Shtojca për Kulturë

“Demë Dedë Boga” në gërmim të së kaluarës

Romani “Demë Dedë Boga” i Binak Kelmendit është një kronikë për kohët e gjata të sundimit të tokave tona nga të huajt dhe përpjekjet e suksesshme të pushtuesve për, siç e thotë autori, ngulitjen e traditave dhe zakoneve të tyre (Foto: Driton Paçarada)

Ritmi të cilin e imponon Binak Kelmendi në romanin “Demë Dedë Boga” është i një seriali në vazhdime, përfundimin e të cilit edhe mund ta parafytyrosh, por jo edhe përherë t’ia qëllosh. Me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur shqipe, me një numër të pafund fjalësh të kombinuara me domethënie shumë përshkruese, Binaku me lehtësinë më të madhe i qaset edhe të folmes së trevës, për t’i dhënë edhe më shumë shije rrëfimit. Me këto kalime bën sikur të të bartë prej një epoke në tjetrën, dhe jo vetëm virtualisht

Vjet në këtë kohë, në njërin nga takimet me librin, Binak Kelmendi e kishte përmendur se po e shkruante romanin që ia kishte pasur borxh vetes prej kohësh. Përcjellë nga një gotë vere, njohës i së cilës pa dyshim është, na tregonte se po e thurte rrëfimin për paraardhësin e tij, të parin që kishte vendosur të konvertohej nga katolik në mysliman, në Rugovën e tij.

Atëbotë i pata thënë se tashmë botuesin e kishte në pritje të veprës së tij të re. Porse nuk e kisha menduar se do të më nderonte me besimin e detyrës që t’ia redaktoja edhe tekstin.

Pra, mjeshtri i shkrimit, përthyesi me përvojë dhe gazetari që poqi zanatin mbi 40 e kusur vjet, ia dorëzoi veprën, të cilën e punoi e përpunoi deri në detaje me vite të tëra, dikujt që shkrimin e nisi vonë dhe më shumë si nevojë shprehjeje të mendimeve sesa si synim letërsie. Por, megjithatë, e pati besimin te lexuesja e kujdesshme e cila me kalimin e viteve mësoi ta dallonte cilësinë, kreativitetin dhe talentin e shpërfaqur në një shkrim.

Dorëshkrimi i Binakut më erdhi me një titull të përkohshëm. Heshtazi u morëm vesh që të merreshim me të pasi ta kisha lexuar atë.

Teksti është i shpërndarë në 29 njësi që thjesht do të mund të trajtoheshin edhe si tregime më vete. Por ato, të ndërlidhura me histori dhe rrjedhë logjike, e formojnë mozaikun e plotë të shndërruar në roman.

Ideja e zhvillimit të të gjithë historisë nëpërmjet dy personazheve, Antropologut dhe Etnologut, që kanë të përbashkët familjen, të kaluarën dhe kureshtjen, është fantastike. Ata dy do ta marrin barrën e gërmimit, jo vetëm fizik, të së kaluarës. Nëpërmjet tyre do të njihemi me doket, mitet, përrallat, rrëfimet, traditat, besëtytnitë – që të gjitha të bartura brez pas brezi, e që përshkruajnë jetën në Bogën e Pejës së shekullit 17-të. Mjeshtërisht, me gërshetimin e jetës aktuale të personazheve, Binaku flet edhe për jetën bashkëkohore të profesionistëve që jetojnë në qytet e që mbajnë lidhje të ngushta, nëse jo ndryshe, atëherë emocionale, me vendlindjen, përkatësisht vendrrënjën, po qe se më lejohet ta them kështu.

Ky roman është një nga ata që nuk të lejon ta lëshosh prej dore. Ritmi të cilin e imponon Binaku është i një seriali në vazhdime, përfundimin e të cilit edhe mund ta parafytyrosh, por jo edhe përherë t’ia qëllosh. Me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur shqipe, me një numër të pafund fjalësh të kombinuara me domethënie shumë përshkruese, Binaku me lehtësinë më të madhe i qaset edhe të folmes së trevës, për t’i dhënë edhe më shumë shije rrëfimit. Me këto kalime bën sikur të të bartë prej një epoke në tjetrën, dhe jo vetëm virtualisht.

Dhe në këtë pikë të rrëfimit tim për librin e Binakut nuk bën pa e përmendur edhe sens-humorin dhe përfshirjen e tij mbase në çastet më të papritura të dramës – e ky i jep një sharm edhe më të madh romanit.

Para se të hynte në shtyp, ende nuk e kishim të qartë se si do ta quanim. Opsionet ishin disa: “Rrënjët”, “I nënti i brezit”, “I përçudshmi Dedë Dema”, “Dedë Demë Boga”, “Dema, i përçudshmi Dedë i Bogës”... dhe cilido variant, e besoj, do të ishte i qëlluari. Sepse vetë romani në fakt, është një kronikë për kohët e gjata të sundimit e tokave tona nga të huajt dhe përpjekjet e suksesshme të pushtuesve për, siç e thotë autori, ngulitjen e traditave dhe zakoneve të tyre, e që pati për pasojë edhe ndërrimin e emrave të vendeve, feve, traditave, e sidomos emrave të njerëzve.

Siç e pranon edhe vetë Binaku, kësaj kronike mund t’i mungojë faktografia historike, por kjo nuk i heq mëritë autorit për invencionin, imagjinatën dhe përshkrimin e jashtëzakonshëm të një kthese historike të ngulitur në të kaluarën, e që do ta ndërronte rrjedhën e jetës së rugovasve në shekujt që do të vijonin.

Fjala e lexuar në përurimin e romanit “Demë Dedë Boga” të Binak Kelmendit, më 7 qershor, 2023