Shtojca për Kulturë

Gjeneral Tellini – dëshmor i çështjes shqiptare

Me rastin e përvjetorëve të ndryshëm është bërë traditë të përkujtohen ngjarje apo personalitete të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në mjedisin përkatës. Në këtë përvjetor jubilar me rastin e 100-vjetorit të vrasjes se gjeneral Enrico Tellinit, ka qenë obligim i shtetit shqiptar të organizojë një akademi solemne, duke vlerësuar lart angazhimin e tij në përcaktimin e kufirit mes Shqipërisë e Greqisë. Por, në sajë të qëndrimit parimor në favor të drejtësisë do të thotë të shqiptarëve, ai së bashku me shoqëruesit, u vranë nga grekët më 27 gusht 1923. Në kohën e Mbretnisë Shqiptare ai u nderua, por në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri në vitin 1947 iu shkatërrua shtatorja për çështje jo vetëm ideologjike, e cila ishte vendosur në vitin 1941, ndërsa tani me rastin e 100-vjetorit të rënies së tij ka qenë e udhës që në shenjë respekti, të rivendoset shtatorja e tij në Tiranë apo në Sarandë me të gjitha nderimet shtetërore

Konferenca e Paqes në Paris më 9 nëntor 1922 e emëroi gjeneral Enrico Tellinin për kryetar të Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve në mes Shqipërisë dhe Greqisë. Duke marrë parasysh aspiratat pushtuese të Greqisë ndaj territoreve shqiptare, Komisioni nuk e kishte lehtë të vepronte në terren, sepse kishim të bënim me zonën kufitare e cila nuk ishte definuar prej vitit 1913 në mes dy vendeve. Por, në sajë të këmbënguljes së Tellinit duke njohur realitetin në terren, fshatrat Pobickë dhe Radat në Leskovik, Peshkopi, Rrëzë e Zezë dhe Kakavijë i përfshiu brenda kufirit të Shqipërisë. Duke ditur presionin e grekëve ndaj popullsisë shqiptare në zonën kufitare, duke ngjyrosur shtëpitë me flamurin grek, apo duke i detyruar të flasin greqisht, për t’i eliminuar dilemat se cila popullsi jeton në fshatrat e zonës kufitare ai bëri një eksperiment i cili ishte i veçantë për kohën që me të drejtë është quajtur “eksperimenti Tellini“.

Ai për ta kuptuar realitetin e popullsisë përkatëse së cilës kombësie i përkasin, u hidhte karamele fëmijëve dhe aty dëgjonte se çfarë gjuhe flisnin, kur ziheshin për t’i kapur. Pasi të gjithë flisnin shqip, ai e kishte të qartë se fshatin e tillë duhet lënë brenda territorit shqiptar.

Por, vendimet e tilla në këtë zonës kufitare në bazë të dëshmive të terrenit dhe atyre historike, ngjallën pakënaqësi në radhët e palës greke, e cila këtë angazhim mund ta ndalonte vetëm me vrasjen e tij. Dhe një skenar i tillë nuk vonoi shumë, sepse të hënën më 27 gusht 1923, misioni italian i ngarkuar për përcaktimin e kufirit greko-shqiptar në rrugën Janinë-Kakavi ra në pritë nga një bandë greke ku u vra kryetari i Komisionit gjeneral E. Tellini(1871) dhe katër shoqëruesit e tij: shoferi Reniggo Farnetti (1895), mjeku-major Luiggi Corti (1882), adjutanti Mario Bonaccini (1897) dhe përkthyesi shqiptar Thanas Kraveri (Leskoviku).

Fjalimi i kryeministrit Ahmet Zogu

Kjo ngjarje u diskutua edhe në Këshillin Kombëtar (Parlamenti) të Shqipërisë. Fillimisht foli kryeministri e më pas deputetët Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ali Këlcyra dhe Visarion Xhuvani. Në shenjë respekti për emrin e Tellinit, Këshilli Kombëtar i Shqipërisë ndaloi punimet për 24 orë. Kryeministri Ahmet Zogu mbajti këtë fjalim: “Me hidhërim të madh po ju jap lajmin për një ngjarje të shëmtuar e tepër të poshtër që ka ndodhë në Greqi. Para tre ditëve, komisioni i kufijve, duke ardhur nga Janina në Gjirokastër, pati një rrezik, pse kryetari i këtij komisioni, gjenerali italian z. Telini, u vra bashkë me shokët e tij. Duke dalë prej Janine, i pari automobil ishte ai komisionit shqiptar. I dyti, i komisionit italian dhe i treti i atij grek. Mbas udhëtimit prej 54 km nga Janina, kur arritën në Zep, automobili i komisionit shqiptar kaloi këtë vend, ndërsa ai i komisionit italian ndalohet e vriten gjenerali, një major doktor, një toger adjutant, një ushtar, shoferi e një shqiptar (përkthyesi). Pas kësaj ngjarjeje, kaloi komisioni i Greqisë pa pasur asnjë ngjarje, vijoi e shkoi në Gjirokastër. Përmbi këtë janë hapur lajme të këqija, të cilat, qeveria e populli shqiptar i përgënjeshtrojnë e protestojnë rreptë pse në tokën shqiptare, në ato anë nuk ka asnjë bandë. Pos kësaj, z. gjeneral Tellini ka qenë mik i popullit shqiptar dhe i ka përkrahur me paanësi të drejtat e tij. Qeveria e popullit shqiptar kanë marrë pjesë në hidhërimin e madh që ka sot qeveria e populli italian”.

Image
Monumenti i Tellinit në Tiranë (27 gusht 1941)

Reagimi italian dhe pushtimi i Korfuzit

Në lidhje me këtë vrasje opinioni dhe qeveria italiane u alarmuan, me ç’rast kryeministri Musolini më 29 gusht 1923 i dërgoi ultimatum Greqisë me 7 pika duke i kërkuar të përgjigjet brenda 24 orëve. Në ultimatum kërkohej: (1) Kërkim i thellë dhe zyrtar i faljes t’i bëhet Qeverisë italiane nëpërmjet ambasadës së saj në Athinë prej autoriteteve më të larta ushtarake. (2) Ceremoni funerale madhështore për viktimat e masakrës të bëhet në katedralen katolike të Athinës në prani të gjithë qeverisë greke. (3) Nderime për flamurin italian të kryhen prej flotës greke në ujërat e Pireut në prani të Divizionit Detar Italian që do të shkojë atje për këtë qëllim. Nderimet të kryhen me 21 gjuajtje topash prej anijeve greke, ndërkohë që valëvisin flamurin italian në direkët e tyre. (4) Një hetim i plotë të kryhet në skenën e masakrës prej autoriteteve greke dhe në prani të përfaqësuesit ushtarak italian, Kolonel Perrone, për sigurinë personale të të cilit qeveria greke ka përgjegjësi të plotë. Ky hetim të kryhet brenda pesë ditëve pasi merren këto kushte. (5) Dënim me vdekje për të gjithë kryerësit e krimit. (6) Dëmshpërblim prej 50 milionë lirash italiane (2.5 milionë USD) i dorëzuar brenda pesë ditëve nga marrja e këtij ultimatumi. (7) Nderime ushtarake për trupat e oficerëve italianë kur ato të barten në anijet luftarake italiane për t’u dërguar në Itali. Në zbatim të kushtit 3, një flotë Italiane ishte dërguar në Pire.

Nga ana tjetër pala greke më 30 gusht iu përgjigj, se ultimatumi pranohet për pikat 1, 2, 3, 7 por 4, 5, 6 i kanë vlerësuar të papranueshme, sepse cenon pavarësinë e Greqisë. Por, qeveria italiane ishte këmbëngulëse për të çuar në vend objektivin e tyre, për t’u hakmarrë për vrasjen e gjeneral Tellinit dhe ekipit të tij, dhe më 31 gusht 1923 nisi ushtrinë në rrugë detare drejt Korfuzit. Bëhet me dije se një kapiten detar italian kërkoi dorëzimin e ujdhesës, por qeveritari grek refuzoi se ai duhej të pyeste Athinën si të vepronte. Por, italianët nuk pritën shumë se i dhanë kohë vetëm 10 minuta paralajmërim për popullsinë vendore.

Italianët ishin të vendosur, sepse përveç flotës detare u ndihmuan edhe nga aeroplanët duke bombarduar qytetin e Korfuzit, me ç’rast u vranë 65 qytetarë dhe u shkatërruan objekte të ndryshme. Ishte ky një pushtim klasik, ku trupat italiane me 5000 ushtarë zbarkuan dhe valëviten flamurin italian në kalanë e Korfuzit.

Situata e tillë mori përmasa ndërkombëtare ku u angazhuan fuqitë e mëdha të kohës, përmes Lidhjes së Kombeve e në veçanti nga Këshilli i Ambasadorëve në Paris. Të ndodhur në një situatë të tillë ndonëse me herët Qeveria greke pat mohuar pikat 4,5,6 të ultimatumit italian, pranoi kushtet e Këshillit të Ambasadorëve. Përfundimisht pas pagesës së dëmshpërblimit palës italiane nga ana e Greqisë në Bankën Kombëtare Zvicerane në shumën prej 50 milionë liretash, Italia më 8 tetor 1923 u tërhoq nga Korfuzi dhe ujdhesat e tjera, më ç’rast përfundoi agresioni italian në mbrojtje të dinjitetit të gjeneral Tellinit.

Monumenti i shkatërruar nga komunistët

Në nderim të emrit të gjeneral Tellinit, shteti shqiptar i vendosi emrin në qendër të Tiranës ku u çel posaçërisht një rrugë e re, e cila u quajt Shëtitorja “Gjeneral Tellini”, e cila u përurua më 27 gusht 1933, ndërsa në krye të shëtitores u vendos edhe busti i tij. Ndërsa më pas u nderua edhe me një shtatore e punuar nga skulptori Odhise Paskali, e cila u përurua më 27 gusht 1941, në vendin ku është sot Akademisë e Shkencave, por për çudi në vitin 1947, pushteti komunist e shkatërroi, duke mos dhënë asnjë arsyetim për një veprim të tillë.

Por, me rastin e rënies së sistemit të diktaturës komuniste në Shqipëri, nga viti 1991 e më pas ka qenë e udhës që shtatorja e Tellinit të vendoset përsëri në Tiranë. Ndonëse në pluralizëm janë ndërruar qeveritë qofshin demokratike apo socialiste, asnjëra nuk tregoi interesim në nderim të figurës së gjeneral Tellinit.

Heshtja e mediave

Ka qenë e udhës që në këtë vit jubilar me rastin e 100-vjetorit të rënies së tij, Qeveria e Shqipërisë përfundimisht kishte rastin të përmirësojë gabimet e mëparshme, por si duket, ishin të zënë me çështje të tjera, ku në heshtje dëshmuan se nderimi dhe vlerësimi ndaj këtij personaliteti nuk është në agjendën e veprimtarisë së tyre! Përveç Qeverisë, heshtën edhe mediat veprim i cili nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse gjeneral Tellini nuk ishte në atë kohë për çështje private, por në shërbim të kauzës shqiptare. Ai kishte respekt për shqiptarët qe dëshmohet nga deklarata e tij: “I dua dhe i nderoj shqiptarët, sepse janë zemërbardhë dhe trima. Mjerisht, ata po vuajnë keqbërjet e fqinjëve. Do të përpiqem t’ua pakësoj mundimet dhe t’ua lehtësoj dhimbjet kombëtare që shqiptarët të jetojnë të lirë si kombet e tjera”.

Përfundimisht, në këtë përvjetor ai nuk ka nevojë për nderimin tonë, por ne shqiptarët kemi nevojë në nderimin e tij, sepse në ato kohë ishte guxim sa personal e ushtarak për ta mbrojtur të drejtën e çështjes shqiptare.