Shtojca për Kulturë

Garda shqiptare në Romë dhe Kosova në këndvështrimin italian gjatë Luftës së Dytë Botërore

Reportazhet lidhur me parakalimin e gardës shqiptare në Romë, që është i nënshkruar nga gazetari A.G., i botuar në gazetën “Tempo” të datës 26 shkurt të vitit 1942 dhe ai i studiuesit Carlo Tagiani po ashtu i botuar në të njëjtën gazetë të 12 marsit 1942 në faqet 20 dhe 21 të titulluar “Gli Albanesi nel Kosovo”, paraqesin imazhe të shqiptarëve të kohës së okupimit italian të tokave shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të kujtojmë se okupimi zgjati deri më 8 shtator të vitit 1943. Të dyja reportazhet vijnë në këtë shkrim, përgatitur nga publicisti Skënder Latifi

E lajmëruar dhe e paraprirë nga tingujt e bandës frymore, hera e parë që e pamë Gardën Shqiptare Mbretërore ishte në sheshin “Spanja”, në një ditë të vranët. Vetëm pak kohë më parë kishte pushuar shiu. Rreth kolonës që ngrihej për nder të Zonjës së Dëlirë, përballë Pallatit të Ambasadës spanjolle, rreth shatërvanit te këmbët e shkallares së Trinisë së Shenjtë, asfalti i lagur reflektonte si një liqen i cekët përthyerjen e reve në qiell.

Parakalimi me hap i gardistëve shqiptarë nën ritmin e muzikës e nxiti krijimin e një gardhi interesant njerëzisht që dukej se po e përshpejtonte çuditshëm kthjellimin e qiellit dhe kur balli i kolonës u kthye saktësisht majtas nga rruga “Condotti”, papritmas mes reve të çara u shfaq një rreze dielli e paanë, që u derdh nëpër shkallare, praroi të gjitha pellgjet e ujit në tokë dhe ndër njerëz e ndër pallate e përhapi ndjesinë e një kohe të bukur që thuajse reflektohet nga bardhësia e kolonës që rrotullohej duke lënë pas krahëve guaskën e shatërvanit.

Tani shatërvani dukej sikur donte të shqitej nga asfalti dhe trotuari e të pluskonte në atmosferën e papritur festive, e përshkuar prej një malli të lundrimeve fantastike e reale. Njerëzit, ndërkohë, shikonin me admirim, gati për të duartrokitur dhe gjithnjë ishin në pritje të çfarëdo shenje për të shfaqur një ndjenjë të lartë entuziazmi.

Image
Serioziteti i prerë i atyre ushtarakëve, eleganca në masën e duhur të uniformave të tyre, hapi i saktë dhe me ritëm, ngacmonin fantazinë edhe më të vakët e më pak të hamendësuar FolegjendaGarda_3: Me bindjen e tyre absolute dhe të heshtur dhe u dëshmonin romanëve ata ushtarakë shqiptarë, ato roja tejet besnike të mbretit dhe të perandorit

Forca e një bindjeje të zjarrtë e absolute

Seriozë, krenarë e me diçka si solemne, ushtarakët shqiptarë parakalonin në rreshta të drejtë. Pothuajse të së njëjtës lartësi trupore, që dukeshin edhe më shtatlartë nga manteli i zi, i gjatë që mbanin, me qëndrim të drejtë e të zhdërvjelltë, ata transmetonin një ndjesi njerëzore tepër të fortë. Forca e një bindjeje të zjarrtë e absolute pas flamurit të kuq shqiptar dukej se e vendoste hapin e tyre në një valë me tingujt e marshit luftarak që i paraprinte, duke u dhënë jetë fytyrave të tyre të rreshkura nga dielli, të cilat në vetvete mishëronin një lloj sigurie.

Tregtarë e klientë, nga kafenetë, argjendaritë, dyqanet e manifakturës apo veshjeve në rrugën më të shtrenjtë të Romës, vërshuan nëpër trotuare për të parë se ç’ngjiste: e mbi të gjithë u panë imazhe mahnitëse, u përjetua lumturia e veçantë ashtu siç provohet nga manifestimi jo luftarak.

Shfaqjet në fakt ishin një nga aspektet më të ndritura e simbolike të Perandorisë; mbase një nga më domethënëset. Ky publik i Romës, i mësuar të ndjekë, në skenarin e Qytetit të Përjetshëm, çdo lloj parade që organizohej, civile apo ushtarake, mund ta merrte atë lloj shfaqjeje si një nga provat e shumta të madhështisë së Romës.

Serioziteti i prerë i atyre ushtarakëve, eleganca në masën e duhur të uniformave të tyre, hapi i saktë dhe me ritëm, ngacmonin fantazinë edhe më të vakët e më pak të hamendësuar: u jepnin kuptim të ri e të qartë shumë fjalëve të lexuara me habi.

Këtë e përçonin me bindjen e tyre absolute dhe të heshtur dhe u dëshmonin romanëve ata ushtarakë shqiptarë, ato roja tejet besnike të mbretit dhe të perandorit: Roma tani po kthehej më të vërtetë në “caput mundi” (kreun e botës) dhe një skenari i pafund i lavdive të hershme dhe të tashme po ripërtërihet në të gjitha kuintat prej mermeri e travertine për të pritur njerëzit, që ktheheshin aty për të fiksuar shkëlqimin e qytetërimit të saj.

Image
Fshatar kosovar në pozicion gatitu pranë një ultësire të begatë ku shtrihen fusha me grurë, i mallëngjyer teksa kalojnë trupat çlirimtare italiane. Shijoni kallinjtë e rënduar; dhe vështroni se si kostumi tradicional shqiptar është po ai si në Shqipërinë e vjetër edhe atë të re.

“Shqiptarët në Kosovë” nga Carlo Tagiani

Kufiri etnik i popullit shqiptar drejt veriut dhe lindjes është vështirë të përcaktohet me saktësi. Kufijtë e Shqipërisë së 1918-s e 1919-s linin nën sundimin e të huajve një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, i përllogaritur (me shifra që luhateshin nga gjysmë deri në më tepër se një milion). Vështirësia për të ndjekur kufirin etnik të krahinave shqiptare nuk lidhet vetëm me faktin se kemi statistika zakonisht të pasakta, por edhe me ndryshimet e shpejta të kushteve etnike, të ndodhura jo vetëm për shkaqe natyrore.

Albanologu i famshëm austriak G. Von Hahn, në një libër të çmueshëm tashmë i rrallë dhe pak i shfrytëzuar edhe nga gjeografët më të fundit, e ka përshkruar udhëtimin e tij nga Beogradi për në Selanik në vitin 1858 duke shkruar se ka ndeshur në vendbanime shqiptare mjaft kompakte në krahinën e Urkupit (Prokuples), më pastaj në juglindje të Nishit, e në të gjithë territorin e Toplicës deri në Krushumli. Gjurmë të këtyre vendbanimeve shqiptare që shkonin deri në zemër të Serbisë, tashmë nuk ekzistojnë më, sepse pas vitit 1878 shqiptarët e atjeshëm janë dëbuar dhunshëm jashtë kufijve të mbretërisë së re serbe, duke u strehuar në Kosovë dhe të paktët që mbetën në vatrat e tyre iu nënshtruan sllavizimit të dhunshëm. Po ashtu studiuesi Hahn na tregon se drejt lindjes ka ndeshur në vendbanime shqiptarësh kompaktë në krahinën e Masuricës, përtej Moravës. Edhe sot shqiptarët zhvendosen me bindje drejt verilindjes, larg kufijve të Shqipërisë së paraluftës, deri në Vranjë e Leskovc, ndërsa në veri ndeshen vendbanime shqiptarësh deri në ish- sanxhakun e Novi-Pazarit.

Në Kosovë, duke nënkuptuar me këtë emër një territor pak më të gjerë në kufijtë e saj tërësisht gjeografikë, shqiptarët e përfaqësojnë elementin etnik më të qeniesishëm dhe kanë ruajtur pastërtinë e racës dhe të gjuhës edhe pse kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm e nën presione të vazhdueshme (këta dhjetëvjeçarët e fundit) të popullsive sllave. Dihet që krahina e Kosovës është e pasur shumë me folklor, si ndër shqiptarë edhe ndër serbë; por është për t’u theksuar se traditat historike të betejës së Kosovës të vitit 1389 janë ruajtur më mirë në këngët epike të shqiptarëve sesa tek ato të serbëve. Këtë e pohon studiuesi i paanshëm, profesori gjerman Alojz Schmaus.

Image
“Një xhami antike guri në Prishtinë, një nga më të bukurat e Kosovës”

Teoritë e pabaza të historianëve e etnologëve sllavë mbështetur edhe nga disa evropianë

Prania e fortë e një popullsie shqiptare në Kosovë e në krahinat përreth nuk ishte vënë në dyshim as nga ata që për interesa politike donin ta asimilonin e nuk linin rast pa zvogëluar numrin dhe zbehur rëndësinë e shqiptarëve. Gjithsesi duke marrë shkas nga disa tradita lokale të përhapura ndër shqiptarë të krahinave kosovare, numri më i madh i historianëve dhe i etnologëve sllavë, të pasuar edhe nga disa historianë e etnologë perëndimorë, e mbronin tezën se shqiptarët e zonës së Kosovës kanë emigruar vonë nga zonat veriore të Shqipërisë; ata mund të kenë ardhur nga shekulli XVII e në fillimshekullin XVIII dhe kanë populluar tokat e lëna bosh nga sllavët e krishterë, që nga fundi i shekullit XVII kishin emigruar në masë drejt veriut për t’i shpëtuar sundimit të ri turk, pas tërheqjes së ushtrive perandorake të krishtera.

Një teori e tillë, e bazuar në traditat lokale që nuk i ndeshim në të gjithë krahinën (sepse shqiptarët e Prishtinës, Prizrenit, Dibrës, etj. konsiderohen autoktonë) kundërshtohet nga të dhënat historike e gjuhësore dhe kundër kësaj unë jam shprehur në mënyrë të prerë në një studim timin gjuhësor mbi “Dialektet shqiptare të gegërishtes lindore (Dardania e Maqedonia Veriperëndimore)” që do të botohet së shpejti nga Qendra e Studimeve për Shqipërinë në Akademinë Italiane. Pa hyrë në hollësi, në pika të shkurtra unë do t’i përmbledh konkluzionet në të cilat kam arritur duke u bazuar në të dhëna historike, etnografike dhe veçanërisht gjuhësore të viseve të lartpërmendura.

Shqiptarët nuk kanë lëvizur nga krahina e Shkupit deri kah shekulli XVIII e nga ajo e Tetovës deri në shekullin XIV dhe ka dokumente serbe që e dëshmojnë praninë e barinjve, tregtarëve, bujqve shqiptarë në këto krahina. Nga shekulli XIV e në vazhdim, lëvizjet e shqiptarëve janë më të shpeshta deri në shekullin XVI. Kështu që do të ishte krejt e pamundur të pranohet se shqiptarët që gjendeshin në ato territore së paku deri nga shekulli XIII e XIV të kenë emigruar në masë drejt Shqipërisë për t’u kthyer pastaj nga fundi i shekullit XVI e fillimi i shekullit XVII. Edhe prania e një folklori të pasur shqiptar me ngjyrime kosovare e që lidhen me kujtesën e luftës epike të Kosovës na bën të besojmë se, të paktën që nga shekujt XIII e XIV, shqiptarët kanë qenë të vendosur në zonën e Kosovës dhe ato kufitare përreth. Ky është edhe opinioni i historianit gjerman George Stadtmuller, edhe pse ne duhet ta pranojmë se shqiptarët mund të jenë përzier nga gjaku, sidomos përgjatë flukseve migruese të ardhura së fundmi nga Shqipëria e Veriut.

Image
“Ja punimi tradicional i qypave në një rrugë publike të Pejës”

Shqiptarët autoktonë të Kosovës dhe Maqedonisë

Por ka edhe më. As shqiptarët e dokumentuar në shekujt XIII e XIV në këto zona nuk është e mundur të kenë të emigruar nga Shqipëria, siç do të dëshironin disa studiues. Toponomastika e krahinës së Kosovës dhe pjesërisht e Maqedonisë çon në mendimin se elementi shqiptar (ose më e pakta një element prehistorik, nga pikëpamja etnike i ngjashëm me atë të paraardhësve trako-ilir të shqiptarëve, por i ngjashëm në një kuptim më të ngushtë se ai i të qenit thjesht ilir, gjerësisht i përhapur në një zonë që mund të përcaktohet me vështirësi e pasaktësi) është autoktone në këto zona.

Vetë emri i qytetit të Shkupit, nga latinishtja Scupi, përkon saktësisht me rregullat fonetike të gjuhës shqipe, prandaj ky emërtim në fakt e dëshmon një lloj vazhdimësie “në vend”. Albanologë të ndritur, si Jokli, mendon se qendra më e hershme e formimit të popullit shqiptar duhet kërkuar (ose të paktën do të duhej të kërkohej) në zonat që përkojnë me Dardaninë antike (emri i së cilës lidhet qartë me emrin shqip dardhë) deri në rrethinat e Nishit, në një krahinë që s’është shumë larg asaj që, sipas çdo gjase qe atdheu i hershëm i rumunëve, me të cilët shqiptarët kanë shumë pika takimi në rrafshin gjuhësor.

Në një studim më të fundit, Stadtmuller njeh si vend të formimit të popullit shqiptar zonën e Matit, duke mos përjashtuar zona të tjera veriore, por teoria dardane mbështetet më tepër nga pikëpamja gjuhësore.

Tani, duke u bazuar në disa argumente historike e gjuhësore që për teknalitetin e tyre nuk mund të sillen këtu, unë mbështes tezën se edhe shqiptarët e dokumentuar në zonën e Kosovës e të Maqedonisë në shekullin XIII e XIV nuk ishin të ardhur, por pasardhës të popullsisë antike shqiptare dardane e të zonave kufitare me ato që nuk kanë shtegtuar dhe unë jam përpjekur të konfirmoj vazhdimësinë e popullsisë shqiptare në Dardani e në Maqedoninë veriperëndimore nga kohët e vjetra deri në ditët tona.

Studimi i dialekteve gegë lindore të këtyre zonave dëshmon edhe në llojshmërinë e varianteve të gjuhës së folur, një vazhdimësi që nuk mund të shpjegohej me emigrimet e ndryshme, pak a shumë të vonshme, dhe disa veçanti që e dallojnë nga gegërishtja perëndimore. Bashkëjetesa me elementet sllave ka influencuar relativisht pak mbi gjuhën shqipe të Kosovës, qoftë edhe në leksik, është ndikuar pak nga serbishtja e bullgarishtja, ndërsa anasjelltas janë të shpeshta elementet shqiptare në dialektet serbe e bullgare të zonës e sidomos në zhargonet e ndryshme të zanatit ndër artizanët sllavë.

Image
“Ja një pamje më ngjyra dhe jo shumë e qartë e Prizrenit, qytetit më qendror të Kosovës, i vendosur në shpatin e një kodre që ngjan pak me ato toskane, qyteti ku lindi lidhja e famshme për përqafimin e alfabetit latin; mbase prova më interesante e zgjimit të ndërgjegjes shqiptare kundër pushtimit osman”

Studimet e tokave shqiptare duhet të vijojnë tani

Shqipëria e madhe e ëndërruar nga patriotët dhe nga poetët nuk është më një ëndërr. Për sa kohë kufijtë e rinj nuk janë shënuar akoma përfundimisht, një pjesë e madhe e Kosovës, e famshme për kujtimet e saj historike, është përfshirë në Mbretërinë e Shqipërisë. Është e nevojshme në këtë moment të kthejmë vëmendjen tonë te provinca e çliruar në pritje që të mund të vijojnë, në një regjim të lirë, ato studime që qeveria jugosllave nuk i lejonte, të paktën për italianët dhe për shqiptarët.