Shtojca për Kulturë

Dekonstruktimi i anatomisë së Serbisë së Madhe

“Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit” i Nevenka Tromp – shtëpia botuese “Pema”, Prishtinë, 2021 –me elemente biografike për liderin famëkeq serb, hedh dritë mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë dekonstrukton në themel doktrinën mbi Serbinë e Madhe, si dhe shpjegon në detaje rrugën e ngritjes dhe rënies nga pushteti i Sllobodan Milosheviqit, i cili u rrëzua në vitin 2000, u ekstradua në 2001 dhe vdiq në burg në mars 2006

Fakti që për herë të parë që nga procesi i famshëm i Nurembergut një kryetar shteti ndodhej në gjykim para Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, kishte tërhequr vëmendjen e publiku ndërkombëtar dhe veçanërisht të popujve që kishin qenë viktima të agresionit ushtarak të regjimit të Millosheviqit, i cili u bë katalizatori vendimtar i shpërbërjes së dhunshme të shtetit federal shumëkombësh, i krijuar në mënyrë artificiale në rendin e krijuar me paqen e Versajës. Qasja ligjore në procesin ndaj Millosheviqit u përqendrua në rolin e tij si udhëheqës politik dhe nëse ai kishte artikuluar e zbatuar një plan kriminal me pasojë kryerjen e krimeve çnjerëzore në masë.

Brutaliteti i shtypjes së regjimit milosheviqian nuk ishte një fakt i panjohur për vendet e goditura prej ushtrisë, policisë dhe strukturave paramilitare serbe, i ri ishte fakti që Millosheviqit iu lejua të mbrohej vetë, duke e luajtur rolin e avokatit, dhe kështu ai të merrte në pyetje njerëzit e traumatizuar, njerëzit që ishin viktima të brutalitetit të regjimit të tij. Ky fakt e bëri të qartë se gjykata do të përballej me sfidën e saj më të madhe. Si rrjedhojë, procesi gjyqësor po zgjaste jashtëzakonisht shumë. Por, më 11 mars të vitit 2006 u konfirmua vdekja e Millosheviqit, e cila la pa përfunduar një proces gjyqësor ndërkombëtar dhe aq edhe historik për ballafaqimin me të kaluarën dhe të ardhmen e Ballkanit.

Fundi i mundësisë për zbulimin e planeve të Millosheviqit

Ky ishte fundi i mundësisë për të zbuluar më shumë rreth Millosheviqit dhe planeve të tij dhe për ta detyruar të përballet me të vërtetat me të cilat ai nuk kishte pritur kurrë të ballafaqohej. Në lëndën e Millosheviqit nuk u arritën objektivat tradicionale të së drejtës penale, si ndëshkimi dhe drejtësia për viktimat. Megjithatë, procesi gjyqësor prodhoi një arkiv të pallogaritshme me dëshmi, ekspertiza, procesverbale të seancave gjyqësore dhe prova të tjera. Ky dokumentacion i procesit gjyqësor ndaj liderit serb, i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, është një burim i rëndësishëm historik për studiuesit e fushave të ndryshme. Ky arkiv i procesit gjyqësor ndaj krimeve në masë të luftës, edhe pse i papërfunduar, ndërton një kronikë të ngjarjeve të kaluara dhe ndihmon në interpretimet rreth një periudhe historike, si dhe formimin e kujtesës kolektive.

Andaj, natyrshëm procesi gjyqësor ndaj diktatorit serb tërhoqi vëmendjen e historianëve dhe studiuesit të ndryshëm për vlerësimin e këtyre dokumenteve dhe të dhënave të prodhuara nga TPNJ, rreth një çerek milion faqe: mijëra raporte të dëshmitarëve, mbrojtjen nga të akuzuarit, prova dokumentare dhe raporte voluminoze nga ekspertët. dëshmitarët.

Në mesin e autorëve që ka bërë një punë të vlefshme me akribi të lartë shkencore në përpunimin e këtyre dokumenteve tepër voluminoze për Millosheviqin është studiuesja Nevenka Tromp, ligjëruese në Studimet për Evropën në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, e cila përmes mendimit kritik dhe analizës së thukët të burimeve arkivore ka realizuar dhe ka rritur të bëjë një autopsi dhe dokunstruktim të plotë të ideologjisë dhe doktrinës serbomadhe, e cila u etablua që nga mesi i shekullit 19, duke filluar me Naçertaninë (1844) e deri te plani i koduar “Patkoi”.

Veç kësaj, autorja ka analizuar edhe burime nga jashtë procedurës gjyqësore, të njohura si materiale jashtëgjyqësore. Ky studim analizon tri tema të ndërlidhura –udhëheqësinë, ideologjinë dhe planin, që janë thelbësore për të kuptuar faktet e paraqitura nga akuza dhe mbrojtja, duke krijuar dy versione e narrative të kundërta dhe konkurruese të ngjarjeve të treguara në sallën e gjyqit.

Image
Struktura e librit të Nevenka Trompit, “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit” e konceptuar në shtatë kapituj formësohet nga hapat e njëpasnjëshëm në zbatimin e planit të supozuar ideologjik të Millosheviqit për Jugosllavinë

Synimi për një Kosovë pa shqiptarë

Libri i Nevenka Tromp për gjykimin e papërfunduar të Sllobodan Milosheviqit është i veçantë për katër gjëra: autorja e librit është me origjinë nga Kroacia, ku regjimi i kasapit të Ballkanit zhvilloi njërën nga luftërat e tij agresive për krijimin e Serbisë së Madhe dhe për faktin se Tromp ka qenë anëtare e Ekipit Kërkimor për çështje të Udhëheqjes (LRT) në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ); nga viti 2000 deri në vitin 2006 ajo ka qenë hulumtuesja kryesore e ekipit që ndoqi penalisht Sllobodan Millosheviqin. Dhe e treta, ky studim bazohet në tezën e saj të doktoratës të vitit 2015 me titullin më emblematik “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit”. E katërta, autorja edhe pse njihte mirë procedurën penale kundër Sllobodan Millosheviqit, në përpjekjet e saj për t’u dhënë kuptim shkresave jashtëzakonisht të shumta, përdori udhëzime dhe këshilla të studiuesve të cilët kishin studiuar strategjinë e luftës naziste duke hulumtuar dokumentet dhe procesverbalet e proceseve gjyqësore kundër krimeve të luftës në Nuremberg, Tribunali i Nurembergut prodhoi një interpretim historik shumë specifik të planit nazist, duke ia ngarkuar përgjegjësinë për luftën kryesisht një personi dhe elitës sunduese.

Sipas këtij interpretimi, Holokausti qe rezultat i një plani të qartë madhor të krijuar nga vetë Adolf Hitleri dhe që u zbatua nga lart poshtë. Kjo ishte një ndërmarrje e politikës së “zgjidhjes përfundimtare”, të cilën Millosheviqi e përdori në Kroaci, Bosnjë dhe sidomos në Kosovë, ku në emër të një miti mesjetar të sajuar në kohën e nacionalizmit serb, synonte një Kosovë pa shqiptarët si popullatë shumicë.

Ky libër me elemente biografike për liderin famëkeq serb, hedh dritë mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë dekonstrukton në themel doktrinën mbi Serbinë e Madhe, si dhe shpjegon në detaje rrugën e ngritjes dhe rënies nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit, i cili u rrëzua në vitin 2000, u ekstradua në 2001 dhe vdiq në burg në mars 2006. Për këtë arsye, procesi gjyqësor kundër ish-presidentit serb, i cili u akuzua për krime lufte dhe kundër njerëzimit në Ballkanin Perëndimor, ishte një nga proceset më të rëndësishme në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, ngase për herë të parë po gjykohej një ish-president shteti. Por, përkundër kësaj, me vdekjeje e parakohshme të Milosheviqit në mars 2006, procesi ndaj tij mbeti i papërfunduar. Megjithëse objektivat tradicionale të të drejtës penale, si ndëshkimi, drejtësia për viktimat dhe parandalimin, nuk u arritën, arkivi rreth procesit gjyqësor ndaj Millosheviqiot është një burim i rëndësishëm historik për hulumtuesit e fushave të ndryshme. Në librin e saj Nevenka Tromp nxjerr në dritë të dhëna nga koleksioni i provave dhe në procesverbalet, që përbëjnë dokumentacionin e procesit gjyqësor. Ajo pasqyron hulumtimin nëpër arkivin e procesit gjyqësor për të gjurmuar e shpalosur ekzistencën e një plani për krijimin e një shteti të madh serb.

Përveç kësaj, ky studim dëshmon se dokumentacioni i këtij procesi gjyqësor dhe dokumentacioni i proceseve gjyqësore në përgjithësi përbëjnë vërtet një burim historik të rëndësishëm. Në themel të studimit qëndron ideja se çdo dokument i një procesi gjyqësor të krimeve çnjerëzore në masë, qoftë ky proces i përfunduar apo i papërfunduar, përbën dëshmim të ngjarjeve të kaluara, jep ndihmesë në interpretimet e një periudhe historike dhe ndikon në formimin e kujtesës kolektive. Siç e thekson edhe autorja, libri nxjerr në dritë të dhëna nga koleksioni i provave shkresore dhe në procesverbale, që përbëjnë dokumentacionin e procesit gjyqësor, për t’i mundësuar lexuesve të gjurmojnë fijet e morisë së përshkrimeve historike.

Politika serbe dhe fshehja e dokumenteve

Struktura e librit të Nevenka Tromp, “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Milosheviqit” e konceptuar në shtatë kapituj formësohet nga hapat e njëpasnjëshëm në zbatimin e planit të supozuar ideologjik të Millosheviqit për Jugosllavinë; nga Memorandumi i Akademisë së Shkencave të Serbisë i vitit 1986 deri në rënien e Jugosllavisë së mbizotëruar nga serbët dhe udhëheqësit të saj të papenduar pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Kapitujt e parë të bazuar në prova analizojnë udhëheqësin dhe ideologjinë e tij. Katër kapitujt vijues mbulojnë përkatësisht katër hapat në strategjinë e tij të madhe, siç është rindërtuar nga autori: Jugosllavia e kohëve të fundit; lufta në Kroaci; lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë; dhe lufta në Kosovë.

Në kapitullin e parë, Tromp rishikon debatin klasik nëse Millosheviqi kishte qenë thjesht një gur shahu i nacionalizmit serb apo nëse ai e kishte instrumentalizuar me një dorë këtë ideologji dhe fuqinë e saj mobilizuese. Shtysa kryesore e tregimit është e njohur nga literatura akademike dhe burime të tjera, siç është libri i Ivan Stamboliqit. Tromp peshon dhe analizon deklaratat e ndryshme të bëra nga bashkëkohësit dhe dëshmitarët okularë në TPNJ.

Në këtë kapitull autorja e drejton interesin e saj kërkimor drejt provave që tregojnë planin e qëllimshëm të elitave serbe, domethënë se krimet e kryera nga formacionet ushtarake serbe janë rezultat i një plani që u realizua nga “lart poshtë”. Vetë akti i krijimit të TPNJ-së në vitin 1993 nuk kontribuoi në stabilizimin e situatës dhe vendosjen e paqes. Themelimi i TPNJ duhet të shihet nga perspektiva e indiferencës së bashkësisë ndërkombëtare për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjenocidi ndaj boshnjakëve i kryer në vitin 1995 në Srebrenicë dhe fillimi i mëvonshëm i luftës në Kosovë tregojnë qartë se TPNJ nuk kontribuoi në qetësimin e frymës nacionaliste serbe.

Në fakt, shteti serb, edhe pse e kishte dorëzuar Milosheviqin, në të njëjtën kohë nuk hoqi dorë nga përpjekja për të fshehur dokumentet e rëndësishme të regjimit të tij, për shkak se donte të pamundësonte në çdo rast dënimin e Serbisë nga GJND-ja si fajtore për gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Në këtë linjë, elita politike, intelektuale dhe kulturore serbe e kuptoi rëndësinë e TPNJ-së-së dhe që nga fillimi punoi për të mbrojtur interesat e tyre shtet-kombëtare, duke e paraqitur qëllimisht këtë tribunal ndërkombëtar si një institucion anti-serb, i formuar me qëllim vetëm gjykimin e serbëve, si dhe duke mohuar në mënyrë permanente krimet e bëra nga shteti serb në luftën e Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe të Kosovës.

Shkathtësia dhe kuptimi i rrethanave politike të elitave intelektuale, politike dhe kulturore serbe rezultoi me marrëveshjes në vitin 2003 në mes prokurores në gjyqin e Millosheviqit në Hagë me marrëveshjen e njëanshme në vitin 2003 mes Carla Del Ponte dhe ministrit të atëhershëm të Jashtëm serb Goran Svilanoviq, sipas së cilës, dokumentet shtetërore të regjimit të Millosheviqit nuk mund të përdoresh nga palët tjera për padi kundër Serbisë në GJND. Kjo marrëveshje me motive politike nga Del Ponte përbënte një goditje për gjyqësinë ndërkombëtare dhe njëkohësisht një fitore të madhe të Serbisë kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shfajësoi Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocidin gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë