Ajo që më bëri shumë përshtypje, vërtet shumë, ishte fakti që vendimi i Kurtit – për fillimin e procedurave për hapjen në Kosovë të fabrikës shtetërore për prodhimin e municionit – u shpërnda në rrjetet sociale edhe nga plot artistë kosovarë. Po mendoja, si është e mundur që kemi ardhur në këtë pikë, ku një artist i gëzohet një diçkaje që në të vërtetë është e kundërta e asaj çfarë arti e një artist duhet të synojnë e projektojnë për të ardhmen e një shoqërie. A s’do të duhej artisti ta përbuzë idenë e një lufte (edhe të një lufte në horizont) dhe të shfaqë kundërshtinë, qoftë edhe si akt simbolik së paku!?
Në fund të nëntorit, qeveria Kurti njoftoi se ka nënshkruar vendimin për fillimin e procedurave për hapjen në Kosovë të fabrikës shtetërore për prodhimin e municionit si dhe krijimin e një laboratori i cili do të bëjë projektimin e dronëve. Paj, asgjë e jashtëzakonshme, do të thoshte dikush, marrë parasysh krejt këtë atmosferën e përgjithshme evropiane të përgatitjes “për një luftë të mundshme”. Të gjith po përgatiten, në një mënyrë a tjetër, po investojnë në siguri, e po shkurtojnë buxhetin e sektorëve të tjerë, të kulturës më së shpeshti. Kështu, para ca javësh, në Oslo, “Norwegian Theatre Academy” dha njoftimin dramatik që autoritetet po e mbyllnin pavullnetshëm, si pjesë e një ndërmarrjeje të shtetit, për ngritjen e rezervave buxhetore (për ushtrinë). Në Gjermani, disa institucioneve kulturore u është shkurtuar buxheti për vitin 2025, deri edhe në 30 për qind.
Vendimi në fjalë i Kurtit u prit me entuziazëm te publiku në Kosovë. Se njerëzit ndoshta njëmend ndihen të kërcënuar, frika është legjitime, dhe prandaj një fabrikë vendore municioni e shohin si gjë të rëndësishme. Në anën tjetër, jemi edhe në prag të zgjedhjeve dhe këtë vendim qeveritar, të bërë publik me kaq pompozitet, edhe duhet parë si pjesë e betejës për të krijuar tifozëri politike. Pra, le të themi se ka argumente e rrethana që ndoshta e justifikojnë entuziazmin e masave për përpjekjen shtetërore të fuqizimit të sigurisë nacionale.
Megjithatë, ajo çka më bëri shumë përshtypje, vërtet shumë, ishte fakti që vendimi i Kurtit u shpërnda në rrjetet sociale edhe nga plot artistë kosovarë. Po mendoja, si është e mundur që kemi ardhur në këtë pikë, ku një artist i gëzohet një diçkaje që në të vërtetë është e kundërta e asaj çfarë arti e një artist duhet të synojnë e projektojnë për të ardhmen e një shoqërie. A s’do të duhej artisti ta përbuzë idenë e një lufte (edhe të një lufte në horizont) dhe të shfaqë kundërshtinë, qoftë edhe si akt simbolik së paku!? A s’do të duhej që artisti në vend të ndërtimit të një fabrikeje armësh, të ëndërronte ndërtimin e më shumë teatrove, galerive, e hapësirave kulturore!? E di, kjo për kohën në të cilën po jetojmë me gjasë tingëllon anakronike, naive, utopike, madje, për ndokënd edhe si qëndrim “kundër interesave të shtetit”. Por prapëseprapë, unë e refuzoj aktin e aplaudimit të diçkaje që nuk përfaqëson botëkuptimet, idealet dhe synimet e mia si artist – dhe si njeri. Armët i refuzoj dhe i përbuzi. Në botën e ëndërrave të mia, nuk ka vend për fabrika municionesh.
Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit
Botohet në shqip me leje të autorit.