Historianët Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz kanë botuar në pesë vëllime raportet e konsujve austro-hungarezë nga Vilajeti i Kosovës dhe nga Kosova e sunduar nga serbët. Raportet përfshijnë periudhën e ndryshimeve dramatike mes viteve 1870–1914 dhe përmbajnë të dhëna jashtëzakonisht të rëndësishme mbi jetën shoqërore dhe politike në viset shqiptare. Në vijim një përzgjedhje e raporteve
Mit’hat Frashëri angazhohet në Shkup që shqiptarët myslimanë t’i vijojnë mësimet në shkollat shqiptaro-katolike. Klubet shqiptare të Kumanovës dhe Tetovës mbështesin përdorimin e alfabetit latin. Myderrizët shqiptarë luftojnë për alfabetin arab
Më 25 shtator 1908 konsulli austriak Robert Lukes (1881–1970) në një raport nga Shkupi tregonte mbi përpjekjet e Mit’hat Frashërit për arsimimin e shqiptarëve myslimanë të Vilajetit të Kosovës. Me rastin e një takimi të aktivistëve shqiptarë në Selanik, mësuesi i shkollës shqiptaro-katolike të priftërinjve Gjon Kajtazi bisedoi me Mit’hat Frashërin me ç’rast ky i fundit theksoi se parakusht për ngritjen kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës është hapja e shkollave kombëtare.

Në lidhje me këtë Mit’hat Frashëri propozoi që hapin e parë për pranimin e shqiptarëve muhamedanë ta bëjë shkolla shqiptaro-katolike e priftërinjve në Shkup. Frashëri i propozoi konsullit të përgjithshëm austriak Rappaport se nëse shqiptarët muhamedanë nuk pranojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë për shkak se ajo gjendet në një oborr me kishën katolike, atëherë shkolla të zhvendoset jashtë oborrit të kishës.
Konsulli Robert Lukes njofton se mbi këtë temë kishte biseduar me klerin katolik dhe me mësuesit e shkollës shqiptare në Shkup, si dhe me udhëheqjen e klubit shqiptar të Shkupit. Të dyja palët me simpati e përshëndesin pranimin e shqiptarëve muhamedanë në shkollën katolike (natyrisht pa mësim fetar për myslimanët) dhe besojnë se kjo mësimdhënie është e zbatueshme, shkruan Robert Lukes.
Konsulli shtron çështjen e sigurimit të materialit shkollor për nxënësit, rikujton se klubi shqiptar i Shkupit përkrahte përdorimin e alfabetit latin, por thekson se brenda klubit ka një lëvizje të myderrizëve, të cilët këmbëngulin në përdorimin e “alfabetit turk” (arab). Kjo lëvizje, thuhet në raport, mund të zgjerohet te popullsia muhamedane gege. Anëtarët e shquar të klubit shqiptar, Nexhip Draga dhe Hamdi Beu, shpresojnë se do të arrijnë t’i bindin kolegët e tyre liberalë që t’i dërgojnë fëmijët në shkollën katolike. Konsulli Robert Lukes njofton se jo gjithkund refuzohet alfabeti latin. Për shembull, shton ai, klubet shqiptare të sapothemeluara në Kumanovë dhe në Tetovë po kërkojnë përdorimin e shkronjave latine.
1913: Shantazh kundër nënës së Isa Boletinit dhe një pop ortodoks i veshur me veshje shqiptare

Më 24 tetor 1913 Konsulli Austro-Hungarez në Mitrovicë raportonte se nga një burim i mirinformuar kishte mësuar se me datën 22 tetor 1913 një komision i përbërë nga një zyrtar i naçellnikut të qarkut, nga zëvendësi i prefektit, nga kryeplaku i rajonit dhe nga një imam kishte shkuar në shtëpinë e Isa Boletinit. Zyrtari i naçellnikut i tha nënës së Isa Boletinit se do të dëbohet “në Serbinë e vjetër” bashkë me familjarët e saj nëse brenda muajit nuk arrin ta bindë të birin e saj të kthehet. Nëna e Isa Boletinit, sipas raportit të Konsullit Austro-Hungarez, një grua e thjeshtë, por e mençur dhe energjike, ishte përgjigjur kështu: “Nuk e di ku gjendet djali im, andaj nuk do të ndërmarr asgjë për ta detyruar të kthehet. Ta dini se unë jam nëna e Isa Boletinit. Po ju them që askush nuk mund të na detyrojë ta braktisim shtëpinë tonë. Mund të hapni zjarr ndaj nesh ose të na digjni kulmin mbi kokë, por të gjallë nuk mund të na largoni nga shtëpia”.
Në vijim të raportit të tij Konsulli Austro-Hungarez shkruan se po ia lejonte vetes të shtonte edhe informatën se popi Angjellko, i cili hapur ishte angazhuar tek autoritetet serbe për interesat e familjes së Isa Beut dhe për interesat e muhamedanëve të shtypur, para 10 ditësh ishte fjalosur dhe prishur me naçellnikun e këtushëm për shkak të familjes së Isës. Pastaj popi Angjellko, i veshur me rroba shqiptare dhe i përcjellë nga disa shoqërues, kishte marrë rrugën për në Drenicë. Në fund të raportit, Konsulli Austro-Hungarez nga Mitrovica shkruan: “E konsideroj gjithsesi të mundshme që ky pop ortodoks, i cili ka qenë sekretar, furnizues me armë dhe mik i Isa Beut, të kalojë krejtësisht në anën e shqiptarëve”.
Viti 1880: Një italian në Gjilan
Në një raport të dërguar nga Prizreni më 13 maj 1880 konsulli austriak Joseph Waldhart (1819–1902) citonte një shënim që ia kishte dorëzuar një prift katolik nga Janjeva. Aty thuhej se në ditën kur një numër i refugjatëve muhamedanë sulmoi kufirin serb në drejtim të Vrajës e Leskocit dhe u detyrua të zmbrapsej, një zotëri në moshë të pjekur dhe i veshur si europian kaloi kufirin me kalë dhe arriti në Gjilan, ku i pazbuluar gjeti strehim te një farkëtar katolik dhe tha se ishte italian, se kishte shërbyer në milicinë serbe, se kishte dezertuar, se ishte pa pasaportë dhe se dëshironte të kthehej në Itali përmes Prizrenit dhe Shkodrës.
Ai tha se quhej Peter dhe kërkonte kajmekamin e Gjilanit për t’ia lëshuar një leje për shoqërim për të kaluar nëpër këtë territor. Kajmekami dyshoi se është spiun serb, urdhëroi mbikëqyrjen e tij dhe tri ditë më vonë e përcolli me roje deri në Prishtinë. Thuhet se Peter me vete kishte një shumë të madhe parash (100 napolona). Në një fshat tri orë larg Gjilanit eskorta me Petrin kaloi natën te një i krishterë ortodoks. Mikpritësi i pavullnetshëm, me gjasë i shtyrë nga eskorta e zaptijeve, ia bëri me dije Petrit se jeta e tij ishte në rrezik. I frikësuar, Peter u përpoq ta shpëtojë veten, por u kap nga zaptijet, u vra dhe u grabit. Zaptijet morën kalin e mirë dhe gjësendet e mbetura të Petrit. Konsulli Joseph Waldhart shkruan në fund të raportit të tij se është vështirë të dihet se kush ishte ky Peter.

1913: 1200 burra të vrarë në Prizren dhe rrethinë. Kufomat e tyre po i hanë qentë dhe zogjtë
Në raportin e datës 30 janar 1913, konsulli austriak Oskar Prochaska njoftonte mbi pasojat e pushtimit serbo-malazez në Prizren dhe rrethinë. Sipas Prochaskas, popullsia e qytetit të Prizrenit ishte shumë e frikësuar nga sundimi i dhunshëm. Në rrugicat e qytetit, sipas diplomatit austriak, shihen pothuaj vetëm ushtarë, muhamedanët dalin nga shtëpitë e tyre vetëm në raste urgjente dhe me perëndimin e diellit qyteti duket si i vdekur. Shumë shtëpi muhamedanësh janë të zbrazëta. Ato shtëpi që nuk janë të zëna nga ushtarët, po okupohen nga popullsia serbe. Meqë dyqanet plaçkiten gjatë natës, tregtarët muhamedanë që kishin kursime, i kanë mbyllur dyqanet pas fillimit të invadimit. Së fundi u plaçkit shtëpia e Shani Efendiut, pasanikut më të madh të këtushëm. U vodhën edhe qilimat e Xhamisë së Sinan Pashës. Në qytet dhe rrethinë u ekzekutuan gjithsej 1200 burra. Kufomat mbetën në qytet të pavarrosura me javë të tëra dhe u shërbenin qenve dhe zogjve si tagji. Edhe tani ekzekutimet po vazhdojnë herë pas here.
1902: Ndërprerja e lidhjes postare nga Mitrovica në Pejë dhe Novi-Pazar
Më 24 gusht 1902 konsulli austriak në Shkup raportonte se tashmë 4 ditë është ndërprerë lidhja postare e Mitrovicës me Pejën dhe Novi-Pazarin. Kjo kishte ndodhur për shkak të bllokimit të rrugëve nga fisi i Gashit nën drejtimin e ish-prefektit të Mitrovicës, Mustafa Agës. Ky akt hakmarrjeje ndodhi pasi që më 20 gusht xhandarët vranë të birin e Mustafa Agës, i cili në gjendje të dehur kishte tentuar që gjatë natës të futet në shtëpinë e një gruaje të krishterë. Më 21 gusht përkrahësit e Mustafa Agës vranë një xhandar që po shoqëronte transportin postar për në Pejë.
(...)
Sipas konsullit, në rajonin e Mitrovicës mbretëron frika se do të shpërthejnë trazira, pasi që dy zabitët e vrarë mendohet se i përkasin fisit arnaut të shaljanëve, të cilit i takon edhe i shumëpërmenduri Isa Boletini.
1874: Konsulli dhe korrupsioni në Prizren
Friedrich Lippich von Lindburg (1834–1888) u lind në Lubjanë (Laibach) dhe vdiq në Vjenë. Përfundoi Akademinë Orientale në Vjenë. Punoi 24 vjet në viset shqiptare, së pari si Konsull i Austrisë në Prizren dhe nga viti 1878 Konsull i Përgjithshëm në Shkodër.
Në një raport të dërguar nga Prizreni më 9 qershor 1874 Konsulli Friedrich Lippich von Lindburg shkruante se veprimtaria zyrtare e guvernatorit të përgjithshëm të Prizrenit (mytesarifit) Ahmet Hamdi Pasha në disa aspekte kishte sjellë rezultate të kënaqshme, ndonëse qasja e tij modeste nuk i kishte lënë aq përshtypje popullsisë vendore. Ekzekutimi i një keqbërësi në Prizren ndikoi deri diku në ndryshimin e disponimit në favor të valiut.
Ndër vendimet e para të Ahmet Hamdi Pashës hynte largimi i disa zyrtarëve, të cilët konsideroheshin tepër të korruptuar dhe kështu kishin fituar besimin e paraardhësit të Ahmet Hamdi Pashës. Konsulli Friedrich Lippich von Lindburg shkruante se Ahmet Hamdi Pasha kishte virtytin fatkeqësisht të rrallë në këto vise të të qenit i sinqertë në punën e financave për dallim nga paraardhësi i tij Hysni Pasha. Mbetet të shihet nëse krahina do të administrohet më mirë nën drejtimin e Ahmet Pashës, i cili është më pak gjenial, por larg më i sinqertë se Hysni Pasha.
Konsujt e Austro-Hungarisë në Prizren
Nga viti 1861 Austro-Hungaria kishte një Konsullatë Nderi në Prizren. Në prill 1869 u hap Konsullata e Austro-Hungarisë në Prizren. Fillimisht ishte në administrimin e Konsullatës në Shkodër. Mes viteve 1872–78 ishte Konsullatë e pavarur, pastaj prapë nën administrimin e Konsullatës në Shkodër. Më 1889 Nënkonsullatë nën administrimin e Konsullatës në Shkup. Nga viti 1896 Konsullatë e pavarur. Më 1913 nën administrim të Konsullatës në Beograd. Më 1914 u mbyll si pasojë e shpërthimit të luftës. Në vijim emrat e konsujve dhe koha e shërbimit në Prizren:
Friedrich Lippich – tetor 1867–nëntor 1877
Franz Jelinek - nëntor 1877–nëntor 1879
Joseph Waldhart - nëntor 1879–korrik 1882
Norbert Schmucker - korrik 1882–shkurt 1884
Richard Hickel - shkurt 1884–shkurt 1889
Alexander Péscha - shkurt–maj 1889
Stanislaus Ritter von Piliński – maj 1889–qershor 1891
Carl Peez - dhjetor 1889 – maj 1890
Julius Pisko – qershor 1891–dhjetor 1892
Anton Bichler - dhjetor 1892–maj 1895
Heinrich Jehlitschka – pranverë dhe vjeshtë 1895
Anton Edler von Winter – nëntor 1895–prill 1897
Alfred Rappaport - prill 1897–shkurt 1900
Emil Muthsam - shkurt 1900–nëntor 1903
Karl Halla - nëntor 1903–prill 1904
Oskar Prochaska - prill–gusht 1904
Wenzel Lejhanec - gusht 1904–dhjetor 1906
Oskar Prochaska - dhjetor 1906–shkurt 1913
Tibor Pözel - shkurt–gusht 1913
Rudolf Kohlruss – qershor 1913–korrik 1914