Porosia qe e qartë: se një traditë që ka mbi një dekadë e gjysmë që kultivohet, nuk duhet të ndërpritet përderisa ka breza që atë mund ta çojnë përpara dhe ta ruajnë. Prandaj ja ku jemi sërish, të mbledhur në këtë sallë, për t’i kremtuar krijimtarinë dhe talentin. Për ta festuar edhe një ditë të jetuar. Dhe, për ta përuruar librin tim
“Nuk e besoj se do të mund të jem në ceremoninë e radhës, por të lus që t’i përshëndesësh të gjithë në emrin tim. Mos harro t’i falënderosh për përkrahjen në kohët më të rënda dhe për nderimin që na e kanë bërë babit dhe neve gjithë këta vjet. Thuaju se edhe pse 22-shi shënon datën e vdekjes së tij, nuk ka asnjë arsye të vetme që çdo ditë e jetuar të mos festohet. E ne, më datën 22, i festojmë krijimtarinë dhe talentin. Dhe do të vazhdojmë, pavarësisht atij apo asaj që ndalet rrugës në këtë shtegtim”.
Nahir, është emër që në hebraishte do të thotë “i çiltër, i kthjellët”.
Nuk e di se çfarë kanë pasur në mend gjyshërit e mi kur e zgjodhën këtë emër për të, por e besoj se zor do të kishin gjetur emër që do t’i përshtatej më shumë personalitetit të saj.
E çiltër dhe e kthjellët, pasi më mori në pyetje për t’u siguruar se të gjitha përgatitjet për ceremoninë ishin bërë me kohë, para rreth një muaji ma dha udhëzimin që jua përcolla në fillim, në formë të falash nga Nahiri.
Porosia qe e qartë: se një traditë që ka mbi një dekadë e gjysmë që kultivohet, nuk duhet të ndërpritet përderisa ka breza që atë mund ta çojnë përpara dhe ta ruajnë.
Prandaj ja ku jemi sërish, të mbledhur në këtë sallë, për t’i kremtuar krijimtarinë dhe talentin. Për ta festuar edhe një ditë të jetuar.
Dhe, për ta përuruar librin tim.
* * *
Derisa nuk i kisha mbushur nja katër vjet, Nahiri kishte të drejtën e plotë për të vendosur se çfarë duhet të veshja e si duhej t’i mbaja flokët. Shumë herët pra u desh të ballafaqohej me rebelimin e një kikiriku që nuk i kishte asnjë metër gjatësi. Shpejt do ta kuptonte se, pak a shumë, këtë betejë e kishte humbur: luftonte kundër qenies së cilës i kishte dhënë jetë, e që kishte dalë më kokëfortë se ajo vetë.
Përpjekjet e saj disadekadëshe për të më bindur se më mirë është të veshësh fustan sesa farmerka a pantallona, kaluan në luftë të përhershme për përkufizimin e asaj se çfarë do të thotë “të vishesh normal”.
Me përkeqësimin e gjendjes në Kosovë, që përshkallëzoi në luftë, Nahiri më në fund e pranoi se “të vishesh normal” nënkuptonte farmerka, patika, bluza e xhemperë. Mundësisht edhe një xhaketë jo fort të gjatë, por të ngrohtë për dimër. Aq e pranoi, saqë pa më pyetur, sërish, e luti vajzën time të tezës, Lulën, që në Amerikë t’ma blinte një xhaketë për dimër.
U tha, u bë. Xhaketa u ble dhe arriti në Prishtinë. Tamam për luftë. Ishte e kaltër me shumë xhepa. Kur përfundoi lufta, nuk doja më as t’ia lëshoja sytë. Më ishte bërë burim traumash që nuk doja t’i përjetoja sërish.
* * *
“Çka po bën?”, më pyeste, tek më shihte të ulur në ballkon, para kompjuterit, derisa njëkohësisht shkruaja dhe i ndiqja mushkonjat.
“Po i bëj konkurrencë Vetonit”, i thosha
“A enciklopedi po shkruan? Qe tre muaj je ngjitë për atë kompjuter. Lene, pusho pak”.
“Qysh thua ti: me qenë lehtë me mbajt shpi, Kola jem i kish mbajt tri... Qeky Kola po mundohet me i lidhë fijet e me i përmbledhë kujtimet. Po e shkruaj librin e vonuar të luftës. Më duket se ia kam borxh vetes”.
Por, borxh ia kisha edhe Nahirit.
Shkrimi i copëzave të një historie, siç e kam jetuar vetë, ishte dërrmues, dhe kjo më së miri edhe e shpjegon se pse m’u desh kaq shumë kohë për t’i radhitur në fjali e periudha. Përfundimisht ka qenë ikje nga përjetimi i ankthit dhe i pashpresës të asaj kohe. Pas gjithë këtyre vjetëve dhe tash në këtë moshë, këtë përjetim të dytë ia dola ta përballoja mbase më lehtë, por me shterje të plotë të fuqisë emocionale, por edhe fizike pas secilit kapitull.

* * *
Fundi i shkurtit para 25 vjetësh ia zbuloi botës ekzistimin e dy fshatrave të vogla në Drenicë, që pakkush dinte madje edhe se ekzistonin. Në Likoshan e Çirez, në një aksion në të cilin ishin angazhuar madje edhe helikopterët policorë, u vranë dhe u ekzekutuan 24 veta.
Ende, pas gjithë këtyre vjetëve, kujtoj fotografitë e viktimave, disa syresh me fytyrat plotësisht të shpërfytyruara. Ishte po ajo ditë kur kishte nisur ueb-faqja “ARTA” – ku ekipi i zellshëm i gazetës “Koha Ditore” kishte nisur të postonte lajmet edhe në gjuhën angleze, përcjellë nga ajo që atëherë e kishim quajtur “Galeria e tmerrit”: fotografitë e viktimave ashtu të rënda siç ishin. Për fat të keq, kjo galeri do ta përjetonte zgjerimin pas vetëm pak ditësh me fotot nga Prekazi, e më vonë, ndër të tjera, edhe nga Lybeniqi, Deçani, Rahoveci e Reçaku...
Në takimet e para me disa nga të mbijetuarit e këtij fillimi të luftës në fshatrat drenicase, u mahnita me qëndrimin stoik, sidomos të grave, të cilat përpiqeshin ta vazhdonin jetën për hir të fëmijëve të mbijetuar, nëpër shtëpitë që ishin bërë shoshë nga plumbat e gjithfarë kalibri, ku secila vrimë ua kujtonte kiametin e përjetuar dhe mungesën e atyre që më nuk ishin.
E pas gjithë këtyre vjetëve, ende e kam shumë të çiltër pamjen e Malishevës ditën kur zbulova se buldozerët i kishin pastruar rrënojat e dyqaneve që bandat serbe i kishin djegur për pikë të qejfit. Sikur të ishte dje, vështirë e absorboj faktin se brenda katër ditësh u dogjën 27 fshatra të Rahovecit derisa, siç do të na tregonin, njerëzit ishin detyruar, nën kërcënimin e tytës së tankut, të vështronin se si po ua vidhnin shtëpitë para se t’ua vinin flakën. Ende më mbush mllef kujtimi i kolonës së traktorëve pa rimorkio, që për ngasës kishin policë serbë në uniforma kamuflazhi blu, që po nxirreshin nga Juniku në drejtim të kamionëve transportues për në Serbi.
Për të mos harruar kurrë janë Sllapuzhani i bërë llom dhe i panjerí kur desh na ekzekutuan; Skenderaj i boshatisur dhe një grusht mjekësh shqiptarë të ngujuar në Shtëpinë e shëndetit në përpjekje për ta shpëtuar objektin; Çirezi me shtëpinë trekatëshe që kishte strehuar afër 200 të përndjekur dhe të cilët kur flinin, nëse flinin, dukeshin sikur sardele në konservë apo edhe Loxha e shkatërruar barbarisht.
Të gjitha përjetimet nuk kanë zënë vend në këtë libër, për shkak se një pjesë e tyre ishte përsëritje e asaj që kishim parë e dëgjuar një ditë a një javë më herët – sepse dhuna e ushtruar nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbë ishte sistematike dhe me plan të qartë: frikësimi, vrasja, plagosja, dhunimi, dëbimi, djegia, shkatërrimi. Thuajse gjithmonë, pa përjashtim, objektet e para që digjeshin ishin shkolla dhe ambulanca.
* * *
Secila dalje në terren bartte rrezik. Që nga dita e parë kur nisëm të dalim, ishim pajtuar me faktin se mund edhe të mos ktheheshim në shtëpi atë ditë. Armë nuk kishim, por ishim të armatosur me vullnetin për ta bërë krejt çfarë kishim në duar për t’u ofruar përkrahje atyre që i vuanin pasojat e sadizmit fashist serb.
Pas humbjes së babit, Nahiri nuk lejonte të thyhej emocionalisht.
Nuk e di se nga e merrte fuqinë, mbase e ka pasur me të lindur, që në kohën kur jo rrallë Vetonit i kërcënohej jeta, e unë nuk mbërrija të kthehesha në shtëpi para mesnatës, të mos e rrezatonte asnjë fije mërzie.
E di që ndihej më e qetë sa herë i telefononim për t’i treguar se ishim nëpër zyra. Gjithashtu e di se nuk ulej të hante pa më pritur që t’i bashkohesha, qoftë edhe në mesnatë.
U mësua ta lexonte shkallën e ngrysjes së fytyrës sime dhe t’i kalibronte pyetjet sipas nivelit të mërrolave: sa më e mërrolur unë, aq më pak pyetje ajo. Dhe që në fund të edhe një dite, ta ndanim një gëzim: ne megjithatë e kalonim natën në shtëpi. Ne megjithatë ishim larg luftës.
* * *
Ky libër flet për heronjtë që këtë luftë nuk e luftuan me armë. Dhe në këtë grup nuk i përfshij rreth 100 shqiptarët që punonin në organizatat ndërkombëtare, për shkak se ky punësim u ofronte njëfarë lloj mbrojtjeje në terren.
Heronjtë e këtij libri ndonjëherë edhe nuk kanë emër, për shkak se nuk ua kam shënuar, e jo pse nuk ekzistojnë. Janë njerëz që u përkushtuan me gjithë qenien që të mbërrinin kudo që kishte nevojë për të ofruar ndihmë e për ta përkrahur popullatën e katandisur. Janë njerëz që në të shumtën u lanë në hije pas luftës, sepse qëllimin nuk e kishin te pushteti, por te jeta me ndërgjegje të pastër.
* * *
Para se ta përmbyll, dua t’i falënderoj të gjithë ata që nuk hoqën dorë nga presioni që ma bënin kohë pas kohe gjatë shumë vjetëve për ta shkruar këtë libër. E falënderoj në veçanti Granitin që e redaktoi librin me shumë kujdes dhe që sot kaq bukur e paraqiti para jush.
Të mbijetuarit e luftës, besoj, e kemi obligim që t’i dëftojmë ato që i përjetuam viktimat më të mëdha të kësaj lufte – civilët që fillimisht u bënë syrgjyn në tokë të veten duke shtegtuar prej një mali në tjetrin, në kërkim të shpëtimit, e më pas u dëbuan jashtë Kosovës, kur Serbia u përpoq që ta zhdukte një popull të tërë.
Sot, e veshur gjysmë normal, kam ndjenja të përziera.
Enciklopedi nuk shkrova dhe sado që libri duket i vëllimshëm, ai ka shumë fotografi që kanë folur shumë më mirë sesa që unë kisha ditur të shkruaj. Dhe fakti se libri doli, më bën të ndihem e përmbushur.
Nga ana tjetër, ndiej pikëllim që librin nuk do ta shohë ajo së cilës ia kushtova: Mamit, për stoicizmin, dinjitetin, zemërgjerësinë dhe dashurinë të pafund.
Kam mundur t’i shtoja edhe “për modestinë”, por po frikohem se do të më thoshte: “Mos e tepro!”
Nahir, uroj që të kemi bâ krenare.
Faleminderit shumë!
Fjalë e lexuar në edicionin e 16-të të ceremonisë për shpërblimin vjetor “Rexhai Surroi” për gazetari dhe letërsi, më 22 dhjetor 2023