Shtojca për Kulturë

Dëshmi shkencore për përkatësinë iliro-shqiptare të Epirit

Trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me hapësirën etnogjeografike shqiptare sidomos të asaj jugore, ka vite që është bërë objekt studimi për personalitete të shkencës dhe kulturës shqiptare. Në veçanti kjo çështje fitoi një dimension tjetër pas dështimit të monizmit, sepse ne pluralizëm u krijuan rrethana të tjera të favorshme duke mos pasur tema tabu, apo qasje ideologjike siç ishte më parë në Shqipëri. Nder studiuesit më të zellshëm dhe serioz në këtë gamë bën pjesë Sherif Delvina, i cili në këtë aspekt ka dhënë një kontribut më peshë për historiografinë kombëtare shqiptare. Ndër to, është edhe vepra e tij, “E vërteta mbi Epirin”, botoi “Fllad”, Tiranë, 1999

Në shekullin XIX, te fqinjët tanë na u paraqitën dy projekte politike të cilat ishin tërësisht ekspansioniste në dëm të popujve tjerë për të realizuar ëndrrat e tyre mesjetare. Fjala është për “Megaliidenë” greke (1843) dhe “Naçertanien” serbe (1844) ku si qellim final kishin rimëkëmbjen e perandorive të tyre mesjetare, atë të Bizantit dhe të Car Dushanit. Dihet historikisht se pasojat e këtyre projekteve i kanë përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë shqiptarët, duke filluar nga Kongresi i Berlinit (1878) dhe Konferenca e Londrës (1913), sepse më se dy të tretat e hapësirës etnogjeografike shqiptare u aneksuan nga fqinjët tanë, sllavët dhe grekët.

Por, me gjithë këto përfitime territoriale, oreksi i tyre nuk ka të ngopur që dëshmohet me politikën e tyre shtetërore të zhvilluar ne vazhdimësi, duke shpifur e trilluar në lidhje mbi autoktoninë iliro-shqiptare dhe hapësirën etnogjeografike shqiptare në Siujdhesën Ballkanike.

Në këtë gamë të qasjeve janë të njohur në veçanti disa struktura klero-shoviniste greke, të cilët ende trumpetojnë për jugun e Shqipërisë, duke shpikur dhe krijuar sajesa të ndryshme territoriale. Në këtë aspekt, ato shpikën sajesën Vorio Epiri që është aspiratë territoriale ndaj shtetit shqiptar. E tërë kjo politikë në rrethana të reja shoqërore pas dështimit të komunizmit është transparente dhe nga ana e tyre bëhet gjoja për mbrojtje të të drejtave të minoritarëve grekë në Shqipëri, ku këto qarqe të tillë i konsiderojnë të gjithë shqiptarët ortodoksë.

Duke qenë dëshmitar i të gjitha këtyre akrobacionëve politike me pasoja për popullin dhe shtetin shqiptar, intelektuali dhe studiuesi i zellshëm, Sherif Delvina, opinionit shqiptar i dhuron librin “E vërteta mbi Epirin”. Është ky një libër i veçantë për nga lënda e trajtuar dhe me një qasje analitike dhe argumente shkencore që demaskon politikën shoviniste greke ndaj aspiratave dhe falsifikimeve të realitetit historik dhe gjeografik të jugut shqiptar.

Libri paraqet një përmbledhje të artikujve të botuar nga viti 1992-1999 në gazeta të ndryshme në Shqipëri. Nuk ka dyshim se në sajë të këtyre artikujve të cilët për nga përmbajtja janë shkencorë, analitikë dhe publicistikë, autori ka bërë sensibilizimin e opinionit shqiptar në lidhje me disa çështje të cilat ose kanë qenë tabu apo të panjohura për opinionin e gjerë.

Autori librin e ka konceptuar në atë mënyrë që përbëhet prej nëntë pjesëve të cilat paraqesin një unitet të qasjeve të autorit për hapësirën etnogjeografike shqiptare nga koha antike e deri në ditët tona.

Në këtë botim me vlerë, autori ofron të dhëna me interes për hapësirën etnogjeografike shqiptare, duke theksuar se para Kongresit të Berlinit (1878), Shqipëria e kishte sipërfaqen 110.000 kilometra katrorë me popullsi kompakte shqiptare dhe me pakica kombëtare të parëndësishme. Kongresi i Berlinit, me të drejtë, u quajt nga rilindësit, varrimi i Shqipërisë, por ky nuk kishte qenë ende varrimi i Shqipërisë, sepse pas atij kongresi në Shqipëri ngeli Kosova, ngeli Maqedonia, Çamëria, Grebeneja, Kosturi, dhe sundimi osman ishte i përkohshëm, kurse pushtimi nga fqinjët ishte i përhershëm.

Por, më 1913, kinse në luftën kundër turqve, me përkrahjen e Fuqive të Mëdha, këto toka u quajtën “turke” dhe hapësira etnogjeografike shqiptare u zvogëlua gjithnjë. Madje nëse analizohen të dhënat nga viti 1491 kur janë bërë regjistrimet e Ballkanit të pushtuar nga osmanët, në Ballkan del se janë mbi 266 mijë familje në trojet shqiptare, duke filluar nga veriu e deri në Artë. Në atë kohë ne kemi pasur popullatë më të madhe se grekët dhe territor më të madh se grekët e serbët, Shqipëria është rrudhur dhe është bërë mbi tre herë më vogël se çka qenë.

Delvina është i qartë në konstatimet e tija kur ceken pa hezitim se duhet thënë e vërteta duke u bazuar ne dokumentet e kohës, pavarësisht se tash jemi në rrethana të reja shoqërore dhe politike me fqinjët tanë. Andaj më të drejtë e cek se nuk duhet heshtur për spastrimin etnik të territoreve shqiptare në shekullin XIX, siç është rasti për 300.000 shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga Sanxhaku i Nishit, po ashtu për historinë e Artës, të cilën grekët e morën pas 1878-s, pastaj për Sulin e të tjera. I brengosur për prezantimin dhe falsifikimin e së kaluarës sonë historike në tekstet shkollore te fqinjët grekë, ai na ofron shembullin e suliotëve. Ato, thekson Delvina, grekët i kanë në çdo tekst shkollor, ku në to thuhet se suliotët janë hedhur nga shkëmbi i Zallongut për të ruajtur nderin. Këtë ngjarje heroike të vjedhur nga heroizmi shqiptar, grekët e kanë kthyer nga vetja dhe i mbajnë si heroizmin më të madh të tyrin! S’ka tekst grek ku nuk është Marko Boçari, Bubulina e të tjera. “Ne ruhemi se mos na prishet politika me grekun. Ne duhet ta dimë se ç’na kanë marrë e ç’na kanë ngrënë vazhdimisht fqinjët tanë konstaton”, më të drejtë Delvina.

Ne këtë botim më vlerë autori trajton ne detaje “Megaliidenë” si dhe sajësën e shovinstëve greke “Vorio Epir” e cila ka të bëjë më pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, duke dëshmuar në mënyrë shkencore për përkatësinë iliro-shqiptarë të Epirit. Ndërsa duke bërë fjalë për minoritarët grekë, ai më të drejtë konstaton se ata janë shumë vonë të pranishëm në territoret shqiptare, gjegjësisht janë ardhacakë, argatë të sjellë këtu në kohën e Ali Pashë Tepelenës dhe përbëjnë një enklavë në viset shqiptare.

Duke marrë kompleksin politik të grekëve për këto territore dhe ndaj popullatës shqiptare ortodokse falsifikimi i të dhënave historike dhe i statistikave demografike kur është në pyetje numri i minoritarëve shqiptarë në Greqi dhe i minoritarëve grekë në Shqipëri është bërë detyrë patriotike dhe shtetërore numër një e shovinizmit grek. Nga ana tjetër, me qëllim heshtet numri i mbi dy milionë arvanitasve ne Greqi.

Dhe në fund duhet thënë se një libër i tillë është i mirëseardhur jo vetëm për studiuesit dhe individët që u intereson çështja kombëtare dikur dhe sot, por edhe për opinionin e gjerë. Botuesit shqiptarë mendoj se do të bënin një punë më vlerë nëse ketë botim do ta përkthenin në gjuhën angleze në tërësi apo në formë të sintetizuar. Sepse, vetëm ne këtë formë do të informojmë opinionin ndërkombëtar në lidhje mbi realitetin shkencor, autoktoninë dhe vazhdimësinë historike iliro-shqiptare të kësaj pjesë të hapësirës etnogjeografike shqiptare. Të dhënat e ofruara në sajë të konsultimit të një literature selektive shkencore, hulumtimit të dokumenteve të trajtuara në sinkroni dhe diakroni bëjnë që libri “E vërteta mbi Epirin” të jetë një enciklopedi më vete për këtë regjion gjeografik i cili ka pasur një të kaluar të bujshme historike nga koha antike e deri në ditët e sotme. Dhe një libër të tillë ka mundur të na ofrojë vetëm Sh. Delvina i cili është padyshim studiuesi më i zellshëm dhe erudit i kësaj çështjeje në kohën tonë.

 



Sherif Delvina – figurë poliedrike

Në Tiranë më 7 pill 2022, në moshën 90-vjeçare vdiq Sherif Delvina, historiani, studiuesi, përkthyesi, dramaturgu, intelektuali dhe publicisti i shquar, autor i disa botimeve shkencore nga fusha e historisë. Ai rridhte nga një familje e shquar intelektualësh dhe patriotësh, me ndikim në historinë e Shqipërisë. Si rrallëkush, mblodhi dhe deshifroi e interpretoi harta të disa autorëve evropianë nga antikiteti e deri në vitin 1913, kur më se gjysma e hapësirës etnogjeografike shqiptare nga vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës iu dhuruan fqinjëve (sllavë e grekë).

Prof. Sherif Delvina është autor i 14 librave, 18 libra me bashkautorë, ndërsa ka publikuar me qindra artikuj e studime në shqip dhe gjuhë të huaj.

Nga botimet veçojmë: “E vërteta mbi Epirin” (1999), “Kosova një mit serb, apo një realitet historik shqiptar” (2000), “Mid`hat Frashëri: ministër fuqiplotë në Athinë, 1923-1926” (2002), “Udhëtarët e huaj në Shqipëri - gjer në fund të shekullit XIX nga Lumo Skendo” (2012) e të tjera.

Recensioni për librin “E vërteta mbi Epirin”, të shkruar në vitin 2004, ribotohet në nderim të autorit.

Image