Shtojca për Kulturë

Fobia e Manastirit të Deçanit ndaj realiteteve të ortodoksisë në Kosovë

Është për çdo keqardhje kur ngrihen paushall insinuata për “mostolerancë etnike dhe fetare”, në ndërkohë krejt kapacitetet skribomanike të çdo hallke të Kishës Pravosllave janë në luftë të përditshme e donkishoteske kundër “heretikëve”. Në zemër të reagimit të vëllazërisë manastirore të Deçanit është fobia ndaj realiteteve paramoderne të ortodoksisë në Kosovë. Aneks i kësaj paarsyeshmërie është edhe besojca e pathemeltë për një ekskluzivitet e përhershmëri serbe në manastiret, kishat e hijeroret ortodokse në këto anë. Si trashëgimi e çmuar në sixhadenë e një prej pjesëve më të pasura të Kosovës e Ballkanit Perëndimor, siç është Prizreni, Kisha e Hyjëlindëses Eleusë është shëmbëlltyrë e realiteteve të shkartisura kulturore përgjatë njëmijë viteve të fundit

Prej kohësh Manastiri i Deçanit, në vend të polemikave të ndershme, zgjedh praktikën e afisheve që i boton nëpërmjet mediave të saj sociale, e të cilat në prapakthim përcillen me tituj të çoroditur në mediat e regjimit autokratik të Vuçiqit. Kësaj radhe, si vjegë me të cilën vëllazëria manastirore akuzon për “nxitje të urrejtjes etnike dhe fetare” shërbeu shkrimi i Agon Rrezes “Kisha e Shën Premtës në Prizren, trashëgimi kulturore universale e Kosovës”, botuar në Shtojcën për Kulturë të “Kohës Ditore”.

Narracioni për kishtarinë ortodokse në Kosovë nuk është ekskluzivitet as i vëllazërisë manastirore të kishës së Deçanit, as i Dioqezës Rashkë-Prizren dhe as i Kishës Pravosllave në Beograd – ai është një kërkim i vazhdueshëm dhe i lirë ku kanë tagër të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Meqë në vend të një polemike me autorin e tekstit të caktuar, vëllazëria manastirore e Deçanit zgjedh t’i shpallë luftë jo vetëm redaksisë së “Kohës Ditore”, por krejt gazetarisë në Kosovë, atëherë bëhet detyrë morale një përgjigje e qetë dhe e merituar ndaj të gjitha akuzave të pamerituara.

Është për çdo keqardhje kur ngrihen paushall insinuata për “mostolerancë etnike dhe fetare”, në ndërkohë krejt kapacitetet skribomanike të çdo hallke të Kishës Pravosllave janë në luftë të përditshme e donkishoteske kundër “heretikëve”.

Në zemër të reagimit të vëllazërisë manastirore të Deçanit është fobia ndaj realiteteve paramoderne të ortodoksisë në Kosovë. Aneks i kësaj paarsyeshmërie është edhe besojca e pathemeltë për një ekskluzivitet e përhershmëri serbe në manastiret, kishat e hijeroret ortodokse në këto anë. Si trashëgimi e çmuar në sixhadenë e një prej pjesëve më të pasura të Kosovës e Ballkanit Perëndimor, siç është Prizreni, Kisha e Hyjëlindëses Eleusë është shëmbëlltyrë e realiteteve të shkartisura kulturore përgjatë njëmijë viteve të fundit. Aty është, parasëgjithash, trashëgimia e moçme kristiane ilire, e pasuar nga disa shekuj bizantizëm, një intermexo e dinastisë Nemanjiqe dhe më pas edhe një hark disashekullor në periudhën osmane. Kjo është tabloja, besojmë, që përkon me të gjitha anëpamjet e mundshme. Si çdo edific tjetër i krishterë, edhe Hyjëlindësja Eleusë e Prizrenit e ka edhe anën tjetër aspak idilike; fillet e saj nisen me uzurpim e më pas edhe me rindërtime e plotësime. Këto as nuk fshihen, por as nuk ia heqin vlerën, as kishës dhe as rolit të saj si faltore e besimtarëve përpara se të bëhej piketë politike e ideologjike nga Serbia. Tekqë ndajmë bindjen e patundur se vëllazëria e nderuar manastirore është savante dhe e mirëlexuar, do të ishte e hairit që të risjellim disa dromca historike nga letra tashmë e famshme e kryepeshkopit ohërjan, Dhimitër Komateni drejtuar Rastko Nemanjićit kur ai krye në vete e autoqefalizoi një cep të botës bizantine. Është interesant se njëra nga çështjet ku u cakërruan teologjikisht ata, ishte pikërisht edhe peshkopata ortodokse e Prizrenit. Në letrën e majit të vjetit 1220, siç na është ruajtur, eruditi bizantin ankohet se Rastko gjeti në Prizren një peshkop të emëruar kanonikisht (ὅτι εὑρὼν καθεστῶτα ἐπίσκοπον κανονικῶς), të cilën e përzuri me përdhuni (αὐτὸν μὲν τυραννικῶς τοῦ ἐπισκοπείου ἐξέβαλες) e me skema që nuk janë aspak të denja për njerëzit e përvutë të fesë (παραιτήσασθαι καταναγκάσας τὸν δείλαιον). Derisa peshkopi vendës Nikefori u dëbua në favor të një tjetri që i shkonte midesë së Kishës së vetëshpallur, te po e njëjta letër Komateni e paralajmëronte rivalin se me këtë kishte “derdhur mbi vete zemërimin e kanoneve dhe mbi të gjitha zemërimin e Perëndisë për shkak të shkeljes së kanoneve” (Poenmata Diaphora, 8: καὶ οὕτως ἐπλεόνασας ἐφ' ἑαυτὸν τὴν τῶν κανόνων ἀγανάκτησιν, μᾶλλον δὲ τὴν τοῦ Θεοῦ διὰ τὴν τῶν κανόνων παραβασιν).

Tekembramja, peshkopi i ligjshëm Nikefor (ἐπισκόπου Πρισδριάνων), ashtu siç mësojmë nga një dokument sinodik i Kryepeshkopatës së Ohrit, vazhdonte të ushtronte autoritetin e tij në krejt “vendin e Prizrenit” (ἐν τῇ χώρᾳ τῶν Πριδριάνων), përfshirë edhe Pollogun, madje shpesh duke u ballafaquar edhe me traditat vendëse pagane (ὡς κατὰ ἔθος ἐγχώριον).

A nuk shikonte Prizreni me fytyrë nga Ohri që prej 1019-s, i cili i jepte emrin edhe vetë peshkopatës që përthekonte pjesën më të madhe të Kosovës paraserbe, siç jepet në gjuhën e ngurtë të bullave perandorake: “Καὶ τὸν ἐπίσκοπον Πριξδριάνων εἰς αὐτὰ τὰ Πριξδρίανα καὶ τὸν Χοσνὸν καὶ τὸν Λεασκουμτξὸν καὶ τὸν Βραίτον κληρικοὺς ιε καὶ παροίκους ιε” (shih Heinrich Gelzer, “Ungedruckte und wenig bekannte Bistümerverzeichnisse der orientalischen Kirche”, Byzantinische Zeitschrift 1 (2). 1893, f. 43).
Dhe vallë a nuk ishte autoqefalia e Ohrit një fakt i cili për dyqind vjet diktoi realitetet fetare të Ballkanit qendror? Gjithnjë duke u shërbyer me fjalët e arkimandritit dhe teologut bizantin Neilos Doksopatres, Ohri njësoj si Qipro “është autoqefal dhe nuk i takon asnjërit prej froneve të mëdha, porse drejtohet i pavarur dhe i cakton peshkopët e vet” (Τάξις των Πατριαρχικών Θρόνων, Migne, Patrologia Graeca, Vol. 132, kolona 1097: Ὁμοίως τῇ Κύπρῳ ἐστἰν αὐτοκέφαλος μὴ ὑποκειμένη τινὶ τῶν μεγίστων θρόνων, ἀλλ᾿ αὐτεξουσίως ἀγομένη, καὶ ὑπὸ τῶν ἰδίων ἐπισκόπων χειροτονουμένη...). Pra, me 1143, çadra e Ohrit kishte më shumë se tridhjetë peshkopata nën dëgjesën e vet (ἔχει δὲ καὶ ἡ Βουλγαρία ἑπισκοπὰς πλείους τῶν τριάκοντα, ὧν ὑπερκάθηται καὶ πόλις Αχρίς ἐν τούτοις καὶ τὰ περἰ τοὑτων).

Nga kjo anëpamje del fare e kuptueshme pse kanonistët e teologët e asaj kohe, Ohrit ia njihnin legjitimitetin historik mbi krejt hapësirat që dikur përkonin me ato të kryepeshkopatës Justiniana Prima. Kur Theodore Balsamoni e mori përsipër rishikimin e Nomokanonit në 14 tituj, në provizionin e tretë ku komentohej novela 131 e Justinianit, ai evokoi, midis të tjerash, edhe Dardaninë si një nga eparkitë që i hiqej fronit apostolik të Romës dhe i taksej Ohrit (Theodorus Balsamon, Patrologiae Graecae, Tomus CXXXVIII, 1313: Ὁ ἀρχιεπίσκοπος τῆς πρώτης Ἰουστινιανῆς τὸν τόπον ἐπέχει ἐν ταῖς ὑπ᾿ αὐτὸν ἐπαρχίαις τοῦ ἀποστολικοῦ Θρόνου ῾Ρώμης, χειροτονῶν τοὺς ἐπισκόπους πόλεων Δακίας μεδιτεῥῥανἐας, καὶ Δακίας ῾Ριπενσίας, καὶ Προβόλεως, καὶ Δαρδανίας, καὶ Μυσίας τῆς ἀνωτἐρας, καὶ Παννονίας).

Së këndejmi, kujtesa për botën paraserbe ishte aq e fortë sa ajo nuk anashkalohej as nga mbretërit nemanjiqë. A nuk i bëhej jehonë “perandorëve të moçëm” (drevni carevi) edhe në kartën e Deçanit? Bëhet fjalë për ata që, po t’i përdorim fjalët e një historiani të vjetër serb, “janë gjithnjë joserbë” (Vasilije Marković, “Pravoslavno monaštvo i manastiri u srednjevekovnoj Srbiji”, Sremski Karlovci, 1920, f. 24).

Se në fillim të shekullit të 14-të, kisha e Hyjëlindëses Eleusë iu nënshtrua një rindërtimi thelbësor, kjo prapëseprapë nuk flet për eksluzivitet serb mbi këtë visar të çmuar kulturor të Prizrenit. Ato që shkruhen nga kronikani prej Pultit të Shqipërisë, Danilo II, janë njësoj të shfrytëzueshme si për njerëzit e fesë, si për laikët, si për shqiptarët e si për serbët. Me frymë panagjerizuese për trashëgiminë e mbretit Milutin, Danilo na bën me dije se ai: “…mnoge božastvene manastire od samog osnova podiže…obnavljaše stara rukopolože na roditelja i praroditelja svojih i više od korena svršavaše po Božjem izvoljenju” (“Životi kraljeva arhiepsikopa srpskih od Arhiepiskopa Danila II” (përk. Lazar Mirković), Beograd, 1935, f. 104). E kësofarshme është pikërisht kisha e Hyjëlindëses Eleusë, pra përtëritje dhe rindërtim mbi një trashëgimi të pasur bizantine e lokale.

Të tilla kanë qenë mikrokozmoset e realitetet e Prizrenit paramodern me shqiptarë, me serbë, me vllehë e me etni të tjera. Nuk na e do mendja që “mostolerancë etnike e fetare” vëllazëria e nderuar e kishës së Deçanit do të gjente edhe në defterin osman të 1571-s e as do të zemërohej kur në mëhallën Levisha enden poshtë e përpjetë banorë me emra Ramazan, Hasan, Mehmet, Ali, Murat, Mahmut e Bilall; kur fare afër te mëhalla e pazarit të vjetër enden poshtë e përpjetë banorë me emra Jovan, Vasil, Andrija e Petri, apo kur në mëhallën Kuka enden poshtë e përpjetë banorë me emra Gjin, Gjon, Kolë e Prend (shih Olga Zirojević, “Prizren u defteru” iz 1571 godine, te Istorijski časopis, 39, 1991, ff. 243-255). Çfarë ka këtu për t’u tërbuar?

Një pjesë e madhe e këtyre banorëve sigurisht që janë përfalur edhe te kisha e Hyjëlindëses pa e pasur idenë që disa qindra vjet më vonë mendje të caktuara do të vinin nishanë etnikë te grigja ortodokse. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është që askush nuk duhet të ketë frikë prej faktit që edhe shqiptarët e Kosovës kanë hisen e tyre të ligjshme në krishtërimin ortodoks. Nuk na duket rastësi që te një nga të parat referenca per se për shqiptarët në mesjetë, përkatësisht te Mihail Ataliati më 1040, shqiptarët (në origjinal ᾿Αλβανοί) cilësohen si “të së njëjtës fe” me bizantinët (ὁμοθρησκεία). Kjo bashkëfetarësi e të parëve të shqiptarëve është thadruar fort edhe në leksikun kishtar të shqipes së vjetër si kllogjën = καλόγερος, munështir = μοναστήρι, fli = εὐλογία, korë = (εἰ)κόνα. Dhe pse duhet të jetë ndryshe kur në letrën e famshme vetë Dhimitër Komateni thoshte që këndejpari Krishti thirrej (ὁ Κριστὸς ὠνομάσθη) dhe “zëri i apostujve” (ὁ φθόγγος αὐτῶν) kishte hyrë në këto toka shumë e shumë shekuj më herët (εἰς πᾶσαν γὰρ τὴν γῆν ἐξῆλθεν). Dhe po t’i përdorim fjalët e Komatenit për ç’arsye sot dikush duhet të zbrazë mbi vete zemërimin e Perëndisë dhe kanoneve të shenjta? Paqe e dashuri për Krishtlindjet ortodokse!