Shtojca për Kulturë

“Çinari i Moçëm” zbardh krimet e fshehura të komunizmit në Ulqin

Libri “Çinari i Moçëm” i Gani Karamanagës – botoi BKSHMZ, Ulqin, 2021 – hap dilema për të kaluarën e Ulqinit, sepse për të parën herë ofrohen të dhëna të cilat kanë qenë të ndaluara dhe si të tilla të panjohura për opinionin e gjerë në këtë qytet. Andaj të gjithë të interesuarit, e sidomos gjeneratat e reja kanë mundësi të njihen për të kaluarën e panjohur apo “historinë e fshehur”, të krimeve të pushtetit komunist në Ulqin

I njohur si mjek për nga profesioni, dr. Gani Karamanaga opinionit të gjerë viteve të fundit i është prezantuar me botime të veçanta të cilat kanë zgjuar interesimin e lexuesve të ndryshëm. Në vazhdën e tyre është edhe libri më i ri me titullin “Çinari i Moçëm”. Kemi të bëjmë me një libër të veçantë për nga përmbajtja, sepse trajtohen ngjarjet tragjike në qytetin e Ulqinit, të ndodhura në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht kur këtu u vendos pushteti komunist. Janë pikërisht këto ngjarje tragjike të cilat janë realizuar me skenar dhe regji nga pushtetarët e rinj, drejtuar kundër popullit shumicë, përkatësisht shqiptarëve në këtë mjedis.

Për lexuesit, titulli i librit “Çinari i Moçëm” me fotografinë në ballinë është intrigues, sepse ai nuk është i përgjithshëm, por i veçantë se është dëshmitar i disa ngjarjeve nga e kaluara deri në ditët tona. Pikërisht këto të dhëna e kanë motivuar autorin që ky libër të titullohet i tillë, sepse mbetet pikë referuese për popullsinë e Ulqinit.

Çështjet e trajtuara në këtë botim eseistik i referohen kohës së ndryshimeve të mëdha shoqërore, ku me vendosjen e pushtetit të ri mendohej se do të realizohej barazia qytetare e kombëtare e shqiptarëve në këtë mjedis. Por, ngjarjet demantuan një perceptim të tillë sepse me vendosjen e pushtetit të ri komunist në Ulqin nga data 26 nëntor 1944, e më pas individë të ndryshëm u burgosën, u pushkatuan pa gjyqe, apo u dënuan me procese gjyqësore të montuara. Ishte ky veprimi praktik i pushtetit, i cili veproi sipas kursit hegjemonist me vellon e ideologjisë komuniste me parullat e “vëllazërim-bashkimit”.

Në rrethana të tilla të fushatës kundër shqiptarëve, pushteti kishte planifikuar t’i eliminonte individët të cilët llogariteshin si të papërshtatshëm madje edhe armiq të pushtetit, i cili po instalohej. Të dhënat të cilat prezantohen në këtë botim e trajtojnë këtë çështje në mënyrë të kompletuar.

Nga të gjithë të eliminuarit, dallohet njëri e ai është Rafo-Raif Gorana, një ndër personalitetet e rëndësishme në atë kohë në Ulqin. Autori na ofron të dhëna me interes për familjen Gorana, por edhe të tjera të cilat janë persekutuar në qytetin e Ulqinit.

Esetë e prezantuara në këtë botim paraqesin momente emocionale për çdo lexues, dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse prezantohen ngjarje dhe persona të cilët u likuiduan vetëm pse ishin shqiptarë.

Botimi “Çinari i Moçëm” hap dilema për të kaluarën e Ulqinit, sepse për të parën herë ofrohen të dhëna të cilat kanë qenë të ndaluara dhe si të tilla të panjohura për opinionin e gjerë në këtë qytet. Andaj të gjithë të interesuarit, e sidomos gjeneratat e reja, kanë mundësi të njihen për të kaluarën e panjohur apo “historinë e fshehur”, të krimeve të pushtetit komunist në Ulqin. Ishte koha e pushtetit policor, kur askush nuk ishte i sigurt në shtëpi të vet që u dëshmua me burgosje e pushkatime pa gjyq kundër “armiqve” të imagjinuar, për të frikësuar popullsinë e Ulqinit.

Libri “Çinari i Moçëm” ka si mision njohjen me dosjen e krimeve të pushtetit të kohës, duke vlerësuar se në rrethana të reja shoqërore duhet të thuhet e vërteta, duke bërë dallimin në mes të viktimave dhe kriminelëve. U mbetet të tjerëve të vazhdojnë për hulumtime përkatëse, për t‘ua kthyer dinjitetin viktimave të pafajshme, duke i nderuar me rivarrimin e tyre si kudo në botën e qytetëruar.

Në këtë aspekt duhet angazhim konkret nga trashëgimtarët e familjeve të tyre, por edhe nga pushteti lokal dhe subjektet e ndryshme duke dëshmuar solidaritet në këtë mision sa humanitar dhe kombëtar.

Përfundimisht këtë botim e vlerësoj si homazh për të gjitha viktimat në Ulqin në atë kohë dhe më pas, çështje e cila besoj se do të trajtohet dhe plotësohet nga autorë të ndryshëm në të ardhmen.