Shtojca për Kulturë

Djali im në ushtrinë serbe në Kosovë, rastësi apo rrëmbim

Gjakovë, 1999

Pol Erlanger, korrespondenti i “The New York Times”, erdhi tek unë sepse të gjithë e dinin se djali im shërbente në ushtrinë serbe në Kosovë. Por, për atë se sa shumë njerëz e dinin këtë u bëra i vetëdijshëm vetëm vite më vonë. Kjo është arsyeja pse edhe sot unë pyes: ishte vallë ikja e Ivanit në Kosovë krejt rastësi, apo ishte punë e ndonjë Shërbimi që e bëri këtë në mënyrë tamam të qëllimshme dhe të ndërgjegjshme. Unë këtë, për veten time, e kam përjetuar si një lloj rrëmbimi Velimir Ćurgus Kazimir

Në fund të prillit, erdhi tek unë Pol Erlanger, korrespondenti i “The New York Times”. Bisedova me të duke u nisur nga çfarë dija falë letrave të Ivanit (vetëm dy gjithsej), dhe prej njërit prej miqve të tij që arriti të marrë pesë ditë leje dhe më vizitoi në zyrë. Atëbotë ishte hera e parë që raportohej se ekzistonte një dallim i madh në mes rezervistëve të ushtrisë së rregullt dhe forcave të ndryshme ushtarake. Isha disi në ankth për të kuptuar dallimin mes djemve normalë dhe të sjellshëm dhe alabakëve të shumtë që ishin dyndur në Kosovë. I tregova Polit se si shokët e Ivanit ndiheshin jashtëzakonisht keq kur ndesheshin me civilë shqiptarë, të cilët i ndiqte policia dhe se si ata mblidhnin qumësht dhe shishe uji, e ua jepnin atyre. Erlanger erdhi tek unë, sepse të gjithë e dinin se djali im shërbente në ushtrinë serbe në Kosovë. Por, për atë se sa shumë njerëz e dinin këtë u bëra i vetëdijshëm vetëm vite më vonë. Kjo është arsyeja pse edhe sot unë pyes: ishte vallë ikja e Ivanit në Kosovë krejt rastësi, apo ishte punë e ndonjë Shërbimi që e bëri këtë në mënyrë tamam të qëllimshme dhe të ndërgjegjshme. Unë këtë, për veten time, e kam përjetuar si një lloj rrëmbimi.

Dhe kështu e kam shënuar. Para meje njerëzit mundoheshin të silleshin me shumë kujdes dhe butësisht, sikur të isha rëndë nga ana psikike apo si një i sëmurë i pashërueshëm. Ka pasur edhe disa përjashtime – persona asociale dhe plotësisht të ndërgjegjshëm për çka po sfidonin më rrëfimin e tyre. Disa për shembull, më tregonin me hollësi të madhe se si dukeshin automjetet e blinduara Apache “Love” (24) e të gjitha llojet e blindeve terren – se si ishin majat e raketave dhe se si ato përcëllonin çdo gjë pas shpërthimeve të tyre. Ata mendonin, ndoshta, se vetëm në këtë mënyrë do të përgatitesha për më të keqen, në vend se të ëndërroja për një fund të lumtur. Sa për angazhimin tim, dihej jo vetëm ana miqësore, por edhe ajo tjetra. Një ditë takova në rrugë një koleg të vjetër, redaktor i seksionit ekonomik të “Politikës” (25), diku në afërsi të Shtëpisë së Rinisë, dhe më tronditi ajo që më tha ai. I thashë që ta porosiste shefin e tij (Strujin) se nëse djalit tim do t’i ndodhte diçka, nuk do të lija njeri pa ia çarë gurmazin dhe se Struji do të ishte gjithsesi nga të parët në këtë listë. Ishte një nga ato ditët, kur “i vogli” Marko (26), fotografohej nga gazetat me uniformën e zezë të SAJ-it (27). Mutrat bënin parakalime patriotizmi dhe heroizmi në bunkerët e tyre të rehatshëm dhe të sigurt, ndërsa fëmijët e të tjerëve, si i imi, zhgërryheshin baltërave të Kosovës. Për Kosovën më arrinin vazhdimisht në vesh histori të ndryshme. Ndër të tjera, kishte një rritje të numrit të pacientëve me sëmundjen e zgjebes, të dizanterisë, mungesë kronike të ushqimit, vuajtje të mëdha të civilëve, prita dhe rrëmbime prej UÇK-së, krime të Frenkieviqëve (28) dhe të Ujqve të Majevicës (29).


Lexo edhe: 


Pakoja që i dërguam Ivanit kishte mbërritur tek ai vetëm pas një muaji e gjysmë. E kishin plaçkitur. (Këtë sigurisht e morëm vesh më vonë.) Ivani na u përgjigj vetëm dy javët e para, kurse më pas humbëm çdo lidhje me të. Gruaja, e cila punonte si recepsioniste në hotelin “Pashtrik”, së cilës i telefononim ngandonjëherë për të dëgjuar ndonjë gjë lidhur me situatën në Gjakovë, përpiqej të na qetësonte me rrëfime të tipit se të gjithë ushtarët i kishin lënë kazermat dhe se si po bombardoheshin vetëm objekte bosh dhe të papërdorura. Pastaj, edhe kjo lidhje u ndërpre. Provova më pas të lidhesha me djalin nëpërmjet kolegëve gazetarë, disa prej të cilëve kishin telefona satelitorë, por edhe kjo nuk pati rezultat.

Shtëpia jonë ndërkohë u mbush me miqtë e Ivanit dhe Goranës. Flinim, sikur të ishim në arrati. Një ditë zbuluam një konservë të madhe toni, të harruar qysh prej kushedi-se-kur – mund ta kishim marrë me vete nga Sarajeva prej Leles, e cila vuajti shumë gjatë kohës së rrethimit. Ishte një konservë jashtëzakonisht e madhe norvegjeze, gati një apo dy kg. E hapëm me kujdes, me frikën e madhe se do të na shastiste kutërbimi i qelbur i peshkut. Por në vend të kësaj patëm një gosti të vërtetë, së cilës iu bashkuan kumbarët dhe shumë miq. Me këtë rast zjemë disa kilogramë patate, i shtuam qepë, dhe pasi bëmë një sallatë të madhe me patate përziemë edhe tonin. Mbaj mend se hëngrëm paq dhe se në fund po kërkonim diçka të ëmbël, por ja që nuk kishim. (Zdravko Gvero (30), në mos gaboj, i kishte dhënë dikujt prej nesh një stekë cigare, një markë krejt e çuditshme “Wolf”, e cila më kujtonte heroin e famshëm “Nero Wolfe”  (31) të Rex Staut. Të gjithë sa ishim aty përpimë një litër kafe dhe vazhdonim të pinim duhan me dëshpërim. Nuk më kujtohet nëse ndonjëri piu alkool.) 

Kur një ditë na u zhduk edhe uji nga çezma, me siguri për shkak të rrymës, mbi bulevardin, në Batutova (32), u parkua një cisternë me ujë të pijshëm. Menjëherë u krijua një radhë e madhe. Edhe unë qëndrova si gjithë të tjerët në rresht. Djalli nuk më dha paqe edhe aty, ndaj një moment iu ktheva të gjithëve: Tani mund ta imagjinoni se si ishte në Sarajevë, madje edhe kur nuk kishte snajper! Askush nuk m’u përgjigj, ata që ishin përreth thjesht m’u larguan.

Gorana në Budapest banon te Verica dhe Slavko, miq të mi shumë të dashur, por dhe kolegë të vjetër. Me Verican kam punuar për disa vjet te gazeta “Politika” në rubrikën e Kulturës, ku, ashtu si shkuan marrëdhëniet, përfundova si për dënim. Ne ishim shumë të shqetësuar për Goranën, sepse ishte hera e parë që gjendej e vetme larg nesh. Si do t’ia dilte vallë? Me kë do të shoqërohej? Nuk kishim pará mjaftueshëm për t’ia dërguar. E dija, natyrisht, se pranë Vericës dhe Slavkos nuk do të vdiste nga uria, por kur njeriu është larg nga shtëpia, atëherë i duhet diçka më shumë që t’ia lehtësojë disi urinë. Të njohurit e mi nga CEU (33) e ndihmuan për të gjetur një vend, një shkollë muzike, ku ajo të mund të ushtrohej rregullisht në harpë. Mendova se njeriu e gjen më shumë ngushëllimin në muzikë sesa në letërsi. Asokohe, nuk munda të shkruaj qoftë edhe një tekst të vetëm seriozisht, me përjashtim natyrisht të email-eve të punës. Kuptohet se nuk kam mundur as të pikturoj. Nuk mbaj mend nëse kam lexuar ndonjë libër. Isha i përqendruar vetëm në mbijetesën e thjeshtë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë 

Përktheu nga origjinali: Ben Andoni. Botohet me leje të autorit. 


Velimir Ćurgus (1948, Novi-Sad – 11 nëntor 2018, Beograd). Gazetar dhe personalitet i njohur i publicistikës serbe. Drejtor i “Ebart Consulting” që nga viti 2002. Ishte redaktor i kolonës kulturore në gazetën “Politika” nga viti 1988 deri në 1996. Para kësaj, punoi si redaktor dhe botues për tetë vjet në Qendrën Kërkimore dhe Botuese të Rinisë serbe në Beograd. Ai është një nga themeluesit e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë dhe autori i rreth dhjetë librave me prozë dhe ese me temën e kulturës dhe politikës kulturore. Esetë dhe librat e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, polonisht, japonisht dhe disa gjuhë të tjera më të vogla. Ai është autor i disa librave mbi marrëdhëniet me median, politikën dhe kulturën dhe po ashtu hartues i disa projekteve në fushën e kërkimit të mediave dhe kulturës. Velimir Ćurgus ka marrë Çmimin Ndërkombëtar për Ese në “Lettre International”, në Weimar, në vitin 2000. Ishte anëtar i Qendrës serbe – PEN prej vitit 1987. Por, Ćurgus ishte gjithashtu piktor, veçanërisht në llojin e teknikës së kombinuar në letër. Me emrin e tij janë të lidhura pesë ekspozita. Ai ishte edhe autori i dy skenarëve të filmave të shkurtër.


Fusnotat 

(24) Mjetet ushtarake të logjistikës së këmbësorisë së ushtrisë amerikane

(25) “Politika” është një gazetë e përditshme serbe, që botohet në Beograd me karakteret cirilike. E themeluar në vitin 1904 nga Vladislav F. Ribnikar, është gazeta e përditshme më e vjetër që vazhdon ende të mbetet në qarkullim në Ballkan dhe konsiderohet të jetë gazeta e rekordeve të tirazheve në Serbi.

(26) Bëhet një aluzion për të birin e Sllobodan Millosheviqit

(27) SAJ-Njësia Speciale e Anti-Terrorit (Serbisht: Специјална антитерористичка јединица)) është njësia taktike policore e Policisë serbe e krijuar në vitin 1978. Më parë njihej si Forca speciale e policisë (serbisht: Јединица милиције за реална употреба) e Sekretarit republikan të Brendshëm të Republikës Socialiste të Serbisë. Komandanti i parë i saj ishte Miloš Bujenović.

(28) Frenkit ishin një njësi komando e paramilitarëve e quajtur kështu prej komandantit të tyre Franko Simatoviq, një nga agjentët më famëkeq të Millosheviqit, i cili respektohej si komandant veteran nga Lufta në Bosnje.

(29) Bëhet fjalë për një nga njësitë famëkeqe që ka luftuar në malin me të njëjtin emër në Bosnjë.

(30) Zdravko Gvero (1954) është një personazh interesant në Beograd. Paraardhësit e tij, ushtarë mercenarë nga Spanja, ruanin Republikën e Dubrovnikut. I lindur në Mrkonjić Grad, ai mbaroi shkollën në Beograd dhe, ka boksuar për një dekadë. Nevoja për drejtësi sociale e bëri atë të padëshirueshëm në shumë prej kompanive në të cilat ai punonte dhe lidhej shpesh me qarqet disidente në Jugosllavinë pas Titos. Kjo e bëri të kishte një dosje të konsiderueshme në DB. Më vonë hapi një restorant të njohur si “Gvero”, ku vizitohej vetëm nga disidentët e kohës, mysafirët e mi.

(31) Nero Wolfe është një personazh imagjinar, një detektiv brilant, tejet i shëndoshë, eksentrik, i krijuar në 1934 nga shkrimtari amerikan i triller Rex Stout. Wolfe lindi në Mal të Zi por e mban të kaluarën e tij të errët. Ai jeton në një shtëpi luksoze tip brownstone në West 35th Street në New York City, dhe e mërzit fakti për të lënë shtëpinë e tij për biznes ose ndonjë gjë tjetër që e pengonte të lexonte librat e tij, të kujdesej për orkidetë e tij ose të hante ushqimet e shijshme përgatitur nga kuzhinieri i tij, Fritz Brenner. Archie Goodwin, asistent i ri i besuar i tij shumë i mprehtë e tepër i dhënë pas grave tërheqëse, e rrëfen punën e tij për gjeniun e detektivëve.

(32) Rruga “Batutova” gjendet në Lagjen “Zvezdara”.

(33) CEU-Universiteti Qendror Evropian në Budapest