Kur ka arritur në edicionin e 23-të festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka ndërruar rëndësinë e kategorive. Tashmë Gara Kombëtare dhe jo ajo Ballkanike do të jetë kryesorja e ngjarjes më të madhe të filmit që ka Kosova. Pas maratonës së filmave për 9 ditë, “DokuFest” ka shpërblyer më të mirët. “Si e verdhë e sëmurë” nga Norika Sefa ka marrë çmimin kryesor të festivalit, atë të Garës Kombëtare, përderisa në kategoritë e tjera kanë triumfuar rrëfime që prekin prej gjenocidit e deri te fenomenet e ndryshme shoqërore
Duke konsideruar se kinematografia vendore është në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe se vala e re e kineastëve meriton përkrahje sa më të madhe, i 23-ti edicion i “DokuFestit” është i pari ku Gara Kombëtare vjen në qendër të festivalit. Fituesi i sivjetmë është filmi i shkurtër “Si e verdhë e sëmurë” nga Norika Sefa.
Ajo është shprehur se Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër ka qenë gjithmonë inspirim për të.
“‘DokuFest’ ka një rëndësi shumë të madhe me mënyrën siç unë bëj filma dhe ka qenë një vend ku gjithmonë jam inspiruar shumë. Kjo javë ka qenë fantastike, me njerëzit që kam takuar e me temat që kemi folur. Të përfundojë kështu po duket shumë e veçantë”, ka thënë regjisorja Sefa, pasi ka pranuar çmimin.
Sefa shpalos histori magjepsëse nga videokasetat e vjetra të historive të familjeve, anëtarë të të cilave nuk janë më. Aty ndërthuren bukuria dhe e trishta, duke ndërtuar rrëfime unike.
Juria e përbërë nga Anna Henckel- Donnersmarck, Armando Lulaj dhe Oana Ghera ka përzgjedhur fituesin e Garës Kombëtare.
Në ceremoninë e mbylljes u bë e ditur se Festivali me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e ka rritur vlerën e Çmimit të Garës Kombëtare.
Ministri Hajrulla Çeku ia ka ndarë çmimin.
“Përgëzime për ekipin për një tjetër edicion të suksesshëm. Në emër timin, të atyre që janë këtu dhe atyre që nuk janë, në emër të kryeministrit Albin Kurti, ju sigurojmë se mbështetja do të jetë serioze dhe e qëndrueshme”, ka thënë ai.
Çmimi i “Balkan Dox” për rrëfimin me dy shqiptarë
Sivjet një tjetër filmi shqiptar i takon çmimi “Balkan Dox”. “Edhe një ditë” i Eneos Çarka që përcjell kronologjinë e shkatërrimit të shoqërisë së dy artistëve të rinj shqiptarë në Itali është fituesi i edicionit të 23-të nën temën “New Order” (Rendi i ri).
Në 84 minutat e dokumentarit shpaloset rrugëtimi emocionues për disa vite i Besmir Sulës dhe Rafael Hoxhajt nga Shkodra. Kamera e regjisorit Çarka i shfaq ata duke shpalosur artin e tyre në rrugët e Italisë. Ky ishte krejt qëllimi i filmit dhe ajo çfarë regjisori donte të rrëfente. Por raportet e tyre vëllazërore kishin marrë kahe të tjera. Ishin përçarë dhe që nga ajo ditë gjithçka që ata kanë ndërtuar bashkë është shkatërruar.
Juria në përbërje prej bullgares Dina Iordanoca, turkes Somnur Vardar dhe Stefan Pavloviq që jeton në Amsterdam, e kanë vlerësuar këtë rrëfim si më të mirin në garën e filmave ballkanikë.
Skenat zhvendosen edhe në Shkodër, në qytetin e tyre nga ata vijnë. Aty bëhet e ditur se Besmiri ka ostegonozën, një sëmundje që nuk lejon forcimin e kockave.
Por krejt kjo është në fillim të dokumentarit. Introja është një lloj prezantimi i shkurtër i raportit të tyre tani e më pas gjithçka nis nga pika fillestare ku ata luanin bashkë e te të tjerët prezantoheshin si vëllezër. Deri te pika që sot nuk kanë kurrfarë kontakti.
“Nuk jemi vërtet vëllezër, por jemi vëllezër në jetë. Mendoj se kjo është më e rëndësishme sesa ta kesh vëlla prej gjaku”, i thotë Rafaeli njërit prej turmës që ishte mbledhur për të parë performancën e tyre në qytetin e Milanos.
Pas një kohe nisin shenjat e vogla të një krisjeje të madhe midis tyre. Ata madje nisin të performojnë vetëm nëpër sheshe a me të tjera grupe.
Premierë në “DokuFest” u dha më 4 gusht në “Kino Lumi” me praninë e regjisorit. Pasi ka pranuar çmimin, ai ka thënë se ndihet tejet mirë.
“Nuk para ndodh të fitoj, të marr çmim në një festival shqipfolës. ‘DokuFest’ është festival në të cilin jam rritur. Këtu kam shfaqur filmin e parë në moshën 20-vjeçare. Faleminderit ekipit që ka punuar për pesë vjet në këtë projekt. Kështu që, viva ‘DokuFest’”, ka thënë ai.
“Mirënjohje Speciale” ka marrë “Stray Bodies”. Si hapja, ashtu edhe mbyllja është zakon të bëhet në ambientin e jashtëm të kinemasë “Lumbardhi”.
Festivali sivjet është konsideruar si ekran i pacensuruar, veçmas kur bie fjala tek interesi i shoqërisë. Imazhet e luftërave dhe periudhat pas saj në vende të ndryshme të botës, kanë qenë njëri segment i temave midis 249 filmave gjithsej në garë e jashtë gare që janë shfaqur në këtë edicion. Vetë tema e këtij edicioni ka synuar të reflektojë në botën e trazuar nga luftërat.
Zhdukja e kthimi i kujtesës
“A fidai film” nga palestinezi Kamal Aljafari është shpallur më i miri në kategorinë “International Feature Dox”. Aljafari nuk ka qenë i pranishëm por i është drejtuar publikut me një videomesazh duke e falënderuar Festivalin për çmimin.
Filmi i gjatë tregon sesi gjatë ndërhyrjes ushtarake në Liban në verën e vitit 1982 u sekuestrua koleksioni arkivor i fotografive dhe filmave nga Qendra e Kërkimeve Palestineze në Bejrut. Regjisori Kamal Aljafari i rimerr këto imazhe që janë ruajtur nga ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes e Izraelit dhe kësisoj - siç shkruhet në përshkrimin për filmin - pengon përpjekje për të fshirë një popull të privuar nga kujtesa vizuale.
Çmimin për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar të Shkurtër e ka fituar “History is written at night” nga Alejandro Alonso.
Ai shfaq errësirën në Kubë me rrugët e pasigurta të vendit. Nëna e regjisorit është personazhi. Aty janë vizionet e saj të tmerrshme.
Regjisori nuk ka qenë i pranishëm, por është shfaqur nëpërmjet ekranit. Ku ka thënë se çmimi e fuqizon dhe i jep motiv për të vazhduar për të punuar dhe për ta ndarë kinematografinë e tij.
Çmimin e ka shpallur drejtori artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, Veton Nurkollari. Pak para shpalljes së fituesit në këtë kategori janë fikur dritat.
“Kjo më përkujton fillimet e ‘DokuFestit’ kur festivali punonte gjithë kohën me gjenerator”, ka thënë Nurkollari.
“Best short film” ka fituar filmi “The death of a hero” nga Karin Franz Körlof që ka në qendër një të ri në një të kullës së kishës që bie përtokë dhe vdes. Por për ta bërë këtë ai merr një shumë të madhe parash. Njerëzit mblidhen ta shohin “spektaklin”, por ai vdes dhe entuziazmi i tyre shndërrohet në zhgënjim.
Regjisorja ka qëndruar në Prizren për disa ditë, por jo deri në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
“Jam e shokuar dhe shumë e lumtur. Kjo ka shumë rëndësi për mua. Do të doja të isha atje ta pranoja filmin, por u desh të kthehem në Suedi. Festivali ishte i mrekullueshëm. Fryma e festivalit ishte e mahnitshme me shfaqje filmash, diskutime, ndeja. Faleminderit për mikpritjen e jashtëzakonshme!”, ka thënë ajo nëpërmjet një videomesazhi.
Çmimin e ka pranuar producentja e filmit, Melissa Lindgren.
Mirënjohje Speciale ka marrë filmi “Dreams like paper boats” nga Samuel Suffren.
Ai ka falënderuar nëpërmjet një videomesazhi duke thënë se çmimi shkon për vendin e tij, Haitin.
“DokuFest” ka të drejtën të nominojë kandidatë për filmin më të mirë të shkurtër evropian. Fituesi i kësaj gare është kandidat i festivalit për këtë kategori të Akademisë Evropiane të Filmit.
“Best Human Rights Dox” është zgjedhur dokumentari “Silence of the Reason” nga Kumjana Novakova. Ndërtohet nga pamjet arkivore dhe dëshmitë e mjekëve ligjorë. Ai vepron si kujtesë më vetvete duke shpalosur përvojat e dhunës dhe torturës ndaj grave nga kampet e përdhunimeve gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.
“Faleminderit shumë! Doja të thosha se ‘DokuFest’ është shumë i rëndësishëm, si një mrekulli. Kam qenë shumë e lumtur të rritem këtu si filmbërëse dhe të krijoj kujtime”, ka thënë regjisorja në skenë.
Çmimin në kategorinë “Truth Dox” e ka fituar “23 Mile” nga amerikania Mitch McCabe.
Në film regjisorja bisedon e dëgjon njerëzit në rrugë në kryengritjet dhe tubimet e organizuara. Këto rrëfime sfidojnë stereotipet, “duke krijuar një portret kompleks dhe të nuancuar të ideve, perceptimeve, betejave të vazhdueshme”.
“Dua të ju falënderoj shumë për këtë çmim. Fatkeqësisht u sëmura dhe u desh të largohesha më herët sesa duhej, por u kënaqa në festival, takova njerëz shumë të mirë. Nuk mund të jem më e lumtur. Faleminderit Veton dhe gjithë stafit të festivalit që e keni bërë këtë festival një përvojë të paharrueshme!“, ka thënë ajo nëpërmjet një videomesazhi.

“Afterwar” më i miri nga publiku
Çmimin e Audiencës e ka fituar “Afterwar” nga Brigitte Staermose.
“Kemi qenë edhe në Berlin por kaq shumë publik nuk ka pasur”, ka thënë njëri prej protagonistëve në film.
Filmi ndjek të rinjtë në Prishtinë për 15 vjet që fëmijëria e jeta më pas ka qenë e vështirë për ta. Ata janë shitës rrugësh.
Çmimin “Green Dox” e ka fituar “Apple Cider Vinegar” nga Sofie Benoot
Regjisorja me këtë film dokumentar e narracionin e saj tregon një histori të harruar. Filmi bën pyetje urgjente ekologjike dhe shikuesin e çon në një udhëtim duke takuar punëtorët palestinezë të guroreve, një gjeolog britanik dhe njerëzit përreth.
“Faleminderit Kosovë, faleminderit ‘DokuFest’, faleminderit audiencë!”, ka thënë ajo.
“Mirënjohje Speciale” ka marrë filmi “Lichens are the way” nga Ondrej Vavreçka.
Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet për të dytin vit me radhë e jep çmimin “Talent Doc Award”.
Drejtoresha e këtij institucioni, Blerta Zeqiri, e ka kumtuar fituesin – “Krahët e punëtorëve” të Ilir Hasanajt.
Dokumentari ka për protagonistë personazhe që kanë të kaluar të dhimbshme në vendet e tyre të punës. Ata tregojnë se kanë punuar shumë lloje punësh për pak para, aq sa për ta mbajtur familjen. Audioja si një tension i lehtë përbrenda e ilustron krejt rrëfimin. Plagët e tyre ende lëngojnë.
Aty regjisori Hasanaj u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të tre protagonistëve në dokumentar, Milazimi, Fatmiri dhe Liridoni. Në 19 minuta filmi i shkurtër dokumentar ndërtohet si homazh poetik e eksperimental.
“Falënderoj jurinë për këtë vlerësim të punës që e kam ndarë me shumë dashuri me ekipin tim dhe dua të falënderoj shumë punëtorët që e kanë mundësuar të kuptoj kushtet dhe hallet e punëtorëve në Kosovë”, ka thënë Hasanaj derisa ka përmendur shifrat e lëndimeve dhe vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës. Ato flasin për rritje të këtij numri.
“Kjo ka qenë për mua arsyeja më e madhe që filmi ekziston dhe dua t’ua dedikoj të gjithë punëtorëve të shtypur që detyrohen të punojnë në kushte të vështira për të siguruar një kafshatë buke”.
Çmimin e Distribuimit e ka marrë filmi “Remember2Human” i Durim Klaiqit.
“Faleminderit për përzgjedhjen dhe mbështetësit që e bëjnë të mundshëm. Do të thosha vetëm se në filmin tim kam përdorur inteligjencën artificiale, por e gjithë qëllimi ka qenë të nxis debate sepse kjo teknologji po injorohet nga bota e artit. Kështu që aman studiojeni dhe jepni më shumë vëmendje”, ka thënë Klaiqi.
Filmi përshkruhet se flet për një të ardhme të pacaktuar ku kujtimet e ndaluara sfidojnë kujtesën kolektive. Kjo kujtesë kolektive në dokumentar paraqitet si një bazë e të dhënave që përmban kujtime. Peizazhet duken si udhëtime dhe kalime në kohë. Pamjet më pas nga Prishtina zhvendosen në Tiranë.
Imazhi i përhershëm i ceremonive të hapjes dhe mbylljes është ai i vërshimit prej njerëzve para derës së kinemasë “Lumbardhi”. As një karrige e vetme nuk ka mbetur e zbraztë. Nëpër shfaqje filmash publiku mund të shpërndahet, por kur bëhet një, shumë prej dashamirëve të festivalit mbesin jashtë portave pasi kinemaja nuk i akomodon të gjithë.
Ceremoninë e mbylljes, sikur atë të hapjes dhe çdo shfaqje të filmit, e parapriu introja e festivalit. Një prezantim i shkurtë i aktivitetit të edicionit të sivjetmë dhe falënderim për publikun është skenari që nuk do shumë të flasë.
Rikonceptimi i Festivalit
Krejt në fillim janë shfaqur dy filma të shkurtë të punuar nga fëmijët gjatë punëtorive që janë zhvilluar në kuadër të programit “DokuKids” dhe një material me prapaskenat e gjithë aktiviteteve të mbajtura në Qendrën për Trajnime dhe Inovacion në Prizren. Si zakonisht është shfaqur edhe puna e vullnetarëve si dhe prapaskenat e shfaqjes së filmave dhe të tjera aktivitete.
Brenda dhjetë ditëve të festivalit janë shfaqur gjithsej 249 filma, 12 performanca, 9 ekspozita, 7 diskutime, 3 masterklasa dhe 9 punëtori për fëmijët. “DokuFest” e ka sjellë botën e kinematografisë në 11 hapësira të qytetit të Prizrenit. Peizazhi i Qendrës Historike dhe imazhet e dokumentarëve dhe filmave të shkurtër kanë qenë fotografia unike e qytetit.
Udhëheqësi i “DokuLab” të “DokuFestit”, Eroll Bilibani ka thënë se sivjet kanë pasur numër më të madh të publikut për dallim nga edicionet e kaluara.
“Që nga ky vit, për shkak të Ministrisë së Kulturës dhe mbështetjeve shtesë nga Qendra Kinematografike kemi vendosur që çmimi kryesor i ‘DokuFest’ të jetë Çmimi Kombëtar. Me këtë kemi siguruar që kualiteti i filmave nuk do të bjerë, vetëm do të rritet. Prandaj ne do të mundohemi të sjellim anëtarë të jurisë që janë anëtarë të festivaleve të mëdha, që edhe ata të shohin që po bëhet diçka në këtë vend të vogël, që filmi është sektor që është duke u zhvilluar dhe që ka potencial jashtëzakonisht të madh”, ka thënë Bilibani. “Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur sepse është një ndër edicionet më të frekuentuara që kemi pasur si numrin e filma filmave si në numrin e pjesëmarrësve si në aktivitetet e tjera. Këtë vit e kemi bërë edhe një definim të ri të ‘DokuNights’ kemi provuar diçka të re dhe kemi parë që është duke funksionuar duke e shpërndarë në cepa të ndryshme të qytetit. Kemi pasur ekspozita e diskutime interesante, por mbi të gjitha, edhe pse nuk i di statistikat e sakta, e di që këtë vit kemi pasur numër më të madh të publikut”, ka thënë ai për KOHËN.
Në kuadër të temës qendrore “New Order”, në garë u shfaqën gjithsej 103 filma, përfshirë një numër prej tyre, patën premierat e tyre ku regjisorët dhe producentët ishin aty për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe dilemave të publikut vendor dhe ndërkombëtar. Së bashku me filmat nga programet speciale, ishin gjithsej 249 filma që publiku mund t'i eksploronte.
Filmat konkurrues u vlerësuan nga një juri e veçantë në secilën kategori. Ata janë kritikë filmi, regjisorë, kinematografë, producentë dhe profesorë nga bota, rajoni dhe vendi.
Veprat e kineastëve kanë qenë gërshetimi ideal kur ilustrohen me pamjen e monumenteve historike. Në terminët e mbrëmjes publiku zhvendoset në ambiente të hapura për të shijuar çdo moment e për të mos e humbur energjinë dhe dinamikën e qytetit.
Filma nga ata që trajtojnë teknologjinë, që përdorin teknika moderne a prekin të ardhmen e deri në ata që kthejnë pas në kohë kanë qenë një tjetër rrëfim kinematografik i festivalit. Imazhi i kinemave nuk dallon fort nga edicionet e kaluara, por është programi cilësor që e bën kryefjalë “DokuFestin” jo vetëm në vend, por edhe në skenën ndërkombëtare të artit e kulturës.
Gara Kombëtare ka sjellë filma artistikë e dokumentarë të metrazhit të shkurtë. Sivjet është vlerësuar si më e mira ndonjëherë.
Kinemaja “Lumbardhi” së bashku me kopshtin e saj, “DokuKino” dhe plateja e saj “Kino Abi Çarshia” kanë qenë mikpritësit e filmave dokumentarë dhe të shkurtër të “DokuFest”. Si kinema u formuan edhe “Sonar Cinema”, “Lunar Cinema” dhe “Kino Lumi”.
“Rrugës” kthehet në origjinë
Filmi “Rrugës” i Samir Karahodës e ka mbyllur programin e edicionit të 23-të të “DokuFest”.
Rrugës një baba me të birin prekin temën e migrimit. Ky i fundit duket i pikëlluar që trajnerit të tij i është dashur të ikë nga Kosova. Ai pret me padurim të marrë një dhuratë, por në doganë ndeshet me një pagesë të majme. Babait me pikëllim i duhet t’i thotë se dhurata nuk kishte arritur ende. Luajnë Miron Karahoda dhe Ylber Mehmeti.
Samir Karahoda ka treguar se çdo sekuencë në filmin “Rrugës” është ngjarje e vërtetë.
“Gjithçka që shihni është e vërtetë, është shndërruar në gjuhë të filmit. Sa i përket skenës në doganë, kjo ka qenë për një shpërblim në ‘Sundance’ që e kam marrë në Amerikë dhe qëllimi i këtij filmi prej fillimit e në fund është që nuk trajtohen të gjithë njëjtë. Gjithmonë mundem ta paramendoj a i ka ndodhur ndonjë sportisti në aeroport t’ia marrin medaljen dhe ta pyesin sa të kushton ajo dhe nuk mund të shkosh në shtëpi pa e paguar atë. Pashë disa regjisorë që u ka ndodhur e njëjta gjë”, ka thënë regjisori Karahoda.
Filmi i tij, që është shfaqur premierë kombëtare, është pritur me shumë duartrokitje dhe brohoritje. Nëpër kinematë ku ka pasur filma këtë edicion, pas ceremonisë përmbyllëse janë shfaqur filmat fitues ndërsa në “Lumbardh” me këngë shkodrane ka shoqëruar orkestra “Shkodra”.
Me të nis rruga për një tjetër edicion emocionues e kuptimplotë. Një i tillë që sjell botën e filmit e që Prizrenin e shndërron në botë të vogël të kinematografisë.