Shtojca për Kulturë

Gjykimet për Kosovën dhe përpjekjet e serbëve për fshehjen e krimeve

Varrezat e masakruarve në Qyshk të Pejës, në masakrën e 14 majit 1999. Fotografi e 15 marsit të vitit 2010 (Foto: Alban Bujari)

Varrezat e masakruarve në Qyshk të Pejës, në masakrën e 14 majit 1999. Fotografi e 15 marsit të vitit 2010

Foto: Alban Bujari

Në vitin 2008, Eliott Behar udhëtoi nga Toronto për t’iu bashkuar ekipit ligjor dhe përshkruan në mënyrë të gjallë dhe tronditëse një sërë krimesh dhe përpjekjesh për fshehje, si dhe dëshmi guximtare nga të mbijetuar që shpesh rrezikonin jetën për të treguar historitë e tyre. Ai paraqet rrëfime të njëpasnjëshme për masakra dhe mekanizmin e zhdukjes: viktimat fillimisht varrosen, më pas zhvarrosen, transportohen në një vend tjetër, e pastaj rivarrosen ose digjen

Duke u ndalur te gjykimet për Kosovën, Eliott Behar në librin e tij “Tregoji botës: Drejtësia ndërkombëtare dhe fushata për t’i fshehur vrasjet në masë në Kosovë”, Botimet KOHA, Prishtinë, 2018 bën me dije se spastrimi etnik i shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe u ndoq në tri gjykime të ndara, por të ndërlidhura të Tribunalit. I pari dhe më i njohuri, ishte rasti Prokuroria kundër Sllobodan Millosheviqit, që u zhvillua ndërmjet viteve 2002-2006. Gjykimi i Millosheviqit, sado monumental që ishte, nuk përfundoi kurrë –  ngase Millosheviqi vdiq para se të mbyllej rasti. Në këtë kontekst, autori ndihmoi në zbardhjen e së vërtetës, në përballje me padrejtësitë dhe në mbrojtjen e dinjitetit të viktimave, duke sjellë në dritë dëshmitë tronditëse të të mbijetuarve dhe përpjekjet sistematike për të fshehur gjurmët e krimeve.

Në vitin 2008, Behar udhëtoi nga Toronto për t’iu bashkuar ekipit ligjor dhe përshkruan në mënyrë të gjallë dhe tronditëse një sërë krimesh dhe përpjekjesh për fshehje, si dhe dëshmi guximtare nga të mbijetuar që shpesh rrezikonin jetën për të treguar historitë e tyre. Ai paraqet rrëfime të njëpasnjëshme për masakra dhe mekanizmin e zhdukjes: viktimat fillimisht varrosen, më pas zhvarrosen, transportohen në një vend tjetër, e pastaj rivarrosen ose digjen – të gjitha për të fshehur provat e qarta të krimeve.

Rasti i dytë qe Prokuroria kundër Millan Millutinoviq, Nikolla Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Llazareviq dhe Sreten Llukiq, të cilit këtu autori i referohet si “Rasti Kosova 6”, që ndiqte pjesëtarët e udhëheqjes së lartë të Serbisë për pjesëmarrje në atë që e Drejta ndërkombëtare penale i referohet si “veprim i përbashkët kriminal” kundër shqiptarëve të Kosovës.

Rasti i tretë i gjykimit për spastrim etnik në Kosovës ishte Prokuroria kundër Vllastimir Gjorgjeviqit, i cili kishte qenë shef i Resorit për Sigurinë Publike në Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Me fjalë të tjera, ai ishte shefi i Policisë, përgjegjës për të gjitha njësitet dhe personelin policor në Serbi, duke përfshirë edhe Kosovën, gjatë ngjarjeve të vitit 1999. Gjorgjeviqi u akuzua për mbikëqyrjen e operacionit për fshehjen e provave të spastrimit etnik në Kosovë, mbase një nga ngjarjet më të befasishme dhe më dëshmuese që kishin ndodhur atje.

“Rasti Kosova 6” dhe spastrimi etnik

Për të rrëfyer çështjen e spastrimit etnik, në Kosovë, autori është mbështetur edhe në dëshmitë dhe përvojat nga “Rasti Kosova 6” dhe ndonjëherë në provat nga gjykimi i Millosheviqit, duke shtuar se rastet ishin shumë të ndërthurura. Megjithatë, pasqyrimi i rasteve të Kosovës dhe mbyllja e këtij kapitulli të jashtëzakonshëm si në histori ashtu edhe në të drejtën ndërkombëtare, thotë autori u përcoll me pak zhurmë. Edhe pse nuk bën ndonjë analizë të gjerë gjeopolitike, Behar thekson se ngjarjet në Kosovë bënë që NATO-ja të futej në luftë në Evropë nga fundi i shekullit XX, një lloj i ri i “luftës humanitare”, një luftë që shumë pak perëndimorë e vlerësuan apo e kuptuan. Por, sipas autorit, ishin ngjarjet në Kosovë që e kishin krijuar bazën e aktakuzës dhe të arrestimit ndërkombëtar të Millosheviqit, të cilat më vonë u zgjeruan për t’i përfshirë edhe veprimet e tjera në ish-Jugosllavi, duke bërë që rasti t’ia mundësojë së drejtës ndërkombëtare penale ringritjen në arenën botërore.

Behar gjithsesi ngre pyetje të rëndësishme mbi ndikimin që ky proces kompleks dhe labirinti ligjor mund të ketë në fund. Duke bërë krahasime me krimet e luftës nga Kamboxhia, në Ruandë, ai eksploron edhe mënyrat se si njerëzit i arsyetojnë këto veprime – zakonisht duke ushqyer një plagë kolektive historike ose përvojë viktimizimi të vërtetë apo të perceptuar.

Libri fokusohet në drejtësinë ndërkombëtare, hetimet dhe përpjekjet për të fshehur krimet masive të kryera gjatë periudhës së konfliktit, duke ofruar një pamje të thelluar dhe të nuancuar të ndikimit të politikës ndërkombëtare në proceset e gjykatave dhe drejtësisë.

Fshehja e trupave

Ky libër eksploron përpjekjet ndërkombëtare për të sjellë drejtësinë në rastet e krimeve të luftës në Kosovë, veçanërisht ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe zbulon një fushatë të fshehtë për të fshehur vrasje masive dhe shkatërrime sistematike të kryera nga forcat serbe gjatë vitit 1999, që ai e titullon “Operacioni Dubina II”. Sipas Beharit, me dëshmitë në rastin e Gjorgjeviqit, dokumentohet se arkitektët kryesorë të fushatës së fshehjes së krimeve në Kosovës ishin vartës të drejtpërdrejtë të Millosheviqit. Sipas dëshmisë së Çaslav Golluboviqit, ai ishte udhëzuar ta mbante të heshtur rastin e kamionit të mbushur me kufoma të civilëve shqiptarë dhe që të sigurohej që mediumet të mos raportonin për këtë rast. Sipas Golluboviqit, “mund të shihte dhe t’i identifikonte plagët shumë lehtë: traumë e dhunshme, së paku tri koka të prera dhe një trup me duart e lidhura me tel dhe me një vrimë të madhe shkaktuar me armë zjarri nga afërsia. Këto ishin shenja të ekzekutimit.” (fq. 57).

Gjykata, duke u bazuar në dëshminë e Golluboviqit, konstatonte se njerëzit e angazhuar në operacionin për fshehjen e trupave të shqiptarëve të ekzekutuar, ishin paguar gjithsej 10 mijë dinarë për punën e tyre. Gjurmët e komunikimit me shkrim, po ashtu, dokumentonin se ishte Gjorgjeviqi ai që kishte miratuar pagesat dhe që operacioni ishte koduar “Dubina (Thellësia II)”. “Dubina II” sipas një operacioni sekret të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, kishte për qëllim transportimin në fshehtësi të trupave të civilëve shqiptarë të Kosovës në territorin e Serbisë, në mënyrë që pas vendosjes së administratës ndërkombëtare dhe KFOR-it, të mos zbuloheshin përmasat e vrasjeve në masë.

Rreth zbulimit të viktimave shqiptare nga një gazetar vendas, autori sjell edhe një detaje interesant. Qysh gjatë luftës, shkrimtari Christopher Hitchens, e kishte marrë një letër nga një student serb që i tregonte për një mik të familjes, një shofer kamioni, i cili kishte shkuar shpesh në Kosovë për t’i bartur kontingjentet me trupa shqiptarësh deri në Vojvodinë. Siç pohon Behar, Hitchens, edhe pse ishte ithtar i fuqishëm i ndërhyrjes së NATO-s, nuk i publikoi këto që iu thanë. Ai zgjodhi të mos e publikonte letrën, sepse “edhe pse dukej se ishte shkruar me vullnet të mirë, megjithatë dukej shumë e pabesueshme dhe paksa fantastike...” (fq. 285).

Masakra e Qyshkut

Në vazhdim, Behar sjell rrëfimet e dy burrave shqiptarë, Tahir Kelmendit dhe Hazir Berishës, të cilët në gjykimin e Gjorgjeviqit do të ofronin dëshmi si dëshmitarë okularë për masakrën që kishte ndodhur në fshatin e Pejës, Qyshk, ku forcat serbe ekzekutuan 41 civilë shqiptarë me 14 maj 1999. Duke u mbështetur në dosjen voluminoze të Tribunalit, autori konstaton se “nga ora 7:00, më 14 maj, fshatarët dëgjuan të shtëna automatiku. E panë se si shtëpitë në fund të fshatit po digjeshin, e tymi i zi po e nxinte qiellin. Disa nga burrat e rinj e të moshës së mesme ikën në malin e afërm, ngase tashmë kishin pasur ‘vizita’ nga policia serbe edhe më parë. Disa u vranë në ikje e sipër. Të tjerët mbetën prapa, pa dëshirë apo pa mundësi për të ikur ose pse nuk donin t’i braktisnin familjet.” (fq. 80). Forcat serbe po kërkonin babanë e Agim Çekut, i cili më 1991 i ishte bashkuar Armatës kroate dhe i cili kishte qenë i përfshirë në “Operacionin Stuhia” të Kroacisë më 1995. Forcat serbe pasi identifikuan Hasan Çekun, të atin e Agimit, e vranë dhe më pas e dogjën. Po ashtu, forcat serbe vranë edhe disa banorë të Qyshkut si dhe i plaçkitën.

“Fshatarët u urdhëruan që të nxjerrin gjithçka nga xhepat. I hodhën paratë, cigaret dhe dokumentet e identifikimit në tokë. I zgjodhën dy fëmijë nga grupi që t’i mblidhnin gjërat, njëri t’i mblidhte paratë, e tjetri letërnjoftimet... gratë i hodhën florinjtë dhe çka kishin të vlefshme.” (fq. 83). Pas këtij detaji, autori përshkruan në hollësi edhe rrëfimin e të mbijetuarve për mënyrën e ekzekutimit të burrave dhe për djegien e trupave të vrarë dhe të plagosur. Sipas gjetjeve të Tribunalit, të cilave u referohet Eliott Behar, ekzekutuesit serbë – të kënaqur me vrasjet e kryera ndaj civilëve shqiptarë – më pas urdhëruan gratë dhe fëmijët të braktisnin fshatin, duke i dëbuar nga Kosova si pjesë e një strategjie më të gjerë të “spastrimit” etnik të territorit. Vrasjet vazhduan edhe në fshatra të tjerë të Pejës, si Zahaqi dhe Pavlani. Përveç këtyre dëshmive tronditëse, Behar përshkruan edhe momentet emocionale të takimeve me dëshmitarët pas përfundimit të seancave, duke theksuar tensionin dhe lehtësimin që ata përjetojnë pas dëshmive të tyre në gjykatë. Dëshmia e të mbijetuarve është e fuqishme, tronditëse dhe shumë emocionale, duke vizatuar një portret të gjallë të çnjerëzores dhe të mizorisë serbe në këtë fshat dhe në fshatrat tjera shqiptare të Kosovës. Por, për dallim nga gjykimi i Adolf Eichmanit, që ishte përgjegjës për orkestrimin e dëbimit masiv të hebrenjve, që u pasua nga një dramë “The Investigation“ (Hetimi) e shkruar nga Peter Weiss, që rrëfimi u ndërtua nga dëshmitë dhe këmbimet në gjykim, rastet e Tribunalit nuk kanë gjetur ndonjë jehonë të krijuesit e njohur në vend, nuk ka mjaftueshëm vepra letrare apo filmike për atë çfarë u ka ndodhur shqiptarëve të Kosovës. Gjykimi penal ndërkombëtar natyrisht nuk është një teatër, por, siç thotë autori, konteksti gjyqësor është një garë më vete, ku detyra e akuzës është ta përcaktojë fajësinë dhe përgjegjësinë e të akuzuarit.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë