Shtojca për Kulturë

Gjurmëve të Lord Byronit e Edith Durhamit në Shqipëri

Kalaja e Krujës, 40 minuta larg Tiranës

Kalaja e Krujës, 40 minuta larg Tiranës

Historiania britanike, Bettany Hughes, eksploron thesaret e Shqipërisë e inspiruar nga ekspeditat e mëhershme të Lord Byronit e Edith Durhamit. “Shqiptarët kanë një thënie të bukur: “Ju lumshin këmbët që erdhët”. Andaj, shkoni në Shqipëri shpejt derisa mikpritja të jetë ende e ngrohtë dhe autentike dhe një darkë për katër persona të kushtojë më pak se një teke raki në një pub në Angli”, shkruan ajo

Bettany Hughes

Të inspiruar nga ekspeditat e tre britanikëve si Lord Byron, Hon Aubrey Henry Molyneux Herbert dhe Edith Durham, ia mësymë eksplorimit të tri peizazheve të Shqipërisë. Lumit, malit dhe detit. Ishim katër persona: unë, bashkëshorti im dhe njëzetë e ca bija. 

I sjell ato në Shqipëri tash e 15 vjet tashmë. Turizmi tani në Shqipëri po bën namin. Pas afro 50 vjetësh izolim nën regjimin e diktatorit Enver Hoxha, prej vitit 1944 deri më 1985, Shqipëria tani po mirëpret botën krahëhapur. 

Shqiptarët kanë një thënie të bukur: “Ju lumshin këmbët që erdhët”. Andaj, shkoni në Shqipëri shpejt derisa mikpritja të jetë ende e ngrohtë dhe autentike dhe një darkë për katër persona të kushtojë më pak se një teke raki në një pub në Angli.

Bettany Hughes e sjell familjen në Shqipëri tash e 15 vjet tashmë

Ëmbëlsirë në 900 metra lartësi mbidetare

E admiroj qasjen e shqiptarëve ndaj ëmbëlsirave. Ata i hanë ato herët në mëngjes, rëndom të freskëta, me shije portokalli dhe me fara kungulli përmbi. Por, fatmirësisht ka male të mjaftueshme për t’i ngjitur të cilat do të ndihmonin me kaloritë e ëmbëlsirave.

Përtej Kalasë së Krujës, 40 minuta larg Tiranës, gjendet një faltore prej guri e cila u takon bektashinjve, një sekt i kombinuar mes islamit, krishterimit dhe besimeve të lashta. 
Diku rreth 900 metra lartësi mbidetare, pelegrinët e vizitojnë këtë vend duke ndezur qirinj, teksa ofrojnë mish dhe vajra aromatike në faltore. 

Një grua e moshuar më shiti lule radhiqe të këputura nga natyra si dhe vaj trëndafili për flokët e mia. Tani e kuptoj pse Byronit i pëlqente ky vend kaq shumë. 

Si duket i ka ngjasuar atij me vendet rurale të Skocisë. Duke shkuar në drejtim të jugut nga Tirana, peizazhi piktoresk paralajmëron një pamje mbresëlënëse të qyteti të Beratit, me malin e shenjtë të Tomorrit, i cili duket sikur e ka kapluar flaka nga drita e diellit teksa perëndon. Ai është shtëpi e arinjve e shqiponjave grabitqare. Ky qytet i cili njihet ndryshe dhe si qyteti i njëmijë dritareve, dikur ishte pikë ndalimi për udhëtarët e rrugës së mëndafshit. 

Qëndruam në “Hotel Vila Aleksandër” dhe u zgjuam nga gjumi nga kakarisja e zogjve të pulave. Shqipëria ka një kod të mikpritjes – Besën – që do të thotë se njerëzit aty janë në gjendje të ofrojnë gjithçka për të mbrojtur mysafirët e tyre.

Në gjirin e Gramës, ka mbishkrime të vjetra 23 shekullore. 

Rimëkëmbja e brigjeve

Me Ishullin e Korfuzit të dukshëm në një ditë pa re dhe me Italinë katër orë larg me një trajekt, riviera shqiptare duket se po fillon të lulëzojë. 

Marinari im i preferuar në brigjet e Jonit rreth qytetit të Vlorës është Baci, i cili aranzhon ekspedita në brigje të paeksploruara të Karaburunit. Në gjirin e Gramës, ka mbishkrime të vjetra 23-shekullore. 
Pas një eksplorimi të veçantë të shpellave detare, Kapiten Baci në tavolinat e tij rrëzë brigjeve ofronte peshk të freskët e të fërguar para nesh, patate të skuqura dhe një sallatë më të mirë se ato të cilat i kam ngrënë në Itali. 

Tutje në jug, pas tri orëve me makinë, Butrinti – i themeluar nga heroi i Trojës, Aeneas – është një lokacion ku mbetjet e Greqisë Antike zënë shtat përmes harqeve romake e mozaikëve të Bizantit, bashkë me mbetjet e lagunave veneciane. 

E kaluam këtë vend, pa qëndruar natën, por Dua Lipa dhe yje të tjera nga shqiptarët e Kosovës, marrin vila me qira, këtu, afër Kep Merlit.

Butrinti është një lokacion ku mbetjet e Greqisë Antike zënë shtat përmes harqeve romake e mozaikëve të Bizantit, bashkë me mbetjet e lagunave veneciane

Duke shkuar sipas rrjedhës

Lumenjtë në Shqipëri bartin histori më vete. Rrjedha e egër e lumit Vjosa, u shndërrua në një park kombëtar, i cili derdhet në Adriatik, e burimin e ka në Pindet Greke. Çaji i kamomilit vjen nga livadhet, reçeli i qershive nga pemët e egra. 

Vjosa përqafon me bardhësinë e saj rrethinën e qytetit-kala të Tepelenës, duke ofruar mundësi për sportin e raftingut. 

Ia vlen të ndiqet edhe rrjedha e lumit të Osumit dhe tundimeve të tij i futur në mes të Beratit dhe fshatit të vogël dendur me trupa ullinjsh dhe kajsish të quajtur, Roshnik.

Vajzat tona, Sorrel dhe May insistuan që të na qerasnin me një vakt mirëseardhjeje. Njerëzit vendas na thanë të shikonim për një vend të quajtur Alpeta. Tavolina jonë u mbush me djathë dhie me erëza dhe bokall me verë të kuqe e të bardhë, bukë misri të sapodalë nga furra dhe pite me kunguj të njomë. 

Hëngrëm deri sa nuk mundëm më. I shihja vajzat teksa me stres po prisnin llogarinë. Kushtoi 36 funte për katër persona.

Marrë nga “Daily Mail”. Titulli është i Redaksisë. Përktheu Enis Bytyqi 
 

Vjosa përqafon me bardhësinë e saj rrethinën e qytetit-kala të Tepelenës, duke ofruar mundësi për sportin e raftingut