Shtojca për Kulturë

Dëshmitarët e gjallë të tri ditëve të vdekjes në Krushë të Madhe

Familja Duraku

Shtëpia e familjes Duraku, një prej tre objekteve kryesore ku u krye masakra më 25, 26 dhe 27 mars 1999. Brenda këtij objekti u masakruan 64 veta. Disa u dogjën për së gjalli. I lënë në këtë gjendje, është i vetmi objekt që ka mbetur si shenjë e masakrës. Institucionet nuk kanë vënë dorë për ta ruajtur

Është një prej vendbanimeve më të goditura në luftën e fundit në Kosovë. Banorët jetojnë afër varrezave të martirëve, nëpër rrugët ku mbetën njerëzit e vrarë e edhe përballë shtëpisë ku u dogjën 64 veta. Por mbi të gjitha, jetojnë me kujtimet e tri ditëve të marsit 1999 kur u vranë 241 civilë. Një grup punonjësish të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, e disa studentë janë duke i dokumentuar kujtimet

Krushë e Madhe, 27 mars 2022 – Në hyrje të Krushës së Madhe nuk ka fort shumë gjurmë se aty, para 23 vjetësh, ndodhi një prej masakrave më të mëdha në Kosovë. Duhet bërë rrugë deri te varrezat e martirëve për të parë se çfarë ka përjetuar ky fshat. Por përjetimet për tri ditët e tmerrit, 25, 26 dhe 27 mars janë krejt të freskëta në kujtesën e banorëve të fshatit buzë Drinit të Bardhë. E ato kujtime po përjetësohen duke u dokumentuar për të qenë në shërbim të historisë e trashëgimisë atrocitare.

“Dëshmitarët po vdesin dhe të tjerët kanë ikur...”

Një grup punonjësish të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, e disa studentë janë duke i dokumentuar kujtimet.

Bëhen tok në mëngjes afër Bibliotekës qendrore në Prishtinë. Presin që të kompletohet ekipi dhe ia mësyjnë fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit. Gjatë rrugës komentojnë rrëfimet, flasin për listën e njerëzve që do të intervistohen e bëjnë plane për t’i bindur të tjerët. Tashmë kanë regjistruar mbi 150 intervista. Pandemia e ka bërë të vetën duke prolonguar procesin. Por edhe hezitimet fillestare për të rrëfyer kanë qenë problem në vete. Tash projekti është në ditët më të mira sa i përket realizimit.

Gjithçka nisi pas një vizite që Krushës së Madhe i bëri ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, me bashkëshorten e tij. Me iniciativën e banorëve lindi projekti “Kujtesa e Kosovës – Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”. Grupi që implementon projektin e përkrahur nga Ministria e Kulturës, stacionin e parë e ka te varrezat e martirëve në fshatin 90 kilometra larg Prishtinës. U vranë 244 veta, prej tyre 206 nga fshati Krushë e Madhe e 35 ishin të fshatrave përreth. 64 persona nuk janë gjetur ende. I vetmi “krim” që kishin bërë ishte se qëndronin në shtëpitë e tyre. Ishin shqiptarë.

Kryetari i fshatit, Selami Hoti, bashkë me Berat Durakun, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, janë bashkëpunëtorët që ndërmjetësojnë me rrëfimtarët.

“Ne e quajmë këtë mision për faktin se është mision i cili ka të bëjë me dokumentimin, mbledhjen e dëshmive, për të mos e harruar luftën, masakrën e Krushës së Madhe, gjenocidin që u bë ndaj popullatës së pafajshme civile”, thotë kryetari i fshatit, Selami Hoti. Sipas tij, një gjë e tillë është dashur të bëhet kaherë.

“Fatkeqësisht më duhet ta them se institucionet dështuan ta bëjnë një gjë të tillë dhe ne pastaj filluam të gjejmë forma të tjera se si dhe kush mund ta bëjë një gjë të tillë. Dëshmitarët po vdesin dhe të tjerët kanë ikur nëpër vende të ndryshme të botës për të pasur një jetë më të mirë”, thotë ai.

Afër varrezave të martirëve ka marrë formë konstrukti i ndërtesës që do të jetë muze, ku do të prezantohen dëshmitë e agresionit serb në këtë vendbanim.

“I thosha: Hajt se gjallë janë...”

Studentja e sociologjisë, Drenica Bytyçi, realizon intervistë me çiftin Duraku. Nuk e ka të lehtë t’i bëjë ballë emocionalisht rrëfimit, por trajnimet paraprake edhe me profesorë të Universitetit të Columbias i hyjnë në punë.

Feride Duraku (54) ka shumë për të rrëfyer. Për një orë përmbledh veç disa prej përjetimeve.

“Më vinte gjynah nga nëna (vjehrra v.j.) të qaja. I thosha: Hajt se gjallë janë”, tregon ajo derisa përshkruan momentet kur kishin marrë vesh se i është vrarë vjehrri, vëllai i burrit e familjarë të tjerë. Duraku bën apel që secili të ndajë rrëfimin e vet në mënyrë që të arkivohen dëshmitë.

“Kam dëshirë që krejt Krusha të tregojë se çfarë ka përjetuar në luftë. Për të vrarët, për krejt gjërat. Unë rrëfimin tim e dhash’ dhe bëj thirrje që të gjithë të tregojnë”, thotë ajo.

Më pas është radha që të rrëfejë bashkëshorti i saj, Abaz Duraku (54) . Ai ishte furrtar gjatë luftës. Tash merret me bujqësi si pothuajse të gjithë bashkëfshatarët.

Konstrukti i ndërtesës së Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe, në marsin e vitit 2022, e që u përurua më 26 mars të këtij viti

“Babën ma kanë vrarë, një vëlla, të dytin...”

“Kemi mjaft tragjedi. Babën ma kanë vrarë, një vëlla, të dytin. Nëse mund ta kujtoj si ka filluar lufta...”, thotë ai, derisa merr frymë thellë para se ta vazhdojë.

Hezitimi për të rrëfyer nuk është i vogël. Midis arsyeve është edhe përballja me kujtimet e asaj që ka ndodhur. Mentorët e projektit, profesorët Shemsi Krasniqi, Arsim Canolli e Tahir Latifi nuk shkojnë çdo ditë në Krushë të Madhe. Janë të pranishëm atje kohë pas kohe për të biseduar me banorët në mënyrë që të binden për të ndarë me të tjerët përjetimet e tyre.

Berat Duraku, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, ishte 16 vjeç në luftë. Policia serbe e kishte futur në radhë me të atin që t’i masakronin.

“...duhet ta përshkruajmë tmerrin që kemi përjetuar”

“Në momentin që na kanë renditur kur na ndanë nga gratë, filluan të na kërkojnë letërnjoftimet. Fati unë nuk kisha letërnjoftim dhe thash se i kam 14 vjet. Fati dhe më kthyen në pjesën e grave”, rrëfen ai. Tregon se nga ai moment më nuk dihet për shumicën e atyre që ngelen në radhë. Aty i vranë babanë, axhën e disa djem të axhës.

Kishte kërkuar shumë kohë që ta gjejë forcën e t’u kthehet përjetimeve të tmerrit. Por tash është prej kryesorëve që kontribuon në projekt.

“Prej këtu ju bëj thirrje bashkëvendësve të mi krushianë që të tregojnë për ato që kanë përjetuar e parë. Nuk është imponuese por me vullnet të lirë, duhet ta përshkruajmë tmerrin që kemi përjetuar në Krushë të Madhe”, thotë ai afër monumentit të Luftës Nacionalçlirimtare.

Biblioteka e fshatit është një prej hapësirave ku banorët ndajnë përvojën me hulumtueset. Studentja Ridona Berisha interviston 79-vjeçarin Zejdi Hoti.

“I kam parë dy policë duke ardhur dhe kam hyrë brenda...”, rrëfen ai.

Studentet me punën e tyre po ashtu po e mësojnë historinë e re të Kosovës. Janë pjesë e projektit që banorët e quajnë mision për dokumentimin e kujtesës. Intervistat do të jenë të qasshme online bashkë me përkthim në serbisht e anglisht. Në shërbim të studiuesve do të jenë edhe të botuara në vëllime veprash.

“Realisht jemi gjeneratë që nuk e kemi përjetuar luftën, por jemi rritur me rrëfimet e luftës dhe kjo ka qenë shtysë që të aplikoj si hulumtuese në këtë projekt”, rrëfen Ridona Berisha nga Istogu, studente e vitit të parë master në sociologji.

Kolegia e saj Drenica Bytyçi nga Drenasi është në vitin e dytë në master. Studimet për sociologji po i vazhdon në Gjermani.

“Gjithmonë kujtimet e përjetimet e të tjerëve që kanë qenë direkt të inkuadruar në luftë si civil, ma vizualizojnë aq mirë luftën, sa që mund ta ndiej si diçka shumë reale”, thotë Butyçi.

Për mentorët e projektit, mbledhja e rrëfimeve e krijimi i qasjes së lirë në to është qenësore për studiuesit e trashëgimisë atrocitare.

“Ne kemi filluar që të harrojmë se çfarë ka ndodhur në Kosovë...”

Antropologu Arsim Canolli është prej profesorëve që bën shumë punë në Krushë për të bindur banorët që të rrëfejnë. Ai këmbëngul si njeri e si profesionist se e kaluara duhet të dokumentohet.

“Ne kemi filluar që të harrojmë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Kujtesa atrocitare, kujtesa e luftës është fort e rëndësishme. Pa këtë kujtesë ne nuk jemi vetvetja, nuk e dimë kush jemi, çfarë ka ndodhur e kush është viktima e agresori. Nuk dimë çfarë t’ju tregojmë fëmijëve tonë në të ardhmen”, ka thënë ai

Ai bën thirrje që banorët të jenë të hapur për të folur në mënyrë që të mbërrihet synimi për mbledhjen e 300 rrëfimeve.

Derisa flet para shtëpisë-muze të Ukshin Hotit, regjistrimin e kujtesës kolektive e sheh si të domosdoshme edhe profesori i sociologjisë, Shemsi Krasniqi.

“Krejt ato komponentët e elementet që përbëjnë identitetin duhet të ruhen, promovohen e t’u përcillen brezave të ardhshëm”, thotë Krasniqi.

 Faksimile e faqes së “KOHËS Ditore” të 27 marsit të vitit 2022 ku u botua teksti “Dëshmitarët e gjallë të tri ditëve të vdekjes në Krushë të Madhe”

Objekti i harruar i “Auschwitzit” të vogël të Kosovës

Masakrat në Krushë të Madhe u bënë kryesisht në tri objekte prej të cilëve sot ka pak gjurmë të asaj që ndodhi. Nuk janë ruajtur si objekte që dëshmojnë. Xhamia është rinovuar duke humbur gjurmët e maltretimeve e të masakrës. Një tjetër lokacion ishte një stallë prej së cilës sot s’ka mbetur asnjë shenjë.

Midis tyre është edhe shtëpia e familjes Duraku në gjendje mjaft të rëndë. Jetojnë në ndërtesën tjetër, rreth 10 metra përballë. Gjendja në të cilën është shtëpia flet shumë për pakujdesinë e shtetit dhe të shoqërisë. Për studiuesit ajo është një “Auschwitz” i vogël në Kosovë. Krahasohet me kampin famëkeq nazist, pasi brenda këtij objekti u masakruan 64 veta. Disa u dogjën të gjallë. Pronarët as që duan të flasin. Nuk janë në gjendje ta gjejnë forcën për t’u shprehur.

“Ky është një prej lokaliteteve më të rëndësishme sa i përket ruajtjes së trashëgimisë atrocitare në Kosovës. Është tmerr. Ende janë vrimat e shenjat e masakrës. Të rriten fëmijët në këtë ambient nuk është e lehtë”, thotë Arsim Canolli. Sipas tij në këtë shtëpi shihet dështimi i shtetit dhe i shoqërisë, për të dokumentuar e për ta ruajtur të kaluarën, dëshmitë. Për masakrën e Krushës së Madhe, sot kujtimet ruhen prej dëshmitarëve të gjallë të tri ditëve të tmerrit.

Grupi është i kënaqur që brenda një dite ka mbledhur goxha material që do t’i shpërndahet edhe botës. Mblidhen të dhëna për secilin detaj. Në mbrëmje përshëndeten me vendasit për t’u ritakuar të nesërmen, pasi janë në kërkim të rrëfimeve njerëzore për luftën e Kosovës, ku regjimi serb vrau mbi 10 mijë civilë.

Ky tekst u botua për herë të parë në Shtojcën për Kulturë të “KOHËS Ditore” më 27 mars, 2022. Ribotohet me rastin e inaugurimit të Muzeut të Masakrës – Krushë e Madhe