Shtojca për Kulturë

Forcimi i kufijve më 1959 dhe opsioni i Serbisë për ndarjen e Kosovës

Edhe pse temë e trajtesës sonë janë ndryshimet dhe organizimi i brendshëm territorial i Kosovës në vitin 1959, mbështetur në materialet arkivore, megjithatë për të pasur qasje më të mirë rreth kësaj çështjeje delikate, fillimisht para lexuesve do të paraqesim ndarjen administrative që u zbatua që nga koha e okupimit serb të Kosovës, pra të vjeshtës së vitit 1912 duke e ndjekur atë deri në forcimin e kufijve të Kosovës në vitin 1959. Prandaj, duke u mbështetur në të dhënat që po ashtu i afrojnë materialet arkivore, mund të themi se viti 1959 paraqet kthesë të veçantë në forcimin e autonomisë së Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë, por njëherësh ndryshimet territoriale të këtij viti shënojnë edhe fundin e përpjekjeve të kreut të atëhershëm të Serbisë për të imponuar si opsion copëtimin e Kosovës dhe jo duke e synuar ndarjen midis serbëve dhe shqiptarëve, por duke e ndarë Kosovën midis Malit të Zi dhe Serbisë, pikërisht ashtu siç u nda Sanxhaku i Novi Pazarit në fund të Luftës së Dytë Botërore

Fundi i vitit 1912 midis rendit ushtarak edhe bandave kriminele

Në materialet e arkivuara të muajve të parë të vendosjes së pushtetit okupues të Serbisë në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1912, që kryesisht janë të shkruara me dorë, është edhe ai i datës 25 tetor 1912, ku jepen të dhëna për rregullimin e ri administrativ “të viseve të reja” siç i quan pushteti i ri viset e okupuara shqiptare të ish – Vilajetit të Kosovës.

Në rrjedhën e zhvillimeve të Luftës së Parë Ballkanike, në gjysmën e dytë të nëntorit të vitit 1912, shtabi i ushtrisë serbe prej Vraje u transferua në Shkup, ku u themelua seksioni policor që ishte përgjegjës për organizimin e pushtetit civil. Rregullimi apo ndarja administrative e “viseve të reja“ iu la në dorë kryeshefit të Ministrisë për Çështje të Brendshme, Milorad Vujiçiq.

Kështu në Kosovë u formuan Qarku i Kosovës me seli në Prishtinë, në përbërje të të cilit u përfshinë Rrethi i Gjilanit, i Graçanicës, Llapit dhe i Nerodimes, Qarku i Prizrenit me seli në Prizren dhe në të cilin u përfshi Rrethi i Gorës, Nëngorës (Podgora), Podrimjes, dhe i Malit të Sharrit, më pastaj u formua Qarku i Zveçanit me seli në Mitrovicë, në të cilin u përfshinë Rrethi i Vushtrrisë, i Drenicës dhe ai i Mitrovicës.

Në vazhdim kryesisht do të fokusohemi në të dhënat që janë të afruara lidhur me gjendjen në trekëndëshin Qarku i Zveçanit, Rrethi i Gjilanit dhe ai i Preshevës. Sipas regjistrimit të vitit 1913, Qarku i Zveçanit i numëronte 81 mijë e 643 banorë dhe në të ishin përfshirë Komuna e Zveçanit që në vete përfshinte fshatrat Korilë me dy lagje që numërojnë gjithsej 429 banorë, Zhitkoci i Poshtëm dhe i Epërm bashkë me Bregun e Hoxhës me gjithsej 129 banorë, Sendolli me 61 banorë, Dolani, Bregu i Çabrës me Majën e Gradinës me gjithsej 381 banorë, Vinarca e Epërme me 91, Vinarca e Poshtme me 186, Gusheci me 112, Suhadolli me tri katunde të tjera me gjithsej 289 banorë, çerkezët bashkë me katundin e Zveçanit me 42 banorë! E tërë Komuna e Zveçanit i kishte gjithsej 1812 banorë.

Po ashtu si pjesë territoriale e Qarkut të Zveçanit ishte e përfshirë edhe Komuna e Fushës së Radiçit me seli në Zubin Potok që numëronte gjithsej 1289 banorë dhe në të ishin përshirë fshatrat; Bregu i Velisë me Shtuocin me 296 banorë, Varaga me 177 banorë, Glluhaqi me 20 banorë, Dobroshina me 78 banorë, Jasenoviku i poshtëm me 164 banorë, Zubin Potoku me 108 banorë, Pridvorica me 165 banorë, Uglari me 158 banorë dhe Çitlluku me 123 banorë.

Nëse e analizojmë ndarjen administrative në raport me Luginën e Preshevës, konkretisht me komunat Preshevë dhe Bujanoc që u përfshinë në Qarkun e Kumanovës, atëherë prej fshatrave të sotme që dikur ishte pjesë e Kosovës dhe më vonë iu bashkëngjitën Serbisë, gjendja është si në vijim. Fshatrat e Rrethit të Gjilanit si Inatoci me 155 banorë, Buhiqi me 154, Sefert me 281, Depca me 445, Peçena me 59, Maxherja me 108, Ranatoci me 95, Caravajka me 162 dhe Staneci me 408 banorë ishin pjesë e Rrethit të Gjilanit, gjegjësisht të Komunës së Shurdhanëve, ndërsa Konçuli me 455 banorë ishte i pjesë e komunës së Ranilllukut, po ashtu në Komunën e Roganës ishin përfshirë Zarbica me 618 banorë dhe Priboci me 331 banorë. Komuna e Shurdhanëve i kishte gjithsej 5549 banorë, e Ranillukut 4791 banorë dhe e Roganës 4526 banorë. Sipas regjistrimit të vitit 1913, në këto fshatra jetonin 3307 banorë shqiptarë.

Ndonëse mospajtime rreth vendosjes së administratës okupuese pati midis kreut ushtarak dhe atij politik serb, megjithatë ato më tepër u manifestuan në fushën e zbatimit të metodave të zhvillimit të pushtetit okupues serb.

Kryeministri i Serbisë, Nikolla Pashiq i ngadhënjyer nga “triumfi“ i ushtrisë serbe në Luftën e Parë Ballkanike, megjithatë ishte që administrata të ngrihej duke u mbështetur në nëpunësit civilë kryesisht pjesëtarë të Lëvizjes Çetnike, por në anën tjetër gjeneralët serbë, Radomir Putnik dhe Zhivojin Mishiq, të njohur për krimet mbi shqiptarët e viseve të Sanxhakut të Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Leskocit, Vrajës e Masuricës në vitet 1877 – 1878 e më vonë, ishin këmbëngulës që në pesë vjetët e ardhshme në viset e okupuara shqiptare të mbetej në fuqi regjimit ushtarak!

Çarmatosja e shqiptarëve dhe plaçkitja e tyre

Madje në ndihmë për ta vendosur rendin në tokat shqiptare, ushtrisë serbe i dolën në ndihmë bandat paramilitare që sidomos u angazhuan në çarmatosjen e shqiptarëve dhe për sjelljet e tyre ekzistojnë mjaft dëshmi të arkivuara, ndërsa në njërën prej tyre pushteti i Beogradit kërkon prej kryeshefave të rretheve që më në fund të pushojë “veprimtaria e bandave popullore që u bien kryq e tërthor vendbanimeve shqiptare“.

Sipas dëshmive të shtabit serb, regjistrimin e popullsisë dhe të mirave materiale në tokat shqiptare e kishin bërë organet ushtarake, megjithatë të dhënat e ekonomive familjare, pra numri i kafshëve, kuajve, lopëve etj. që pas regjistrimit u lanë në disponim të Shtabit të Ushtrisë Serbe nuk janë ruajtur, që lë të nënkuptohet se pasuria dhe të mirat materiale ishin plaçkitur nga ana e ushtrisë serbe. Por dhe të dhënat e afruara duhej marrë me mjaft rezerva për faktin se në vitin 1912 shumë pak shqiptarë e kuptonin gjuhën serbe dhe kjo u pa me rastin e rekrutimit të të rinjve shqiptarë në ushtrinë serbe në prag të Luftës së Parë Botërore, ku oficerët serbë me ata komunikonin me përkthyes dhe për këtë komanda serbe në shpejtësi e përpiloi një fjalorth me terma themelorë shqip – serbisht.

Për ta pasur një pasqyrë edhe më të plotë të zhvillimeve graduale në viset e lartpërmendura, ne jemi mbështetur edhe në regjistrimin e popullsisë të fundit të vitit 1924 të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve që po ashtu e afron edhe ndarjen në krahina që në thelb nuk ndryshonte shumë nga organizimi territorial i vitit 1912. Të dhënat e këtij regjistrimi u bënë publike në vitin 1925.

Kështu si pjesë e Rrethit të Mitrovicës ishin të përfshira komunat e Zveçanit me fshatrat: Korilë me 37 shtëpi me 250 banorë, Zveçani me 4 shtëpi – 33 banorë, Zhitkoci me 38 shtëpi 59 banorë, Matica me 8 shtëpi – 206 banorë, Dolani me 13 shtëpi – 59 banorë, Senla me 7 shtëpi – 100 banorë, Çabra me 45 shtëpi – 308 banorë, Vidomiriqi me 14 shtëpi – 13 banorë, Gushaci me 15 shtëpi – 91 banorë, Vinarca e Epërme me 13 shtëpi – 91 banorë, Vinarca e Poshtme me 24 shtëpi – 91 banorë, Suhadolli Shqiptar me 35 shtëpi – 210 banorë dhe Suhadoili Serb me 16 shtëpi – 82 banorë. Sipas këtij regjistrimi, Komuna e Zveçanit i kishte 289 shtëpi me 1673 banorë.

Ndërsa në Komunën e Fushës së Radiçit me seli në Zubin Potok tani vërehen të radhitura shumë fshatra se më parë dhe nga emërtimet shihet qartë se ato janë fshatra të ngritura prej kolonialistëve serbë dhe malazezë. Në fund të vitit 1924 gjendja në këtë komunë ishte si në vijim: fshati Bubë me 16 shtëpi – 178 banorë, Bojkoviq me 4 shtëpi – 35 banorë, Vukosavljeviq me 3 shtëpi – 34 banorë, Kopiloviq me 6 shtëpi – 31 banorë, Mevedgji Potok me 14 shtëpi – 82 banorë, Gjeshenoviqi me 20 shtëpi – 138 banorë, Babudovica me 7 shtëpi – 58 banorë, Zeçeviqi me 7 shtëpi – 82 banorë, Raiçiqi me 5 shtëpi – 42 banorë, Kijevici me 3 shtëpi – 24 banorë, Drainoviqi me 2 shtëpi – 20 banorë, Lluçka Reka me 35 shtëpi – 270 banorë, Vërba me 9 shtëpi – 70 banorë, Bregu i Bardhë me 33 shtëpi – 325 banorë, Kobilla Gllava me 16 shtëpi – 108 banorë, Gazivoda me 11 shtëpi – 112 banorë, Rezalla me 13 shtëpi – 138 banorë, Zupçi me 37 shtëpi – 385 banorë, Jagnjenica me 13 shtëpi – 130 banorë, Prelesi me 6 shtëpi – 58 banorë, Varaga me 21 shtëpi – 202 banorë, Glluhaçi me 2 shtëpi – 10 banorë, Jasovniku i Poshtëm me 21 shtëpi – 182 banorë, Zubin Potoku me 15 shtëpi – 122 banorë, Pridvorica me 21 shtëpi – 195 banorë, Dobroshdvina me 12 shtëpi – 87 banorë, Uglari me 29 shtëpi – 212 banorë, Çitlluku me 16 shtëpi – 110 banorë. Komuna e Fushës së Radiçit me seli në Zubin Potok i kishte 397 shtëpi me 3434 banorë.

Ndërkaq gjendja në Rrethin e Gjilanit ishte si në vijim: në Komunën e Shurdhanëve që numëronte 805 shtëpi me 4679, ishin Inatoci me 14 shtëpi dhe 186 banorë, Buhiqi 18 shtëpi me 112 banorë, Sefert 37 shtëpi me 233 banorë, Depca 53 shtëpi me 395 banorë, Peçena 17 shtëpi me 115 banorë, Maxherja 16 shtëpi me 104, banorë, Ranatoci 14 shtëpi me 55 banorë, Caravajka 30 shtëpi me 140 banorë, Staneci 55 shtëpi me 112. Konçuli me 98 shtëpi dhe 571 banorë ishte i pjesë e Komunës së Ranillukut, ndërkaq në komunën e Roganës ishin përfshirë Zarbica me 94 shtëpi dhe 655 banorë dhe Priboci me 50 shtëpi me 339 banorë. Pra në këto fshatra ishin të regjistruara 554 shtëpi me 3743 banorë shqiptarë.

Image
Faksimile e dokumentit të 25 tetorit të vitit 1912 ku jepen të dhëna për rregullimin e ri administrativ “të viseve të reja” siç i quan pushteti i ri viset e okupuara shqiptare të ish – Vilajetit të Kosovës

Në një përshkrim të përgjithshëm të Banovinës së Vardarit të vitit 1931, ku janë të përfshira edhe të dhënat mbi sipërfaqet e rretheve rezulton që Rrethi i Gjilanit kishte sipërfaqe prej 1610 kilometrash katrorë (Komuna e Shurdhanëve kishte sipërfaqe prej 11 mijë e 605 hektarëve, e Ranillukut 8042 hektarë dhe komuna e Roganës 9736 hektarë) ndërkaq Rrethi i Preshevës kishte sipërfaqe prej 789 kilometrash katrorë. Fatkeqësisht në këtë përshkrim mungojnë të dhënat për Zveçanin dhe Fushën e Radiçit, gjegjësisht Zubin Potokun.

Ndarja administrative siç dihet, nuk pësoi ndryshime thelbësore në vitet 1912 - 1941, pos që gjatë viteve të të dy luftërave botërore, Lugina e Preshevës territorialisht u përfshi nën zonën okupuese bullgare.

Megjithatë, në lidhje me shqiptarët dhe Kosovën në prag të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, më i drejtpërdrejtë ishte njëri prej ideologëve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, hebreu Mosha Pijade (1890 - 1957) i cili tërthorazi e ka prekur edhe çështjen e kufijve të Kosovës! Siç dihet, përveç deklaratave të krerëve të Lëvizjes Komuniste që gjenin vend në shtypin majtist, zgjidhja e çështjes nacionale në periudhën e paraluftës, ishte përfshirë edhe në dokumentet e kohës. Njëri prej dokumenteve të tilla që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë, në fondin e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, është edhe ai me titull: “Tezat për çështjen nacionale” që u përgatit në rrjedhën e mbajtjes së Konferencës së Pestë të Vendit që u mbajt në tetor të vitit 1940 në Zagreb. Tezat e përpiluara Mosha Pijade i ka përmbledhur në një dokument të veçantë ku është shqyrtuar çështja nacionale në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Përkundër faktit se në Konferencën e Pestë të Vendit, referati për zgjidhjen e çështjes nacionale (në Jugosllavinë e atëhershme) iu kishte besuar Milovan Gjilasit (1911 – 1995) fatkeqësisht kopja e tij nuk është ruajtur!

“Zgjidhja e çështjes nacionale mund të arrihet nëpërmjet rrëzimit revolucionar të pushtetit serbomadh – regjimit fashist e imperialist dhe me formimin e Republike së lirë dhe fshatare të Kosovës”, kishte shkruar Mosha Pijade. Por, Republikën e ardhshme të Kosovës, ai do ta vendoste në kufijtë e dikurshëm të Vilajetit të Kosovës, pra me Luginën e Preshevës brenda Kosovës! Në njërin prej nëntitujve të dokumentit “Çështja nacionale në Kosovë”, Pijade ka shkruar: “Kosova, politikisht dhe etnikisht i përfshin të gjithë territoret që Serbia dhe Mali i Zi i okupuan në jug dhe në perëndim gjatë viteve 1912-1913, nëse e përjashtojmë territorin e Maqedonisë” (pra është fjala për viset që kanë qenë pjesë të Vilajetit të Manastirit dhe të Selanikut, S. L.).

Megjithatë çështja e Luginës së Preshevës përgjatë Luftës së Dytë Botërore u aktualizua përgjatë verës së vitit 1944, midis Serbisë dhe disa figurave të kreut maqedonas kur akoma nuk ishin hedhur themelet e Republikës Socialiste të Maqedonisë.

Kur në dimrin e vitit 1945 Serbia me agresivitetin tanimë të njohur ia shkëputi Rrethin e Preshevës (me Bujanocin) tanimë banovinës së shpërbërë të Vardarit, dhe kur kreu maqedonas llogariste se Maqedonia e ardhshme duhet të mbështetej në organizimin administrativ të mëhershëm kur Rrethi i Preshevës ishte në përbërje të Qarkut të Kulmanovës, sipas dëshmisë së politikanit të njohur Llazar Kolishevskit (1914 – 2000) u bisedua që Maqedonisë t’i “bashkëngjitej” krahina e Pirinit (shtrihet në pjesën jugperëndimore të Republikës së Bullgarisë me qendrën më të madhe Bllagoevgradin që është pjesë e këtij regjioni)

Megjithatë, rreth stabilizmit të çështjes së kufijve siç dëshmon Kolishevski, rol të rëndësishëm kishte luajtur faktori ndërkombëtar më konkretisht Britania e Madhe!

“Gjatë bisedimeve është pyetur edhe Koça Popoviq (1908 – 1992) një figurë e njohur e diplomacisë së Jugosllavisë që njëherësh në vitet 1953 – 1965 ishte edhe ministër i Punëve të Jashtme. Sipas, Popoviqit ”përfaqësuesi i Foreign Office ka vlerësuar se negociatat rreth krahinës së Pirinit kishin lënë përshtypje jo të mirë mbi qeverinë britanike” sepse marrëveshja ishte e drejtuar kundër një shteti aleat – në rastin konkret kundër Greqisë” – ka qenë përgjigjja që Kolishevski e ka marrë nga kreu i diplomacisë jugosllave Koça Popoviq.

Ndryshimet administrative pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore

Në rrjedhën e ndryshimeve administrative të radhës, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore është ai i 18 prillit të vitit 1947, kur Kuvendi i Serbisë e aprovoi Ligjin mbi ndarjen administrative – territoriale të Republikës Popullore të Serbisë në nivel të rretheve, qyteteve, rajoneve të qyteteve dhe në nivel të vendbanimeve apo këshillave komunale. Me këtë ligj u zyrtarizua formimi i Rrethit të Bujanocit dhe njëherësh u suprimua qendra e rrethit që më parë ishte në Preshevë. Në “harmoni” me ligjin e aprovuar, dy fshatrat e Karadakut të Preshevës, Maxherja dhe Ranatoci që më parë ishin pjesë e Rrethit të Gjilanit, gjegjësisht komunës së Shurdhanëve iu bashkangjitën rrethit të posaformuar të Bujanocit. Ndërkaq në fletoren zyrtare lidhur me këto ndryshime jepen edhe detaje më precize: Caravajka dhe Konçuli iu bashkëngjitën Rrethit të Bujanocit më 18 prill të vitit 1947 ndërkaq bashkimi i fshatrave të Maxheres dhe Ranatocit me këtë rreth, ngjau më 7 dhjetor të po këtij viti.

Ndërkaq në pranverën e vitit 1948, për herë të fundit zyrtarisht figuron se vendbanimet, “Sefer, Peçenë, Depcë, Ilincë, Stanec, Maxhere, Ranatoc e Buhiq që janë udhëhequr nën Rrethin e Gjilanit të Qarkut të Prishtinës të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Dukagjinit, tani janë pjesë të Rrethit të Bujanocit“

Në anën tjetër, regjistrimi i parë popullsisë në Jugosllavinë e atëhershme, pra ai i 15 marsit të vitit 1948, e dëshmon se në Rrethin e Zveçanit që përbëhej prej trembëdhjetë Këshillave Vendorë ishin përfshirë edhe këshilli i Zubin Potokut në të cilin jetonin 2657 banorë serbë, 4 banorë shqiptarë, 4 malazezë dhe Këshilli Vendor i Leposaviqit me 3255 banorë serbë, ndërkaq në tërë Rrethin e Zveçanit jetonin 40 mijë e 155 banorë, prej tyre 23 mijë 826 serbë dhe 15 mijë 247 shqiptarë.

Ndërkaq, gjashtë vjet para ndryshimeve të organizimit të brendshëm territorial të Kosovës, pra sipas regjistrimit të vitit 1953, komunat Leposaviq me 3642 banorë (3633 serbë dhe 1 shqiptar) dhe Zubin Potok me 2685 banorë (2667 serbë dhe 8 shqiptarë) vazhdonin të ishin të përfshira në Rrethin e Zveçanit ku jetonin gjithsej 64 mijë e 104 banorë, prej tyre 32 mijë e 122 ishin serbë, 25 mijë 718 shqiptarë, 1936 malazias, 2186 turq dhe 784 të tjerë.

Image
Shënimet stenografike nga Plenumi i Dytë i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë që ruhen në Arkivin e Serbisë, dëshmojnë se kundër propozimit të Peneziqit ka reaguar kreu kosovar Fadil Hoxha

Dhurata e Petar Stamboliqit për Kosovën

Ndryshimet territoriale të Kosovës së pasluftës janë të lidhura me emrin e politikanit serb, Petar Stamboliq (1912 – 2007) ai ka dëshmuar së voni se nuk kishte marrë pjesë në caktimin e kufijve midis Serbisë dhe Maqedonisë! Pra, Stamboliq nuk ka qenë i përfshirë në vendosjen e fatit të Luginës së Preshevës por edhe të disa fshatrave të Kriva Pallankës që dikur si territore të Kazasë së Preshevës u ndanë midis Tërgovishtes serbe dhe Kriva Pallankës maqedonase!

“Marrëdhëniet e mia me Fadil Hoxhën përveçse diskutimeve parimore përgjatë vitit 1968 kur kam qenë kryetar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë, kanë qenë të mira dhe midis nesh nuk ka pasur kurrfarë mosmarrëveshjeje. Unë jam përpjekur që me Fadilin të kemi raporte të mira. E kemi organizuar një udhëtim nëpër Vllasinë, Preshevë...”, kujtonte ky politikan jo edhe aq i popullarizuar në mjedisin serb pas viteve të nëntëdhjeta

Ndërkaq, edhe në opinionin e gjerë serb ndryshimet apo “zgjerimi territorial” i Kosovës, edhe sot e kësaj dite shihet si “meritë” e Stamboliqit! Kështu, në vlugun e përgatitjeve të mbajtjes së Kongresit të Katërt të Lidhjes Komuniste të Komitetit Qendror të Serbisë, Petar Stamboliq kishte kandiduar si përfaqësues i minatorëve komunistë të Stan Tërgut! Madje ai arriti të zgjidhej si delegat i kongresit më 1 mars të vitit 1959.

Ndërsa ndryshimet territoriale në Krahinën e Autonome të Kosovës siç quhej atëherë Kosova ishin iniciuar më 12 shtator të vitit 1959, edhe pse informacionet në shtypin zyrtar lidhur me këtë çështje janë publikuar një javë më herët!

Në rrjedhën e ndryshimeve territoriale, në raportin e 7 shtatorit të vitit 1959 të gazetës “Borba” prej Prishtine thuhet: “Në seancën e sotme të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe Dukagjinit, ku morën pjesë edhe kryetarët e Këshillave Popullore të Rretheve, përfundimisht u përcaktuan selitë dhe u shënuan territoret e 28 komunave të reja të krahinës”. Gjithnjë sipas këtij artikulli, thuhet se ndryshimet erdhën pas mbajtjes së tubimeve popullore ku ishin zhvilluar diskutime të gjera! Në fund thuhej se propozimi përfundimtar për ndarjen e re territoriale të komunave dhe përcaktimin e vendeve dhe zonave të tyre, që u miratua sot nga Këshillit Ekzekutiv i Kosovës dhe Dukagjinit do t'i dërgohet Këshillit Ekzekutiv të Serbisë i cili do ta shqyrtojë çështjen e bartjes së kompetencave nga Këshillat Popullore të Rretheve që do të shfuqizohen që prej janarit të vitit 1960”.

Për se si kishte ndodhur kjo “rrjedhje“ e informacioneve të parakohshme nuk është e qartë edhe pse pesë ditë më vonë, më 12 shtator në mbledhjen e Komiteti Ekzekutiv të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, Slobodan Peneziq-Kërcun (1918 – 1964) e bëri paraqitjen e propozimeve bazë për ndryshimet e ardhshme territoriale. Të kujtomë se Sllobodan Peneziq-Kërcun ishte kryeshefi i parë i OZNA-s famëkeqe në Serbi. Më pastaj ishte ministër i Punëve të Brendshme i Serbisë në vitet 1946 - 1953, ndërkaq në vitet 1962 - 1964 ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Republikës Socialiste të Serbisë, pra deri në vdekjen e tij në rrethana shumë të dyshimta më 6 nëntor të vitit 1964.

“Kosova kryesisht nuk shkon në ndryshme, por propozohet bashkimi i disa komunave (për arsye të afrimit të ndihmës dhe prapambeturisë)” – ka deklaruar Peneziqi pa detajizuar më tej. Në mbledhjen e radhës që është mbajtur më 28 shtator, duke nisur në orën 17:00 me rendin e ditës “Për ndryshimet e ardhshme rreth rregullimit administrativ” Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë ka njoftuar se “diskutimi është zhvilluar në frymën e qartësimit të disa çështjeve në lidhje me ndarjen administrative me qëllim që ajo të jetë më afatgjate”.

Fadil Hoxha: Krahina Autonome e Kosovës është njësi unike ekonomike dhe politike

Megjithatë, në Plenumin e Dytë të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë të mbajtur në Beograd më 13 tetor të vitit 1959, nën udhëheqjen e Jovan Veselinovit, përfaqësuesit e Krahinës Autonome të Vojvodinës me të vetmen pikë të rendit të ditës “Çështja e zhvillimit të mëtutjeshëm të komunës dhe ndarjet territoriale” në fjalën e tij hyrëse Slobodan Peneziq – Kërcun, sikur e ka shpalosur qëllimin përfundimtar për fat edhe të fundit ku ai ka kërkuar që në Kosovë të formohen vetëm dy rrethe një për Kosovë dhe tjetri për Dukagjin, sepse sipas tij, “ekzistenca e Këshillit Krahinor në këtë rast do të ishte e tepërt!”

Prandaj mund të themi se me shpërbërjen e Këshillit Krahinor atëbotë, hapej rruga e copëtimit të Kosovës dhe jo duke u synuar ndarja midis serbëve dhe shqiptarëve, por ajo e ndarjes së Kosovës midis Malit të Zi dhe Serbisë, mu ashtu siç ishte ndarë Sanxhaku i Novi Pazarit në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Shënimet stenografike nga Plenumi i Dytë i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë që ruhen në Arkivin e Serbisë, dëshmojnë se kundër propozimit të Peneziqit ka reaguar kreu kosovar Fadil Hoxha duke elaboruar më gjerësisht: “Krahina Autonome e Kosovës është njësi unike ekonomike dhe politike dhe duke i pasur parasysh specifikat e saja ajo do të ekzistojë akoma. Kur te ne në Kosovë është shtruar çështja dhe roli që e ka rrethi si instancë, atëherë ne mendojmë se rrethet janë një shkallë e tepërt dhe e panevojshme si hallkë midis organeve krahinore dhe komunave. Prandaj nëse roli i rrethit është koordinues, këtë rol pra të koordinimit mund të kryejnë në mënyrë shumë të suksesshme organet krahinore apo Këshilli Krahinor, ashtu edhe siç ato e kanë kryer deri më tani në raport me rrethet dhe komunat”. Në fjalimin e tij të gjatë (6 faqe të shtypura me makinë shkrimi) Fadil Hoxha më në fund e ka shtuar: “Për ne organizimi i brendshëm administrativ është çështje e ndjeshme, sepse me të mund të cenohet autonomia e Kosovës kur dihet që të drejtat tona autonome janë të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë por edhe me Statutin e Krahinës Autonome të Kosovës”.

Ndërkaq informacioni zyrtar apo publik lidhur me ndryshimet territoriale të Kosovës, po ashtu ishte bërë në mbledhjen e Plenumit të gjerë të Këshillit të Rrethit të Mitrovicës në gjysmën e muajit tetor të vitit 1959, ku ishte prezent edhe politikani serb Petar Stamboliq. Me këtë rast ishte bërë e “njohur se në Kosovë do të krijohen pesë komuna të reja, midis tyre edhe komuna e Zubin Potokun në të cilën do të përfshiheshin rreth 16 000 banorë”.

Në rrjedhën e ndryshimeve territoriale, ligji mbi suprimimin e rretheve u miratua në Kuvendin e Serbisë dhe u publikua në Fletoren zyrtare të 5 dhjetorit. Ndërsa vendimi mbi ndarjen territoriale të komunave dhe suprimimin e rretheve në Krahinën Autonome të Kosovës është aprovuar më 22 dhjetor në Mbledhjen e Këshillit Popullor të Krahinës së Kosovës.

“Krahina e Kosovës u zgjerua territorialisht me themelimin e komunës së Leposaviqit në përbërje të së cilës u përfshinë Belluqa, Berberishtja, Bistrica, Barja, Bellobërda, Borova, Vraçeva, Gruvnishta, Kërnjini i poshtëm, Zemunica, Iseva, Leshaku, Miokoviqi, Ostraqi, Poshtenja, Potkonja, Rëvatska, Trebiqi, Qirkoviqi dhe Cërnatoca”. Ky informacion është publikuar në Fletoren Zyrtare numër 12 të vitit 1959.

Megjithatë, për qartësim më të detajuar ne duhet rishtas t’i kthehemi kronologjisë së ndryshimeve territoriale, gjegjësisht në të dhënat që ofrojnë Fletoret zyrtare të kohës. Atëherë rezulton se: Këshilli Popullor i Leposaviqit në vitin 1947 ka qenë pjesë e Rrethit të Zveçanit me seli në Mitrovicën e Kosovës dhe kjo dëshmohet në Fletoren Zyrtare numër 24 të vitit 1947, po ashtu edhe në Fletoren zyrtare të 22 prillit të vitit 1952, Leposaviqi ka qenë seli e komunës, si pjesë e Rrethit të Zveçanit, prandaj përfundimisht mund të konstatohet se që prej 1 janarit të vitit 1960 Kosova u zgjerua territorialisht, pasi Serbisë gjegjësisht Rretheve të Dezhevës, Kopaonikut dhe Studenicës iu morën 190 kilometra katrorë territor dhe iu bashkëngjitën Komunës së Leposaviqit të Rrethit të Mitrovicës, njëherësh kjo dëshmohet edhe në Fletoren zyrtare numër 50 të vitit 1959.

Njëkohësisht, pa pasur ndonjë lidhje me ndryshimet në Kosovë, duke u mbështetur në ligjin mbi territoret e komunave të Republikës së Serbisë, u arrit deri te përcaktimi i madhësisë së territoreve të komunës së Preshevës dhe Bujanocit, që në fakt janë sipërfaqe territoriale që ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Pra, me këtë ligj të aprovuar nga ana e Kuvendit Popullor të Serbisë më 25 nëntor të vitit 1959 dhe të firmosur nga nënkryetari i këtij kuvendi Voja Lekoviq, që hyri në fuqi më 1 janar të vitit 1960, Presheva i ka 264 kilometra katrorë territor, (vetëm prej vitit 1931 Preshevës iu morën 525 kilometra katrorë territor) ndërsa Bujanoci i ka 461 kilometra katrorë.

Zvogëlimi i Luginës së Preshevës për një mijë kilometra katrorë

Llogaritur në shifra, që nga themelimi i Kazasë së Preshevës në vitin 1878, më pastaj përgjatë ekzistimit të Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene, Mbretërisë së Jugosllavisë dhe deri më 1 janar të vitit 1960, Lugina e Preshevës pa Medvegjën, territorialisht është zvogëluar për rreth një mijë kilometra katrorë. Pra Lugina e Preshevës në vitet 1912 – 1960, si territor i dikurshëm i Sanxhakut të Prishtinës, gjegjësisht i Vilajetit të Kosovës, më vonë i Banovinës së Vardarit në madhësi prej rreth 1725 kilometra katrorë i është shkëputur Kosovës dhe i është bashkuar Serbisë. Kjo sipërfaqe është shkëputur nga përbërja e Komunës së Preshevës dhe Bujanocit dhe i është bashkangjitur në pjesën më të madhe komunës së Tërgovishtes (380 km katrorë) si qendër e krahinës së Pçinjës, ndërsa zonat e dikurshme kufitare të Vilajetit të Kosovës, që ndodheshin në veriperëndim të Bujanocit i janë bashkuar territorit të komunës së Vrajës.

Pra deri në forcimin e Autonomisë së Kosovës në vitin 1959, rezulton se Serbia ia ka “dhuruar” Kosovës 190 kilometra, ndërsa i ka marrë rreth 1725 kilometra katrorë dhe siç shihet nga materialet e arkivuara, Lugina e Preshevës nuk është ndërlidhur në asnjë mënyrë me organizimin e brendshëm territorial të Kosovës dhe as që ka pasur indikacione të shkëmbimit të territoreve përgjatë ish-Jugosllavisë, prandaj kjo ide më tepër e ka origjinën në fillimvitet e nëntëdhjeta të shekullit të XX.