Shtojca për Kulturë

Dukuritë neofashiste në Mal të Zi – dëshmi e mjedisit të pakonsoliduar

Ndonëse dukuritë e neofashizmit në Mal të Zi kanë qenë të pranishme edhe më herët, prej viti 2020 me rastin e rotacionit të pushtetit, kjo çështje është bërë shqetësuese, ku më të rrezikuar vazhdimisht kanë qenë pjesëtaret e popullit boshnjak, shqiptar, kroat e së fundmi edhe të malazezëve, duke rrezikuar të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve në këtë mjedis multinacional. Kjo është dëshmi e një mjedisi të pakonsoliduar. Mbetet çështje e hapur dilema se a mund ta luftojnë antifashizmin ata që janë pjesë e ideologjisë neofashiste në Mal të Zi, ku Kisha Ortodokse Serbe është promotor i veprimeve të tilla

Nuk ka dilemë se dukuritë neofashiste në Mal të Zi janë prodhim i ambientit të pakonsoliduar që është i pranishëm në këtë mjedis, si rezultat i veprimit të Kishës Ortodokse Serbe, e cila më veprimet destruktive është duke vepruar si shteti në shtet, sipas ideologjisë serbomadhe e mbështetur nga partitë serbe të cilat si mision kanë realizimin e programit të botës serbe.

Dhe prezantimi i kësaj politike nuk është befasi dhe as e panjohur në këtë vend, sepse ajo ishte e pranishme nga rënia e sistemit monist në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Kemi të bëjmë me kohën e fillimit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, por edhe me paraqitjen publike të politikës serbomadhe në definimin territorial të hapësirës serbe në këtë shtet, ku ndihmesë u ka dhënë edhe pushteti në Mal të Zi. Për opinionin e gjerë është e njohur se skenariste e kësaj politike ishte Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, përmes projektit të Memorandumit të vitit 1986. Në këtë aspekt nuk ka qëndruar në heshtje as Kisha Ortodokse Serbe (KOS), sepse ajo ka bërë edukimin shpirtëror për misionin e serbizmit, që ishte binom i pandarë me politikën shtetërore serbe.

Ndërsa, pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit 2020, me rastin e ndryshimit të pushtetit, ku DPS-i, pas 30 vjetëve kalon në opozitë, skena politike në Mal të Zi mori përmasa të tjera. Kemi të bëjmë fillimisht me euforinë e fitores nga ana e konceptit klero-nacionalist serb, e ndihmuar drejtpërdrejt nga Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, e cila ka luajtur rolin dominues në ndryshimin e pushtetit në këtë mjedis.

Të rrezikuar boshnjakët, shqiptarët, por edhe malazezët

Dukuritë neofashiste në Mal të Zi kryesisht janë bërë pjesë e mjediseve ku jetojnë pjesëtarët e popujve pakicë ku veçohen boshnjakët, shqiptarët dhe kroatët. Ato manifestohen përmes shkrimit të parullave të ndryshme si dhe këndimit të këngëve shoviniste, siç është rasti kundër boshnjakëve dhe pjesëtarëve të konfesionit islam ku veçohet qyteti i Plevlës. Ndërsa ditë më parë me rastin e festës së Shën Savës në tubimin e organizuar në Nikshiq janë fyer përsëri boshnjakët duke i akuzuar si “turq”, nga del se retorika shoviniste vazhdon të jetë e pranishme. Nga ana tjetër, rrahja e shqiptarëve nga Shqipëria në Herceg Novi, pas Vitit të Ri pa asnjë shkas dëshmon qasjen neofashiste ndaj qytetarëve të përkatësisë tjetër kombëtare.

Ndërsa nga kjo dukuri nuk janë imun as vetë malazezët, të cilët veten e shohin të rrezikuar nga politika ekspansioniste serbe, e cila mohon identitetin malazias, ku këtu prezantohet përmes partive politike serbe dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila këtu llogaritet si filial i pushtetit të Serbisë. E duke ditur se politika serbe është vazhdimësi e asaj ruse, duke rrezikuar të tashmen dhe të ardhmen e regjionit. Ekspozimi i politikës së tillë dëshmon se Mali i Zi, vazhdon të jetë një mjedis i pakonsoliduar shoqëror e politik edhe pas tri dekadave në pluralizëm.

Image
Në lidhje me dukuritë neofashiste në Mal të Zi, ditëve të fundit kemi dy paraqitje tipike të cilat kanë shqetësuar qytetarët. Njëra prej tyre është ngjarja e 2 marsit, në karnavalin e Herceg Novit u dogj kukulla me figurën e shkrimtarit dhe intelektualit, Andrej Nikollaidis

Studentët pa njohuri elementare

Nga viti 2020 në Mal të Zi me rastin e rotacionit të pushtetit dukuritë e neofashizmit janë bërë pjesë e politikës ditore. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse kemi të bëjmë me një mjedis heterogjen në aspektin nacional e të ndarë politikisht, që ka marrë përmasa shqetësuese edhe pas ndryshimit demokratik të pushtetit më 30 gusht 2020. Pasi nuk kemi ndonjë hulumtim të veçantë të opinionit në lidhje me këtë çështje, me këtë rast po cekim hulumtimin e realizuar nga organizata joqeveritare “Qendra për edukim qytetar” (CGO) të para dy vjetëve, që janë të dhëna me interes për të kuptuar realitetin shoqëror në Mal të Zi, në lidhje me dukuritë e neofashizmit në këtë mjedis. Kështu sipas të dhënave, del se 77.5 për qind e studentëve nuk dinë të numërojnë tri personalitete antifashiste nga Mali i Zi, vetëm 43.6 për qind dinë të numërojnë tri shtete të lëvizjes antifashiste, ndërsa 23 për qind nga ata nuk dinë se pse festohet 13 korriku në Mal të Zi (!?).

Pasojë nga zhvlerësimi i arsimit

Të dhënat e tilla janë dëshmi e nivelit dhe zhvlerësimit të arsimit që ishte bërë monopol i partisë në pushtet për tridhjetë vjet, duke e trajtuar këtë veprimtari shoqërore pa vlerën e merituar me kuadro e drejtues partiakë, të përshtatshëm për pushtetin. Dhe nga një pushtet i tillë arsimor nuk ka ekzistuar shqetësim se me çfarë programesh do të mësojnë nxënësit dhe kush i inspekton ato për të përfituar njohuri optimale për t’u ballafaquar me të shkuarën jo vetëm nga Lufta e Dytë Botërore. Andaj, nuk duhet të na befasojnë paraqitja e dukurive neofashiste si në Plevle, Tivar, Berane, Herceg Novi e gjetiu në Mal të Zi. Pa dilemë këta të rinj nuk janë vetëm prodhim i mjedisit mediatik të infektuar dhe të skenës politike nga vitet 90-ta të shekullit të kaluar, por edhe të një trashëgimie nga koha e monizmit me pasoja shoqërore.

Vetëm në shoqëritë të cilat nuk janë ballafaquar me të shkuarën, ku Mali i Zi është rast tipik i kësaj kategorie, ekziston mundësia e paraqitjes së dukurive neofashiste, ku në këtë periudhë kohore në shoqërinë malazeze ka dominuar vetëm një parti e kjo është DPS-i.

Si do të përgjigjeshin nxënësit shqiptarë?

Në lidhje me këtë çështje do të ishte me interes të realizohej një hulumtim i tillë edhe me nxënësit shqiptarë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Pa pasur ndonjë paragjykim në këtë aspekt, dyshoj se do të kemi ndonjë rezultat të kënaqshëm, sepse kemi programe unike arsimore e me këtë edhe përgjigjet pothuaj do të jenë identike.

Por, edhe po të bëhej hulumtimi për ngjarje nga historia e tradita shqiptare, dyshoj se do të kishim përgjigje pozitive, sepse nuk kanë mundësi të mësojnë për çështje të tilla. Sepse historia nuk fillon me Luftën e Dytë Botërore, dhe me vendosjen e pushtetit të komunistëve, me qasje ideologjike që ishte praktikë e monizmit!

Pikërisht nga një qasje e tillë vazhdojmë të kemi edhe koncepte të kundërta në mes shqiptarëve e malazezëve, sepse rrethimin e Shkodrës në Luftën Ballkanike malazezët e mësojnë në shkollë si çlirimtare, ndërsa në realitet ajo ishte luftë pushtuese për zgjerim territorial të Malit të Zi. Andaj, është kërkesë emergjente rishkrimi i historisë, duke eliminuar qasjen ideologjike dhe konceptet hegjemoniste.

Në tekstet shkollore duhet të mësohet e vërteta. Ndërsa nëse në librat e historisë duhet mësuar për kohën me të re në Mal të Zi, sidomos për ngjarjet e viteve 1988, e më pas që ka të bëjë me të ashtuquajturin revolucion antiburokratik, si dhe luftën në Dubrovnik (1991), ku kanë marrë pjesë edhe malazezet, atëherë duhet cekur udhëheqësit e Malit të Zi. Nëse atëherë ishin në mbështetje të politikës serbomadhe, më pas nga viti 1997, u distancuan nga ajo, por faktet janë të arkivuara. Sepse kemi të bëjmë me ngjarje që i kemi përjetuar të gjithë si qytetarë në këtë vend. Çështjet e tilla duhet të prezantohen ashtu siç kanë qenë, me të gjithë kompleksitetin e tyre, sepse nxënësit duhet të dinë të vërtetën. Andaj, dukuritë e neofashizmit nuk janë befasi, sepse “çka ke mbjellë do të korrësh“, ku pushteti malazez, ishte pjesë e së kaluarës jo të lavdishme në të kaluarën e afërt. Këtu qëndron problemi në sistemin arsimor, sepse është punuar pak apo aspak në këtë drejtim, kur është në pyetje edukimi dhe arsimimi i brezit të ri. Sepse, nëse shkolla nuk ka bërë detyrën e vet, tek ortodoksët, atë e ka kryer Kisha Ortodokse Serbe, ku deri sa ishte gjallë mitropoliti A. Radoviqi, më tepër merrej me politikë sesa me çështje teologjike, andaj nuk ishte befasi mbështetja e tij nga qytetarët në Mal të Zi, si prijës shpirtëror.

Karnavali me flakën neofashiste

Në lidhje me dukuritë neofashiste në Mal të Zi, ditëve të fundit kemi dy paraqitje tipike të cilat i kanë shqetësuar qytetarët.

E para ka të bëjë me rastin e ardhjes në Podgoricë më 27 shkurt e M. Dodikut, kryetarit të entitetit të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë ku është pritur nga Andrija Mandiqi, kryetar i Kuvendit të Malit të Zi. Ardhja e tij ka irrituar qytetarët e Podgoricës, të cilët para Kuvendit protestuan me pankarta të ndryshme, ku veçohej ajo “fashistët”, që ka të bëjë pikërisht më datën e 27 shkurtit 1993, kur janë rrëmbyer 22 qytetarë boshnjakë të cilët me pas janë likuiduar nga forcat paramilitare serbe, vetëm se kanë qenë pjesëtarë të popullit boshnjak.

Dhe e dyta ka të bëjë më datën 2 mars me rastin e natës përmbyllëse të karnavalit në Herceg Novi, ku në fund siç është praktikë u dogj kukulla. Por, kësaj here e veçantë ishte se ajo ishte me figurën e shkrimtarit dhe intelektualit Andrej Nikollaidis, që nxiti reagime në Mal të Zi. Një veprim i tillë nga organizatoret të kujton thënien e Heinrich Heines se “ata që djegin librat në fund djegin edhe njerëzit”.

Askush nuk mund të jetë indiferent

Në sajë të rrethanave aktuale shoqërore në Mal të Zi, mbetet çështje e hapur dilema se a mund ta luftojnë antifashizmin ata që janë pjesë e ideologjisë neofashiste në Mal të Zi, ku Kisha Ortodokse Serbe është promotor i veprimeve të tilla, pa përjashtuar edhe individë nga partitë proserbe, nga koha e miratimit të pluralizmit politik.

Askush nuk mund të jetë i qetë dhe indiferent në Mal të Zi me paraqitjen e neofashizmit, sepse kemi të bëjmë me një dukuri e cila dëshmon pasiguri tash dhe në të ardhmen. Ndonëse është menduar se një dukuri e tillë i takon së kaluarës, del se jemi mashtruar, sepse dukuritë neofashiste në praktikë na demantojnë në vazhdimësi, që është në kundërshtim me konceptin e barazisë qytetare e nacionale të një mjedisi multinacional dhe multikulturor.