Shtojca për Kulturë

“Autostrada Biennale” mat pulsin me rrymat që shpalosen

“Autostrada Biennale” mat pulsin me rrymat që shpalosen

“Tema e këtij edicioni vë theksin te ndërthurja dinamike mes artistëve, veprave të artit, audiencës dhe kontekstit të pasur historik të Prizrenit. Si qytet me shtresa të shumta arkitekturore dhe kulturore, Prizreni shërben si visar i gjallë i trashëgimisë së Kosovës”, shkruhet në shpjegimin e temës

“Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” është tema e edicionit të sivjetmë të ngjarjes madhore të artit bashkëkohor, “Autostrada Biennale”. Duke marrë parasysh edhe vetë konceptin kuratorial të kombinuar me rrëfimin për vepra dhe historikun e monumenteve të trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit, lë të kuptohet se tradicionaliteti dhe bashkëkohorja do të jenë të lidhura ngushtë në programin e edicionit të pestë, me kurator Erzen Shkolollin

Në eksplorimin e një kapitulli të radhës të “Autostrada Biennale” në kapitullin e pestë, është paralajmëruar si rrugëtim unik artistik. Të paktën nga koncepti kuratorial i Erzen Shkolollit që është zbuluar bashkë me temën e sivjetme, “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës”. I tillë pritet të dëshmohet prej 5 korrikut deri më 5 tetor kur hapësirat e ngjarjes si dhe Qendra Historike e Prizrenit do të jenë në dialog me artin bashkëkohor.

Këtë edicion është bërë e ditur se ekspozitat do të shpalosen në disa monumente historike. Midis tyre janë Sahatkulla, Shtëpia e Shani Efendiut dhe Hamami i Gazi Mehmet Pashës. Vepra ekzistuese e ato të komisionuara synojnë të nxisin dialog duke reflektuar në të kaluarën.

Siç kanë shpjeguar organizatorët, “tema e këtij edicioni vë theksin te ndërthurja dinamike mes artistëve, veprave të artit, audiencës dhe kontekstit të pasur historik të Prizrenit”. “Si qytet me shtresa të shumta arkitekturore dhe kulturore, Prizreni shërben si visar i gjallë i trashëgimisë së Kosovës”, shkruhet aty.

Fraza “Rrymat që shpalosen” sipas zbërthimit që i bëhet, sjell ndër mend evoluimin e vazhdueshëm të narrativave historike dhe artistike. “Ndërsa ‘Pulsi i kohës’ ngërthen natyrën ritmike dhe të pareshtur të këtyre shndërrimeve. Titulli nxjerr në pah angazhimin aktiv të bienales me çastin shumështresësh në të cilin jetojmë”, shkruhet në shpjegim.

Në konceptin kuratorial shkruhet se shumë prej projekteve që do të shfaqen veçse kanë filluar të marrin trajtë. Janë bërë të ditur edhe pjesëmarrësit e konceptet e veprave që do të ndërtojnë rrëfimin me art bashkëkohor në këtë edicion të “Autostradës...”.

Vadim Fishkin, i lindur në Penza të Rusisë, është në fillim “listës” së shpjegimit të veprave. Kuratori Erzen Shkololli ka shkruar se vepra me titull “Lighthouse” e 1996-s e transformon kullën në sinjal të gjallë.

“Dritat pulsuese, të cilat janë të lidhurat me rrahjet e zemrës së artistit në kohë reale kudo që gjendet, transmetohet përmes teknologjisë mobile. Kjo vepër ka udhëtuar nëpër kontekste të ndryshme dhe tash shndërron monumentin në një fener që sinjalizon shtegun përgjatë rrugëtimin të bienales”, shkruhet për veprën “Lighthouse”.

Vepra tejet unike fillimisht qe shfaqur në Rotterdam, në muzeun “Boijmans Van Beuningen” dhe më vonë në “Vienna Secesion”.

Shtëpia e Shani Efendiut bëhet e ditur se do t’u bëjë vend veprave të artistit prizrenas, Simon Shiroka, mjeshtrit prizrenas të filigranit, njëri prej ikonave të artit të shekullit XX. Bëhet e ditur se pikturat e skulpturat e stileve të ndryshme, “thellojnë lidhjen e ekspozitës me praktikat artizanale dhe mitologjitë vendëse”.

“Duke qenë e zhytur në historinë e zejeve të qytetit, vepra e Shirokës bashkon qasjet tradicionale në mjeshtërinë e argjendarisë dhe artin bashkëkohor përmes krijimit të skenave të ndërlikuara që kanë për bazë ëndrrat, elementet komplekse të filigraneve, simbologjinë e Kosovës dhe të tjera”, ka shkruar Shkololli në konceptin kuratorial të publikuar të premten vonë.

Tjetër kapitull i shpalosjes artistike është edhe vepra e artistik sllovak Robert Gabris. Veprat e tij unike njihen për eksplorimin e momenteve para vdekjes.

“Ndërkohë, vizatimi i madh i Robert Gabrisit me titullin ‘The Garden of Catastophy’ (‘Kopshti i katastrofës’, 2024) mësyn, sipas tij, jo ‘të estetizojë konceptin e vdekjes’, por të bashkëpunojë me të metën, me dështimin dhe me katastrofën e afërt. Linjat e ndërpleksura të Gabrisit që përshkruajnë qenie të ndërlidhura janë ‘pjesë thelbësore e ritregimit të shtypjes dhe dhimbjes historike, duke mishëruar idenë e ekzistencës së pastajme’”, shkruhet në konceptin kuratorial për këtë vepër.

Anita Muçolli është artistja tjetër që është bërë e ditur se do të jetë pjesëmarrëse. Shkruhet se ndërhyrjet e saj nga qeramika “u referohen përrallave, rrëfimeve familjare dhe kujtimeve fëmijërore nga Kosova…”.

Duke marrë parasysh edhe vetë konceptin kuratorial të kombinuar me rrëfimin për vepra dhe historikun e monumenteve të trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit, lë të kuptohet se tradicionaliteti dhe bashkëkohorja do të jenë të lidhura ngushtë në programin e edicionit të pestë të “Autostrada Biennale”.

Kështu bëhet e ditur se në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, monument në të cilin faza e parë e restaurimit qe përmbyllur vitin e kaluar, po në atë pjesë do të zënë vend veprat e Doruntina Kastratit.

“Punimet e saj, të cilat shpesh marrin trajta skulpturore, infrastrukturore dhe filmike, hedhin dritë mbi trupat e fragmentuar, kushtet e punës dhe aspektet e ndryshme të jetës së pasigurt. Me fillimin e këtij kapitulli të ri për Hamamin, Kastrati nis një dialog të rëndësishëm artistik brenda hapësirës”, shkruhet për veprat e Kastratit që do të shpalosen në bienale.

Shtëpia e Familjes Dorambari do ta mirëpresë veprën “Beiti” të artistit francez Laurent Mareschal. Vepra, siç shpjegohet është instalacion me pllakëza mozaiku të përbëra prej erëzash aromatike që janë thelbësore në traditat kulinarike palestineze dhe të Lindjes së Mesme.

Aty pranë, prapa një dere do të jehojë vepra “Who is there?” e sllovenes Nika Shpan. Po aty do të jetë edhe vepra e Edin Zenunit e David Fesl.

Hangarët e “Autostradës…” janë galeri më vete. Aty, siç bëhet e ditur, do të zënë vend projektet si fushë e gjerë me shishe xhami nga Tamara Grçiq, e cila jeton e vepron në Frankfurt e në Vjenë. “Lichtgrün, grün, feuille-morte” quhet vepra e saj. Në Hangar do të jetë edhe vepra e Nathan Coleyt që bazohet në një grafit që ka hasur në Jerusalem. Quhet “I don’t have another land”.

Veprat e Brilant Milazimit do të jenë po aty, në hapësirën ku gjendet Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren ndërsa është bërë e ditur se bienalja do të bashkëpunojë edhe me artistë si Blerta Hashani, Armend Nimani, Stephanie Rizaj, Lois Weinberger dhe jo vetëm.

Pjesë e programit të “Autostrada…” është edhe vepra si audio instalacion i Tao G. Vrhovec Sambolec që mban titullin “Tuning In – the neighborhood”.

Qysh në nëntorin e 2023-tës, disa muaj prej mbylljes së ekspozitës së katërt, “Autostrada…” kishte nisur përgatitjet për edicionin e radhës. Po atë kohë qe zgjedhur kuratori i këtij edicioni – Erzen Shkolollli.

“Si kurator i edicionit të 5-të të Autostrada Biennale ‘Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës’ ndihem i nderuar të udhëheq këtë edicion. Si kurator nga Kosova e kuptoj thellësisht maturinë dhe brishtësinë e praktikës artistike këtu”, shkruan Shkololli në tekstin kuratorial për edicionin e sivjetmë derisa shkon drejt përmbylljes së tij.

Sipas tij, “trashëgimia që kanë lënë pas edicionet e kaluara përmes veprave të ‘Open Group’, Neda Saeedit dhe Alban Mujës theksojnë mënyrën se si këto kontribute artistike vazhdojnë të evoluojnë dhe të kumbojnë”.

E shpresa e Shkolollit është që ekspozita e sivjetme me temë “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” ushqen dialogun domethënës dhe reflektimet e artistëve e të audiencës. Tani dhe në të ardhmen.

Edicioni i katërt me temën “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, kuruar nga turkja Övül O. Durmuşoğlu dhe polakja Joanna Warsza përmbante 17 komisione të reja të shpërndara në tri qytete të Kosovës: Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë. Ishin gjithsej 35 vepra artistësh e grupesh. Po kjo ekspozitë u zgjodh si njëra prej top-dhjetë ekspozitave më të mira në Evropë nga “Frieze”.