Angazhimi diplomatik dhe ushtarak i Gjermanisë gjatë luftës së Kosovës dhe njohja e pavarësisë së Kosovës një dekadë më vonë shënojnë momente historike dhe transformuese për politikën e jashtme të Gjermanisë së ribashkuar. Lufta e Kosovës vuri në pah gatishmërinë e Gjermanisë për të marrë përgjegjësi më të madhe për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë në Evropën Juglindore, ndërsa vendimi për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur përmbylli procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, që kishte nisur në fillim të viteve ’90, si dhe sfidoi tabutë për përdorimin e forcës jashtë territorit të saj
Gjermania, e cila tani konsiderohet si një anëtar kyç i Bashkimit Evropian (BE), për sa i përket mbështetjes së Kosovës në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë, në vazhdimësi ndoqi një pozicion koheziv me Bashkimin Evropian. Ndërsa, në mesin e shqiptarëve të Kosovës ishin ngritur pritshmëri të larta për mundësinë e influencës së politikës së jashtme gjermane, duke u nisur nga fakti se ky shtet evropian me njohjen e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë i kishte dhënë një goditje të madhe qëllimeve hegjemoniste të Beogradit.
Megjithatë, duhet nënvizuar se për dallim nga partnerët evropianë, Bonni e kuptoi më herët se shteti i bashkuar i Jugosllavisë nuk mund të ekzistonte më dhe kështu, çështja e rregullimit të ndarjes në mënyrë paqësore ishte më e rëndësishme se përpjekja për mbajtjen e tij. Pjesa e parë e shkatërrimit të Jugosllavisë ishte bërë e pakthyeshme që në mesin e vitit 1991. Ky fakt do të duhej të ishte i qartë për të gjitha palët duke pasur parasysh paraqitjen e ngjarjeve të mëhershme.
Dështimi i diplomatëve për adresimin e çështjes së Kosovës
Një nga gabimet më të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare ishte dështimi i diplomatëve në vitet ‘90 për adresimin e drejtë të çështjes së Kosovës, para dhe pas Daytonit.

Angazhimi i diplomacisë së Gjermanisë në këtë periudhë ishte i ankoruar në multilaterizëm, në veprime të përbashkëta brenda kuadrit të Bashkimit Evropian (BE). Akuza më vonë se Gjermania duke vepruar njëanshëm ka devalvuar politikën e BE-së, është e paqëndrueshme.
Megjithatë, rruga e Gjermanisë për ta mbështetur Kosovën dhe pastaj për t’u bërë mbështetësja e saj nuk ishte e thjeshtë, pos të tjerash, edhe për atë se në nivelin evropian opinionet juridike të Komisionit të Arbitrazhit të Badinterit ishin bërë obligative sa i përket njohjes së të drejtës së vetëvendosjes. Historia e diskutueshme e njohjes së shteteve post-jugosllave e bëri Gjermaninë të jetë e kujdesshme në mbështetje të pavarësisë së Kosovës pa një konsensus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së apo në Bashkimin Evropian. Mbështetja e qeverisë gjermane për problemin e Kosovës kufizohej brenda kuadrit të Konferencës së Gjenevës dhe Grupit Special të Kosovës, që drejtohej nga diplomati i njohur gjerman dhe njohësi i jashtëzakonshëm i zhvillimeve në Jugosllavi, Geert-Hinrich Ahrens, për këtë arsye, ishte e kujdesshme në komunikim me përfaqësuesit politikë të Kosovës.
Në të vërtetë, edhe në vitet e mëvonshme politika gjermane ishte më pak entuziaste se ajo e shteteve të tjera perëndimore, si Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, Gjermania konsiderohet një aktor që angazhohej për Kosovën me një qasje multilaterale.
“Internacionalizimi” i konfliktit Kosovë-Serbi
Gjermania, si shumica e kryeqyteteve evropiane, pas bashkimit të Gjermanisë Lindore dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, nuk i dha shumë rëndësi ndryshimeve të statusit të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit në vitin 1989. Ndërsa, disa politikanë gjermanë, veçanërisht nga Partia Socialdemokrate (SPD), që ishte në opozitë në fillim të viteve ‘90, gjithashtu u angazhuan në favor të njohjes së Kosovës, e cila kishte shpallur pavarësinë në vitin 1991. Ata përdorën një gjuhë të ngjashme me atë të rasteve të Kroacisë dhe Sllovenisë, duke theksuar se ishte e rëndësishme të “internacionalizohej” konflikti midis Kosovës dhe Serbisë për të mundësuar një ndërhyrje më të madhe ndërkombëtare. Po ashtu, Partia e Gjelbër (Green Party), e cila ishte gjithashtu në opozitë, përfaqësonte një qëndrim të avancuar për Kosovën. Megjithatë, partitë e koalicionit të qeverisë, Kristiandemokratët (CDU) dhe Demokratët Liberalë (FDP), të cilat, siç del nga aktet diplomatike të Arkivit Politik të MPJ të Gjermanisë në Berlin, ishin në kontakte me drejtuesit politikë kosovarë, e më pak të zëshëm për çështjen e pavarësisë. Pozita juridike e Kosovës ishte më e ndërlikuar, pasi ajo nuk kishte qenë një republikë formale në Jugosllavi, dhe ky fakt e bëri mbështetjen për vetëvendosje më të vështirë.
Kur analizohen interesat dhe faktorët që ndikuan në veprimet e Gjermanisë, bëhet e qartë se interesat e postuluara kombëtare nuk ishin shtysa për diplomacinë gjermane, as ringjallja e aleancave historike ose frontet fetare.
Vlerësimi i gabuar i Gjermanisë për zgjidhjen e konfliktit
Interesi kryesor që Gjermania kishte për rastin e Ballkanit dhe të Kosovës ishte stabiliteti në Evropë, për të mos rrezikuar integrimin evropian. Prandaj, ishte gjithashtu në interes të Gjermanisë të vepronte në mënyrë multilateraliste.
Pavarësisht perceptimit të saktë të situatës, Gjermania kishte një vlerësim të gabuar të mundësive të saj për zgjidhjen e konfliktit. Ashtu si shtetet e tjera të përfshira, Gjermania u mbështet shumë në masa ekonomike shtrënguese. Masa ekonomike mbetën të kufizuara në një konflikt etno-territorial si ai i Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Veçanërisht Gjermania kishte duar të lidhura për shkak të dallimeve dhe debateve të brendshme për ndërhyrjet ushtarake jashtë territorit të saj.
Sidoqoftë, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara ishin dy shtetet që e kuptuan nevojën për veprime urgjente për zgjidhjen e krizës kosovare. Ambasadori Geert-Hinrich Ahrens theksoi se Konferenca e Rambouillet kishte ardhur shumë vonë, pasi shumë gjëra kishin ndodhur dhe shumë jetë ishin humbur që nga momenti i heqjes së Kosovës nga bisedimet. Dhe siç do të shkruante në ditarin e tij ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, më së largu me nënshkrimin e Marrëveshjes së Daytonit (1995), me të cilën iu dha fund luftës në Bosnjë dhe e cila do të vuloste shpërbërjen e Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës e kuptuan se pa luftë nuk do t’i realizonin kurrë synimet e tyre kombëtare. Kritikët nga ana tjetër, argumentojnë gjithashtu me të drejtë se mospërfshirja e Kosovës në negociatat e Daytonit vetëm sa e ka hapur shtegun për luftën e ardhshme.
Kjo ishte ora e lindjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila në fillim të vitit 1998 filloi luftën e armatosur kundër okupimit serb. Me kalimin e viteve UÇK-ja zgjeroi radhët dhe aksionet e veta të armatosura dhe sulmet guerile. “Jo lufta kundër UÇK-së, po para së gjithash terrorizmi dhe dëbimi i popullsisë shqiptare ishin qëllimi i vërtetë i luftës. Ngase përbërja etnike në Kosovë duhej të ndryshohej përgjithmonë dhe kjo mund të bëhej vetëm me përdorim të dhunës brutale dhe terrorit. Ishin këto synimet kriminale të luftës, por pikërisht këtë e parashihte programi serbomadh”, theksonte Fischer në librin e tij “Die rot-grunen Jahre: deutsche Aussenpolitik - vom Kosovo bis zum 11. September“ duke shtuar se “megjithatë, Millosheviqi dukej se kishte harruar se Evropa nuk ishte më në vitin 1937, por kishte arritur në vitin 1999 dhe bazohej në vlera krejt të tjera“. Në këtë kontekst, ishte e qartë se Gjermania nuk mund të qëndronte anash dhe të rrezikonte kohezionin e Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s. Nga aspekti politik nuk kishte alternativë tjetër, pasi Beogradi nuk ishte i interesuar për zgjidhje paqësore.
Paul Valéry ka shkruar: “Një paqe e vërtetë arrihet vetëm kur të gjithë ata që janë të përfshirë janë të kënaqur me rendin e vendosur”. Në përgjithësi, gjatë 20 vjetëve të fundit të politikës së jashtme gjermane, pas përvojave historike të shekullit të 20-të, ka qenë e mundur, edhe pas ribashkimit të vitit 1990, të vendoset demokracia perëndimore në Gjermani si garantuese e paqes në sistemin ndërkombëtar shtetëror dhe të merret përgjegjësia ndërkombëtare si fuqi civile. Për herë të parë, të gjitha shtetet e tjera e kanë pranuar unanimisht këtë rol dhe e shohin atë si të pamundur për t’u kërcënuar – jo më pak për shkak të lidhjeve të Gjermanisë së ribashkuar me NATO-n dhe rolit të saj të pandryshuar udhëheqës në BE, përfshirë partnerët e rinj në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Gjermania u gjend në pakicë kundrejt partnerëve të saj kryesorë perëndimorë në Grupin e Kontaktit për Ballkanin, një trup informal i përbërë nga Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, të cilat në atë kohë refuzuan opsionin e përfshirjes së Kosovës në Konferencën e Daytonit. Dhe gabimi i Daytonit do të korrigjohej katër vjet më vonë, kur 19 shtetet anëtare të NATO-s, në këtë mes edhe Gjermania, u bashkuan në një koalicion koheziv për t’i dhënë fund vrasjeve dhe spastrimit etnik në Kosovë. Ishte kjo lufta e fundit në Evropë, e cila erdhi 54 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe dhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, pikërisht në 50-vjetorin e Paktit të Atlantikut të Veriut. Po ashtu, kjo ngjarje kishte një ndikim të thellë në politikën e jashtme gjermane, e cila, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, braktisi kulturën e saj hezituese dhe të vetëpërmbajtur, duke marrë një rol më aktiv shumëpalësh dhe aleat transatlantik. Politikëbërësit gjermanë e konsideruan regjimin e Millosheviqit si agresorin kryesor të luftërave në ish-Jugosllavi, duke përfshirë edhe atë të Kosovës. Kur në fillim të qershorit 1999 aksioni ushtarak i NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur u përmbyll me sukses, në kryeqytetin gjerman Bonn mbizotëroi një ndjenjë lehtësimi. Suksesi i arritur dhe fakti që ndërhyrja u konsiderua përgjithësisht efektive, i atribuohen shumë një strategjie të suksesshme dhe të mirë organizuar të diplomacisë gjermane, e cila, në kuadër të presidencës evropiane, dha një kontribut të shkëlqyer.
Gatishmëria gjermane për qëndrueshmërinë në Evropën Juglindore
Angazhimi diplomatik dhe ushtarak i Gjermanisë gjatë luftës së Kosovës dhe njohja e pavarësisë së Kosovës një dekadë më vonë shënojnë momente historike dhe transformuese për politikën e jashtme të Gjermanisë së ribashkuar. Lufta e Kosovës vuri në pah gatishmërinë e Gjermanisë për të marrë përgjegjësi më të madhe për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë në Evropën Juglindore, ndërsa vendimi për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur përmbylli procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, që kishte nisur në fillim të viteve ’90, si dhe sfidoi tabutë për përdorimin e forcës jashtë territorit të saj, duke theksuar rolin e saj të ri si një aktor aktiv në çështjet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ky angazhim për Kosovën shënon një kthesë (“Zeitenwende”) të rëndësishme në politikën e jashtme gjermane, duke thyer kursin e saj tradicional anti-luftë dhe të “kulturës së përmbajtjes” si nevojë për një angazhim më të thelluar në çështje të paqes dhe sigurisë evropiane dhe globale.