Shtojca për Kulturë

Ata s’ishin në Kosovë, mbronin zemrën e Serbisë – familjen Millosheviq

Objekti i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Jugosllavisë në Beograd më 1999

Objekti i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Jugosllavisë në Beograd më 1999

Aty stërhalleshin veçanërisht një numër dukshëm i madh i djemve dhe burrave në “vitet e tyre më të mira”, të cilët dukeshin krejtësisht të relaksuar dhe që flisnin potershëm. Dalloheshin nga zverqet me qimet e saporuajtura në formën e kupës së qelqit, që shkëlqente në të gjitha anët. Ndjeva siklet, zemërim, hidhërim, por kam kaluar pa asnjë fjalë mes tyre. Ata nuk ishin në Kosovë, ata mbronin zemrën e vërtetë të Serbisë – familjen e Millosheviqit dhe kamarillën e tyre. Në të njëjtën kohë policia vazhdonte e bastiste shtëpitë gjatë natës, deri në lokalitete të humbura, ku mblidheshin të rinjtë që t’i shmangeshin luftës

Kur kthehesha në shtëpi nga puna i shmangesha Sheshit “Republika” prej nga vinin tinguj të pështirë të muzikës pseudo-popullore dhe britma. Në disa teatro organizoheshin shfaqje falas, si një formë e rezistencës ndaj agresionit të NATO-s, i cili ishte po ashtu irritues, si pjesë e matricës politike sipas së cilës çdo serb në botë ishte një lloj objektivi në lëvizje. Ne ishim objektivi i armikut kurse dëmi kolateral i pushtetit reklamohej vetëm përmes mediave. Jeta e qeverisë, që nga oficerët e deri në lidershipin politik, ishte e fshehur nën një vello të errët misteri. Flitej se Shtabi i Përgjithshëm ishte i vendosur në Dhomën Serbe të Tregtisë në Resavska, kurse thuhej se për çdo natë familja Millosheviq e ndryshonte vendin ku darkonte madje edhe ku flinte. Më dukej sikur nata me ditën kishin ndërruar rend sepse tashmë nata i dedikohej planifikimeve, marrëveshjeve dhe veprimeve, kurse dita gjumit dhe ngrënies në tavernat e njohura. Kështu një ditë, u botuar një fotografi ku pamë gjeneral Pavkoviqin (44) që ne e dinim se ishte duke operuar në Kosovë, duke drekuar e së bashkë me shpurën e vet – dhe ishin jo pak – në restorantin “Sindjeliq”. Pyes veten se cili e pagoi sillën në këtë kohë.
Monitorimi ynë i medias, veçanërisht i televizionit, merrej vetëm me negociatat, me “trojkën” dhe njoftimet për tërheqjen e ushtrisë nga Kosova. Disa herë na ka ngjallur shpresa deklarata e gjeneralit Lazareviq (45), sipas së cilës, ushtria kishte filluar tërheqjen nga Kosova dhe ishin mbi 150.000 ushtarë, çka ngjante realisht si e vërtetë. Por shumë shpejt kuptuam se ajo ishte një gënjeshtër. Dhe fatkeqësisht na e kishte hedhur një budalla kaq i madh.

Kur në maj çeli pranvera dhe moti u ngroh, kafenetë e bulevardit nxorën karriget e tavolinat jashtë dhe ato ishin plot me njerëz gjatë gjithë ditës. Aty stërhalleshin veçanërisht një numër dukshëm i madh i djemve dhe burrave në “vitet e tyre më të mira”, të cilët dukeshin krejtësisht të relaksuar dhe që flisnin potershëm. Dalloheshin nga zverqet me qimet e saporuajtura në formën e kupës së qelqit, që shkëlqente në të gjitha anët. Ndjeva siklet, zemërim, hidhërim, por kam kaluar pa asnjë fjalë mes tyre. Ata nuk ishin në Kosovë, ata mbronin zemrën e vërtetë të Serbisë – familjen e Millosheviqit dhe kamarillën (46) e tyre. Në të njëjtën kohë policia vazhdonte e bastiste shtëpitë gjatë natës, deri në lokalitete të humbura, ku mblidheshin të rinjtë që t’i shmangeshin luftës. Edhe pse kam më shumë se pesëdhjetë vjet që nuk largohem nga vendi, mendoj të shkoj në Budapest për të parë Goranën. 
Të gjithë kemi qenë të mobilizuar dhe të gjithë përbënim ushtrinë e koalicionit SPS-SRS (47).
Sheshelji (48) me banditët e tij kapardiseshin në Knez “Mihaillovo”. Në urën Branko qëndron Zheljko Mitroviq (49) duke bërë Grand Show, Milan Beko (50) kërkoi që punëtorët e “Zastavës” në Kragujevac të mbronin deri me trupat e tyre makinat që prodhoheshin aty. Si mund të mbesje ende në rregull nga mendtë në këtë realitet?

Letra nga Ivani e datës 17 prill 1999 

LETRA e Ivanit

Sot kemi marrë dy letra nga Ivani. E para mban datën 17 kurse e dyta 23 prillin. Letra të shkurtra, që i shkojnë stilit të Ivanit. Gjëja kryesore që na intereson është se po punon si sinjalizues, që do të thotë se nuk merr pjesë direkt në aksione. Mesazhi i tij thotë se është “gjallë, me shëndet dhe me tru të patronditur” (GShTP). Kjo është më e rëndësishmja. Na kërkon t’i shkruajmë për çdo gjë, madje edhe për gjërat që na duken më të mërzitshmet, dhe që, me domosdo, duhet të pimë vitamina. Me sa po hamendësoj vetëm dje ka marrë pakon që i kam dërguar me një mik nga Prishtina.

Jo, e kuptova, nuk e ka marrë atë pako! Ka marrë vetëm të parën që ishte plaçkitur bajagi shumë. Një prej kolegëve të mi të vjetër nga “Politika”, që atëkohë filloi të punonte si korrespondent për një agjenci të huaj, më lajmëroi nga Kosova dhe më ofroi një mundësi se do të përpiqej ta gjente Ivanin për të folur pastaj me të me anë të një telefoni satelitor. Ai m’u lut t’i dërgoja disa të holla familjes së tij që jeton diku në Vojvodinë. Por, nuk arriti ta gjejë Ivanin.

Unë munda, për shkak të punës, të shkoj disa herë në Novi Sad dhe një herë deri në Suboticë. Këto udhëtime njëditore ishin një aventurë e vërtetë. Dy herë shkuam në Novi Sad nëpërmjet Petrovaradinit. Parkuam makinën mu në urën e shkatërruar dhe e kaluam Danubin me anijet e transportit ushtarak. Aty pritej gjysmë ore, në mos gaboj, jo më shumë. Njerëzit, që mbanin radhë, qenë të durueshëm dhe të heshtur. Qielli ishte thuajse gjithmonë gri. Kur binin sirenat e shërbimeve të emergjencës kalimi ndalej plotësisht. Kur arrinim e përshkonim Danubin zakonisht takoheshim nëpër bare, jo në zyra. Mbaj mend se L. ishte aq i frikësuar për çdo gjë, saqë njëherë na tha se Posta Qendrore ishte shënjestër kryesore e sigurt dhe se duhej të ktheheshim pas sa më shpejt të ishte e mundur. Atë ditë, kur L. foli për sulmin në postë ne u kthyem në gatishmëri, pranë rafinerisë së NIS (51). Ishte ora tre pasdite, kur mbi ne fluturuan dy Tomahawks. Ishin mu mbi kokat tona, në një lartësi prej më pak se njëqind metra dhe shikoheshin gati qartë, sidomos pjesa e fundit e vrimës së zezë, prej nga zbrazej energjia shtytëse. E këqyrëm si të magjepsur. Shoferi e ngadalësoi makinën dhe ne pamë se Tomahawku i parë u rrëzua në një rezervuar të madh nja shtatë-tetëqind metra larg nga ne. Për fat të mirë cisterna ishte bosh, por e ndjemë paq valën ajrore të shpërthimit, pasi makina u zhvendos, kurse unë bërtita: O t’ia qish atë, ec mutin pra! Më pas kam menduar për këtë skenë hipnotike magjepsjeje të shkatërrimit, si për një tjetër mekanizëm mazohist, që zhvillohet në rrethana specifike shoqërore.

Mbaj mend se diku kah fundi i majit më zuri gjumi si i vdekur në një shezllon në tarracë. U përmenda vetëm aty rreth orës gjashtë të mëngjesit. Çdo gjë përreth qe në prehje dhe zbrazëti. Ishte ende herët dhe madje nuk qenë shfaqur në rrugë as shoferët e taksive. Dhe pastaj, nga larg fillimisht shumë ngadalë, dëgjova ardhjen e humbullinës. Kumti u bë më i fortë dhe u afrua gjithnjë e më shpejt. Mendova se do të na vrisnin mu atë çast, por për çudi nuk ndjeva as frikën apo ankthin më të vogël. (Kjo tani më duket si një kolateral!) Para se gjithash dua të them se u bëra disi kurioz. Nuk dëgjova më asnjë tingull tjetër, dhe nuk pasoi asnjë zjarr kundërajrori, sirenë, apo britmë njerëzish. Pastaj u dëgjua gulçima e raketës së lëshuar dhe zëri i humbullinës u ndal. Disa sekonda më vonë u ngrit një shpërthim, i cili shkatërroi pothuaj të gjitha xhamat e dritareve në rrugën e vogël pranë shtëpisë sonë. Vetëm në këtë mënyrë u shkarkua i gjithë presioni i ajrit. Nga tarracat përballë u shfaqën fqinjët në ballkone dhe dritare. Nga pozicioni ynë ishim në gjendje të përcaktonim se diçka do të qe goditur në “Milan Rakiq”(52). Menjëherë mendova për stacionin e policisë dhe mundësinë që raketa të kishte vrarë një grup njerëzish që duhet të ndodheshin aty. Për fat të mirë, në shënjestër ishte shkolla mbi stacionin e policisë, e cila po përdorej si strehim për disa njësi speciale. Dhe me çfarë kam dëgjuar në atë moment ajo ishte krejt e zbrazët. Në këtë mënyrë pamë fare nga afër saktësinë dhe absurditetin e gjithë këtyre operacioneve.



Velimir Ćurgus (1948, Novi-Sad – 11 nëntor 2018, Beograd). Gazetar dhe personalitet i njohur i publicistikës serbe. Drejtor i “Ebart Consulting” që nga viti 2002. Ishte redaktor i kolonës kulturore në gazetën “Politika” nga viti 1988 deri në 1996. Para kësaj, punoi si redaktor dhe botues për tetë vjet në Qendrën Kërkimore dhe Botuese të Rinisë serbe në Beograd. Ai është një nga themeluesit e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë dhe autori i rreth dhjetë librave me prozë dhe ese me temën e kulturës dhe politikës kulturore. Esetë dhe librat e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, polonisht, japonisht dhe disa gjuhë të tjera më të vogla. Ai është autor i disa librave mbi marrëdhëniet me median, politikën dhe kulturën dhe po ashtu hartues i disa projekteve në fushën e kërkimit të mediave dhe kulturës. Velimir Ćurgus ka marrë Çmimin Ndërkombëtar për Ese në “Lettre International”, në Weimar, në vitin 2000. Ishte anëtar i Qendrës serbe – PEN prej vitit 1987. Por, Ćurgus ishte gjithashtu piktor, veçanërisht në llojin e teknikës së kombinuar në letër. Me emrin e tij janë të lidhura pesë ekspozita. Ai ishte edhe autori i dy skenarëve të filmave të shkurtër.


Fusnotat

(44) Nebojša Pavković (10 prill 1946) është ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Jugosllavisë nga shkurti 2000 deri në qershor 2002. Ai shërbeu gjithashtu si Komandant i Njësisë së Tretë të Forcave të Armatosura të Jugosllavisë gjatë Luftës së Kosovës, nga dhjetori 1998 deri në shkurt 2000. Në vitin 2009, ai u dënua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Luftën e Kosovës.

(45) Vladimir Lazarević (23 mars 1949) është kolonel i Korpusit të Tretë të Ushtrisë Jugosllave dhe më vonë komandant i Korpusit të Ushtrisë RFJ të Prishtinës gjatë agresionit të NATO-s në 1999.

(46) Njerëzit e shpurës në një oborr mbretëror

(47) SPS është Partia Socialiste e Serbisë, partia që ishte e lidhur me Sllobon, kurse sot e përfaqëson Ivica Dačić. Kurse SRS është po parti politike parlamentare në Serbi. Ajo u themelua në 23 shkurt 1991 nga unifikimi i Lëvizjes Çetnike Serbe (e kryesuar nga Vojislav Šešelj) dhe një numër i komiteteve lokale të Partisë Radikale (të udhëhequr nga Tomislav Nikolić).

(48) Vojislav Šešelj (11 tetor 1954) është një politikan serb dhe një i dënuar si kriminel lufte. Ai është themeluesi dhe presidenti i Partisë Nacionaliste Radikale Serbe (SRS). Nga viti 1998 deri në vitin 2000, ai ishte zëvendëskryeministër i Serbisë. U dorëzua vullnetarisht në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në shkurt 2003, por gjyqi i tij nuk filloi deri në nëntor 2007. U lirua sepse paraqiti një diagnozë se po kurohej me kancer. I ofendoi rregullisht gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatës sapo filluan procedurat, disa herë zbuloi identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe u ndëshkua në tre raste për mosrespektim të gjykatës. Ai nuk thirri asnjë dëshmitar në mbrojtjen e tij. Pasi kaloi 11 vjet dhe 9 muaj në paraburgim në Njësinë e Paraburgimit të Shheveningenit të Kombeve të Bashkuara gjatë gjykimit të tij, Seselj u lejua të kthehej përkohësisht në Serbi në nëntor 2014 për t'i nënshtruar trajtimit të kancerit, për të mos u kthyer më. Ai drejtoi SRS në zgjedhjet e 2016, kurse partia e tij fitoi 23 vende në parlament. Jeton në Beograd.

(49) Željko Mitrović (31 maj 1967) është një manjat i mediave serbe, sipërmarrës, investitor dhe CEO si edhe themelues i Pink Media Group (PMG).

(50) Milan Beko ka qenë përkrahës aktiv i Partisë Demokratike të atëhershme të opozitës në vitet 1990, duke u bërë kumbari i fëmijës së ish-kryeministrit Zoran Gjindjic por dhe një mik i mirë i ish-shefit të policisë sekrete Jovica Stanisić. Në fund të viteve 1990 ishte ministër i ekonomisë, kohë kur nisi procesi i privatizimit. Në atë kohë, ai shikohej si një individ liberal problematik nga regjimi autoritar i Sllobodan Millosheviqit. Kompanitë e tij offshore luajtën një rol të madh në shitjet e portit të Beogradit, ndërmarrjes së pijeve “Knjaz Milos”, gazetës “Većernje Novosti” dhe tregut të zinxhirit të supermarketeve.

(51) NIS (Naftna Industrija Srbije) është një kompani shumëkombëshe serbe e naftës dhe gazit me seli në ndërtesën NIS, Novi Sad, Serbi. NIS është një nga kompanitë më fitimprurëse në Serbi dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj vendas me gati 11.000 banorë.

(52) Shkolla fillore "Milan Rakic" ndodhet në Beogradin e Ri. E ka marrë emrin prej poetit dhe akademikut serb Milan Rakić.