Shtojca për Kulturë

Fizarmonika virtuoze në koncertin e lojës së stileve

Félicien Brut në debutimin e tij me Filharmoninë e Kosovës në koncertin e dirigjuar prej Aurélien Azan Zielinskit, ka sjellë lojë plot pasion në fizarmonikë (Foto: Arben Llapashtica)

Félicien Brut në debutimin e tij me Filharmoninë e Kosovës në koncertin e dirigjuar prej Aurélien Azan Zielinskit, ka sjellë lojë plot pasion në fizarmonikë (Foto: Arben Llapashtica)

Félicien Brut është mjeshtër në fizarmonikë, e këtë e ka dëshmuar sapo ka dhënë tingullin e parë me Filarmoninë e Kosovës, teksa e ka nisur me “Koncert për fizarmonikë dhe orkestër” të Romain Dumasit. Në bis me “Tango por Claude” e ka rikonfirmuar virtuozitetin, e pjesa e tij ka qenë hyrje për një rrugëtim tjetër muzikor. Në dirigjimin e Aurélien Azan Zielinskit, Orkestra ka sjellë edhe “Simfoninë” e Rafet Rudit për të kulmuar me “Vallëzimet Polovecke nr. 17” të Borodinit

Tri vepra të stileve krejt të ndryshme kanë ndërtuar rrëfimin e radhës muzikor të Filharmonisë së Kosovës. Nisi me një moderne franceze, më pas një vendore në stil neoklasik dhe u mbyll me një ruse të periudhës së Romantizmit. Me dirigjentin Aurélien Azan Zielinski dhe fizarmonicistin Félicien Brut, të dy nga Franca, dhe me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, kolazhi i programit të radhës ka qenë me vepra përplot ngjyra, të errëta dhe përrallore.

Mbrëmja e së premtes në Atelienë e Pallatit të Rinisë nisi me “Koncertin për fizarmonikë dhe orkestër” të francezit Romain Dumas në pjesën e parë.  Në kohën e parë, “Allegro Giocoso”, fizarmonika e hap veprën me lojë improvizuese e po aq edhe shpërthyese nga ana e Orkestrës që shkon duke e ngadalësuar rimin e duke ulur tonin.

Pjesët e fizarmonikës janë goxha atraktive. Instrumenti është nismëtar i temave harmonike dhe atyre si humoreska. Janë edhe temat me tinguj të çakorduar që krijojnë situata të mjegullta. Partiturat si kjo e shpërfaqin stilin modern në veprën e kompozitorit të ri, Romain Dumas.

Në “Moderato”, fizarmonika nis lojën e lehtë solo me ritme të trishta që zgjatohen nga Orkestra. Situata të çuditshme krijohen kur disa instrumente nisin lojë solo, pa ritëm. Koha e tretë “Allegro” është jashtëzakonisht e bukur. Një dinamikë e fuqishme me ritëm atraktiv të harmonikës e bën këtë pjesë një përjetim të mrekullueshëm përplot tension e harmoni që, kur bashkohen, sjellin ritme unike.

Publiku e ka duartrokitur gjatë fizarmonicistin francez, Félicien Brut, që ka qenë solisti i kësaj vepre. Nuk ka pritur shumë reagime të tyre për ta interpretuar një vepër në bis. Pa hezitim ka dhënë shenjë për ta luajtur veprën e paracaktuar. Kësaj here me instrument zgjodhi të shëtisë “skenën” në Atelie, të vështrojë instrumentistët e publikun, e mbi të gjitha të ndiejë thellësisht ritmet e veprës “Tango pour Claude” nga Richard Gallianos.

Brut, në vend të veprës për të cilën ka thënë se publiku veçse ka mundur ta perceptojë, ka folur për Orkestrën e publikun në kryeqytet.

“Është kënaqësi e madhe të vij këtu për të parën herë, ishte shumë kënaqësi gjithashtu të takoj këta muzikantë të pasionuar dhe të talentuar. Ishte shumë bukur të kaloj kohë me ta për një javë, gjithashtu edhe me dirigjentin. Ai më pati folur shumë herë për Kosovën dhe Filharmoninë e Kosovës dhe tani e kuptoj pse. Mendoj se është fat i madh për muzikantët të udhëtojnë dhe të takojnë orkestra kaq të bukura”, është shprehur ai pas koncertit.

Sipas tij, salla ku nuk kërkohen fort procedura për të siguruar një ulëse, e bën më të lehtë për audiencën të ndjekë koncertet.

“Është shumë më ndryshe se në Francë, sepse atje publiku është më i vjetër në moshë dhe këtu pati shumë të rinj. Nuk është e vështirë të shkosh në koncerte këtu. Për publikun francez është shumë më e vështirë, sepse sallat janë të mëdha dhe këtu janë si familje. Vijnë në këtë ambient modest dhe shijojnë muzikën”, ka thënë Brut, i cili zbuloi fizarmonikën dhe botën e valleve franceze musette në moshën gjashtëvjeçare.

Në vitin 1997, ai u bashkua me “Centre National et International de Musique et d’Accordéon”, një shkollë në të cilën përfitoi nga mësimet e profesorëve si Mornet, Boucheix e Emorine. Në vitin 2007 fitoi tri nga konkurset më të rëndësishme ndërkombëtare për fizarmonikë: “Castelfidardo”, “Klingenthal”, si dhe Trofeun Botëror të Fizarmonikës.

Në vitin 2009, Félicien fillon të japë mësim në konservatore. Fillimisht nisi të ligjëronte në Libourne, për t’u bashkuar më pas me Konservatorin e Châteaurouxit në vitin 2013. Katër vjet më pas Félicien Brut i dha jetë projektit “Le Pari des Bretelles”. Me rritjen e aktivitetit koncertal, Félicien vendos të braktisë mësimdhënien. Ai vendoset në Paris dhe nis bashkëpunime të shumta me disa nga muzikantët më të shquar të brezit të tij, si kitaristi Thibaut Garcia, trumpetisten Lucienne Renaudin Vary e violonçelisten Anne Gastinel.

Po Brut, bashkë me dirigjentin Zielinski, ishin të angazhuar edhe në premierën e “Koncertit për fizarmonikë dhe orkestër” të Dumas në vitin 2023. Vepra është interpretuar në “Festival du Val d'Arly”, “Opéra de Rennes” dhe në “Opéra de Limoges”.

Në pjesën e dytë është luajtur “Simfonia” e Rafet Rudit e përbërë nga një cikël simfonik prej tri kohësh. Koha e parë “Andante – Allegro” vjen me një atmosferë të zymtë, tragjike. Kjo atmosferë, aty-këtu, ka shkëputje, ndonëse mbizotërojnë ritmet që ngjajnë në përshkrimin e një përkujtimi nostalgjik.

“Largo” (Intermezzo) shpalos ngjyrat e klarinetës me lojë solo me tinguj të gjatë e të pandërprerë, ku duke u bashkuar edhe Orkestra, zhvillohen melodi hipnotizuese. Koha e tretë “Allegro ma non troppo e energico” sikur ndahet në dy tema – dramatike e lirike. E fundit e shprehur nga saksofoni që ka qenë pjesë e orkestrës. Dardan Gjinolli ka luajtur në këtë instrument.

Dirigjenti Aurélien Azan Zielinski ka thënë se në këtë vepër mund të dëgjohen ritmet e muzikës së kompozitorëve të mëdhenj rusë.

“Është kënaqësi e madhe të vij këtu për të parën herë, ishte shumë kënaqësi gjithashtu të takoj këta muzikantë të pasionuar dhe të talentuar”, ka thënë fizarmonicisti Félicien Brut (Foto: Arben Llapashtica)

“Për këtë vepër kam biseduar me zotëri Rudin dhe më tha se është vepër të cilën e ka shkruar 50 vjet më parë. Tani mendoj se nuk kompozohet në këtë stil, është një muzikë midis stilit ballkanik dhe atij rus. Mund të dëgjoja pak muzikë të Prokofiev dhe të Shostakovich”, është shprehur dirigjenti francez.

Ai ka drejtuar Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës edhe në mars të vitit të kaluar, me të cilin koncert qe mbyllur “Java e Frankofonisë” në Prishtinë. Violonçelistja virtuoze franceze Aurélienne Brauner, pati qenë soliste me veprën “Fantazi për violonçel dhe orkestër” të kompozitorit francez Jules Massenet.

“Më pëlqen të punoj me këtë Orkestër, sepse gjithmonë ka marrëdhënie të mira midis anëtarëve. Gjatë gjithë javës u rritëm edhe më shumë së bashku me muzikë dhe kjo për mua është shumë interesante. E dua, sepse ata kanë pasion për muzikë”, ka thënë Zielinski derisa programin e vlerëson shumëngjyrësh.

“Sollëm muzikë të tre kompozitorëve: një francez, një nga Kosova dhe një rus. Vepra e parë, e Romain Dumas është e një kompozitorit shumë  të ri, 35 vjeç, dhe është vepër shumë e bukur, me shumë ngjyra. Pastaj luajtëm ‘Simfoninë’ e mjeshtrit Rudi dhe për mua është diçka shumë e errët në fillim që shkon duke sjellë dritë dhe koha e fundit është shumë e bukur. Në fund patëm një vepër shumë të famshme nga Bohodin e cila sjell përplot kënaqësi”, ka thënë dirigjenti i njohur francez i cili më parë ka shërbyer edhe si drejtor artistik i Orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar nga viti 2022 deri më 2024.

Njohja e tij filloi në vitin 2012, kur fitoi konkursin “Talents Chefs d’Orchestre”. Që nga ajo kohë, ai është ftuar të dirigjojë shumë ansamble prestigjioze në mbarë botën, përfshirë Orkestrën Kombëtare të Francës, Orkestrën Kombëtare të Île-de-France, Orkestrën Kamertale të Lozanës, “Royal Philharmonic Orchestra”, “BBC National Orchestra of Wales”, Orkestrën Simfonike të Manizales në Kolumbi dhe “Metropolitan Festival Orchestra” të Singaporit. Interpretimi i tij i ndjeshëm dhe i saktë i lejon atij të lëvizë në mes të repertorit klasik, atij bashkëkohor dhe muzikës së filmit.

Zielinski është një nga dirigjentët e paktë që udhëhoqën ndërkombëtarisht koncertet e sagës së filmave “Harry Potter”. Pasioni i tij për edukimin e ka bërë Aurélien Azan Zielinski gjithashtu pedagog të njohur. Ai drejton disa ansamble për muzikantë të rinj, përfshirë Orkestrën “DEMOS Europe” të Filharmonisë së Parisit, Orkestrën Simfonike të të Rinjve në Île-de-France, Orkestrat e të Rinjve “Alfred Loewenguth”, dhe koret dhe orkestrat e “Grandes Écoles”.

Krejt në fund, një mbyllje përrallore, tejet harmonike që shkon drejt një dinamike të bukur ritmike, ka ngjarë me interpretimin e “Valleve Polovecke nr. 17” të kompozitorit rus Alexander Borodin.

Kronologjikisht dhe të pashkëputura kanë ardhur pjesët “Hyrja”, “Vallja e vajzave”, “Vallja e egër e burrave”, “Vallja e përgjithshme”, “Vallja e djemve dhe vallja e dytë e burrave”, “Vallja e vajzave”, “Vallja e djemve dhe vallja e dytë e burrave (përsëritje)” dhe sërish, “Vallja e përgjithshme”.

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncertet e radhës do të mbahen më 9 dhe 10 maj.