Shtojca për Kulturë

Beteja e humbur për “Rilindjen”

Rilindja

Sot “Rilindja” është vetëm histori. Me dritë e hije. Varet prej qasjes gjatë leximit retrospektiv. Si gjithçka tjetër në mesin e shoqërisë sonë, ku pothuajse asgjë nuk i shkohet deri në themel. E për gjithçka kemi mendim. Me e pa të drejtë. Dikur konsiderohej dritare për të madh e të vogël në Kosovë. Tash duhet dorëzuar kërkesë në arkiva për ta shfletuar ndonjë numër për çështje punimesh e studimesh universitare në republikën që krenohet me sloganin “Evropianët e rinj”, por që nuk nxjerr asnjë gazetë. Pakkush merret më thukët me historinë e saj

“MBËSHTETJA NË FORCA VETJAKE – ZGJIDHJA MË RACIONALE”, ishte kryeartikulli i njërit prej numrave të shkurtit të vitit 1985 të së përditshme së vetme të atëhershme, “Rilindja”.

Ajo ishte vetëm njëra prej dhjetëra ballinave që janë ekspozuar në sallën boshe të shtypshkronjës së dikurshme të “Rilindjes”, që i ka shpëtuar objektit tipik të arkitekturës brutaliste, tashmë të tjetërsuar.

Por për të lexuar kryetitujt e instalacionit “Brutal Times” të artistit turk, Cevdet Erek, në kuadër të “Manifesta 14”, Shaban Sokoli nuk ka shkuar kah rruga që e kishte rrahur për më shumë se dy dekada si punëtor i ish-shtypshkronjës. Me të kaluar nëpër portën metalike me mbishkrimin kuqebardh “Rilindja”, ka nisur të dendësohet errësira. Sokoli u desh të dilte e të shkonte tek ana e pasme – andej kah dikur ngarkohej gazeta e shpërndahej gjithandej Kosovës. Ia kishte dalë të shiste deri në 234 mijë ekzemplarë me të zbardhur drita. Sot është vetëm histori. Me dritë e hije. Varet prej qasjes gjatë leximit retrospektiv. Si gjithçka tjetër në mesin e shoqërisë sonë, ku pothuajse asgjë nuk i shkohet deri në themel. E për gjithçka kemi mendim. Me e pa të drejtë.

Image
Ballina e numrit të parë të “Rilindjes”

“…si diçka të shenjtë”

“’Rilindjen’ kam filluar ta lexoj qysh në klasë të gjashtë a të shtatë të shkollës fillore. ‘Rilindjen’ e kam kuptu si diçka, s’po di qysh me thanë, si diçka të shenjtë. Mezi kam pritë me shku prej fshatit në qytet edhe me ble gazetën e kam mendu për ata njerëz që e kapin në duar në shtyshkronjë”, thotë Sokoli para ekranit të Erekut.

Dritat e muzika e instalacionit që synonte të krijonte përshtypjen e një mjedisi shtypshkronjeje nuk ia prishnin fare rrjedhën e rrëfimit.

“SËRISH – ACARI SIBERIAN”, është kryeshkrimi i ballinës së një të hëneje shkurti 1985 në ekranin prapa shpinës së Sokolit.

Dikur “Rilindja” konsiderohej dritare për të madh e të vogël në Kosovë. Sot duhet dorëzuar kërkesë në arkiva për ta shfletuar ndonjë numër për çështje punimesh e studimesh universitare në vendin që krenohet me sloganin “Evropianët e rinj”, por që nuk nxjerr asnjë gazetë. Pakkush merret më thuktë me historinë e saj.

Image
Shtypshkronja “Rilindja”, 1982 (Foto: Ilaz Bylykbashi)

Në vitin 2019 u lansua platforma digjitale “Arkivi Rilindja”, projekt i ideuar nga shkrimtarja Ervinë Halili, e cila ua ka bërë nga një biografi përmbledhëse 9 autorëve të njohur që kishin punuar në “Rilindje”.

E përditshmja e parë, që nisi të botohej prej 12 shkurtit 1945 në Prizren, do zhvendosej në Prishtinë më 1958, shkruan në materialin e platformës, që përfshin material të ndryshëm prej vitit 1945 deri më 1999.

Ballina e parë me yll

Në “Rilindjen” e parë me yllin komunist në krye – ekzemplari kushtonte 8 dinarë ose 1 lek – menjëherë njoftohej se ishte “ORGAN I FRONTIT TË PËRBASHKËT NACIONAL ÇLIRIMTAR TË KOSMETIT”.

Në shkrimin e vetëm të ballinës “T’I PERVISHEMI PUNES”, teksti niste me “po dalim ma ne fund para popullit te Kosove Metohis me ‘Riindjen’. Ky asht nji gzim i math, asht nji sihariq per popullin t’one”.

“Mirse erdhe në keto dite vendimtare”, mbyllej shkrimi i ballinës me autor Fadil Hoxhën.

“Autorët e artikujve të numrit të parë, i cili u punua për 72 orë në mungesë të madhe të shkronjave në gjuhën shqipe, ishin edhe bashkëpuntorët e fletores Lirija- Slloboda – fletore ilegale partizane e shtabit operativ për “Kosmet”. Kryeartikullin e këtij numri e shkroi Fadil Hoxha, komandant i Shtabit Operativ të “Kosmetit” – shkruan tek “Biografia” e platformës së Halilit, që konfirmon se ky nuk është arkivi zyrtar i Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja. “Arkivi i kësaj ndërmarrjeje me gjithë hallkat e veta dikur funksionale nuk është trashëguar në ditët tona”, shkruan më rubrikën “Rreth nesh”.

Image
Shtypshkronja “Rilindja”, 1985 (Foto: Ilaz Bylykbashi)

“Ky material është mbledhur me shumë kujdes mes hirit e pluhurit të gjithçkaje që deri më tani është konsideruar e papërdorshme, e humbur prej ‘Rilindjes’, por që është prodhuar nga vetë ajo, nga gazetarët që ka prodhuar, shkrimtarët që ka botuar, redaktorët dhe fotografët”.

Po aty vlerësohet se përparësia e arkivit është redaksia e botimeve të “Rilindjes”, që në një formë “edhe e ka jetësuar komunitetin e shkrimtarëve të Kosovës së periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos pas hapjes së revistës letrare ‘Jeta e Re’ duke e nxitur krijimtarinë lertare, kritikën, përkthimin dhe ndërkomunikimin letrar”.

Image
Ismail Kadare do ta vizitonte pallatin e “Rilindjes” në vitin 1980 para se të prishej bashkëpunimi kulturo-arsimor 1969-81 ndërmjet Shqipërisë enveriste dhe Kosovës, atëherë krahinë socialiste autonome e ish-Jugosllavisë (Foto: arkivirilindja.com)

Me historinë e gazetës ishte e lidhur edhe veprimtaria e dendur e shtëpisë botuese “Rilindja” dhe shtypshkronjës me po të njëjtin emër.

Vepra e parë autoriale për të rritur u botua nga shtëpia botuese “Rilindja” në vitin 1953 dhe ishte “Nji fyell ndër male” nga Martin Camaj. Kjo ishte njëkohësisht edhe vepra e parë e Camajt. Ai do ta vizitonte Kosovën për herë të fundit në vitin 1990, i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, shkruan Halili në platformën digjitale.

Për ata që punuan aty, historia e zhvillimit intelektual e kulturor të Kosovës është e lidhur ngushtë me atë që është vlerësuar si një prej organizimeve më të forta ekonomike në vend krahas fabrikave metalurgjike të dikurshme.

“Është Rilindja, është gazeta”

“Janë shtypur gazetat për fëmijë, si ‘Pioneri’, është shtypur ‘Fjala’, revista për arsim ‘Shkëndija’, me teknikën më moderne për atë kohë, do të thotë janë shtypur kolor gazetat e fëmijëve. Përveç gazetave, në këtë shtypshkronjë, janë shtypur edhe shumë libra, shumë botime. Janë shtypur kompletet e shkrimtarëve të Rilindjes”, shton Sokoli. Edhe shkrimtarët më të njohur shqiptarë të kohës, të cilëve “Rilindja” ua botonte kompletet e veprave.

Ismail Kadare do ta vizitonte pallatin e “Rilindjes” në vitin 1980 para se të prishej bashkëpunimi kulturo-arsimor 1969-81 ndërmjet Shqipërisë enveriste dhe Kosovës, atëherë krahinë socialiste autonome e ish-Jugosllavisë.

“Në fakt kjo ka qenë një industri e shtypi, sepse është bërë punë e madhe.’Rilindja’ ka qenë një shkollë, ka qenë një institucion i emancipimit, një institucion i kulturës, domethanë, bashkë me universitetin, shumë kuadro, shumë fytyra të njohura, shumë dijetarë kanë kaluar këtu nëpër objektin e ‘Rilindjes’”, thekson Sokoli në aneksin, tani të lënë pas dore, pranë pallatit tetëmbëdhjetë katësh, tani shtëpi e disa ministrive.

Në të vërtetë, më 1971 do të projektohej pallati i shtypit “Rilindja” nga arkitekti maqedonas, Georgi Konstantinovski. I projektuar me detaje specifike të ventilimit të ajrit, të cilat së jashtmi përceptohen si detaje të fasadës trekëndore të pallatit, maketë e huazuar nga arkitetkti amerikan, Paul Rudolph. Objekti ka sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë.

“Realisht, për ne që kemi ardhur prej qyteteve tjera në Prishtinë si fëmijë, prej objekteve më të gjata ka qenë pallati ‘Rilindja’, dhe gjithmonë i kemi pyetur më të vjetrit ‘çka është?’. ‘Është Rilindja, është gazeta’”, thekson Uran Haxha, gazetar e moderator në Paper FM. Ai tregon se si edhe kur kishte nisur punën si gazetar dëgjonte rrëfime që lidheshin me “Rilindjen”.

“Ka qenë viti 2017-18, kur në fakt ‘Rilindja’ s’ka ezkistu si gazetë, isha në terren duke intervistuar një person në një enklavë serbe dhe vjen njëri e i thotë: ‘Për kë po jep intervistë, për ‘Rilindjen’ a?’” – kujton Haxha, duke vlerësuar se “Rilindja” është prej burimeve kryesore arkivore për historinë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar në Kosovë.

Vetë Haxha ka shfletuar numrat e arkivuar të “Rilindjes” në Bibliotekën Kombëtare për një ekspozitë me shkrime të dekadave të kaluara për Suharekën, që tani është pjesë e muzeut të kësaj qyteze. “Domethanë ka një shkëputje të viteve, por njerëzit vazhdojnë të kenë asociacion të parë ‘Rilindjen’”.

“IMPULSE TË REJA PUNËS SHKENCORE”, shkruhet në një tjetër ballinë të marsit të vitit 1985, përzgjedhur nga Ereku për instalacionin e “Manifestës 14” në hapësirën e ish-shtypshkronjës.

Image
Ndalimi i “Rilindjes” më 8 gusht 1990 (Foto: arkivirilindja.com)

Dekada e “Rilindjes” së ndaluar

Sokoli e kujton vitin 1981 në punë në kohën e demonstratave, fillimisht studentore, pastaj gjithëpopullore, që për bosht kishin sloganin “Kosova Republikë!”. Ato do të shtypeshin përgjakshëm nga forcat speciale të regjimit të Jugosllavisë së dominuar nga Serbia.

“Mua dhe ekipin e shtypit na është dashur të lëviznim natën. Ka qenë orë policore. Ka qenë punë mjaft e vështirë”, thekson Sokoli në vendin e dikurshëm të punës.

Image
Salla e shtypshkronjës së ndërtesës së ish-pallatit të shtypit “Rilindja” në Prishtinë, muajin e kaluar i është shtuar Listës së monumenteve të mbrojtura përkohësisht

Më 8 gusht 1990, e përditshmja e vetme u ndalua pasi punëtorët kishin kundërshtuar masat e dhunshme të 5 korrikut 1990, të cilat kërkonin shpalljen e gazetës “Rilindja” “organ të Kuvendit të Serbisë”.

“Erdhën policia, erdhën edhe në shtypshkronjë me pa, mos është fshehur ndonjë pjesë e tirazhit, edhe nëpër gardëroba na hallkatnin mos kemi fshehur diçka aty”, thekson Sokoli. Ai thotë se prej atij momenti do të niste një periudhë shumë e vështirë pasi që qytetarët e Kosovës të mos mbesnin në terr të madh informativ, “gazetat javore e periodike filluan të nxirreshin si gazeta ditore”.

“Një ditë tjetër dilte ‘Zëri javor’, një ditë tjetër ‘Kosovarja’, një ditë ‘Shkëndija’, si gazeta ditore”, thekson Sokoli.

Më 18 janar 1991, “Rilindja” del me emrin e revistës bujqësore BUJKU. Ajo vazhdoi të botohej si gazetë e përditshme. Gazeta vazhdoi veprimtarinë në Zvicër dhe në Tiranë me emrin “Rilindja”, derisa në Kosovë si “Bujku” deri më 30 dhjetor 1998. Gazeta filloi të botohej në Kosovën e pasluftës, por u mbyll më 2002 pas largimit nga pallati i saj.

“Likudimi” i historisë

Në Kosovën e lirë, UNMIK-u themeloi Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, me mision parësor dhe të vetëm, administrimin, ruajtjen dhe privatizimin e pronës shoqërore.

Më 14 korrik 2014, Ndërmarrja Grafike Rilindja hyn në proces likuidimi me vendim të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. “Rilindjes” iu shitën makineritë dhe materialet e shtypjes.

“Për me mbrojtë gjithë atë histori, ne kemi zhvillu, kushtimisht po them, njëfarë lufte, gjithë mbështetur nga Ambasada Gjermane, për me rujtë një pjesë të kësaj trashëgimie, që janë makinat”, thekson Arbnor Dragaj, nga organizata joqeveritare “Hapësira Bashkëpunuese”. Ai thotë se si ia kanë dalë që së paku pesë makina të blihen përsëri me fonde të Komunës së Prishtinës. Ato nuk janë brenda shtypshkronjës. Janë hedhur jashtë objektit, bashkë me inventarin e mbetur që ngjasojnë si një grumbull mbeturinash.

“Për fat të keq, qe tre vjet janë në këtë gjendje”, thekson Dragaj.

Pas luftës së fundit brutalizmi që shpërfaqej në krejt ndërtesën është shpërfytyruar nëpërmjet një rinovimi që e ka “veshur” ndërtesën 18-katëshe me pllaka të metalta. Tani, shtëpi e disa ministrive.

“Objekti i ‘Rilindjes’ është prej objekteve ikonë të modernizimit në Prishtinë”, thekson Haxha, duke kujtuar fjalët e Konstantinovskit pas “shpërfytyrimit” të projektit të tij. “Ka qenë si me thanë një prej arkitektëve të parë të Maqedonisë, të njohur botërisht, edhe kur kthehet vite e vite pas luftës në Kosovë dhe e sheh objektin në gjendjen e sotme që është, nuk e ka njohur objektin e vet, simbolikisht nuk po e njoh objektin tim”, ka thënë Haxha, duke vlerësuar se pallati është kthyer në një objekt “të mbështjellë me cellofon”, që ia ka humbur krejtësisht identitetin.

Një fije shprese

Haxha thotë se aneksi ku ndodhej edhe shtypshkronja megjithatë mund të kthehet në një hapësirë arkivore, duke mbledhur numra e material të së përditshmes së parë, por edhe materiale të tjera. “Gjithkund kur shkon me kërku nëpër arkiva, gjithmonë mungon një vit diku, mungon diçka dikund, e ka marrë dikush një numër. Por shumë lehtë mundet me u ba krejt bashkë me një vend”, thekson ai, duke shprehur shpresën se “Rilindja” një ditë do të digjitalizohet.

“PUNË EDHE PËR 300 MIJË VETA”, është njëri prej titujve kryesorë të ballinës së 22 marsit 1985 të instalacionit të Erekut në ish-shtypshkronjën e boshatisur të “Rilindjes”.

Image
Vetëm aneksi ku ndodhej edhe shtypshkronja, ruan fasadën e objektit të arkitekturës brutaliste, tashmë të tjetërsuar

“Filozofia dhe psikologjia kolektive e një populli, komuniteti a një kulture, mund të shihen mbase vetëm pasi të jetë kthyer koka pas, jo duke i lexuar faqet e një gazete si ‘Rilindja’, por duke e dokumentuar atë që ndoshta humbiste mes rreshtash pa pasur mundësi të shkruhej në gazetë, mirëpo që shkrepej paqëllimshëm në sytë e fotografuar të njerëzve, letrat që këmbenin dhe menyra se si e shkruanin letërsinë”, shkruan “arkivirilindja.com”. “Letërsia është dokumentimi më besnik i një shoqërie edhe kur është e tëra hermetike siç ka qenë ajo e kësaj periudhe të gazetës ‘Rilindja’ në Kosovë”.

Gjatë dy dekadave të kaluara aneksi i “Rilindjes” do të përdorej për gazeta, televizione, kafene, palestra e hapësirë entuziaste për skenën elektronike të Prishtinës.

Uran Badivuku nga “Hapësira Bashkëpunuese” thotë se 18 aktivitetet muzikore të OJQ-së së tij gjatë shtatë vjetëve të kaluar kanë fuqizuar rrëfimin për “Rilindjen”.

“Mbase shtypshkronja ‘Rilindja’ ka qenë shtyshkronja më e rëndësishme, sepse na ka dhanë kulturë përmes shtypit, por çfarë ka ndodhur prej ardhjes së ‘Hapësirës’ këtu, na prej shtypit jemi kthy në muzikë, me tinguj, ku përmes tingujve jemi mundu me prezantu historikun e ‘Rilindjes’ dhe çfarë rëndësie ka pasur në shoqërinë tonë”, thekson ai.

Krejt beteja po bëhet që së paku të ruhet hapësira e shtyshkronjës.

Mbrojtja institucionale sa për sy e faqe

Në anën tjetër, andej kah dikur Sokoli hynte e dilte nga puna, hapësirat, dikur kafene e redaksi mediash, janë kthyer në salla pa dyer e dritare me dyshemetë të mbushura me dokumente adiministrate e numra gazetash e revistash. Janë mbetje të pakta që mund të gjenden në hapësira publike në shtetin e vetëm në rajon që nuk ka gazetë të shtypur.

Salla e shtypshkronjës së ndërtesës së ish-pallatit të shtypit “Rilindja” në Prishtinë bashkë me maternitetin “Nëna Terezë”, po në kryeqytet, janë dy monumentet e reja që muajin e kaluar i janë shtuar Listës së monumenteve të mbrojtura përkohësisht të trashëgimisë kulturore.

Sa i përket sallës së ish-shtypshkronjës “Rilindja”, është vlerësuar pjesë e ndërtesës që u takon viteve ‘70, që paraqesin vitet e zhvillimeve të rëndësishme në fushën shoqëroro-politike të Kosovës.

“Vlera historike që lidhen me vlerat raritare si e vetmja ndërtesë në Kosovë që ndërlidhet me industrinë e shtypit dhe aktivitet i veçantë për nga ndikimi i vet në lirinë e shprehjes; Vlera estetike si krijimtari e një artisti të kohës, përkatësisht lidhja me arkitektin Georgi Konstantinovski; Vlera estetike të mishëruara dhe të ruajtura në sallën e shtypshkronjës”, shkruhet në arsyetimin e marrjes së këtij aseti nën mbrojte.

Por produktin e saj më të madh nuk ka kush ta mbrojë. Dhe këtë, qëllimshëm a rastësisht, sikur e thotë edhe vetë “Rilindja” në njërën prej ballinave të instalacionit tashmë të hequr nga shtëpia e dikurshme e së përditshmes së parë në Kosovë. Shkrimi i lartë në faqen e zhubrosur nuk dihet si fillon, por mbaron me “...MBI SHTUR E BEKA”, derisa tjetri djathtas nis me “MBI PARASHIKIME...” për t’u këputur kuptimi i titullit në mes, ama e sigurt është se mbaron me “...ZAKONISHT”. Por, si zakonisht, një tjetër dëshmi se si shoqëri nuk mbrojmë dot vlerat e jashtëzakonshme. Edhe “Rilindjen” s’ka kush ta mbrojë.