midis tyre.
Autori i veprave ka treguar se ato i ka punuar në vitin 2016 gjatë studimeve.
“Në edicionin e dytë të organizuar marr pjesë me dy punime. Personalisht marr pjesë me teknikën e shtypit të depërtueshëm apo me serigrafi siç njihet më shumë te ne në publik. Veprat janë të shkëputura nga cikli i punimeve të studimeve master. Është teknikë e veçantë prandaj e ka peshën e vet, veprat janë të vitit 2016”, ka thënë ai derisa ka shpalosur edhe tregimin e tyre.
“E kanë një rrëfim, tematika është gjurmë. Është paraqitur një kompozicion me tri ngjyra të ndryshme.
Kompozicion i një fryti të veçantë që pak njerëz e përdorin, por me një rëndësi të veçantë”, ka thënë Matoshi.
Edicioni i parë i ngjarjes qe mbajtur më 26 janar të këtij viti, po në “KultPlus” ku ishin shfaqur 22 vepra grafike nga tetë artistë. Ato trajtonin tematika që përfshinin emocionet e hidhërimit dhe gëzimit si dhe peizazhet e natyrës.
Drejtoresha e kafe-galerisë “KultPlus”, Ardianë Pajaziti, ka thënë se janë të nderuar me pritjen e kësaj ekspozite.
“Është kënaqësi e madhe për ne si nikoqirë të këtij eventi për herë të dytë ku Basriu ka përzgjedhur punimet e 24 grafistëve të rinj. Është mundësi e mirë – që përpos prezantimit të punës së tyre në një galeri arti – për ta njohur njëri-tjetrin dhe punën e tyre”, ka thënë Pajaziti në fjalën e saj të hapjes së ekspozitës.
“Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinj kosovarë” do të qëndrojë e hapur për dy javë. Secila pjesë është rrëfim unik që pos artit, shpalos shpirtin krijues e kreativitetin e 24 artistëve.