Diplomati shqiptar, Engjëlli, – sipas raportit sekret të 23 korrikut të vitit 1981 – i kishte deklaruar Kadri Zekës se Shqipëria, populli shqiptar ka përkrahur dhe do të përkrahte vazhdimisht kauzën e vëllezërve kosovarë, të cilët do të dinë “të gjejnë format e përshtatshme të luftës, të cilat do t’u përgjigjen kushteve e situatave konkrete për realizimin e kërkesave të tyre të ligjshme”. Kjo fjali dhe ajo që pason në vazhdim, tregojnë qartë se Tirana zyrtare po tregohej e përmbajtur kundrejt kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Për më tepër, ajo nuk deklarohej se kishte synim bashkimin e Kosovës me Shqipërinë
“...rolin kryesor e luajtën shokët e grupit marksist-leninist të Kosovës”
Është interesant se në raportin e radhës, po ashtu tepër sekret të Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë dërguar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në Tiranë të 23 korrikut të vitit 1981, ambasadori shqiptar Musini theksonte se Kadri Zeka kishte deklaruar se “demonstrata e 11 marsit vërtet ishte spontane dhe shpërtheu nga studentët, por në përpunimin e kërkesave të demonstruesve rolin kryesor e luajtën shokët e grupit marksist-leninist të Kosovës, të cilët janë organizatorë të demonstratave të 1 e 2 prillit”. Sipas Kadri Zekës, thekson ambasadori shqiptar, numri i të vrarëve shqiptarë në demonstratat në Kosovë dhe atyre që vdiqën më vonë si pasojë e plagosjeve të rënda, ishte rreth 100 veta, ndërsa nëpër burgje ndodheshin rreth 250 veta.
Veç tjerash, sipas raportit, Kadri Zeka theksonte se autoritetet vendore dhe jugosllave në Kosovë kishin instaluar klima të diferencimit politik, përderisa ndaj të burgosurve përdoreshin forma të ndryshme të presionit dhe të dhunës. Një gjë e tillë ishte largimi nga puna që pasonte kryesisht ndaj inteligjencës shqiptare, e cila, edhe pse nuk ishte pjesë e demonstratave, i kishte përkrahur ose nuk i kishte dënuar ato publikisht.
Në përgjigje të këtyre rrethanave, Kadri Zeka theksonte se puna e njerëzve të angazhuar politikisht në Kosovë konsistonte në këto drejtime: Lufta për të siguruar pozitat e humbura.
Lufta për sigurimin e arritjen e të drejtave të barabarta me kombësitë e tjera në fushën ekonomike.
Të mbahet e ngritur kërkesa e Kosovës për dhënien e statusit të republikës në kuadrin e federatës.
Veç tjerash, raporti i Ambasadës së Kosovës nënvizonte se si detyrë të rëndësishme Zeka e kishte dekonstruktimin e fushatës së tërbuar që kishin “ndërmarrë kalemxhinjtë e Beogradit kundër Shqipërisë dhe përpjekjet që po bëjnë për të ngjallur armiqësinë e urrejtjen e popujve të tjerë të Jugosllavisë kundër shqiptarëve”.
“Populli i Kosovës do të dijë të rrisë vigjilencën...”
Nga ana tjetër, diplomati shqiptar, Engjëlli, i kishte deklaruar Kadri Zekës se Shqipëria, populli shqiptar ka përkrahur dhe do të përkrahte vazhdimisht kauzën e vëllezërve kosovarë, të cilët do të dinë “të gjejnë format e përshtatshme të luftës, të cilat do t’u përgjigjen kushteve e situatave konkrete për realizimin e kërkesave të tyre të ligjshme”. Kjo fjali dhe ajo që pason në vazhdim, se “populli i Kosovës do të dijë të rrisë vigjilencën, nuk do të lejojë të bjerë në provokacione të elementeve armike që nxisin akte terroriste e veprime të tjera të kësaj natyre që demantojnë çështjen e drejtë”, tregojnë qartë se Tirana zyrtare po tregohej e përmbajtur kundrejt kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Për më tepër, ajo nuk deklarohej se kishte synim bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pasi diplomacia shqiptare edhe pse dogmatike, e kishte të qartë se në kontekstin e atëhershëm gjeopolitik një gjë e tillë ishte jorealiste, pasi asnjë nga vendet fqinje dhe asnjë nga fuqitë relevante botërore nuk do ta kishte mbështetur një opsion të tillë. Veç kësaj, një luftë e armatosur në Kosovë shikohej e pashmangshme se do të çonte edhe në destabilizimin e Jugosllavisë dhe rrjedhimisht në ndryshimin e status quo-së në Ballkan dhe Mesdhe, e të cilën do ta shfrytëzonte edhe Bashkimi Sovjetik. Në fakt, sipas Tiranës zyrtare, një shqetësim të tillë e kishte edhe Perëndimi. Konsiderohej se rriste rrezikun edhe për vetë Shqipërinë.
Retorika ndaj “bashkëpunimit sovjetiko-serbomadh”
Në optikën e Tiranës zyrtare, qeveritë perëndimore, krahas masave që po merrnin për të ndihmuar aleaten e tyre Jugosllavinë për të dalë nga kriza e rëndë politike dhe ekonomike, po përpiqeshin në të njëjtën kohë që të ruanin edhe një lloj ekuilibri në marrëdhëniet e tyre në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Tirana zyrtare dyshonte, madje si element shqetësues për të dhe Perëndimin paraqiste pa dyshim politika diversioniste dhe synimet hegjemoniste të sovjetikëve në drejtim të Jugosllavisë dhe të gjithë Ballkanit.
Prandaj, pikërisht këtu duhet parë arsyen përse diplomati shqiptar do të dukej i rezervuar në bisedën e tij me Kadri Zekën dhe formulimet në stilin që populli i Kosovës të tregohej i kujdesshëm dhe të mos binte pre e provokimeve. Nisur nga ky pozicioni gjeopolitik, demaskimi i Tiranës ndaj “bashkëpunimit sovjetiko-serbomadh” dhe politikës së “shovinisteve serbomedhenj” kundër popullit shqiptar të Kosovës” mbetej kryesisht në kuadrin retorik dhe në asnjë moment nuk dëshironte të linte përshtypjen se ajo mbështeste ndonjë opsion radikal të shqiptarëve të Kosovës. Si duket në Tiranë i frikësohej një invazioni të mundshëm sovjetik në Jugosllavi dhe prej andej në Shqipëri.
Sidoqoftë, shërbimet sekrete jugosllave, që cili i mbanin në vëzhgim të përhershëm të misioneve diplomatike shqiptare në Beograd dhe në qendrat e tjera nëpër botë, ishin në dijeni të çdo aktiviteti propagandistik dhe diplomatik si dhe të shpërndarjes së materiale të ndryshme informative si dhe të takimeve të veprimtarëve kosovarë me ambasadat shqiptare. Sigurisht, duke qenë që Ambasada Shqiptare në Vjenë, prej kohësh ishte bërë edhe qendër e takimeve të delegacioneve qeveritare shqiptare dhe gjermane, ishte krejt e natyrshme që hyrjet dhe daljet e tilla, si ato të veprimtarit të njohur kosovar, Kadri Zeka, të ndiqeshin nga shërbimi sekret jugosllav.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë