“Derisa ka marrë shembull Shqipërinë për bashkëjetesën dhe tolerancën mes religjioneve, Papa Françesku ka ngritur zërin kundër ekstremizmit fetar: ‘Besimi është forma autentike e paqes dhe jo e dhunës. Dhe askush nuk mund të përdorë Zotin për të shkaktuar dhunë. Ai që vret në emër të Zotit – është sakrilegj i madh, të diskriminosh në emër të Zotit është jonjerëzore, është çnjerëzore’”, shkruante “KOHA Ditore” e 22 shtatorit të vitit 2014, me rastin e vizitës të Papa Frençeskut në Tiranë
Tiranë, 21 shtator 2014 – E gjithë bota të dielën e (21 shtatorit të vitit 2014) i kishte sytë në Tiranë, në kryeqendrën e Shqipërisë aty ku sheshi “Nëna Terezë” u kthye në një ditë në sheshin “Shën Pjetri” të Vatikanit”. Ajo që shqiptarët e prisnin prej kohësh u bë realitet: Papa Françesku shkeli tokën shqiptare në orën 09:00, duke shënuar kështu vizitën e parë në Evropë. Udhëtimit i ka paraprirë një mesazh për paqe në Itali, dhe një tjetër i dhënë gjatë udhëtimit në avion për “Dialog, paqe dhe ekuilibër në qeverisje në Shqipëri”. Më pas pritja nga kryeministri Edi Rama në aeroportin “Nëna Terezë”, ceremonia shtetërore në Presidencë dhe mesha e shenjtë në sheshin “Nëna Terezë”, e cila zgjati rreth 2 orë.
Avioni papnor, ku valëviteshin dy flamujt, ai shqiptar dhe ai i Vatikanit, zbriti në aeroportin “Nëna Terezë” me Papa Françeskun rreth orës 9 të paradites, dhe u prit nga kryeministri Edi Rama, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe përfaqësues të klerit katolik. Në kohën që Papa Françesku qëndroi në sallën VIP në aeroportin “Nëna Terezë”, për të pushuar pak, ka marrë dhuratën e kryeministrit Edi Rama. Ashtu siç Rama e kishte bërë publikë dhuratën e tij për Papën një ditë më parë, ajo është një kupë me dhe nga toka e shqiptarëve. Në këtë kupë shkruhet: “Shenjtërisë së tij, Papës Françesk. Me lutjen e zjarrtë, që duke bekuar këtë grusht dhe nga trualli që shkeli këtë ditë, të shtrijë mirësinë e Zotit mbi të gjithë vendin e shqiptarëve”.
Në Tiranë Papën e priti edhe kreu i opozitës, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili para meshës në kryeqytet i ka dhuruar Papa Françeskut çelësin e Tiranës dhe i ka akorduar atij titullin “Qytetar Nderi”.
Mesha në sheshin “Nëna Terezë”
Të dielën, Tirana, por edhe e gjithë Shqipëria dhe rajoni kanë mirëpritur vizitën e Atit të Shenjtë në Shqipëri. Për këtë qëllim rreth 250 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, por edhe nga vendet e tjera të Ballkanit ishin në Tiranë për ta përshëndetur, por dhe për të marrë bekimin e Papa Françeskut, ndërsa 1.200 gazetarë nga e gjithë bota ndoqën këtë vizitë. Shumë prej pelegrinëve nga Kosova kishin ardhur që prej mbrëmjes të së shtunës dhe kanë zbarkuar në Shëngjin, ndërsa është organizuar një pritje e veçantë nga Komuna e Shëngjinit dhe Dioqeza e Lezhës, të cilat kanë shtruar një darkë për ta. Ata e konsiderojnë këtë vizitë si mjaft të veçantë për mbarë shqiptarët, ndërsa shprehen se të gjithë duhet që t’i gëzohemi kësaj dite. Ndërkohë që ka qenë e pakët pjesëmarrja e pelegrinëve nga vendet e Evropës Perëndimore, të cilët janë përfaqësuar me një numër të vogël pjesëmarrësish nga Zvicra e Austria. Kosova është përfaqësuar kryesisht me besimtarë katolikë nga rajoni i Gjakovës, Klinës, Pejës e Vitisë, ku numri i pjesëmarrësve ka qenë rreth 2.500 persona.
“Janë nisur rreth 50 autobusë nga Kosova. Nuk kishte vende në autobus, kështu që unë kam ardhur me veturën personale bashkë me familjen”, thotë besimtari Albert Laskaj nga Peja.
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, me shumicë myslimane, ku numëron vetëm katër kisha katolike, për herë të parë e ktheu sheshin kryesor, por që mban emrin e shenjtores “Nëna Terezë”, në sheshin e një meshe që e drejtoi vetë Ati i Shenjtë, Papa Françesku, pa regjistruar asnjë incident. Në meshën e drejtuar nga Ati i Shenjtë kanë marrë pjesë rreth 150 ushtarë të KFOR-it, kryesisht amerikanë. Katolikët në Kosovë sipas statistikave zyrtare përbëjnë 2.2 për qind të popullsisë, megjithatë interesi i tyre për të pritur Papa Françeskun në Tiranë ka qenë i madh. Për këtë interes të veçantë të shqiptarëve të Kosovës, në konferencën për shtyp Atë Federico Lombardi u pyet nga gazetarët nëse Vatikani do të ketë një qëndrim të ndryshuar lidhur me njohjen e shtetit të Kosovës, por drejtori i Zyrës së shtypit në Vatikan iu shmang pyetjes, duke thënë se “pyetja dhe qëllimi më duken shumë të qarta, ashtu siç do jetë dhe përgjigjja. Ky është një udhëtim pastoral në Shqipëri për motive që i dimë. Nuk ka motive ose qëllime me karakter diplomatik-politik ndryshe nga ato të nënkuptuara në natyrën e këtij udhëtimi”.
Megjithatë, në meshën e organizuar në sheshin “Nëna Terezë” në Tiranë, Ati i Shenjtë Papa Françesku, duke bekuar tokën e shqiponjave, përcolli mesazhin ndaj të rinjve që janë nga vendi me moshën më të re në Evropë për të ndërtuar një botë më të mirë mbi gjurmët e paraardhësve dhe martirëve: “Fluturoni lart. Mos harroni shqiponjën. Shqiponja nuk e harron folenë”, tha Ati i Shenjtë. “Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në kombin tuaj”, tha Papa Françesku.
Ai përcolli mesazhin ndaj të rinjve për të ndërtuar një botë më të mirë mbi gjurmët e paraardhësve dhe martirëve: “Duke ardhur sot në mesin tuaj, vëllezër të dashur e motra të Shqipërisë, në këtë shesh që i kushtohet bijës së madhe të bekuarës Nënë Tereza të Kalkutës dua të përsëris: Paqe në shtëpitë tuaja paqe në zemrat tuaja, në kombin tuaj. Sot kam ardhur për t’ju falënderuar për dëshminë tuaj dhe t’ju jap zemër që të rritet shpresa brenda dhe përreth jush. Shqiponja nuk harron folenë kur fluturon lart. Shkoni fluturoni lart. Kam ardhur t’i përfshij breznitë e reja që t’i hapin zemrën e vet takimit me Hyjin”, tha Ati i Shenjtë.
“Ju ftoj të ndërtoni ekzistencën tuaj mbi Zotin. Sepse kush e ndërton mbi Zotin e ndërton mbi shkëmb. Ju jeni breznia e re e Shqipërisë. E ardhmja e paqes. Me forcën e Ungjillit dhe paraardhësve tuaj dhe të martirëve dini të thoni jo idhulltarisë së parasë jo lirisë false individualiste, jo vartësisë dhe dhunës. Dhe t’i thoni po kulturës së takimit dhe solidaritetit. Po bukurisë së pandashme. Kështu do të ndërtoni një botë më të mirë mbi gjurmët e paraardhësve tuaj dhe të tjerëve që ecin para në Shqipëri”.

Gjatë meshës Ati i Shenjtë nuk e la pa predikuar edhe për atë për çfarë e kishte shtyrë të vizitonte Shqipërinë.
“Në një të kaluar jo të largët, edhe porta e vendit tuaj u kyç, u mbyll me vargonjtë e mohimeve e të ndalimeve të një sistemi, që mohonte Zotin e pengonte lirinë fetare. Ata që kishin frikë nga e vërteta e nga liria, bënin ç’ish e mundur ta dëbonin Hyjin (Zotin) nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj, ndonëse ai qe ndër më të hershmit që mori dritën e Ungjillit. Në Leximin e dytë, dëgjuam të përmendet Iliria që, në kohët e apostullimit të Palit, përfshinte edhe trojet e Shqipërisë së sotme. Duke sjellë përsëri në mendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të persekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të patrandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar! Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm”, tha Papa Françesku gjatë meshës.
Ai gjatë meshës ka dhënë mesazhin e shpresës dhe besimin tek Zoti:
“Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I). Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira. Sot portat e Shqipërisë janë të hapura e përparon stina e protagonizimit të ri misionar për të gjithë ata, që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit: secili i pagëzuar e ka një vend e një detyrë për ta kryer në Kishë e në shoqëri”, tha Ati i Shenjtë.
Pritja në Presidencë
Meshës në sheshin “Nëna Terezë” i ka paraprirë një takim i Atit të Shenjtë Papa Françesku me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani. Në këtë takim Papa Françesku duke bekuar Shqipërinë, ka dhënë një mesazh për botën: “Askush të mos shfrytëzojë Zotin për të përdorur dhunën.”
“Askush të mos mendojë se mund ta përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!”.
Në takim me kreun e shtetit, Ati i Shenjtë është shprehur i gëzuar që ndodhet në tokën e shqiponjave, në tokën e martirëve që kanë dëshmuar besimin e tyre në kohët e vështira të diktaturës.
“Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të nderuar anëtarë të trupit diplomatik, shkëlqesi, zonja dhe zotërinj. Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat ta vizitoj atdheun tuaj, ‘tokën e shqiponjave’, si edhe për pritjen tuaj kremtore”, tha Papa.
Sipas Atit të Shenjtë, bashkëjetesa fetare në Shqipëri meriton një vend të veçantë dhe duhet të jetë një shembull që duhet të ndiqet në të gjithë Evropën. Sipas tij ajo që po ndodh në Shqipëri, bashkëjetesa fetare, nuk është vetëm e lavdërueshme, por është diçka që praktikohet.
“Kjo që ndodh në Shqipëri tregon bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare jo vetëm që urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë, është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është vlerë, që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike, të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve, duke e njohur dhe duke e nderuar njëri-tjetrin. Është dhuratë, të cilën duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit, në lutje. Uroj që Shqipëria ta vijojë këtë udhë, duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi.”
Gjatë fjalës së tij në Presidencë, Papa Françesku tha se pas dimrit të izolimit e të përndjekjeve, erdhi pranvera e lirisë.
“Zoti President, pas dimrit të izolimit e të përndjekjeve, erdhi më në fund pranvera e lirisë. Përmes zgjedhjeve të lira të strukturave institucionale, është përforcuar pluralizmi demokratik dhe kjo ka ndihmuar edhe në rihapjen e veprimtarive ekonomike. Shumë veta, veçanërisht në fillim, të shtyrë nga kërkimi për punë e për kushte më të mira jetese, morën rrugën e emigrimit dhe ndihmojnë, si e sa munden, për përparimin e shoqërisë shqiptare. Shumë të tjerë i gjetën arsyet për të ndenjur në atdhe e për ta ndërtuar nga brenda. Mundimet dhe flijimet e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme. Kisha Katolike, nga ana e vet, mundi të rinisë jetën normale, duke rindërtuar hierarkinë e saj dhe duke rilidhur fijet e një tradite të lashtë. U ndërtuan ose u rindërtuan vendet e kultit, ndër të cilat spikat Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, në Shkodër; u hapën shkolla dhe qendra të rëndësishme edukimi e asistence, në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prania e Kishës dhe veprimi i saj shikohen, me të drejtë, prandaj, jo vetëm si shërbim ndaj bashkësisë katolike, por ndaj mbarë kombit”.
Ndërsa presidenti Nishani përmes një fjalimi mirëseardhës vlerësoi faktin që Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë evropian që do ta vizitonte. Duke cilësuar harmoninë fetare si një vlerë të çmuar për Shqipërinë nënvizoi integrimin evropian.
“Shqipëria sheh tek ju një personalitet të madh. Një mik të shtrenjtë që sot ia ka hapur derën: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja”, tha Nishani.
Presidenti i Republikës uroi mirëseardhjen Papa Françeskut përmes një fjalimi ku ndodheshin edhe personalitetet e larta të shtetit, por dhe përfaqësues të opozitës.
“Të gjithë njëzëri ju thonë mirë se erdhët në Shqipëri. Faleminderit që na zgjodhët ne të parët për udhëtimin tuaj në Evropë. Çdo bashkëkombës imi dhe unë identifikoj veç mirënjohje për ju shenjtëri. Ati i Shenjtë, ne shqiptarët jemi një popull i vjetër dhe kemi një gjuhë po aq të rrënjosur e përbashkuese, tradite e zakone të njëjta, por i falemi Zotit në mënyrë të ndryshme. Këtë akt e kemi bërë gjithmonë në paqe e në harmoni me njëri- tjetrin.”

Po ashtu, Nishani vlerësoi harmoninë e dukshme mes feve: “Mes nesh nuk ka diskriminim intolerancë, ekstrizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi harmoni e barazi të plotë të trashëguar nga Kushtetuta e shtetit tonë laik”.
Por, presidenti Nishani theksoi edhe një fakt në fjalimin e tij: “Vendi im i ka dhuruar martirë e shenjtorë Kishës Katolike ndër shekuj, ndërsa brenda historisë sonë kombëtare komuniteti katolik, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe kleri i saj zënë një vend nderi. Ne të gjithë jemi krenarë që gjuha shqipe e shkruar ngjizet me një formulë të shenjtë ‘Unë të pagëzoj në emër të atit e të birit e shpirtit shenjt’ në vitin 1462. Ky bekim hyjnor e ruajti atë nga zhdukja që i kanosej. Jo rastësisht libri i parë i gjuhës shqipe është një ‘Meshar’ i vitit 1555, i murgut Gjon Buzuku, për të vijuar me të tjerë shkrimtarë e prelatë katolikë si Budi, Bogdani, Bardhi deri tek poeti kombëtar Gjergj Fishta e shumë të tjerë, të cilët ushqyen limfën e identitetit kombëtar në një periudhë të rëndë të historisë së kombit.”
Dhe në përfundim, kreu i shtetit shqiptar nënvizoi: “Integrimi evropian është kryefjala e politikës shqiptare, e qeverisë dhe opozitës, fakt ky që e ridëshmon vokacionin evropian të shqiptarëve. Në këtë kontekst, Shqipëria marrëdhëniet me Shtetin e Vatikanit në vijim të historisë, të së tashmes dhe të së ardhmes i ka strategjike, jo vetëm në emër të komunitetit katolik dhe Kishës Katolike Shqiptare, por të krejt kombit, ndaj i dëshirojmë ato intensive, në nivelin më të lartë dhe të përjetshme.”
Porosi për dialogun ndërfetar
Në vijim të takimeve të fundit të parashikuara në agjendën e tij, Ati i Shenjtë ka zgjedhur universitetin “Zonja e Këshilli të Mirë”, që së bashku me të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri të përcjellë mesazhin e paqes dhe harmonisë fetare për botën mbarë.
“E rëndësishme është që jeni këtu të gjithë bashkë, është një shenjë dialogu për të ndërtuar vëllazërinë dhe shoqërinë, faleminderit për gjithçka ju bëni. Shqipëria në mënyrë të trishtueshme ka qenë dëshmitare se çfarë dhune dhe dramash mund të shkaktojë largimi i Zotit nga jeta e përditshme në emër të një ideologjie që përfundon tek adhurimi i idhujve. Dhe pastaj njeriu zverdhet”, ka thënë Papa aty. “Kështu ndodh kur largohet Zoti tek dinjiteti i njeriut dhe ndodh ajo që ka ndodhur. Të gjitha komunitetet fetare duhet të ruajnë traditat, pavarësisht persekutimeve të mëdha. Më e rëndësishme është ndërtimi moral sesa ekonomik i një vendi. Harmonia fetare në Shqipëri nuk është vetëm një dhuratë e Zotit, por është dhuratë për të gjithë, është bazike për lirinë. Jemi të gjithë vëllezër dhe liria e besimit është kundër çdo lloj totalitarizmi”, ka shtuar ai.
Papa Françesku po ashtu ka kërkuar vigjilencë maksimale në këto kohë të vështira, duke iu referuar grupeve terroriste në Lindjen e Mesme. Sipas Atit të Shenjtë, besimi është forma autentike e paqes dhe askush nuk mund të përdorë emrin e Zotit për të shkaktuar dhunë.
“Liria e vërtetë e besimit promovon sjellje të dialogut konstruktiv dhe nuk mund të mos bëjmë që nuk i njohim sjelljet e atyre të cilët janë intolerantë ndaj atyre që kanë besim të ndryshëm që po manifestohen në vende të ndryshme të botës. Duhet të jemi veçanërisht vigjilentë që të dëshmojmë me besim dhe pasion dhe të shprehim sjelljet e duhura duke refuzuar me vendosmëri të gjitha ato forma që prezantojnë intolerancën. Besimi është forma autentike e paqes dhe jo e dhunës. Dhe askush nuk mund të përdorë Zotin për të shkaktuar dhunë. Ai që vret në emër të Zotit - është sakrilegj i madh, të diskriminosh në emër të Zotit është jonjerëzore, është çnjerëzore. Nga kjo pikë vështrimi liria e besimit nuk është vetëm një e drejtë që duhet të garantohet nga legjislacionet pavarësisht se është e nevojshme të garantohet nga legjislacioni, por krijon një hapësirë të mundshme. Një hapësirë ku mund të jetojnë dhe bashkëjetojnë të gjithë, madje dhe ata që nuk kanë asnjë bindje fetare. E para është që të shohim te çdo grua dhe çdo burrë që i përkasin traditës së besimit të tyre, nuk duhet të shohim tek këta rivalë dhe armiq, por vëllezër dhe motra”.
“Nuk ka nevojë të ushtrojmë presion tek tjetri, çdo traditë fetare pikërisht nga brendësia e vet duhet t’u japë të drejtë të tjerëve”, theksoi në fund të fjalës së tij Ati i Shenjtë.
“Prandaj nuk ka nevojë të ushtrojmë presion tek tjetri, në fund fare të gjithë jemi pelegrinë në këtë tokë dhe ky është udhëtimi ynë për t’iu afruar së vërtetës. Nuk jetojmë si etnitete autonome dhe si grupe qoftë kulturore apo fetare. Çdo traditë fetare pikërisht nga brendësia e vet duhet t’u japë të drejtë të tjerëve. Kjo harmoni fetare duhet parë si një potencial që pasuron familjen njerëzore. Sa më tepër të pranosh tjetrin, aq më shumë je i lirë, sa janë nevojat e të varfrit. Shpirti njerëzor ka shumë nevojë që të mos humbë vëmendjen ndaj pasurive të kësaj bote, edhe duhet të kërkojë në besim vetveten. Është përherë kjo fantazma e relativizimit një parim i qartë, nuk mund të dialogohet nëse nuk nisesh nga identiteti yt, nuk shërben një dialog fantazmë. Secili prej nesh ka një identitet të vetin religjioz, është besimtar. Kjo që na bashkon në rrugën e jetës është vullneti i mirë për t’u bërë mirë vëllezërve dhe motrave. Bëni mirë dhe kështu si vëllezër siç jemi të shkojmë bashkë, të ecim bashkë. Dhe secili prej nesh duhet të ofrojë dëshminë e identitetit të vet, duhet t’ia ofrojë tjetrit dhe duhet të dialogojë me tjetrin. Dialogu mund të shkojë përpara edhe mbi çështjet religjioze, por me rëndësi është të ecim përpara pa hipokrizi”.
Monsinjor Angelo Massafra tha se ka ardhur momenti që komunitetet fetare të shkojnë përtej tolerancës fetare, duke kërkuar që së bashku të jenë më aktivë në të mirë të shoqërisë.
Rreth orës 17:00 Papa Françesku mbërriti në katedralen e “Shën Palit”, ku ka kremtuar lutjen e “Mbrëmësores” me meshtarët, rregulltarët, rregulltarët, seminaristët dhe lëvizjet laikale në Katedralen e Tiranës. Në këtë takim morën pjesë rreth 800 meshtarë, motra, rregulltarë dhe rregulltarë si dhe përfaqësues të lëvizjeve laikale në Shqipëri. Ndërsa rreth orës 18:30 Papa është takuar me fëmijët e qendrës “Betania” dhe me një përfaqësi personash të qendrave të tjera të bamirësisë të Kishës në Shqipëri në Qendrën “Betania”.
Qendra “Betania” në Bubq të Fushë-Krujës ishte ndalesa e fundit e Atit të Shenjtë para nisjes drejt Aeroportit të Rinasit. Rreth orës 19:45 me një ceremoni përcjellëse Papa Françesku është larguar nga Shqipëria.
Shmangie nga çështja e pavarësisë së Kosovës
Prania e rreth 250-300 mijë njerëzve në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë dhe në bulevard, sipas drejtorit të Medieve në Vatikan, Federico Lombardi, ka lënë përshtypje mjaft pozitive te Papa dhe të gjithë klerikët e lartë që e shoqëronin. Vetë drejtori i medias në Vatikan, Federico Lombardi, pas meshës, tha se gjithçka ishte zhvilluar sipas agjendës. Lombardi ka zbardhur edhe detaje të bisedës që Papa ka bërë përgjatë rrugës nga Rinasi drejt sheshit “Nënë Tereza”. Sipas tij, Papa ka folur edhe për njohjen e tij me Nënë Terezën.
Por zyrtari i lartë iu përgjigj edhe interesit të medias lidhur me qëndrimin e Vatikanit për Kosovën. Sipas Lombardit, Papa shikonte sesa e re ishte popullsia shqiptare. Papa thoshte gjithashtu se shqiponja fluturon lart, por kthehet gjithmonë në folenë e saj.
Papa thotë qe e ka njohur Nënë Terezën në fund të vitit 1994. “Në atë aktivitet Nënë Tereza qëndronte pas tij dhe ai admironte forcën dhe vendosmërinë e saj në atë që thoshte, pa u influencuar nga Asambleja e Peshkopëve. Madje ai kishte bërë një batutë: ‘Do të kisha pasur frikë në qoftë se ajo do të kishte qenë Superioria ime’”, ka thënë Papa Françesku.
Lombardi ka sqaruar edhe për mbresat e Papës kur ka hyrë në Presidencën shqiptare.
“Kur ka hyrë në Pallatin Presidencial, Papa është ulur për të shkruar në Librin e Artë të të ftuarve të nderit. Ai ka shkruar këto fjalë: ‘Popullit fisnik shqiptar, me respektin dhe admirimin tim, në dëshminë dhe vëllazërinë e tij për të çuar përpara vendin’. Presidenti ishte shumë i mallëngjyer dhe i emocionuar dhe falënderonte Papën për vizitën dhe shprehte rëndësinë e kësaj vizite për popullin shqiptar. Presidenti është shprehur që harmonia fetare mbështet dhe procesin demokratik, kështu që është shumë e rëndësishme për jetën e vendit. Kjo vizitë e Papës të jetë një bekim për të gjithë vendin dhe për të gjithë qytetarët e këtij vendi”, tha Lombardi.
“Bekimi i Papës ishte për të gjithë, jo vetëm për katolikët”, tha ai.
Pyetjes se përse Vatikani nuk e njeh Kosovën, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë nuk i është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke e anashkaluar: “Pyetja dhe qëllimi më duken shumë të qarta, ashtu siç do jetë dhe përgjigjja. Ky është një udhëtim pastoral në Shqipëri për motive që i dimë. Nuk ka motive ose qëllime me karakter diplomatik – politik ndryshe nga ato të nënkuptuara në natyrën e këtij udhëtimi”, ka qenë përgjigjja e Federico Lombardit.
Masat e sigurisë për vizitën e Papës
Ardhja në Shqipëri e Papa Françekut është shoqëruar me supermasa sigurie, ku, krahas policisë se shtetit, janë angazhuar edhe shërbimet e tjera si ai Informativ Shtetëror, Informativ i Ushtrisë, Garda e Republikës dhe Drejtoria e Emergjencave Civile. Masat kanë nisur që në orët e para të ditës, me bllokimin e të gjitha akseve kryesore që të çonin drejt Rinasit si edhe drejt sheshit “Nënë Tereza”. Papa Françesku shoqërohej gjatë gjithë kohës nga 5 truproja të forcave të sigurisë të Vatikanit dhe katër badigardë shqiptarë. Në pikat kryesore të kryeqytetit janë vendosur mbi 50 snajperë, ndërsa sapo Ati i Shenjtë ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit është bërë ndërprerja e valëve telefonike. Në shërbim të eskortës është vendosur edhe një helikopter ushtarak, i cili ka pasur nën kontroll të gjitha lëvizjet, ndërkohë që të gjithë qytetarët që kanë mbërritur në shesh i janë nënshtruar një kontrolli fizik. Mësohet se masa janë marrë edhe në pikat kufitare ku nuk është lejuar hyrja e personave të dyshuar, ndërsa sistemi TIMS shqiptar ka qenë i aksesueshëm edhe për forcat e sigurisë të Vatikanit. Për sigurinë e vizitës së Papa Françeskut, me urdhër të kryeministrit, është ngarkuar ministri i Punëve të Brendshme. Në zbatim të këtij urdhri, ministri i Punëve të Brendshme ka caktuar drejtorin e përgjithshëm të Policisë si drejtues i operacionit për sigurinë e vizitës së Papës. Që prej së shtunës e gjithë policia ka kaluar në shërbim të përforcuar në gjithë vendin, ndërkohë që me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara janë angazhuar 2.500 forca policore.
Mediet e huaja, për vizitën e Papës në Shqipëri
Shqipëria rrëmben vëmendjen e botës. Vizita e Papa Françeskut në vendin tonë ka tërhequr interesin e medieve më të rëndësishme të globit. Gjiganti amerikan CNN ka transmetuar moment pas momenti çaste nga vizita e kreut të Vatikanit dhe nga fjala e tij. Madje ka kryer edhe lidhje të drejtpërdrejta satelitore me gazetarë nga sheshi “Nënë Tereza”. Kanë qenë dy detaje ato që kanë zënë vendin kryesor në pasqyrimin mediatik ndërkombëtar: Toleranca fetare në vendin tonë, pasi theksohet se të krishterë dhe myslimanë, mirëpritën së bashku Atin e Shenjtë. Si dhe së dyti, mesazhi i Papës kundër terrorizmit. “Zoti nuk duhet përdorur si mburojë për ekstremizmin”. Ishte ky citimi kryesor i Papa Françeskut, që zë titujt dhe faqet e para të televizioneve më të njohura të botës, gazetave e portaleve online. Mesha e Atit të Shenjtë është transmetuar drejtpërdrejt në kanalin e parë të televizionit publik italian “Raiuno”. Mesha është transmetuar gjithashtu në livestream nga faqja zyrtare në internet e Vatikanit. Nga faqja online e gazetës italiane “Corriere della Sera”, nga portali “Tgcom” e dhjetëra media të tjera të njohura italiane. Agjenci prestigjioze si Reuters, Associated Press, AFP kanë komentuar ngjarjen, duke e vënë theksin si shumë të tjerë te bashkëjetesa fetare në Shqipëri.