Shtojca për Kulturë

Bombardimi i Serbisë, qesharak në krahasim me atë që ndodhte në Kosovë

Babai me të bijën nëpër gërmadha pas bombardimeve. Prishtinë, 7 prill 1999 (Foto: Reuters)

Babai me të bijën nëpër gërmadha pas bombardimeve. Prishtinë, 7 prill 1999 (Foto: Reuters)

Kur dëgjuam sirenat, llogaritëm se treni me të cilin po udhëtonte Gorana në atë kohë po kalonte kufirin hungarez. Dhe, u çliruam njëzëri e thamë me zë të lartë: Falë Zotit që Gorana nuk është më këtu. Në të njëjtën kohë, natyrisht, e dija se bombardimi i Beogradit dhe Serbisë ishte shumë qesharak në krahasim me atë që po ndodhte në Kosovë. Unë, vetë, nuk kam pasur asnjëherë frikë, nuk jam ndier i kërcënuar nga bombat dhe sirenat. Thjesht, ndihesha keq për fëmijët e vegjël që nuk kuptonin asgjë, por e dija se për ta frika ishte krejtësisht spontane dhe e natyrshme

Sot, më 24 mars 2015, qeveria aktuale, njësoj si të gjitha ato të mëparshmet, po e feston këtë datë, që në fakt është për të të ardhur keq. Të dhënat për viktimat tona, pra nga ana e palës serbe, luhaten shumë. Ndryshojnë vetëm formën e paraqitjes publike. Sonte në mbrëmje presidenti Nikoliq (14) dhe shoqëruesit e tij do të mblidhen në këmbët e ndërtesës së shpartalluar të Shtabit të Përgjithshëm. Ky ndërtim impozant, që nga ana arkitekturore mbetet emocionues, po paraqitet si një metaforë që po zëvendëson Sutjeskën (15), të cilën Nikoliq dhe elita udhëheqëse politike serbe nuk e pranojnë më si një simbol të vërtetë të luftës kundër nazizmit dhe për liri, por e konsiderojnë vetëm si një simbol të komunizmit dhe kolapsit të të gjithë serbizmit. Po për cilin aspekt të Sutjeskës po ankohet tani Tomislav Nikoliq? Ky ndryshim vendi, për të përkujtuar këtë kurs tragjik të ngjarjeve në historinë e re të Serbisë, nuk ndryshon asgjë në lidhje me të kuptuarit e lidhjeve reale të shkakut dhe pasojës të ngjarjeve që ndodhën, si dhe të dhembshurisë normale që duhet të ndiejmë për vuajtjet dhe viktimat e qindra e mijëra njerëzve. Paaftësia për të parë vuajtjet e të tjerëve – mendoj për ata që nuk janë të kombit tonë – në thelb shkon së bashku me keqkuptimin e viktimave dhe të vuajtjeve të popujve të tjerë. Kjo e Nikoliqit është e gjitha një retorikë e pavlerë, fals dhe e neveritshme që u adresohet njësoj si të gjithëve, por ashtu edhe asnjërit. Kjo duket sikur na thotë se më e fortë është vuajtja e gurit sesa vuajtjet njerëzore. E ç’ndodh, guri glorifikohet dhe kujtohet, por jo edhe fatet njerëzore.

Dita është plot me diell, një pranverë që ka zbritur herët. Kanë çelur sythet e para dhe ngado gjethet e vogla tregojnë se aty-këtu ka bujisur gjelbërimi. Në treg është shfaqur hudhra e egër. Po lulëzojnë zambakët e verdhë, luleboret, shpendra.

Po çfarë bëra kur u ktheva nga Gjakova? Sigurisht nuk rashë në topitje. Vajta direkt e në punë. Është më e lehtë të bësh diçka sesa të rrish në shtëpi. U takuam me Stefanin dhe Natashën. Stefani dukej shumë i shqetësuar për shkak të asaj që po afrohej. U takuam edhe me kumbarët, të cilët i njohin fëmijët tanë që të vegjël. Na morën po ashtu në telefon njerëzit e familjes nga Bosnja dhe nga Kanadaja. Natasha ishte në kontakt të vazhdueshëm me Kosovën dhe e dinte mirë se çfarë po ndodhte. Megjithatë, mendoj se nuk flisnim më për ndërhyrjen ushtarake sikur të ishte diçka që mund të shmangej në momentin e fundit. Sonja (16) ka iniciuar një letër, adresuar publikisht me firmën e një grupi intelektualësh të njohur serbë, të cilët deri më tani e kishin mbështetur qeverinë aktuale jugosllave, por me këtë rast i drejtoheshin si Milosheviqit, por dhe palës shqiptare në Kosovë. Kërkohej ndërprerja e të gjitha armiqësive dhe dhunës. Kjo letër kishte tipare mjaft utopike dhe ndaj nënshkruesit u sulmuan si nga ana e nacionalistëve ashtu edhe nga ana e mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Të gjithë e dinin mirë se ku ishte Ivani, kështu që unë qëndrova jashtë çdo lloj angazhimi publik. Puna ime në Fondacionin për Shoqëri të Hapur ishte tashmë një barrë e madhe, sepse e dija se si do të shihej kjo nga autoritetet qoftë në ushtri, por edhe në shërbimet e ndryshme. Dhe, vërtet, Ivani kur doli nga ky ankth do të më thoshte sesi një oficer i sigurimit, kur e tërë njësia e tij ishte në Petrovaradin, e kishte pyetur gjerë e gjatë në lidhje me punën dhe se çfarë bëja unë te Fondacioni. Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, nuk jam i sigurt nëse Ivani, dhe disa nga shokët e tij më të ngushtë, nuk ishin dërguar në Kosovë thjesht si një grup i veçantë “social-politik”.

Të nesërmen në mbrëmje, bash në orën tetë, për herë të parë dëgjuam sirenat e alarmit. Shumë shpejt pas kësaj vijuan kuisjet e zhurmës së avionëve dhe poterja e artilerisë antiajrore. Dhe pastaj u dëgjuan edhe shpërthimet. I pari erdhi nga drejtimi i Batajnicës (17) dhe pastaj nga Pançevo (18). Pastaj shpërthimet filluan të afrohen. Po atë ditë, rreth mesditës, përcollëm Goranën, vajzën tonë, që ishte pesë vjet më e vogël se Ivani, drejt Budapestit. Me të në tren ndodhej edhe mikesha jonë Milica me vajzën e saj dyvjeçare, Anika. Në shtëpi u kthyem me nënën e Milicës që është fqinja jonë në Zvezdara (19). Nuk e mbaj mend se për çfarë folëm, por besoj se kemi llomotitur gjatë gjithë kohës.
(Milica ka vdekur dy vjet më parë, ndërsa Anika kohët e fundit është rritur shumë).

Kur dëgjuam sirenat, llogaritëm se treni me të cilin po udhëtonte Gorana në atë kohë po kalonte kufirin hungarez. Dhe, u çliruam njëzëri e thamë me zë të lartë: Falë Zotit që Gorana nuk është më këtu.

Në të njëjtën kohë, natyrisht, e dija se bombardimi i Beogradit dhe Serbisë ishte shumë qesharak në krahasim me atë që po ndodhte në Kosovë. Unë, vetë, nuk kam pasur asnjëherë frikë, nuk jam ndier i kërcënuar nga bombat dhe sirenat. Thjesht, ndihesha keq për fëmijët e vegjël që nuk kuptonin asgjë, por e dija se për ta frika ishte krejtësisht spontane dhe e natyrshme. Sa u përket të rriturve, me ta më duket se çdo gjë tingëllonte në shumë raste e gjitha fals. U pëlqente ta konsideronin veten në rolin e viktimave të imperializmit amerikan, por duke harruar krejtësisht gjithë atë që ndodhte në Kosovë.
Dhjetë ditë para fillimit të fushatës së bombardimeve erdhën te ne të afërmit e mi, refugjatë nga Bosnja, një kushëri i imi me të shoqen dhe djalin e tyre Sasha, asokohe nëntëvjeçar, i cili në vitet e fundit ka jetuar në Novi-Sad. Ata jetonin në Detelinë (20), që fillimisht bombardohej pothuaj çdo natë. I ftuam edhe për faktin se, papritmas, u gjendëm pa fëmijë e ndiheshim tmerrësisht të vetmuar, kurse ata, jo vetëm s’kishin punë, por nuk u gjendeshin më as të holla e nuk kishin as edhe plane ... Ata i futëm në dhomën e Goranës. Macja e saj u përpoq pa sukses t’i nxirrte ata nga dhoma.
(Kushëriri im u kthye në Bosnjë në shtator të vitit 1999. Me çfarë thanë, nuk është se e kishin gjetur më mirë. Ata jetonin tashmë në Republika Sërpska dhe vazhdimisht na flisnin për Sarajevën e paraluftës, ku kishin lindur. Tani frikësoheshin të ktheheshin në Sarajevë, por nuk u pëlqente të flisnin për atë që i shqetësonte më shumë atje. Kushëriri u sëmur në vitin 2005 dhe vdiq në fund të vitit 2006. Arrita t’i dërgoja disa balsame, për të cilat kisha dëgjuar se mund ta ndihmonin disi, edhe pse vetë dyshoja shumë për cilësitë shëruese të tyre. Por është e rëndësishme të mbash me çdo kusht shpresën.)

Sapo filluan bombardimet i telefonova N-së në Prishtinë. Ai mbetej ende optimist. Realisht po mendonte se Milosheviqi po blofonte dhe se NATO-ja së shpejti do të nënshkruante një marrëveshje në mënyrë që çdo gjë të ndalej. Por dy ditë pas bombardimeve më telefonoi i tëri në panik për shkak të paramilitarëve, që kishin filluar të hynin kudo me dhunë nëpër shtëpitë private dhe apartamentet. Pastaj më telefonoi një kolege nga zyra në Prishtinë, shumë e shqetësuar, ajo vetë kish lindur në Gjakovë, dhe më ofroi një mundësi për Ivanin, që ta fshihte duke e veshur me rroba civile dhe ta çonte në një familje shqiptare, sepse kishte filluar dëbimi i organizuar. Kërcënimi i Sheshelit, në prag të bombardimeve, kishte filluar tashmë të bëhej realitet. I thashë LJ-së të mblidhte plaçkat dhe t’ia mbathte drejt e në Maqedoni. Ik moj në Maqedoni – dëgjon apo jo! Ajo këtë në fillim nuk e kuptoi, kurse unë vazhdimisht i përsërisja: Mbathja moj në Maqedoni, mbathja në Maqedoni! Kolona për në kufirin maqedonas tashmë kishte arritur në disa kilometra. Tani ishin miqtë e mi shqiptarë që më telefonin për t’i ndihmuar, ashtu si kisha bërë unë një javë më parë duke iu telefonuar atyre për ndihmë. Ndjenjë e përgjithshme pafuqie dhe çorientimi.

I thashë N-së të më dërgonte në Beograd familjen: gruan, që ishte serbe, djalin dhe vajzën me një foshnjë te ne. Të nesërmen ata u nisën vërtet nëpërmjet Leposaviqit. Gruaja e ngiste vetë makinën. Nga dokumentet e saj shihej qartë që ishte serbe. Megjithatë edhe ajo e bëri një gabim në një kufi joekzistent mes Kosovës dhe Serbisë, pasi gjatë një kontrolli pyeti me naivitet, mu kur po i jepnin dokumentin e saj pas shqyrtimit: “Kaq është e tëra?” Kjo qe fatale, pasi atëherë i kërkuan dokumentet e të birit, të së bijës dhe të bebes, e kur diktuan emrat shqiptarë, i urdhëruan të ktheheshin pas nga erdhën. Atëherë kuptova se shqiptarët e Kosovës nuk do të liheshin më në Serbi. Drejtimi i tyre ishte tashmë i përcaktuar: O nga Shqipëria, o nga Maqedonia.

Të nesërmen ata ishin të gjithë bashkë, me N-në, por tani po udhëtonin për në Maqedoni.
Shkoj çdo ditë në punë. Kështu duket sikur po e kaloj më lehtë. Në përgjithësi, vijnë fare pak njerëz. Unë, thjesht, ulem në kompjuter dhe dërgoj e-maile. Më kanë telefonuar nga Varshava prej gazetës “Vyborsha” që të jap një koment ndaj ngritjes së akuzës kundër Milosheviqit. (Ndoshta Adam Miqnik (21) ka menduar se po më bënte kështu një nder!) I premtova se do t’ia bëja tekstin në mbrëmje, por mu atë mbrëmje na u ndërpre energjia. Erdhi koha kur ata filluan të godisnin linjat e transmetimit dhe nënstacionet elektrike. Mendoja se kjo nuk do kishte të bënte me laptopin tim, por harrova se serverët ofrues të internetit punojnë me energji elektrike.

Dy letrat e Ivanit, të birit të Velimir Ćurgusit, ushtar në Gjakovë

Në fakt, isha i zemëruar me ngritjen e aktakuzës së Hagës kundër Slobodan Milosheviqit, për çka kishim biseduar si për një tjetër absurditet ndërkombëtar. Tani e ka humbur fare; situata thjesht po merr kot përpara, gjithçka po shket thellë në humnerë, po bën luftë me tërë botën! Përse dreqin nuk e lë të ikë?

Në mes të prillit, papritmas, u shfaq një shok i Ivanit nga ushtria, i cili edhe ai quhej Ivan. Kishte marrë leje për pesë ditë. Kjo ishte vërtet një çudi e madhe. Ai erdhi tek unë në punë dhe më tha se nuk ishte aq keq sa ne po e imagjinonim. U përpoq me gjithë forcën të më qetësonte. Ishte biri i një serbi dhe i një gruaje franceze, fetar, i zgjuar, shumë elokuent dhe tejet i sjellshëm. Një beogradas i vërtetë. E kishin rekrutuar në ushtri në Kosovë në fillim të vitit 1998, edhe pse, në fakt, i kishte skaduar shërbimi i rregullt ushtarak. Prej tij mësova detajet të asaj që po ndodhte në të vërtetë në Kosovë. Ai më tha, ndër të tjera, për marrëdhëniet që ekzistonin mes paramilitarëve, rezervistëve dhe ushtrisë së rregullt. E vlerësoi kapitenin e njësisë së tyre, i cili ishte shumë “karagjoz” dhe i çmendur, që donte thjesht të pinte, por gjatë gjithë kohës ishte shumë i përgjegjshëm për ushtarët e vet dhe nuk i kishte ekspozuar kot ndaj rreziqeve të pakuptimta dhe të panevojshme, siç ndodhte rëndom me disa oficerë të tjerë. (Kam harruar të them se ushtarët “tanë” janë si biçim mesfushorësh në mbrojtjen kundërajrore.) Problemi i veçantë ishin Frenkijeviqët (22). Ata bënin vazhdimisht zullume dhe pastaj, kur atyre u bënte pritë UÇK-ja, i duhej ushtrisë së rregullt të shkonte t’i nxirrte nga bataku. Frenkijeviqët kishin furnizime të veçanta, pajisje dhe natyrisht, trajtim të veçantë. Më vonë im bir më ka rrëfyer një histori të tmerrshme se si kishin vepruar ata kur kishte kaluar para kazermave një procesion funerali drejt varrezave lokale. Po varrosej një djalë shqiptar, i cili ishte arrestuar si anëtar i UÇK-së, dhe pasi ishte torturuar kishte vdekur në spitalin e Gjakovës. Ushtria e rregullt (23) ndiente neveri, por edhe frikë, ndaj këtij regjimi dhune të pafre të paramilitarëve.

“Lajmëtari” Ivan më duket se më tha edhe se këndonte në një kor. Vizita dhe tregimet e tij, si dhe disa nga formulimet e tij, i kam konsideruar si të tim biri, e ato më kanë sqaruar shumë për atë që po ndodhte. Në rrëfimet e tij nuk kishte asnjë gjurmë urrejtjeje apo makthi kombëtar. Ai foli me trishtim dhe me një ndjenjë humbjeje të përgjithshme. Unë e kam imagjinuar gjithmonë atë si një udhëtar botëror, i cili po udhëton me korin e tij, duke përhapur bukurinë e së mirës në tokë. Ai ishte shumë i ndërgjegjshëm dhe krenar për trashëgiminë e tij serbe. Fatkeqësisht vdiq aksidentalisht disa vite pas luftës në një zjarr në Paris. Për mua kjo qe shumë trishtuese si caku i pakuptimtë i jetës që jetojmë.
Jo shumë kohë pas shfaqjes së lajmëtarit ia behën dy letrat e para të Ivanit. Ishte një zë nga shkretëtira, i cili po na përcillte disi shpresë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë 
Përktheu nga origjinali: Ben Andoni. Botohet me leje të autorit. 

Lexo edhe: Kujtime të tmerrshme: 20 mars 1999 – 20 mars 2015, e premte

Lexo edhe: Mars, 1999: Kam përshtypjen se jam i vetmi serb në autobus, Gjakova është shkretë

Velimir Ćurgus (1948, Novi-Sad – 11 nëntor 2018, Beograd). Gazetar dhe personalitet i njohur i publicistikës serbe. Drejtor i “Ebart Consulting” që nga viti 2002. Ishte redaktor i kolonës kulturore në gazetën “Politika” nga viti 1988 deri në 1996. Para kësaj, punoi si redaktor dhe botues për tetë vjet në Qendrën Kërkimore dhe Botuese të Rinisë serbe në Beograd. Ai është një nga themeluesit e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë dhe autori i rreth dhjetë librave me prozë dhe ese me temën e kulturës dhe politikës kulturore. Esetë dhe librat e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, polonisht, japonisht dhe disa gjuhë të tjera më të vogla. Ai është autor i disa librave mbi marrëdhëniet me median, politikën dhe kulturën dhe po ashtu hartues i disa projekteve në fushën e kërkimit të mediave dhe kulturës. Velimir Ćurgus ka marrë Çmimin Ndërkombëtar për Ese në “Lettre International”, në Weimar, në vitin 2000. Ishte anëtar i Qendrës serbe – PEN prej vitit 1987. Por, Ćurgus ishte gjithashtu piktor, veçanërisht në llojin e teknikës së kombinuar në letër. Me emrin e tij janë të lidhura pesë ekspozita. Ai ishte edhe autori i dy skenarëve të filmave të shkurtër.


Fusnotat:

(14) Tomislav Nikolić, i lindur më 15 shkurt 1952, është një politikan serb që shërbeu si president i Serbisë nga 2012 deri më 2017. Ai është themeluesi i Partisë Progresive Serbe dhe drejtoi partinë deri në zgjedhjen e tij si president. Në zgjedhjet presidenciale të vizitës 2012, ai u zgjodh në një mandat pesëvjeçar si president në një raund të dytë votimi. Dikur ishte anëtar i Partisë Radikale të Sheshelit dhe që andej nisi karrierën e tij politike.

(15) Në kohën e ish-Jugosllavisë mijëra antifashistë nga vendet e ish-Jugosllavisë mblidheshin në memorialin Sutjeska në Tjentiste në Bosnjë-Hercegovinë për të nderuar ushtarët e vrarë gjatë betejës konsideruar si vendimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore mes forcave fashiste dhe atyre sllave drejtuar nga Josip Broz Tito në maj-qershor 1943.

(16) Sonja Biserko është një aktiviste serbe për të drejtat e njeriut. Ajo është themeluese dhe presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Ka qenë dikur diplomate e ish-Jugosllavisë në Britaninë e Madhe dhe pastaj dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj politikës së Milosheviqit

(17) “Batajnica” është një lagje urbane e Beogradit, kryeqyteti i Serbisë. Ndodhet në komunën e Zemunit në Beograd.

(18) Pančevo është një qytet dhe qendra administrative e Qarkut të Banatit në provincën autonome të Vojvodinës në Serbi. Pançevo është qyteti i katërt më i madh në Vojvodinë referuar popullsisë.

(19) Lagjja “Zvezdara” ndodhet në juglindje të qendrës së Beogradit. Lagjja e Zvezdara përfshin zonën përreth pyllit me të njëjtin emër. Është nga lokalitetet më të bukura në Beograd.

(20) Lagje në Novi-Sad

(21) Adam Michnik (17 tetor 1946) është historian, eseist, ish-disident, intelektual publik dhe kryeredaktor i gazetës polake “Wyborcza”, një nga më të mëdhatë sot në Evropë dhe kuptohet më e shitura në Poloni. I lindur në një familje komunistësh të përkushtuar, Michnik u bë kundërshtar i regjimit komunist të Polonisë në kohën e spastrimeve antihebraike të partisë. Ai u burgos pas ngjarjeve të marsit 1968 dhe një herë tjetër përsëri pas vendosjes së ligjit ushtarak në 1981.

(22) Njësia serbe e paramilitarëve të “Beretave të kuqe”: njohur për reprezalje dhe krime nga Knina në Klin. Ishin një trupë paramilitare që nuk ishte në sistem dhe si e tillë mund të bënte çdo lloj masakre

(23) JNA-Ushtria Popullore Jugosllave (Serbisht: Југословенска народна армија, ЈНА, Jugoslovenska narodna armija, JNA; Kroate: Jugoslavenska narodna armija, Sllovene: Jugoslovanska ljudska armada, JLA, Maqedonisht: Југословенска народна армија, ЈНА) e quajtur edhe Ushtria Kombëtare Jugosllave, ishte ushtria e Federatës së Jugosllavisë nga viti 1945 deri më 1992.