Shtojca për Kulturë

Gjendja në krye të vitit 1917

Kartolinë e Korçës e vitit 1917 me Katedralen e Shën Gjergjit

Kartolinë e Korçës e vitit 1917 me Katedralen e Shën Gjergjit

Vendosja e administratës shqiptare nën frymëzimin e autoritetit frëng u bë pa turbullime. Qetësia, rendi vazhdojnë të mbretërojnë në Korçë dhe në rrethet. Dalëngadalë, “Këshilli Administrativ” po kryen punën e tij. Financat, postat, doganat, punët botore, policia... organizohen. Duhet vërë re se entuziazmi i ditëve të para është ftohur pak. Duket se frika e mosbërjes së një vepre të qëndrueshme e zvogëlon zellin. Ndihet aty një reperkusion i ngjarjeve të Rumanisë dhe Athinës. Frika e mundësisë së rikthimit të regjimit grek, paralizon ndjenjën patriotike

Gjeneral Henri Descoins

Pamë që në fund të raportit të 10 dhjetorit, se Sali Butka (15) më kishte lajmëruar se ishte me ne. U bënë dhe bisedime të tjera me ndërmjetësimin e “Këshillit Administrativ“ për të rënë në pajtim mbi masat ushtarake që duheshin marrë që të mundte të lirohej prej angazhimeve që kishte me austriakët.

Në të vërtetë, ky kryetar çete nuk erdhi kurrë. Do të mësoja më vonë se kishte ndërmarrë po të njëjtat hapa siç kishte bërë në dhjetor 1916, pranë komandës frënge, edhe me komandën italiane. Unë nuk e pashë kurrë. Ose vullnetarisht iu shmang angazhimeve të tij ose s’mundi t’i mbante. Regjimi i vendosur prej Protokollit të 10 dhjetorit hyri menjëherë në veprim. Po i riprodhoj aty poshtë dokumentet zyrtare që e përkufizojnë fare mirë gjendjen në Korçë në fund të dhjetorit të 1916-s dhe në fillim të janarit të 1917-s. Së pari është mesazhi me rëndësi i një raporti të dërguar Gjeneralit Sarrail prej z. Bargeton, që qe kthyer në Korçë si agjent ndërlidhës me kryekomandantin: 

Në qoftë se kam kuptuar mirë udhëzimet, okupacioni i jonë i Korçës, ka për qëllim të sigurojë qetësinë e rajoneve që ndodhen në krahët e ushtrive aleate. Ai s’ka asnjë karakter politik, është një fakt dhe një fakt prej së cilit kurrë nuk do të pretendojmë të nxjerrim ndonjë të drejtë. Nuk është një okupim si ai anglezi në Misir, edhe më pak një protektorat si ai i tipit tunizian ose maroken, edhe më pak një administratë e drejtpërdrejtë si ajo e Algjerisë. 

Duke përfituar nga paqja e sjellë me anën e armëve tona, një autonomi lokale lindi vetvetiu; nuk duhet të ketë shkrirje midis saj dhe okupimit frëng, por në parim, një bashkëjetesë të thjeshtë, me këshilla gjysmë-zyrtare nga ana e jonë. Natyrisht duke i mbajtur rezervat e zakonshme mbi të gjithë pikat që mund t’i shërbejnë veprimtarisë sonë ushtarake (polici, xhandarmeri, etj.;)

Kështu mund të ngrihet në Korçë një regjim që i ndihmuar prej dëshirës së paqes, mund të zgjerohet progresivisht në gjithë Shqipërinë, dhe të sjellë prishjen e çetave (të cilat janë tani tepër të ruajtura dhe nuk mund të vinë me ne), dhe vendosjen e armikut në pamundësi të ngre trupa të reja. 
Nga kjo pikëpamje, Gjenerali im, marr lejen të them që sa janë bërë këtu që prej ardhjes të Kolonelit Descoins, janë përgjigjur gjithnjë në rrethana të ndryshme, situatës të kohës. 
Më poshtë shënoj dy paragrafë të raportit tim të 22 dhjetorit:

Gjendja politike

Vendosja e administratës shqiptare nën frymëzimin e autoritetit frëng u bë pa turbullime. Qetësia, rendi vazhdojnë të mbretërojnë në Korçë dhe në rrethet. Dalëngadalë, “Këshilli Administrativ” po kryen punën e tij. Financat, postat, doganat, punët botore, policia... organizohen. Duhet vërë re se entuziazmi i ditëve të para është ftohur pak. Duket se frika e mosbërjes së një vepre të qëndrueshme e zvogëlon zellin. Ndihet aty një reperkusion i ngjarjeve të Rumanisë dhe Athinës. Frika e mundësisë së rikthimit të regjimit grek, paralizon ndjenjën patriotike. Rojalistët grekë ndihmojnë padashur në mbajtjen e kësaj ndenjeje duke përhapur lajmin se së bashku me austriakët do ta marrin Korçën përsëri. Megjithatë, shumë rezultate janë mbërritur: shumë kryepleq dhe pojakë të rretheve varen nga Qeveria e Korçës, dhe kjo bën çmos që të tërheqë nën autoritetin e vet gjitha lokalitetet që varen prej saj administrativisht.

Katedralen e Shën Gjergjit në foto pa datë

Mjete veprimtarie politike

Mjeti më i mirë i veprimtarisë politike është t’i japim besim popullit në ne dhe në dëshirën tonë të rrimë në Korçë, duke ia treguar fuqinë tonë. Për këtë qëllim, arritja e forcave të reja do të jepte një përshtypje të fortë. Duke rritur këtë eventualitet, përpiqem ta luftoj përshtypjen e keqe që mund të kenë bërë marrja e Bukureshtit dhe ngjarjet e Athinës, me anën e lajmërimit të sukseseve të vazhdueshme frënge në Verdun, dhe duke paraqitur kërkesat për paqe të Perandorit dhe aleatëve të tij si një shenjë dobësie. 

Një tjetër mjet veprimi do të ishte krijimi i “Xhandarmerisë lëvizëse shqiptare”. Kjo në fare pak kohë do të gruponte 500-600 veta të zgjedhur, që tani të caktuar, dhe do të kishte të mirat që po shënoj: Do t’i vinte në punë menjëherë kryetarët dhe burrat e çetave të prishura, do te tërhiqte ata që janë akoma anëtarë të atyre që nuk kanë vendosur akoma të vinë me ne duke u dhënë një punë të sigurt, dhe do të na krijonte një element të disiplinuar, gati të hyjë në veprim për kauzën tonë. 

Ajo do të na lejonte, me t’u organizuar, të dërgonim nëpër fshatrat grupe të vogla xhandarësh, të zëmë shpejt vend në rrethet e Perëndimit dhe Jugut të Korçës gjer në Qar dhe bile në Ersekë. Do të ishte mjeti për të ndaluar propagandën e ruajalistëve grekë, për të ndaluar formimin e çetave të tyre dhe veprimtarinë e tyre, dhe të sigurojmë ndërlidhjen me Italianët me anë elementesh kalorësie që do të mundnin të qarkullojnë lehtas midis Leskovikut dhe Korçës. 

Formimi i kësaj xhandarmërie, i kërkuar prej Këshillit Administrativ Shqiptar, nuk kërkoi më shumë, nga ana e jonë, veçse sjelljen se dy ose tre oficerëve frëng që të shërbejnë si instruktorë nën drejtimin e njërit prej tyre që njeh mirë rrethin; dërgimin e një koleksioni rrobash kaki; dyfekësh, fishekësh dhe ndofta pak të holla për të mbështetur financat lokale që duan të mbajnë vetë xhandarmërinë e tyre.

(Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë)

Henri Vincent Descoins, i lindur më 10 janar 1869 në Cambray (Francë), vdiq më 10 maj 1930 në Algjer (Algjeri) ishte gjeneral brigade dhe shkrimtar ushtarak francez. Si kolonel i kalorësisë gjatë Luftës së Parë Botërore, luajti një rol të rëndësishëm në vendosjen e forcave franceze në Korçë (1916 – 1920). Ndër të tjera, shkroi edhe raportin “Six Mois d’histoire de l’Albanie – Novembre 1916 Mai 1917” të cilin e përktheu dhe e botoi në shqip, Vasil Gërmenji (1908 – 1988). Ky tekst i përkthyer prej tij e që botohet me vazhdime në Shtojcën për kulturë, është marrë nga monografia “Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” me autor Elez Osmanin, Botimet KOHA, tetor 2024

Fusnota:

(15) Jam i bindur se rasti i dytë i përgjigjet së vërtetës: Austriakët që dyshonin mbi Sali Butkën e ruanin shumë dhe morën familjen e tij si peng. Sidoqoftë, në gjithë kohën e Komandës time në Korçë jam i detyruar të preokupohem për të. Përkundrazi, sekretari i tij Petraq Katro, nuk vonoi të vinte te ne, dhe kam arsye të forta të besoj se ndihmoi me ndershmëri veprimet e komandës lokale frënge