Shtojca për Kulturë

Falsifikimi i historisë, nazizmi serb dhe rruga drejt Banjës

Nikandra ishte emri i murgut serb, i cili mori përsipër misionin e “rirregullimit” të së kaluarës mesjetare dhe ajo në të ardhmen duhej të përputhej me nacional-romantizmin serb të gjysmës së dytë të shekullit XIX. Ky murg në pjesën e pasme të çdo akti të vjetër kishtar, që atëbotë janë ndodhur në arkivin e Malit të Shenjtë në Athos, midis tyre edhe ato që tërthorazi apo në mënyrë të drejtpërdrejtë ishin të ndërlidhura me të kaluarën e Kosovës dhe të tokave shqiptare kishte ”shtuar të dhëna” plotësuese. Rasti i tij është vetëm një shembull. Një tjetër është ai i priftit serb të dekoruar nga Hitleri

Çështja më djallëzore me të cilën synohej që Serbia ta fitonte “tapinë e përhershme” mbi Kosovën dhe tokat shqiptare ishte falsifikimi i krisobulave, por edhe i dokumenteve të tjera kishtare.

Për t’i hedhur themelet e një ideologjie që fatkeqësisht mbijetoi edhe deri në kohët tona, në dekadën e pestë të shekullit XIX, një murg i njohur me emrin Nikandra, i nxitur nga qarqe nacionaliste ruso-serbe, e kishte marrë mbi vete misionin e “rirregullimit” të së kaluarës mesjetare dhe ajo në të ardhmen duhej të përputhej me nacional-romantizmin serb të gjysmës së dytë të shekullit XIX. Ky murg në pjesën e pasme të çdo akti të vjetër kishtar, që atëbotë janë ndodhur në arkivin e Malit të Shenjtë në Athos, midis tyre edhe ato që tërthorazi apo në mënyrë të drejtpërdrejtë ishin të ndërlidhura me të kaluarën e Kosovës dhe të tokave shqiptare kishte “shtuar të dhëna” plotësuese.

Misioni i klerikëve në retushimin e dokumenteve

I gjithë aktiviteti i murgut Nikandra ka ndodhur midis viteve 1835 – 1849, gjë që edhe në fakt falsifikimet e tij për koincidencë përputhen me jetësimin e planprogramit serbomadh të “Naçertanies”. Më pastaj në këto dokumente dorë ka zgjatur edhe çeku Sllavibor Brojer (1837-1912), i njohur si Savë Hilandari. Mirëpo që kjo punë të kurorëzohej dhe dokumentet e “retushuara” kishtare të jetësohen, disa vite më vonë u përkujdes edhe sllavisti rus, Vasili Nikolaeviç Korbalev (Василий Николаевич Кораблев, 1873-1936).

Në vitin 1906 në Petrograd, në “Vizantiski vremenik” (Византийский Временник), Korbalevi e nisi botimin e akteve të ndryshme nga arkivi i manastirit të Malit të Shenjtë, ndërsa këto akte veçmas u botuan me titullin “Actes de Chilandar” në vitin 1915.

“Është për t’u habitur se pse Korbalevi nuk punoi duke u mbështetur në dokumentet origjinale. Ai nuk shkoi fare në Malin e Shenjë, por u shërbye vetëm me fotografi të vjetra dhe përshkrimet që ai i kishte gjetur në Rusi. Prandaj përmbledhja doli e varfër, më pastaj leximi nuk është i mirë, ka shumë gabime. Aparati shkencor mungon, disa tituj janë krejtësisht të gabuar, botimit i mungon indeksi e të tjera”, e ka tërhequr vërejtjen medievisti Aleksandar Sollovjev (1890–1971). Është për t’u habitur se falsifikimin e dokumenteve kishtare e ka penalizuar edhe Kodi i Dushanit, i cili dihet sesi i ka trajtuar besimtarët katolikë shqiptarë, por edhe vetë shqiptarët mesjetarë, megjithatë neni 138 i këtij kodi e ka precizuar se “nëse në ndonjë krisobulë gjendet ndonjë shkronjë që është përshkruar rrejshëm apo shkronjat janë përmirësuar dhe fjalët janë adoptuar, për diçka që nuk ka urdhëruar perandoria ime, atëherë krisobulat e atilla duhet të asgjësohen (shqyhen), kurse atij të cilit i është dërguar krisobula duhet t’i konfiskohet prona e trashëguar (bashtinat)”.

Image
Për retushuesin e dokumenteve kishtare, disa vjet më vonë u përkujdes edhe sllavisti rus, Vasili Nikolaeviç Korbalev (1873-1936)

Prifti serb i dekoruar nga Hitleri

Por makineria nacionaliste nuk ishte e kënaqur me kaq! “A është nacionalizmi i Shën Savës i ngushtë, përjashtues dhe jo bashkëkohor? Shën Sava ka jetuar para 700 vjetëve, ndërsa ne tani ndodhemi në shekullin XX, por megjithatë nacionalizmi i tij ka jetuar dhe është rrënjosur në popullin e tij gjatë shtatë shekujve. Ne jemi të lindur në atë nacionalizëm dhe ai është akoma fuqi e gjallë në veten tonë. Shenjtori ynë (Shën Sava) i kaloi më tepër se dy dekada në një mjedis internacional në Manastirin e Malit të Shenjtë që përbëhej prej grekëve, rusëve, rumunëve, bullgarëve dhe shqiptarëve. Por edhe pse Shën Sava i kaloi vitet më impresive të jetës së tij në një mjedis të tillë internacionalist ai nuk u bë i tillë, por mbeti një nacionalist i zjarrtë”, ka thënë një prift serb, përkrahës i nazizmit, Nikollaj Velimiroviq (1880 – 1956) në ligjëratën e mbajtur në Beograd, në vitin 1935, pas kthimit të tij nga Ohri dhe Manastiri ku kishte shërbyer më parë. Po në këtë vit, Velimiroviq u dekorua nga Adolf Hitleri pasi prifti serb e kishte iniciuar rregullimin e varrezave të ushtarëve gjermanë në Manastir, të rënë në Luftën e Parë Botërore.

“Hitleri e ka zbuluar idenë e Shën Savës!”

“Përpjekjet e Adolf Hitlerit për ripërtëritjen e kishës gjermane i përmbledhin në vete idetë identike të Shën Savës për fenë kombëtare dhe për këtë duhet dhënë përkrahje udhëheqësit të tanishëm gjerman pasi ai është i bindur se nacionalizmi, që i mungon elementi fetar, në fakt paraqet anomali më vete, dhe ai nacionalizëm përveçse që është i ftohtë, po ashtu është dhe një mekanizëm i pasigurt. Dhe ja tani në shekullin XX, Hitleri e ka zbuluar idenë e Shën Savës!”, ka shtuar në ligjëratën e tij Nikollaj Velimiroviq, ndërsa ne do t’ua kujtojmë lexuesve se ithtarë të këtij nazisti ishin Atanisije Jevtiq, Artemije Radosavljeviq, Amfilohije Radoviq dhe Irinej Buloviq, nën rekomandimin e të cilëve fillimisht u bë rehabilitimi i tij dhe më 19 maj të vitit 2003 Velimiroviq u kanonizua dhe u shpall shenjtor i Kishës Ortodokse Serbe!

Asnjë xhami në tokat e okupuara

”Ideologjia e sotme kishtare serbe është ngjizur në gjysmën e dytë të shekullit XIX nga hiri i një kulture fshataro-kishtare dhe që me kalimin e kohës e njëjta kulturë gjeti hapësirë ndër qarqe të ndryshme kishtaro- politike serbe që ia dhanë asaj rolin e ideologjisë së kulturës kombëtare”, ka shkruar historiani dhe sllavisti austriak, Stanisllav Hafner (1916-2006).

Në harmoni me këtë ideologji më 26 shkurt të vitit 1920 Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene dhe Ministria e Fesë e sollën vendimin që në viset e okupuara nuk lejohej të ngrihej asnjë xhami, ndonëse njëkohësisht po ky pushtet me të madhe po e plaçkiste dhe po e shkatërronte trashëgiminë islame.

Ramush Osmani, njëri prej deputetëve të Gjilanit në parlamentin e Mbretërisë SKS, më 25 korrik të vitit 1922 ka dëshmuar se pushteti i Serbisë së atëhershme “në Kumanovë e ka shndërruar hapësirën e medresesë në park, në Vushtrri medreseja e Gazi Ali Beut ishte shndërruar në burg, vendi i varrezave në Prishtinë i ishte shitur stacionit të bujqësisë, po ashtu në Prishtinë ishte rrafshuar me tokë medreseja e Sulltan Selimit dhe nga mbetjet e mureve ishte ndërtuar një stallë, më pastaj në Prizren xhamia e Sinan Pashës ishte shndërruar në depo!”

Kishat e propagandës dhe çerdhe armatimi

Pra siç e pamë, marrëdhëniet e kosovarëve me krerët e kishës serbe gjatë shekullit XIX, por edhe më herët kishin qenë të mira dhe ato ishin të tilla deri në fillim të shekullit XX. Në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XX qarqet nacionaliste të Beogradit më në fund ia dolën që kishat dhe priftërinjtë serbë në tokat shqiptare t’i shndërronin në baza kryesore propaganduese, më pastaj në çerdhe të armatimit dhe me këtë njëherësh iu dha fund çfarëdo arritjeje të marrëveshjes midis shqiptarëve vendorë dhe krerëve të kishës brenda territoreve shqiptare.

Në fund mund të themi se Kosova dhe kosovarët as më herët e as tani nuk kërkojnë që të nisë ndonjë farë ekspedite shkencore e gërryerjes së mureve në kishat dhe manastiret ekzistuese serbe për të parë se çfarë ikonografie kanë pasur ato dikur. Ata nuk kërkojnë as të verifikohet se në çfarë ane dikur e kanë pasur altarin këto kisha dhe nuk kërkojnë gjurmë të mbindërtimeve në shekujt më vonë. Por, Kosova dhe kosovarët janë duke u përpjekur që në emër të fqinjësisë së mirë të ruajnë atë pak fytyrë sa u ka mbetur fqinjëve të tyre, por fatkeqësisht edhe të disa ndërkombëtarëve që në dhjetëvjetëshin e fundit janë duke u shantazhuar në mënyrë të vazhdueshme prej një ish–ministri, mentor i të cilit ka qenë “kasapi i Ballkanit“, Sllobodan Millosheviq.