Shtojca për Kulturë

“Daily Mail”, 25 mars 1999: Bombë e kurdisur me fitil 500-vjeçar

Bombardimet e NATO-s, Prishtinë, 24 mars 1999

Bombardimet e NATO-s, Prishtinë, 24 mars 1999

Foto: Alban Bujari

Edward Heathcoat-Amory 
Steve Doughty

 

Historia

Problemet e sotme në Kosovë kanë filluar me 1389, në një betejë të emërtuar pafajshëm Fusha e Korbave. Ushtritë e sulltanit turk sulmuan dhe mundën këto të mbretërisë së brishtë serbe. Vendasit thonë se aq shumë gjak ishte derdhur atë ditë, saqë lulëkuqet gjithandej Manastirit të Graçanicës, ku luftimet ishin më të rënda, ishin ngjyrosur me të kuqe të zjarrtë më shumë se kudo tjetër.
Pas kësaj disfate të tmerrshme, Serbia ishte gëlltitur nga Perandoria Osmane dhe mbeti nën të për 500 vjetët e ardhshëm. Ne anën tjetër të botës, nacionalizmi do të kishte vdekur përfundimisht. Por në Ballkan, i cili i ngjan Irlandës për nga kohëzgjatja e mbamendjes së saj dhe natyrës së qëndrueshmërisë së urrejtjes fetare dhe etnike, 500 vjet kaluan me një shkreptirë.

Më 1989, Sllobodan Millosheviqi kremtoi 600-vjetorin e Fushës së Korbave, me priftërinj ortodoksë të krishterë në anën e tij dhe i tha publikut të tij serb: “Askush nuk ka të drejtë t’ju godasë”.
Kisha ortodokse e mbajti të gjallë ëndrrën e pavarësisë dhe i mësoi serbët që ta shikojnë atë disfatë si çastin më heroik të historisë së tyre kombëtare. Kisha ka nxitur një urrejtje të thellë ndaj fitimtarëve myslimanë. Ne shekullin XIX, poeti serb dhe princi-peshkop i Malit të Zi shkroi: “Andaj rrëzoni minaret dhe xhamitë, ndizni gjethet kremtuese serbe dhe zbukuroni vezët e Pashkëve”. 

Serbët pa dyshim kishin mbetur të bindur se myslimanët ishin armiqtë e tyre. Myslimanët ua kthyen të mirën, duke i përjashtuar të krishterët nga armata perandorake dhe nga qeveria. Gjatë shekullit XIX, serbët gradualisht fituan lirinë e tyre nga Perandoria Osmane në shkatërrim e sipër dhe më 1881 ata u bënë një mbretëri. Pas aq shumë vjetësh në zgjedhë, ata u gjenden në një liri të re politike dhe, me mbështetjen e Rusisë, pretendonin shumë territore që atëherë kontrolloheshin nga Perandoria Austro-Hungareze.

Kur kryeduka Franc Ferdinand, trashëgimtari i fronit Austro-Hungarez, vizitoi Sarajevën më 1914, iu bë atentat nga Gavrillo Principi, një nacionalist i ri serb.

Kriza e cila pasoi çoi drejt Luftës së Parë Botërore.

Tensionet e komplikuara fetare regjionale u shfaqën përsëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hitleri krijoi një qeveri kukull në Kroaci, nën katolikun Ante Paveliq, politika e të cilit ndaj serbëve ortodoksë ishte “shndërrojeni një të tretën, dëbojeni një të tretën dhe vriteni një të tretën”. Më 4 maj 1941, në qytetin boshnjak Banjalluka, Paveliqi zuri peshkopin e krishterë të regjionit, ia rroi mjekrën e tij, ia nxori sytë, ia preu veshët dhe hundën dhe pastaj i ndezi një zjarr në gjoks, para se ta vriste përfundimisht.

Atëbotë, komuniteti mysliman vendor u përpoq t’i mbronte serbët ortodoksë. Ndërkohë në Bosnjën Lindore, serbët ortodoksë me entuziazëm po thernin mijëra myslimanë. Në një dredhi tipike ballkanike, kur shpërthyen luftimet në ish-Jugosllavi më 1992, serbët në Banjallukë nuk i sulmuan katolikët, nga të cilët ishin përndjekur para gjysmëshekulli, por myslimanët, duke ua djegur qytetet dhe 14 xhamitë. Në zemër të këtij lëmshi të ndërlikuar tmerrësisht të urrejtjes së lashtë fetare dhe etnike shtrihet Kosova.

Beteja e Fushës së Korbave ishte zhvilluar në territorin e Kosovës, por ajo nuk u bë pjesë e Serbisë deri më 1912. Ajo mbeti atje, edhe pse 90 për qind e popullatës së saj është etnikisht shqiptare dhe fetarisht myslimane, derisa filluan problemet e tanishme.

Edhe një herë, një përzierje e rëndë e fesë dhe e nacionalizmit serb duhet fajësuar. Qysh herët nga viti 1993, Patriku i Kishës Ortodokse Serbe urdhëroi që të gjitha reliktet të zhvendosen nga Manastiri i Graçanicës, duke insistuar se shteti serb përfundimisht do të duhej të shkonte në luftë me myslimanët e Kosovës. Sot, ai e arriti atë që donte, e tërë populli i regjionit po e paguan çmimin.

Përse Kosova ka rëndësi?

Shumica e popullit britanik, duke përfshirë dhe kryeministrin, e dinë vetëm një pjesë të historisë së Ballkanit. Çdo fëmijë shkolle mëson se një incident i paqartë në Sarajevë më 1914 çoi në Luftën e Parë Botërore. Në këto baza mendjelehta, regjioni arriti një reputacion si një pikë e nxehtë parimore e Evropës. Tony Blair qe në gjendje të arsyetonte intervenimin tonë ushtarak duke bërë një referencë kaluese për rëndësinë e saj gjeopolitike. Por sot Ballkani nuk është më aq sinjifikant sa ishte dikur. Gjatë gjysmës së parë të këtij shekulli, politikat në Evropë dominoheshin nga konfliktet ndërmjet Rusisë në lindje dhe Gjermanisë në perëndim. Ballkani, në mes, u bë tabelë shahu e përshtatshme ne të cilën secila anë mund të vepronte me lojërat e veta të fuqisë, deri kur ata vendosnin të shkonin në luftë me zell. Pas Luftës së Dytë Botërore, Ballkani ruajti disa nga rëndësitë e tij strategjike, si një zone shtytëse ndërmjet komunizmit dhe kapitalizmit. Sot, ndërkaq, gjërat kanë ndryshuar. Lufta e Ftohtë ka përfunduar dhe megjithëse Rusia akoma e mbështet Serbinë kurdoherë që është e mundur, në bazë të asaj se të dyja janë kombe sllave, Boris Yeltsin nuk do të luftojë për Sllobodan Millosheviqin.
Kryeministri rus, Yevgeny Primakov, mund ta ketë ndërprerë vizitën e tij të planifikuar për në Washington gjatë mesit të luftës për të protestuar kundër planeve të NATO-s për ta sulmuar Serbinë, por gjesti ishte kryesisht për konsumim politik vendor. 

Lufta e Tretë Botërore nuk do të fillojë në Ballkan. Megjithatë, ekziston një shqetësim i mirëfilltë se disa vende të tjera në regjion mund të ngatërrohen në konflikt. Maqedonia, ku një koalicion qeveritar relativisht i arsyeshëm përfshin edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, lehtazi mund të destabilizohet. Po të ketë sukses Millosheviqi në “spastrimin” e Kosovës nga shqiptarët, atëherë aq shumë sa një milion mund të orvaten të ikin në Maqedoni. Qeveria e atjeshme është tashmë e përçarë nëse do të lejojë kalimin e kufirit, me pritjen e maqedonasve për ta mbyllur dhe me minoritetin shqiptar për ta mbajtur të hapur.

Megjithatë shqiptarët janë gjithashtu të vetëdijshëm se ata nuk do ta kishin mundësinë, ushtarakisht kundër forcave të armatosura serbe të organizuara mirë dhe pajisje ruse dhe kështu ka të ngjarë se ata do të vringëllojnë me shpata dhe të mos bëjnë asgjë. Por edhe aleatët ballafaqohen me problemin çfarë të bëjnë nëse sulmet e tyre kanë sukses për ta trembur z. Millosheviq.

Disa përkrahës të kosovarëve kanë argumentuar se Perëndimi do të duhej të orvatej të krijonte një shtet të pavarur në Kosovë, të dominuar nga shqiptarët myslimanë. Por megjithëse kjo mund të shihej, a do të pajtohej Serbia, si një zgjidhje e pastër e problemit, ai do ta dëshmonte rezultatin më të rrezikshëm nga të gjithë.

Një Kosovë e pavarur do të orvatej të lidhej me vetë Shqipërinë dhe bashkëkombësit e saj në Maqedoni, për të krijuar një shtet më të madh shqiptar. Kjo mund t’u jepte militantëve myslimanë një urë në Evropën Qendrore dhe të thuash me siguri do të zgjaste luftën në regjion. Andaj, nëse shqetësimi i vetëm i Perëndimit ishte të ndërtonte një paqe të qëndrueshme në Ballkan, mbase ai do të kishte guxim moral të qëndronte mënjanë derisa z. Millosheviq të sillej si një kasap, e të lejonte serbët ta rrëmbenin Kosovën, pas të gjithave.

Mësimet e Bosnjës

Kriza në Bosnjë ka lënë 26,000 trupa të NATO-s në regjion për zbatimin e një paqeje të ndjeshme ndërmjet fraksioneve ndërluftuese. Operacioni masiv, i cili duket gjithnjë e më shumë si një fund i hapur, kushton dhjetëra milionë sterlina në vit për t’u mbajtur.

Më shumë se 5,000 ushtarë britanikë, 500 nga ata të Armatës Territoriale, janë të stacionuar në zonë si pjesë e Divizioneve Shumëkombëshe (jug- perëndim), të vendosura në Banjallukë. Forcat britanike përfshijnë inxhinierë, tanke, komunikimet, transportet dhe këmbësorinë, si dhe bateritë kundërajrore.
Të gjitha forcat e NATO-s në Bosnjë janë teknikisht brenda rrezeve të raketave serbe dhe avionëve, edhe pse ato janë skajshmërisht të mbrojtura mirë dhe komandantët janë të sigurt se trupat në tokë nuk do të dëmtohen. Ka edhe shqetësime se popullata serbe e Bonjës do të hakmerret, mbase me veprime terroriste, nëse forcat e NATO-s godasin atdheun e tyre ditëve të ardhshme. Amerikanët kane 6,000 trupa në zonë, francezët 3,500 – duke përfshirë Legjionarët e Huaj – rusët kanë 3,000 dhe ukrainasit 400. Të gjitha 16 vendet kryesore të NATO-s janë të përfaqësuara në forcat paqeruajtëse të cilat gjenden atje për të siguruar se të gjitha palët i përmbahen marrëveshjes së vitit 1995 në Dayton, nën të cilat ato duhet të mbahen në pjesët e përcaktuara të vendit.

Tre partnerët e rinj të NATO-s, Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke, kanë gjithashtu trupa në zonë. Sarajeva mbetet qytet mysliman, edhe pse serbët kanë dy distrikte.

Forcat e NATO-s janë duke shkelur gjithnjë e më shumë vijën e hollë ndërmjet kroatëve, serbëve dhe myslimanëve. Te tri anët luftuan me një lufte të përgjakshme për tre vjet, e urrejtja e thellë ende ekziston.

Luftimet e ashpra, që përjetuan njerëzit të cilët jetonin si fqinjë për gjenerata duke bërë papritmas krime të tmerrshme kundër njeri-tjetrit, çuan në një mori gjyqesh për krime lufte në Hagë.

Por kritikët thonë se vetëm “një fërgesë e vogël dhe deshët e kurbanit” kanë përfunduar para gjyqeve, me shumicë të dyshuarish të tillë si komandanti ushtarak serb, gjenerali Ratko Mlladiq dhe lideri serb i Bonjës, Radovan Karaxhiq, që po i ikin ndëshkimit. Kjo është kundër kësaj prapavije të mosbesimit, hakmarrjes dhe urrejtjes radikale që paqeruajtësit e NATO-s po përpiqen të funksionojë, duke udhëhequr shumë komentues për të parashikuar se roli i tyre do të duhet të zgjasë për dekada sesa me vite – diçka që politikanët kishin insistuar se nuk do të ndodhte kur ishte nënshkruar marrëveshja.

Faksimile e faqeve 6 dhe 7 të gazetës “Daily Mail” të datës 25 mars, 1999

Hap pas hapi, tetë vjetët e fundit

Lufta erdhi në Jugosllavi më 1991, kur shteti komunist i shqetësuar mbeti prapa pas vdekjes se diktatorit Tito me 1980, përfundimisht u thërrmua. Ai u copëtua kur armiku i përbashkët i pjesëve përbërëse të tij rivale – Bashkimi Sovjetik – u shemb. Shteti cung i Jugosllavisë – Serbia e krishterë ortodokse dhe sateliti i saj, Mali i Zi – luftoi për të mbajtur kontrollin. Sllovenia në veri iku nga sundimi i Beogradit pothuajse menjëherë. Një luftë të përgjakshme, por të shkurtër përjetoi Kroacia romano-katolike e pavarur brenda disa muajve.

Bosnja, një larushi etnike e serbëve, kroatëve dhe myslimanëve, shpalli pavarësinë nga Beogradi më 1992, pastaj vuajti më shumë se tre vjet të luftës së rrethimit mizor. Luftimet e bënë qytetin e Sarajevës një simbol të flijimit dhe i dhanë botës frazën “spastrim etnik”, ngase serbët siguruan zona të mëdha.

Britania udhëhoqi një politikë të orvatjes së fitimit të paqes përmes diplomacisë ndërsa po e zbehte luftimin. Politika dështoi, trupat britanike në misionin e tyre humanitar u turpëruan nga ushtritë përreth.

Në gusht të vitit 1995, SHBA-ja bindi Britaninë të përdorte forcën. Sulmi masiv ajror i NATO-s inkurajoi njeriun e fortë të Beogradit, Sllobodan Millosheviq, të urdhëronte shërbëtorët e tij në Bosnjë të bisedonin për paqen.

Brenda tre muajve marrëveshja paqësore e Deytonit ishte nënshkruar në Ohio. Bosnja ishte përgdhendur dhe trupat e NATO-s u futën për ta mbajtur marrëveshjen. Por Daytoni gjithashtu e pa Perëndimin të njihte kufijtë ekzistues të Serbisë dhe Malit të Zi si një Republikë Federative të Jugosllavisë së re.

Me shqiptarët kosovarë të gremisur të jenë pjesë e një Serbie të madhe, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ndërmori sulme guerile kundër policisë serbe të militarizuar, duke çuar në reprezalje dhe në një luftë etnike kryengritëse.

Pas masakrave serbe ndaj kosovarëve, Këshilli i Sigurimit i OKB-së thirri për armëpushim. Serbët po vazhdonin t’i refuzonin mediat ndërkombëtare, por pas pajtimit të aleatëve të NATO-s për goditje ajrore tetorin e kaluar, Millosheviqi u pajtua të tërhiqej dhe të lejonte vëzhguesit e paarmatosur në Kosovë. Pastaj luftimet përsëri u përhapen, me më shumë masakra nga serbët.

Shpresa e fundit për paqe erdhi kur Evropa u orvat të bënte për Kosovën atë që SHBA-ja kishte arritur për Bosnjën në Dayton. Meqë bisedimet paqësore në Rambouillet afër Parisit jehuan pa vendime, Tony Blair urdhëroi 8,000 trupa britanike të qëndronin kundruall kufirit kosovar në Maqedoni. Rambouillet dështoi me refuzimin e Millosheviqit të bënte koncesione të cilat do ta kapitullonin kontrollin serb.

Kush është UÇK-ja?

Para dy vjetëve Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një grup margjinal ekstremist me, më së shumti, disa qindra kryengritës të armatosur. Tani ajo ka një armatë të fortë prej 30,000 vetash të pajisur me armë moderne kundërtanke, granatahedhëse dhe pushkë sulmuese AK47. Forca e saj mund të shumëzohet një mijë fish gjatë disa ditëve të ardhshme. Ajo mund të përfitojë çdo gjë nga sulmet masive ajrore ndaj armikut të saj. Analistët po pyesin si mundi UÇK-ja ta bëjë këtë transformim të papritur. Përgjigjja qëndron në egërsinë e serbëve, në ndërhyrjen e Perëndimit dhe në suksesin e madh të UÇK-së – pjesërisht jolegjitim – në mbledhjen e fondeve.

Deri në mesin e 1990-ve popullsia me shumicë shqiptare e Kosovës kishte ngecur prapa udhëheqësit të moderuar Ibrahim Rugova, i cili aspironte të fitonte autonominë përmes mjeteve paqësore, duke iu shmangur tmerreve që i kishin ndodhur Bosnjës.

Por më 1995 Perëndimi e pranoi Republikën Federale të Jugosllavisë së re e cila ende e përfshinte Kosovën. Udhëheqësit kryengritës fituan mbështetjen e papritur nga shumë moderatorë të zhgënjyer. Atëherë, meqë represioni serb ndaj gjuhës shqipe dhe lidershipit u përshkallëzua, duke iu kthyer thertores vitin e kaluar, numrat në rritje u mblodhën në UÇK.

Grupi gjeti shumë nga armët e tij më 1997-n, kur rendi civil në Shqipërinë fqinje u shemb dhe depot ushtarake u plaçkitën. Megjithatë, ngritja e UÇK-së ka mundur të ketë arritur duke shitur drogë në qytetet e vendeve që tani janë duke i dërguar ushtarakët për ta ndihmuar popullin e tyre.
Paraja e gatshme është derdhur nga rrjetet e emigrantëve shqiptarë në Yonkers të New Yorkut, Zvicër, Gjermani dhe Suedi.

Paratë kanë shkuar për t’i paguar armët nga Wembly në Londër, ku numri i madh i azilkërkuesve shqiptarë ka ndërtuar një ekonomi të zezë të lulëzuar. Ekzistojnë dyshime se një pjesë e këtyre parave është e paligjshme – në veçanti se disa nga ato janë fitim nga një treg i lulëzuar droge. 

Sigurisht se shembja e Shqipërisë dhe ndikimi i luftës në Ballkan i kanë dhënë krimit të organizuar një pikëmbështetje në Adriatik. Shqipëria është bërë një skenë kryesore për furnizimin me heroinë në Evropë.

Ky artikull i botuar në të përditshmen britanike “Daily Mail” më 25 mars është shkëputur nga libri ““78 ditët e bombardimeve të NATO-s” i Shqyri Nimanit (6 maj 1941 – 22 qershor 2023), botuar në shkurt të vitit 2022.