Shtojca për Kulturë

Elefanti i verës

Arti i kultivimit të hardhisë dhe përpunimit të rrushit në Kosovë ngjan me ato të trevave të tjera shqiptare dhe ballkanike – me më shumë se dy mijë vjet lashtësi. Dëshminë e kultivimit të hardhisë në këto treva e vërtetojnë të dhënat historike, toponimet e ndryshme dhe zbulimet arkeologjike. Në fakt, edhe gurët në Rahovec flasin për traditën e pasur të vreshtarisë dhe verëtarisë në Rahovec. Simbolikisht nami i madh i këtij qyteti zbërthehet edhe me elefantin, artefaktin e gjetur në themelet e njërit prej bodrumeve më të njohura të verës në vend. Eksponati që u mor në Beograd tash është “ringjallur” jo vetëm si replikë, por edhe si emër i verës, e cila nëpër tregjet e botës dëshmon shije e traditë

Në qytetin e verës familja e Sokol Demëbogajt nga Rugova ka vendosur t’ia festojë ditëlindjen dhëndrit që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vjehrri thotë se ka zgjedhur pikërisht Rahovecin me qëllim që t’ia shpalosë së bijës, Eronës, dhe burrit të saj, Atdhe Gashi, historinë e pasur të vreshtarisë dhe verëtarisë.

“Shfrytëzuam rastin me vizitu një prej prodhimeve tona këtu në ‘Stone Castle’, jemi ardhë, kemi pa, jemi shumë të kënaqun me atë çka kemi pa, me të gjitha ato informacione që i morëm se nuk i kemi ditë”, thekson Dembogaj para hyrjes së gurtë të kompanisë së verëtarisë dhe vreshtarisë. “Na erdhi shumë mirë që kemi një prodhim të tillë dhe mburremi me këtë”.

Fjalët e tij i miraton Gashi, teksa në dorën e djathtë mban gotën me verë aromatike.

“Shpi e raki”

Por duhen muaj e nganjëherë edhe vite të tëra pune para cakërrimit të gotave për ditëlindjen e Atdheut. Por përmbledhtas krejt procesin e kanë kuptuar në mjediset e brendshme të verëtarisë. Ciceronia Aneza Mullabazi ia ka rrëfyer Eronës historinë e themelimit të bodrumin në vitin 1953. Pos fuçive të drurit, ku ruhen lloje të ndryshme verërash, Mullabazi ka folur edhe për traditën e kultivimit të rrushit dhe verës në çdo familje rahoveciane.

“Çdo familje në Rahovec e ka së paku një pjesë të tokës me rrush, ose gjithashtu një shishe me verë ose me raki”, thekson Mullabazi para fuçive të drunjta të verës.

Sikurse ajo, edhe Fidan Haxhijaha, drejtor komercial në “Bodrumin e Vjetër”, thotë se nuk ka familje rahoveciane që nuk merret me kultivimin e rrushit ose me përpunimin e tij për nevoja të ndryshme.

“Secila familje ka ba verë ose raki, sidomos rakia, por edhe vera, dhe natyrisht se krahas prodhimit edhe është konsumu”, thekson Haxhijaha.

Kalaveshi në epitaf

Arti i kultivimit të hardhisë dhe përpunimit të rrushit në Kosovë ngjan me ato të trevave të tjera shqiptare dhe ballkanike – me më shumë se dy mijë vjet lashtësi. Dëshminë e kultivimit të hardhisë në këto treva e vërtetojnë të dhënat historike, toponimet e ndryshme dhe zbulimet arkeologjike.

Në fakt, edhe gurët në Rahovec flasin për traditën e pasur të vreshtarisë dhe verëtarisë në Rahovec Ndër artefaktet spikat edhe mbishkrimi në gur varri, që ruhet në Teqenë e Madhe Helveti. Në epitafin e viteve tridhjetë të shekullit të dytë, pos tekstit latinisht, rreth pllakës ishte gdhendur edhe hardhia me kalavesh rrushi, duke dëshmuar lashtësinë mijëravjeçare të kultivimit të rrushit.

“Aktualisht, regjioni i Rahovecit ka ruajtur sipërfaqet më të mëdha me vreshta dhe me varietete të rrushit, që po na jep mundësinë me ba vera të cilësisë shumë të lartë në këtë regjion”, thekson Rrahman Kabashi, enolog në “Stone Castle”.

Sipas të dhënave të autoriteteve kosovare, Kosova më 2019 eksportoi 289 tonelata rrush në vlerë prej 62 milionë eurosh, ndërkaq më 2020, 347 tonelata apo rreth 100 milionë euro.

Më së shumti eksportoi në Mal të Zi, me 67 për qind, pasuar nga Shqipëria me 26.6 për qind, Austria me 4.2, Gjermania me 1.3 dhe Suedia me 0.9 për qind.

Rrëfimi për elefantin

Në publikimin e sivjetmë të Ministrisë së Bujqësisë, “Vreshtaria dhe Verëtaria e Kosovës”, që është i pari i këtij lloji në Kosovë, thuhet se në mesin e objektivave të veçanta është rritja e prodhimit të rrushit të tryezës dhe rrushit të verës, si dhe përmirësimi i cilësisë me qëllim të përmbushjes së standardeve kombëtare dhe të atyre të Bashkimit Evropian.

Në “Bodrumin e Vjetër”, Haxhijaha tregon arsyen pse njëri prej produkteve kryesore mban emrin “Elephant”, para replikës së skulpturës së gjetur në themelet e bodrumit. Origjinalja ishte marrë atëherë nga autoritetet federative, duke e ekspozuar në një muze të Beogradit. Sipas deshifrimit të arkeologëve, e fejuara e një ushtari romak kishte vizituar ushtarin romak në Rahovec pas luftërave të atëhershme dhe për dhuratë ia kishte sjellë skulpturën.

“Do të thotë, sipas arkeologëve, elefanti kishte hundën lart dhe, sipas tyre, kjo ka qenë një dhuratë për ditëlindje, si dhe ka qenë një dhuratë në kuptimin që shpëtoi nga lufta dhe t’i sjellë fat”, thekson ai, duke mbajtur në dorën e djathtë shishen e brendit “Elephant”, që shitet kryesisht në tregje të huaja. “Dhe ne faktikisht për arsye të kësaj historie verërat tona kulmore të quhen ‘Elephant’”.

Burim për 30 mijë familje

Në dokumentin e Ministrisë së Bujqësisë vlerësohet se sektori i vreshtarisë dhe verëtarisë ka qenë dhe vazhdon të mbetet shumë i rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Nga ky sektor, në mënyrë të drejtpërdrejtë, janë të përfshira pesë mijë ekonomi familjare, ndërsa në mënyrë të tërthortë 30 mijë ekonomi familjare.

Shumica absolute janë nga rajoni i qytezës qendrore të Kosovës. Aktualisht Kosova ka sipërfaqe vreshtore prej 3.451 hektarësh. Vreshtat shtrihen përgjatë tokave të Gjakovës, Suharekës, Malishevës e sidomos Rahovecit. Në Kosovë ka mbi 345 hektarë me kultivarin Rahoveci, që është edhe më i përhapuri në të gjitha zonat vreshtare, pasuar nga vrançi.

Klima e butë kontinentale e ndikuar nga klima mesdhetare që depërton në Rrafshin e Dukagjinit, janë të përshtatshme për zhvillimin e vreshtave, veçanërisht për varietet e hershme. Kosova i ka 276 ditë me diell në vit që ndihmojnë pjekjen e rrushit e që është relevante për rajonet e njohura për prodhimin e verës. Vreshtat ngrihen në zonat e pjerrëta kodrinore, që i ekspozohen diellit. Lartësia mbidetare ku kultivohet rrushi sillet nga 350 deri në 600 metra.

Në qytetin që pjesë të emblemës së komunës ka kalaveshin e rrushit, Nevruz Deliu i ka në dyqanin e tij të vogël shumicën e brendeve të verarive të Rahovecit. Vetë ai ka punuar 44 vjet në “Bodrumin e Vjetër” para se të privatizohej e të ndahej në dy kompani.

Nuk pranon assesi të flasë para kamerës, por thotë se tashmë është kthyer në adresë të parë në qytet për të gjithë meraklinjtë e verës para se të merrnin udhë drejt bodrumeve, verërat e të cilëve i ekspozon në rafte.

Por shitblerjes i paraprin një punë e gjatë dhe e mundimshme që nis nga vreshtarët në ara.

Avdullah Kërçagu është njëri prej tyre. Në vreshtat e tij sivjet pret t’i vjelë nëntë mijë kilogramë rrush. Thotë se kultivimi i rrushit kërkon përkushtim të madh.

“Vreshtat janë shumë të lashta, tash janë më të modernizuara, e përpara kanë qenë në formën tjetër. Kanë qenë plantazhet. Tash është më lehtë t’i punosh, edhe varieteti është më i mirë, edhe kualiteti del shumë më i mirë”, thotë Kërçagu, cili ankohet se nuk ka mbështetje të mjaftueshme institucionale për vreshtarët.

Dikur Kosova kishte trefish më shumë sipërfaqe me vreshta. Sipërfaqen e reduktuan pasojat e luftës së fundit.

Ana e mirë e motit të thatë

Megjithatë, me kalimin e viteve po ngrihet numri i vreshtarëve, sidomos në Rahovec. 450 prej tyre sjellin rrushin në “Bodrumin e Vjetër”.

Enologu i “Bodrumit të Vjetër”, Esheref Kasapi – por që të gjithë i referohen si Leki – thotë se sivjet cilësia e verës do të jetë më e mirë për shkak të temperaturave të larta.

“Është një ndër vitet e rralla për nga kualiteti i rrushit, do të thotë ka pasur shumë mot me diell, kështu kualiteti i rrushit është shumë i mirë”, thekson Kasapi, teksa shpjegon procesin nga fillimi deri në fund, Leki tregon edhe për ndikimin e pajisjeve më të sofistikuara në cilësinë e verës.

Kultivarët e rrushit për verë të kuqe përfshijnë 48.1 për qind nga sipërfaqja e përgjithshme e vreshtave. Ndërkaq për verë të bardhë, përdoret 25.4 për qind e rrushit. Rrushi i tryezës përfshin 26.5 për qind të sipërfaqes së përgjithshme.

Në “Stone Castle” vreshtarët vazhdojnë të sjellin rrushin e vjelë gjatë të martës.

Fejzullah Berisha, enolog në “Stone Castle”, tregon para kazanëve të ndarjes se si vetëm lëngu i rrushit të bardhë fermentohet për të prodhuar verë të bardhë, ndryshe nga rrushi i zi, që në procesin e fermentimit përfshin komplet kokrrën për verëra të kuqe cilësore.

Mbetjet e rrushit të shtrydhur përdoren për t’i mbrojtur farat e perimeve nga barishtet.

Te kazanët e mëdhenj Berisha ngulmon që të shpjegojë dallimin e procesit të fermentimit.

Image
Në “Bodrumin e Vjetër”, Fidan Haxhijaha tregon arsyen pse njëri prej produkteve kryesore mban emrin “Elephant”, para replikës së skulpturës së gjetur në themelet e bodrumit. Origjinalja ishte marrë atëherë nga autoritetet federative, duke e ekspozuar në një muze të Beogradit. Sipas deshifrimit të arkeologëve, e fejuara e një ushtari romak kishte vizituar ushtarin romak në Rahovec pas luftërave të atëhershme dhe për dhuratë ia kishte sjellë skulpturën

Kroacia, tregu më i madh i verarive të Kosovës

Aktualisht Kosova i ka 37 kompani të licencuara të verës dhe prodhimeve të tjera nga rrushi dhe vera. Tri kompanitë më të mëdha përfaqësojnë rreth 70 për qind të verës së tërësishme të prodhuar në Kosovë.

Veraritë e Kosovës kanë eksportuar më 2019 sasi në vlerë prej katër milionë e 581 mijë eurosh, derisa vjet është shënuar rënie, duke ulur vlerën e eksportit në tre milionë e 723 mijë euro.

Hisja më e madhe e verërave të eksportuar ka shkuar në Kroaci me 49.7 për qind, pasuar në Serbia me 29.7, Shqipëria me 14.7, Bosnjë-Hercegovina me 2.5 dhe Gjermania me 1.2 për qind.

Në vitin 2013 ka nisur për herë të parë subvencionimi i vreshtarëve. Në vitin 2020 sipërfaqja me vreshta ka vazhduar të subvencionohet me një mijë euro për hektar.

Prodhimi i verës ndryshon nga viti në vit, si rezultat i kushteve klimatike. Në vitet pa sëmundje dhe dëme në vreshta, prodhimi sillet nga 9.1 milionë litra deri në 11.8 milionë. Prej vitit 2016 deri më 2020, më 2018 është shënuar shifra më e lartë prej 11 milionë e 744 mijë e 188 litra.

Sipas publikimit “Vreshtaria dhe Verëtaria e Kosovës”, konsumi i verës dallon nga viti në vit, porse mesatarja sillet nga 2.3 deri në 3.2 litra për kokë banori brenda një viti.

“Pirja e verës në Kosovë nuk është e kënaqshme. Është nën çdo nivel të Bashkimit Evropian”, thekson enologu Kabashi, duke treguar se në Francë konsumohet deri në 70 litra verë në vit për kokë banori. “Në Shqipëri është pak më mirë, deri në shtatë-tetë litra verë në vit, ndërsa këtu rajoni i Dukagjinit është pak më mirë, në pjesët tjera jo edhe ashtu siç duhet. Vera është një ndër pijet më të mira në botë. Nuk ekziston asnjë pije tjetër në aspektin shëndetësor, në aspektin kulturor, që tregon një civilizim, më të mirë sesa vera”.

Kryeqyteti i verës pa kryefestën e tij

Por Rahovecit po i mungon edhe sivjet festa më e madhe e tij. “Hardh Festi” nuk është mbajtur qe dy vjet për shkak të pandemisë.

Festa e madhe e rrushit i ka fillet e saja që nga viti 2001, ku në fillim është organizuar nga shoqatat lokale, duke u avancuar dhe marrë epitetin e festës në nivel nacional, e vënë nën patronimin e Presidencës së Republikës së Kosovës për një kohë, si dhe çdo vit e mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Komuna e Rahovecit, si festë e veçantë tradicionale, ku shënohet fillimi i vjeljes dhe mbledhjes së bereqeteve, si kurorëzim i punës së vreshtarëve.

“Festa e Vjeljes së Rrushit” i ofron qytetit të Rahovecit dhe rajonit vreshtar të Kosovës program argëtues mbarëkombëtar dhe rajonal. Njëherësh u mundëson fermerëve, vreshtarëve, prodhuesve të verës, artistëve, rinisë dhe popullatës së kësaj ane mundësinë që të jenë aktivë në jetën shoqërore dhe kulturore.

Image
Sipas publikimit “Vreshtaria dhe Verëtaria e Kosovës”, konsumi i verës në Kosovë dallon nga viti në vit, porse mesatarja sillet nga 2.3 deri në 3.2 litra për kokë banori brenda një viti

Një dolli për dhëndrin emërmadh

Festa e rrushit është kthyer tashmë në mundësi promovimi për Kosovën.

Ciceronia rahoveciane, Mullabazi, thotë se gjatë punës së saj nuk ka promovuar vetëm verarinë ku punon, por edhe qytetin e lindjes.

“Kam promovuar edhe Kosovën në njëfarë forme, do të thotë promovimi që e bëjmë ne këtu është promovim ndërkombëtar, pra jo vetëm vendor për shkak se ne kemi turistë që vijnë nga Koreja, nga Australia, nga Amerika, nga vendet e largëta, që vijnë edhe informohen mbi prodhimtarinë në Kosovë, mbi historikun e Kosovës, traditat e të gjitha këto”, thekson ajo.

Megjithëse sivjet është reduktuar theksueshëm numri i turistëve të huaj për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumë familje, sikurse ajo e Sokol Demëbogajt, po zgjedhin vreshtat e verëraritë e Rahovecit për të mësuar historinë, duke cakërruar njëherësh gotat për datat më të rëndësishme të anëtarëve të tyre.

“Ishim kureshtarë me ditë çfarë prodhimesh kemi se qëndrojmë pak keq me prodhim, edhe sa është kjo, dhe vërtet jemi shumë të kënaqur me prodhimin e verës”, thekson Sokol Dembogaj, teksa me ulje koke merr aprovimin e kryeprotagonistit të festës së familjes.

Nga pushimet e sivjetme në vendlindjen e të parëve kujtimeve të Atdhe Gashit do t’i shtohen edhe ato nga festa e ditëlindjes në qytetin e verës. “Kemi ardhur këtu se e ka emrin e madh”, thotë një tjetër anëtare e Dembogajve, para se të gjithë të rrokin gotat në fuçinë e kthyer në tavolinë, për të ngritur dolli për ditëlindjen e dhëndrit.