Shtojca për Kulturë

“Bota serbe” e sherrit

Serbia u shkakton vazhdimisht kokëçarje shteteve fqinje që kanë dalë prej Jugosllavisë së prishur përgjakshëm për shkak të projektit të “Serbisë së madhe”. Por Beogradi, ndryshe nga vitet nëntëdhjetë, politikën e ndërhyrjes në punë të brendshme të fqinjëve, po e zbaton nëpërmjet mekanizmave politikë, fetarë dhe të inteligjencës në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi e Maqedoni. Veçse për realizimin e “Serbisë së madhe”, pos mjeteve, ka ndërruar edhe emrin e projektit

Serbia nuk po arrin assesi të shkëputet nga e kaluara e saj kriminale.

Sivjet, si asnjëherë tjetër, janë ngjallur kujtimet e frikshme të luftërave në shtetet që dolën nga Jugosllavia. Njëherësh në Serbi, u thuren lavde e lartësohen në qiell kriminelët e luftës.

Serbia u shkakton vazhdimisht kokëçarje shteteve fqinje që kanë dalë prej Jugosllavisë së prishur përgjakshëm për shkak të projektit të “Serbisë së madhe”. Por Beogradi, ndryshe nga vitet nëntëdhjetë, politikën e ndërhyrjes në punë të brendshme të fqinjëve, po e zbaton nëpërmjet mekanizmave politikë, fetarë, kulturorë dhe të inteligjencës në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi e Maqedoni.

Gjuha e ndryshme, qëllimi i njëjtë

Serbia e Aleksandër Vuçiqit, duke shfrytëzuar edhe zhvillimet gjeopolitike, po fuqizon ndikimin nëpërmjet mbi një milion serbëve nëpër këto shtete. Thirret në emër të asaj që tashmë në Serbi po i referohen si “Bota serbe”, shprehje e përdorur nga historiani djathtist, Aleksandër Rankoviq.

“Botës serbe” tashmë i është dhënë karakter zyrtar, duke e shpallur 15 shtatorin si Dita e bashkimit, lirisë dhe flamurit kombëtar të serbëve.

Për nënkryetarin e Preshevës, Serbia edhe kur e ndryshon gjuhën, qëllimin e ka të njëjtë.

“Politika serbe, pavarësisht kush vjen në pushtet në Beogradin qendror në nivelin qeveritar, kanë gjithmonë një elaborat të Çubrilloviqëve, që asocion gjithmonë në Serbinë e madhe, kudo që ka një serb të quhet Serbi”, thekson Ragmi Mustafa, nënkryetar i Preshevës.

Ai thotë se kjo qasje edhe solli luftërat e viteve nëntëdhjetë. Serbia e Slobodan e Milosheviqit, pas gjenocidit në Bosnjë, u përballë me 78 bombardime të NATO-s në pranverën e vitit 1999 për shkak të krimeve e masakrave të luftës në Kosovë. Por Mustafa thotë se Beogradi zyrtar nuk ka ndryshuar mendësinë edhe njëzetë vjet pas luftës së humbur kundrejt UÇK-së dhe aleatëve perëndimorë.

“Serbia, sikur ka marrë impulse të reja edhe tani në këtë fazë”, thekson Mustafa. “Në këtë fazë ndikimet e Serbisë janë shumë të dukshme edhe në Maqedoni të Veriut, edhe në Mal të Zi, por me theks të veçantë edhe në territorin e Republikës së Kosovës, duke menaxhuar me Listën Serbe, duke menaxhuar me serbët, duke i trajtuar sikur ata janë në Serbi”.

Kthimi i Amerikës

Ditëve të fundit, vëmendjen më të madhe ndërkombëtare e ka rrokur Bosnjë-Hercegovina, për shkak të paralajmërimit të liderit të serbëve, Milorad Dodik, se Republika Srpska mund ta themelojë edhe ushtrinë e vet në shtetin multietnik. Marrëveshja e Daytonit po rrezikohet nga qeverisja jofunksionale e bazuar në linja etnike.

Anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës i kanë dhënë garanci emisarit special të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, se nuk do të ketë shpërthim të luftës në shtetin multietnik.

“Të gjithë pajtohemi se nuk do të ketë luftë, dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm. Dhe ky nuk është vetëm mesazh që do ta dëgjoni nga të gjithë liderët që i takova sot, por do ta dëgjoni edhe nga të gjithë liderët rajonalë”, deklaroi Gabriel Escobar, emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor, pas takimit me liderët e Presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës.

“Më erdhi mirë që pata një takim produktiv me zotin Dodik, ku ai diskutoi haptazi tërheqjen e gjithë legjislacionit që do t’i dobësonte institucionet qendrore”.

Zhelko Komshiq, anëtari kroat i Presidencës boshnjake, ka thënë se Marrëveshja e Dejtonit do të jetë në thelb të politikës amerikane për Bosnjën, por amerikanët janë detyruar të zbarkojnë përsëri të mërkurën në Sarajevë.

“Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe gjithçka që del prej saj, ishte, është dhe do të vazhdojë të jetë boshti i politikës së SHBA-së (kundrejt Bosnjës). SHBA-ja është nënshkruese e Dejtonit dhe asnjë shkelje e marrëveshjes nuk është e mundshme pa aprovimin amerikan dhe të aleatëve tanë evropianë”, deklaroi Komshiq.

Image
Portretit të Ratko Mladiqit, ditë më parë iu bashkua edhe ai i liderit çetnik të Luftës së Dytë Botërore, Drazha Mihailoviq (Foto: AP)

Dodiku s’e bën hesap Amerikën

Por edhe të mërkurën, në ditën e parë të vizitës treditore të delegacionit amerikan, Dodiku ka deklaruar se kërcënimi me sanksione të SHBA-së “më nuk do t’i frikësojë njerëzit” sikurse në të kaluarën.

“Mendoj se nëse vihen sanksionet e tjera – kjo do ta radikalizonte gjendjen edhe më shumë. Situata do të bëhet e pakthyeshme sa i përket funksionalitetit të Bosnjë-Hercegovinës”, deklaroi Milorad Dodik, anëtari serb i Presidencës trepalëshe boshnjake. “Do të jetë e pamundshme që Bosnja të funksionojë. Ndoshta në të kaluarën, këto sanksione kanë dhënë rezultat, por jo më. Më nuk mund t’i frikësojnë njerëzit. Nuk lodhemi më për to. Ne jemi zgjedhur për të punuar për interesin e popullit tonë, jo për interesin e Shteteve të Bashkuara”.

Për zhvillimet në Bosnjë-Hercegovinë, ku njohësit e rajonit alarmuan edhe për diskutimet për ndarjen e saj, është përfshirë edhe Turqia. Presidenti Recep Tayyip Erdogan e ftoi javë më parë Dodikun në Ankara, por nuk u dhanë hollësi për përmbajtjen e takimit disa ditë pasi përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar i Bosnjës shfaqi shqetësimin se Bosnja rrezikohet të ndahet. Madje, në mediat ndërkombëtare pati deputetë boshnjakë e ekspertë të huaj të marrëdhënieve ndërkombëtare që alarmuan se, sipas tyre, po shqyrtohet edhe mundësia e ndarjes së vendit.

Kisha Ortodokse në shërbim të “Botës serbe”

Ylber Hysa, ish-ambasador i Kosovës në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut, ka thënë në emisionin “60 Minuta” në KTV se Serbia po përdor të gjitha mjetet e mundshme për të ndikuar në shtetet e rajonit. Ai ka thënë se “Bota serbe” është projekt i lansuar shumë vite më parë kur në krye të Serbisë ishte Boris Tadiq.

“Është parë momenti i përshtatshëm që ajo mund të promovohet dhe kapsilla e kësaj ka qenë fakti se kur në Beograd është kuptuar se nëse provohet, nuk do të ketë sanksione”, ka theksuar Hysa, duke shtuar se Republika Srpska e Dodikut po teston kufijtë e reagimit të Perëndimit, i cili tani po përballet me shumë probleme dhe nuk e ka kohezionin e dikurshëm në raport me zhvillimet në Ballkan.

Tensionet veçse janë rritur ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës, kryeqytetit të vendit anëtar të NATO-s, Malit të Zi, ku një e treta e qytetarëve identifikohen si serbë.

Situata u përshkallëzua në fillim të shtatorit rreth ndikimit serb dhe shugurimit të klerikut më të lartë lokal të Kishës Ortodokse Serbe në Cetine, ish-kryeqytet malazez. U përdor ligji për fetë për të fuqizuar rolin e serbëve dhe Serbisë në politikën malazeze, duke larguar nga pushteti pas tri dekadash partinë e liderit Milo Gjukanoviq.

Vonesa e Perëndimit

Vuçiqi është detyruar ta distancojë publikisht administratën e tij nga nocioni që është në kërkim të “Botës serbe”, e që kërcënon pavarësinë e Malit të Zi dhe Bosnjës, derisa Kosovës vazhdon të mos ia njohë shtetësinë.

Në vitin 2016, në Mal të Zi, u arrestuan 20 shtetas serbë të dyshuar se po përgatisnin një puç për rrëzimin e ish-kryeministrit Gjukanoviq. Edhe policia serbe arrestoi disa persona në lidhje me një atentat të përgatitur kundër Gjukanoviqit. Mediat dhe agjencitë e inteligjencës akuzuan Rusinë për përfshirje të Rusisë në përpjekjen e dështuar për grusht shtet.

“Pikërisht Mali i Zi është shëmbëlltyrë e kësaj vonese evropiane ndaj një vendi që është në ballë të procesit integrues”, në raport me shtetet fqinje. Hysa ka thënë se Beogradi zyrtar ka vërejtur se ka boshllëk në lidershipin perëndimor kundrejt rajonit. Hysa, historian, ka thënë gjithashtu se elitat aktuale serbe asnjëherë nuk kanë pasur gatishmëri të distancohen prej projekteve që në thelb kanë projektin e “Serbisë së madhe”.

Serbia dhe aleatët e tyre rusë e kinezë po shfrytëzojnë dobësimin e aleancës transatlantike, sidomos kundrejt Ballkanit, me perspektivë të zbehur në Bashkimin Evropian, për t’i jetësuar politikat e tyre.

Si Titoja dikur

Vuçiqi e lavdëroi “miqësinë e çeliktë” të Serbisë me Kinën në sy të ministrit të Jashtëm kinez, Uang Yi, në Beograd. Lavdërimi erdhi pavarësisht frikës në Perëndim që ka investuar më së shumti në shtetin ballkanik. Pekini po mundohet të shtrijë ndikimin në këtë pjesë të Evropës.

Serbia në shtator ishte nikoqire e samitit të Lëvizjes së të Painkuadruarve, dikur thelb i politikës së jashtme jugosllave në kohën e diktatorit Josip Broz – Tito. Vuçiqi nuk e fsheh politikën e tij të jashtme me të cilën përfitonin ekonomikisht dhe politikisht edhe nga Lindja, edhe nga Perëndimi.

“Mendojnë se ka një mbështetje nga Rusia tani, dhe në këtë fushë përpiqen ta mashtrojnë popullin e tyre se janë me një superfuqi botërore, e cila në fakt nuk është”, vlerëson Mustafa, nënkryetar i Preshevës.

Hysa thotë se Vuçiqi ka ashpërsuar gjuhën ndaj Bashkimit Evropian, sidomos pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga blloku, njëherësh “duke ruajtur balancën ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”.

“Madje, Ministria e Jashtme e Serbisë zyrtarisht e ka doktrinë balancën e katër fuqive. Domethënë, ajo për aq sa e njeh rëndësinë dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, po aq e njeh edhe bashkëpunimin me Kinën dhe Rusinë”, ka thënë ai.

Edhe Maqedonia po përballet me krizë të re politike pas humbjes së zgjedhjeve lokale nga socialdemokratët e Zoran Zaevit, i cili mori përgjegjësinë për disfatën dhe ofroi dorëheqje.

Partitë opozitare, që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, dështuan ta siguronin mbështetjen e deputetit Kastriot Rexhepi për ta rrëzuar Qeverinë. Pati akuza se prapa nismës së VMRO-DPMNE-së qëndronte Rusia, në kohën kur vendi po përballet me ngecje në integrimin evropian për shkak të vetos bullgare për identitetin kulturor të vendit.

Serbia assesi t’ia kthejë shpinën Mladiqit

Kosova nuk po ia arrin të sigurojë njohjen e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që kërkojnë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të përshpejtuar procesin integrues. Serbia ia konteston përditë Kosovës shtetësinë, duke iu përzier edhe në punë të brendshme. Sidomos në veri të vendit, ku çdo aksion policor, Serbia mundohet ta kthejë në çështje ndëretnike, duke kërkuar përfshirje të ndërmjetësve ndërkombëtarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar për emisionin “Hard Talk” të BBC-së se nuk do të themelojë, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë, Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse nuk do të lejojë “bosnjëzimin e Kosovës”, edhe pse Prishtina zyrtare gjatë dialogut ka marrë obligim për krijimin e tij.

Nënkryetari i Preshevës nuk flet për shkëmbim territoresh, por ngulmon se zgjidhja përfundimtare duhet t’ia kthejë Kosovës Luginën e Preshevës.

“Nga kjo marrëveshje e nënshkruar dypalëshe mes dy qeverive të dy vendeve fqinje, nga Prishtina dhe Beogradi, jemi duk pritur që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja të jenë pjesë absolute, integrale e Republikës së Kosovës”, thekson Mustafa.

Por derisa Serbia vazhdon të eksportojë destabilitet në shtetet fqinje, ua ndalon aktivistëve protestat për të drejtat e njeriut kundër muralit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq, në zemër të Beogradit. Mladiqi u dënua në Hagë me dënim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë, ku u masakruan mbi tetë mijë djem e burra myslimanë.

“Sjellja ndaj krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës është çështja qenësore që ky vend ta rimarrë veten”, paralajmëroi Aida Çoroviq, aktiviste e të drejtave të njeriut, disa net më parë para muralit që mbrohej nga nacionalistët dhe policia serbe. “Në momentin që Serbia e sheh veten me krenari në sy dhe thotë se Ratko Mladiqi është kriminel, i dënuar për krime lufte, dhe se kreu krime lufte, Serbia do të fillojë ta marrë veten”.

Por në Serbi, kjo qasje nuk po duket as në horizont.