Shtojca për Kulturë

Bota e muzikës franceze frymon në harmoni impresionizmi e romantizmi

Bota e muzikës franceze frymon në harmoni impresionizmi e romantizmi

Paleta e tingujve e prezantuar në koncertin e radhës të Filharmonisë së Kosovës ka qenë me harmoni të pasura e ritme magjepsëse që zhyten në magjinë e muzikës franceze (Foto: Arben Llapashtica)

Në koncertin me të cilin u mbyll edicioni i 25-të i “Javës së Frankofonisë” në Prishtinë, janë nxjerrë në pah xhevahiret e muzikës klasike franceze. Në koncertin e Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Marco Crispos, dyshja Liza Kerob në violinë dhe Altin Tafilaj në violë, si solistë kanë sjellë një dialog tingujsh impresionizmi e romantizmi. Ka nisur me ‘Mëngjes pranvere’ të Lili Boulanger, në program ka qenë edhe vepra e Mozartit dhe ka një arsye për këtë përderisa me “Ma mère l’oye” të Maurice Ravel në epilog, Filharmonia i është bashkuar botës muzikore në shënimin e 150-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh francez

Fryma franceze në vepra klasike ka magjepsur me tingujt e veprave të impresionizmit e të romantizmit. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka sjellë stile të ndryshme me solistë francezen Liza Kerob në violinë e Altin Tafilajn në violë, nën drejtimin e mjeshtrit italian, Marco Crispo. Paleta e tingujve e prezantuar të premten ka qenë me harmoni të pasura e ritme magjepsëse.

Në Atelienë e Pallatit të Rinisë, imazhi është i njëjti secilën herë në koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Salla e mbushur plot dhe një numër shikuesish në korridoret e sipërme të saj, janë siguri e përhershme. Programi është tjetër çështje.

Në koncertin me të cilin u mbyll edicioni i 25-të i “Javës së Frankofonisë” në Prishtinë, janë nxjerrë në pah xhevahiret e muzikës klasike franceze.

Koncerti nisi me veprën “D’un matin de printemps” nga francezja Lili Boulanger. Vepra që në shqip do të thotë “Mëngjes pranvere” – e shkruar në pranverën e 1917-s kur kompozitorja sapo u përmirësua shkurt nga një sëmundje nga e cila më pas vdiq në moshën 24-vjeçare – vjen si një lloj vajtimi. Ka një vrull që zgjat dhe zbulon dhimbjen nëpër tingujt e vendosur në një qetësi përherë të pasigurt.

Ka një arsye pse gjeniu austriak Mozart është në programin e koncertit që synon eksplorimin e kulturës muzikore franceze. Qe 23-vjeçar kur do të merrte rrugë për në Paris dhe atje do të frymëzohej të eksperimentonte me disa nga format e stilet instrumentale të muzikës franceze. Rezultati qe “Simfonia koncertante” që u luajt në koncertin e së premtes mbrëma.

E luajtur në tri kohë – “Allegro maestoso”, “Andante” dhe “Presto” – ajo fillimisht shpërthen në gëzim. Një numër i vogël i frymorëve është dashur për këtë vepër, ndërsa edhe një pjesë e harkorëve e kanë liruar sallën për të.

Loja e Liza Kerob në violinë e Altin Tafilajt në violë ka qenë dëshmi e mjeshtërisë në interpretim e ndërveprim (Foto: Arben Llapashtica)

Violinistja Liza Kerob e ka vlerësuar atë si kryevepër.

“’Simfonia koncertante’ e Mozartit është një kryevepër. Kur Altini propozoi për ta luajtur, isha shumë e lumtur sepse e dua këtë vepër”, është shprehur ajo.

Publiku ka duartrokitur edhe midis kohëve të kësaj vepre. Kerob ka thënë se ky reagim i jep asaj energji për të vazhduar më tej me veprën.

“Fillimisht nuk prisja kaq shumë njerëz dhe pastaj pashë njerëz poshtë, lart, atje-këtu. Ishin shumë entuziastë, ishte prekëse, ata duartrokisnin. Në muzikën klasike nuk pëlqehet të duartrokasësh midis pjesës, por mua më pëlqen shumë sepse më jep energji, kënaqësi dhe fuqi për të vazhduar më tej. Ishte reagim i natyrshëm nga ana e tyre dhe kjo do të thotë se ata ishin të lumtur dhe të kënaqur”, ka thënë Kerob, e cila filloi të luante me violinë që nga mosha pesëvjeçare.

Që atëherë ka fituar shumë çmime e konkurse. Në maj të vitit 2000, u emërua “Supersoliste” e Orkestrës së Monte Carlos, nën drejtimin e Marek Janowskit. Ajo performon shpesh recitale dhe si soliste, duke luajtur koncerte të kompozitorëve Brahms, Tchaikovsky, Dvořák, Sibelius, Lalo, Khachaturian, Mendelssohn dhe Bruch, të shoqëruara nga orkestra të shumta në Francë dhe jashtë, dhe të drejtuara nga Marek Janowski, Walter Weller, Laurence Foster, Gianluigi Gelmetti, Pascal Rophé, Kazuki Yamada dhe të tjerë.

Vepra “Simfonia koncertante” zgjat rreth 30 minuta. Karakteristikë e saj është partneriteti i jashtëzakonshëm i solistëve në vepër dhe barazia midis tyre. Ata shpesh janë në sinkron me përzierjen e bukur të tingujve. Pasazhet e kësaj vepre përfshijnë një soj bisede jo vetëm me orkestrën, por edhe midis tyre që krijojnë thellësi emocionale.

Solisti tjetër i kësaj vepre, violisti Altin Tafilaj, e ka vlerësuar si vepër shumë të rëndësishme të literaturës muzikore.

“Është një pjesë e veçantë, sepse është koncert për violinë, violë dhe orkestër, por titulli, madje e diskutuam para disa ditësh, unë e quaj si një simfoni me dy pjesë solo. Tipike Mozart, tonaliteti tre B-mol është shumë i përdorur nga Mozart. Ka kohën e dytë që është shumë e rëndësishme në repertorin muzikor. E gjithë simfonia koncertante është një nga kryeveprat e muzikës klasike”, ka thënë Tafilaj.

Deri qershorin e vitit të kaluar ai qe violë kryesore në Orkestrën e Kanës, pozitë të cilën e mbajti për tri vjet. Ka bashkëpunuar si violist kryesor me orkestra të njohura, duke përfshirë Orkestrën Filharmonike të Kopenhagës, Orkestrën Filharmonike të Malajzisë, Orkestrën e Auvergne dhe Orkestrën e Operës Kombëtare të Montpellierit. Në fushën e muzikës kamertale, Tafilaj ka performuar në salla prestigjioze koncertesh në duete me piano dhe në ansamble të ndryshme dhome.

Unë dhe ky grup muzikantësh u takuam vetëm para katër ditësh. Çfarë mund të them është se në pjesën e fundit kuptova sa shumë kemi punuar bashkë”, ka thënë dirigjenti Marco Crispo (Foto: Arben Llapashtica)

Vepra “Pelléas et Mélisandre, op.80” e francezit Gabriel Fauré, vjen si pjesa e thellë melankolike që kulmon në kohën e parë “Prelude”. Gjallërohet në “Fileuse” e në “Sicilienne” sjell me tinguj peizazhe natyre me ritme të lehta e të buta. “Mort de Melisande” thuret si elegji.

Në fund të koncertit është luajtur suita “Ma mère l’oye” nga Maurice Ravel. Me interpretimin e kësaj vepre, Filharmonia e Kosovës i është bashkuar botës muzikore në shënimin e 150-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh francez, Ravel.

Frymëzuar nga përrallat për fëmijë si “Bukuroshja e fjetur” dhe “E bukura dhe bisha”, suita “Ma mère l’oye” përfshin gjithsej pesë pjesë që vijnë si rrëfime të veçanta më vete.

Orkestra ka interpretuar pjesët e kësaj vepre: “Pavane de la Belle au Bois dormant”, “Petit Poucet”, “Laideronnette, impératrice des Pogades”, “Les entretiens de la Belle et de la Bete” dhe “Le Jardin féerique”.

Dirigjenti Marco Crispo ka thënë se në përfundim të çdo koncerti duhet kohë për t’u kthyer në realitet dhe për të zbuluar se sa e thellë është puna e kryer.

“Nuk ka të bëjë vetëm e koncertin pasi ai është harku i fundit i punës që fillon me provën e parë me orkestrën. Kështu që kurrë nuk e dini se si mbaron. Është sikur të gjuash një gur në ajër. Sa më lart e gjuan, aq më fuqishëm bie. Kështu që edhe në rastin me koncertin, në sekondat e fundit të tij e kupton se sa shumë keni punuar dhe sa i madh ka qenë besimi që keni ndërtuar. Unë dhe ky grup muzikantësh u takuam vetëm para katër ditësh. Çfarë mund të them është se në pjesën e fundit kuptova sa shumë kemi punuar bashkë”, ka thënë dirigjenti Crispo.

Në Atelienë e Pallatit të Rinisë, imazhi është i njëjti secilën herë në koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Salla e mbushur plot dhe një numër shikuesish në korridoret e sipërme të saj, janë siguri e përhershme. Programi është tjetër çështje

Ka konsideruar se është shumë e vështirë që brenda një programi të vetëm të shfaqet spektri me të cilën përfaqësohet muzika franceze.

“Ajo çfarë është mbresëlënëse është se ka shumë gjëra interesante të kulturës muzikore franceze në këtë program. Filluam me veprën ‘Mëngjes pranvere’ të Lili Boulanger e cila është interesante sepse pranvera erdhi disa ditë më parë. Por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. Më e rëndësishmja është se Lili Boulanger për të parën herë u luajt në Kosovë. Ajo vdiq në midis të të 20-ave të saj, ishte kompozitore gjeniale. Kualiteti i orkestrimit dhe i muzikës është i pabesueshëm”, ka vlerësuar Crispo derisa ka shpjeguar programin muzikor.

“Vepra e Fauré tingëllon krejtësisht ndryshe. Orkestra shumë bukur e ka shfaqur paletën e tingujve dhe fleksibilitetin që kërkonim. Më pas patëm Ravelin që ishte homazh për ditëlindjen e tij këtë vit, por programi ishte edhe tribut për kulturën franceze me gjashtë pjesët e Ravel të cilat janë përralla fëmijësh. Ka shumë gjëra të ndryshme sikurse edhe veprat e një prej kompozitorëve më të mëdhenj të muzikës klasike”, ka thënë dirigjenti italian që jeton në Kopenhagë.

Kohët e fundit, ai ka punuar me repertorin italian dhe francez, duke përfshirë “Falstaff” dhe “La Traviata” të Verdit, “Così fan tutte” dhe “Don Giovanni” të Mozarit, “Hamlet” të Thomasit, e të tjera. Në sezonin 2023/2024, Marco dirigjoi “Tosca” në Kopenhagë me Orkestrën Simfonike të Lyngby-Taarbæk, “Hänselund Gretel” në Landestheater në Coburg, “Il Turco in Italia” në Teatro Sociale në Rovigo dhe në Teatro Dante Alighieri në Ravenname Orkestrën Rinore Luigi Cherubini.

Për herë të parë ka bashkëpunuar me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. E ka konsideruar përvojë të veçantë.

“Hera e parë me Filharmoninë e Kosovës. Ishte përvojë e veçantë dhe isha me fat që disa prej muzikantëve i takova vitin e kaluar. Ishte atmosferë e veçantë të hysh në sallë dhe të takosh një orkestër të re, por gjithashtu fytyra të njohura dhe njerëz të shoqërueshëm”, është shprehur ai.

Këtë vit, Marco Crispo do të kthehet në Operën e Midtenit për të dirigjuar premierën daneze të operës “Pinocchio” nga Cericola.

“Fillimisht nuk prisja kaq shumë njerëz dhe pastaj pashë njerëz poshtë, lart, atje-këtu. Ishin shumë entuziastë, ishte prekëse, ata duartrokisnin. Në muzikën klasike nuk pëlqehet të duartrokasësh midis pjesës, por mua më pëlqen shumë, sepse më jep energji, kënaqësi dhe fuqi për të vazhduar më tej”, ka thënë violinistja Liza Kerob (Foto: Arben Llapashtica)

Muzika klasike franceze është identitare për karakterin kombëtar që kanë veprat. Ka qartësi dhe saktësi të muzikës që nga periudha e Renesancës e deri te stilet e ndjeshme dhe emocionale të Impresionizmit në fillim të shekullit të XX.

Vitin e kaluar, po Filharmonia e Kosovës e pati mbyllur edicionin e “Javës së Frankofonisë”. I 24-ti e pati përmbyllur programin me koncertin ku pati performuar si soliste violonçelistja virtuoze, Aurélienne Brauner e koncerti u dirigjua nga mjeshtri francez Aurélien Azan Zielinski.

Vallëzim, muzikë, teatër e film kanë qenë veç disa nga fushat artistike me të cilat sivjet u shënua “Java e Frankofonisë”, e cila nisi të premten e kaluar si një prej ngjarjeve kulturore më me traditë Kosovën e pasluftës. Në teatrin “Oda” performanca e elektro-vallëzimit nga “Duo Demezure” dhe muzika elektronike nga DJ Oda Haliti, kanë qenë introja në Prishtinë e “Javës së Frankofonisë” e cila për edicionin e sivjetmë ka zgjedhur Gjakovën si kryeqendër ku u shtrinë aktivitetet për një javë. “Atmospheres” vazhdon të jetë tema e “ Java…” që di të sjellë atmosferë.