Sapo përmendej Berit Backer, banorët në Isniq thoshin: “E ke fjalën për Bletën”? Për ta, Berit Backer, Berita në variantin e Isniqit, ishte Bleta, Bleta e Isniqit, Bleta shqiptare. Sikur bleta që gjithë kohën sodit gjithandej për të mbledhur nektarin, edhe Bleta (Berit Backer) po mblidhte nektarin e kulturës shqiptare, të organizimit shoqëror, të jetës së përditshme të fshatit, duke studiuar dinamikat shoqërore dhe ndryshimet e shpejta që ndodhnin si rezultat i industrializimit, shkollimit të shqiptarëve dhe migrimit në vendet e Evropës Perëndimore
Tahir Latifi
Në shtator të vitit 2010 fillova hulumtimin tim në kuadër të projektit “Familja kosovare (shqiptare) – e rishikuar”. Ky projekt në të njëjtën kohë ishte hulumtim për disertacionin tim të doktoratës, në Universitetin e Gracit, Austri. Që nga kjo kohë, Berit Backer dhe studimi i saj janë bërë pjesë e pandarë e punës time studimore. Edhe tema hulumtimit tim lidhej me familjen shqiptare në Kosovë, respektivisht ndryshimet e saj, si refleksion nga puna studimore e Berit Backer. Që në fazën e parë të vizitës time studimore në Isniq, në mars 2011, në kontaktet e para me banorët e Isniqit, sapo njoftoheshin me qëllimet e hulumtimit tim, me temën studimore, duke përmendur se fokusi është për të parë ndryshimet në familje, bazuar në studimin e Backer, përmendja e këtij emri tek ata, sikur ngjallte emocion, nostalgji, por edhe dhimbje – për shkak të ikjes saj të hershme nga kjo botë.
Sapo përmendej Berit Backer, banorët në Isniq thoshin: “E ke fjalën për Bletën”? Për ta, Berit Backer, Berita në variantin e Isniqit, ishte Bleta, Bleta e Isniqit, Bleta shqiptare. Sikur bleta që gjithë kohën sodit gjithandej për të mbledhur nektarin, edhe Bleta (Berit Backer) po mblidhte nektarin e kulturës shqiptare, të organizimit shoqëror, të jetës së përditshme të fshatit, duke studiuar dinamikat shoqërore dhe ndryshimet e shpejta që ndodhnin si rezultat i industrializimit, shkollimit të shqiptarëve dhe migrimit në vendet e Evropës Perëndimore. Ajo ka bërë studime të thella, me vlera të pamatshme shkencore, për tipologjitë dhe strukturën e familjeve shqiptare; ka trajtuar strukturën shoqërore të fshatit dhe regjionit, gjendjen socio-ekonomike dhe politike në nivel lokal dhe të Kosovës, duke parë në kontekst të ish-Jugosllavisë.
Libri “Prapa mureve të gurit” i Berit Backer-it është një studim i rëndësishëm antropologjik, jo vetëm për rëndësinë e saj shkencore, por edhe për faktin se është i pari i këtij formati në Kosovë. I pari studim antropologjik me qëllim marrjen e një grade shkencore nga një universitet prestigjioz evropian, Universiteti i Oslos. Berit Backer, për dallim me studimet e mëparshme, si e huaj, kishte arritur që për pak kohë, të mësonte gjuhën shqipe dhe të bëhej pjesë e pandarë e shoqërisë shqiptare të asaj kohe, në të ‘70-tat.
Në kohën e studimit të saj, edhe pse shqiptarët në ish-Jugosllavi kishin filluar paksa të merrnin frymë më lirshëm, pas rënies së Rankoviqit (1966), megjithatë, nga pushteti i atëhershëm jugosllav/serb, shqiptarët ende konsideroheshin si “qytetarë të rendit të dytë”. Me një kujdes të shtuar, objektivitet dhe profesionalizëm shkencor, Backer-i ka analizuar realitetin social, ekonomik dhe politik të shqiptarëve të Kosovës në vitet 1970.
Edhe para saj ka pasur studime për shoqërinë dhe kulturën shqiptare, të Kosovës, megjithatë, ky studim, përveç që siç u përmend kishte për qëllim marrjen e gradës shkencore, magjistre e shkencave, dallonte edhe për nga metodologjia e përdorur, sepse ishte një studim etnografik përmes vëzhgimit me pjesëmarrje, intervistave të thella, bisedave spontane. Backer-i ka hulumtuar familjen shqiptare, me fokus relacionet mes anëtarëve brenda familjes, raportet breznore dhe ndërbreznore ndërmjet anëtarëve të familjes; për të zotin e shpisë, zojën e shpisë (baçicën); për burrat, gratë, djemtë, vajzat dhe fëmijët; për fejesën, martesën; për rendin e magjes, punët e burrave dhe të grave; për bukën, për ushqimet e zakonshme; për punimin dhe ujitjen e tokës, për bujqësinë, blegtorinë, dhe transhumancen. Ajo ka bërë analizë të thellë të marrëdhënieve farefisnore dhe relacionet mes anëtarëve të familjes, barkut/vllaznisë dhe mahallës; për lidhjet e gjakut dhe të qumështit (lisi i gjakut dhe i tamblit); për kryeplakun dhe pleqësinë dhe raportet e tyre me familjet dhe pushtetin/partinë (Partinë Komuniste, autoritetet udhëheqëse të Kosovës në Jugosllavinë socialiste); për ndarjen e pasurisë dhe të drejtën në pronë; për kanunin (të drejtën zakonore), ligjin shtetëror dhe sheritatin (për të cilin siç thotë, nuk është gjetur se në cilat raste praktikohet). Backer gjatë hulumtimit të saj kishte arritur të bënte atë që se kishte bërë askush deri atëherë: një analizë unike të terminologjive dhe raporteve brenda anëtarëve të familjes, farefisit (kushërinjve) dhe relacioni të tyre me komunitetin e fshatit.
Një pjesë e rëndësishme e studimit të Backerit trajton jetën sociale dhe politike të fshatit, duke parë atë në relacion me autoritetet komunale, sidomos për ndarjen e pushtetit mes Partisë dhe Pleqësisë. Partia përbëhet nga aktivistë të rinj të Partisë Komuniste dhe zyrtarë të tjerë, të cilët ishin bërë pjesë e institucioneve komunale të kohës dhe pleqësisë. Pleqësia ishte struktura tradicionale e pleqësisë: burra të fshatit të cilët kishin autoritet dhe përvojë në jetën publike. Pleqësia në atë kohë vazhdonte të kishte ndikim dhe merrej me problemet reale dhe të përditshme të banorëve të Isniqit. Backer-i me kujdes ka studiuar këto struktura sociale, të cilat nuk mund të shiheshin të shkëputura nga strukturat familjare, nga bashkësitë familjare dhe anasjelltas. Pra, ashtu siç struktura dhe funksionimi i familjeve nuk mund të kuptoheshin drejt pa njohuri të thella për strukturat e fshatit, njëjtë edhe funksionimi dhe roli i këtyre strukturave – këshillave të fshatit, kreut dhe pleqësisë – nuk mund të kuptoheshin drejt pa njohur relacionet e tyre me familjet/shtëpitë e fshatit.
Studimi i Backer-it vjen i përkthyer në gjuhën shqipe pas 46 vjetëve nga mbrojtja e saj në Universitetin e Oslos, si dhe 32 vjet pas vrasjes së saj. Përkthimi në shqip, i bërë me elokuencë nga Enes Lekiqi, ka qenë nevojë e kamotshme, jo vetëm për studiuesit dhe studentët e antropologjisë, por edhe të historisë, sociologjisë, ekonomisë, politikës dhe për lexues të tjerë cilët kanë kureshtje për njohje më të thellë të familjes, jetës sociale, gjendjes socio-ekonomike dhe politike të shqiptarëve në Jugosllavinë socialiste.
Teza e Backer-it është botuar në dy edicione në gjuhën angleze, 2003 dhe 2015. Të dy edicionet janë redaktuar nga Robert Elsie dhe Antonia Young, me një hyrje nga Ann Christine Eek. Ndërsa, në gjuhën shqipe libri është përkthyer nga manuskripti i tezës së saj të magjistraturës, mbrojtur në Universitetin e Oslos. Për dallim nga dy edicionet në anglisht, ky botim në shqip, i ka të përfshirë gjithë kapitujt e studimit të saj. Pra, edhe kapitujt 5 dhe 6 të cilat nuk kanë qenë në anglisht, në dy edicionet.
Meqenëse, teza e saj ka qenë e paredaktuar, natyrisht në ndonjë rast ka pasur edhe ndonjë gabim teknik. Duke qenë se edhe vetë kam bërë hulumtim në Isniq, në rastet kur kam vërejtur ndonjë gabim teknik, kemi bërë përmirësim, duke e shënuar në kllapa “shënim i redaktorit”. Nëse përmirësimi nuk ka qenë me vend, përgjegjësinë për ndonjë lëshim e bart redaktori, pra unë dhe jo përkthyesi.
Për fund, duke qenë sa kam qenë shumë i mishëruar me punën e Berit Backer-it, dhënien e mundësisë për të qenë redaktor dhe shkruar parathënien e librit të saj, e konsideroj privilegj, por në të njëjtën kohë përgjegjësi të madhe. Këta pak rreshta janë të pamjaftueshëm për të përmbledhur rëndësinë shkencore të studimit të Backer, jo vetëm si antropologe, por më pas edhe kontributin e saj si aktiviste në Komitetin e Helsinkit, ndihmën ndaj refugjatëve shqiptarë. Ajo ka dhënë kontribut të çmuar në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe aparteidit në vitet 1990.
Ky tekst është parathënia e botimit në shqip të librit “Prapa mureve të gurit” të antropologes Berit Backer. Botohet me leje të autorit dhe të botuesit.