Si një film që mahnit me inteligjencën dhe zbulimin e të papriturave, është njëri prej përshkrimeve që i bëhet filmit norvegjez “Dreams”, i cili të shtunën ka marrë “Ariun e Artë” të edicionit të 75-të të festivalit të filmit në Berlin, “Berlinale”. Jo pak mesazhe i janë dhënë edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit që konsiderohet si ngjarja më politike kulturore. Rrëfimin e vet në ekranet e “Berlinales” e ka çuar edhe Kosova, me premierën botërore të “Mua besoj më shpëtoi portreti” të Alban Mujës
Rrëfimi kinematografik që vlerësohet si hetim kompleks i zgjimit romantik dhe i çekuilibrit të fuqisë, ka triumfuar në edicionin e 75-të të festivalit të filmit në Berlin – “Berlinale”. “Dreams” nën regji të norvegjezit Dag Johan Haugerud ka marrë “Ariun e Artë”. Filmi trajton një histori të çuditshme dashurie e me të plotësohet trilogjia e regjisorit – “Sex, Love, Dreams”.
Drama, siç përshkruhet, ndjek pasionin e një vajze adoleshente me mësuesen e saj. Treguar kryesisht në retrospektivë, adoleshentja rrëfen kujtimet e saj nëpërmjet një romani që ka shkruar për ngjarjet. Filmi vlerësohet i butë, joshës dhe shpesh qesharak.
“Me një siguri të mahnitshme dhe precizitet, filmi eksploron motorin e dëshirave dhe atë që prodhon, sikurse edhe zilinë që mund të ndiejmë ndaj atyre që janë nën këtë kontroll. Me vëzhgimin e tij të bukur të paraqitur qartë, durimin në kamerë, performancat e përsosura dhe vëmendjen që jep si një proces i shndërrimit të dëshirave në përvojë, ky film mahnit me inteligjencën dhe zbulimin e të papriturave”, ka thënë kryetari i jurisë së “Berlinales”, Todd Haynes, skenarist e regjisor amerikan. Ceremonia e ndarjes së çmimeve, të shtunën mbrëma, është transmetuar direkt në platformat e festivalit prestigjioz.
Haynes ka kryesuar jurinë e edicionit të 75-të të festivalit ku gjithsej 19 filma kanë garuar për çmimin kryesor.
Regjisori norvegjez Dag Johan Haugerud pasi ka marrë çmimin ka thënë se filmi “Ëndrrat” ishte përtej ëndrrave të tij.
“Filmi quhet ‘Drømmer’ në norvegjisht dhe do të thotë ‘ëndrrat’ – dhe kjo ishte përtej ëndrrave të mia më të çmendura. Unë thjesht dua të them: ‘Shkruani më shumë dhe lexoni më shumë. Kjo zgjeron mendjen tuaj. Është shumë mirë për ju”, ka thënë regjisori Haugerud pasi ka pranuar çmimin.

Bashkëproducentja e filmit, Hege Hauff Hvattum, është shprehur se shpreson që filma të tillë “të jenë frymëzim në këtë botë të çmendur”.
“Unë dhe Dag Johan nuk kemi shumë kohë që njihemi, por jemi njohur në vitin 2017 kur xhiruam një film tjetër. Dhe do të them se kur e njeh njëherë, nuk do të tërhiqesh më. Për ju që nuk e dini, filmi është pjesë e një trilogjie të quajtur ‘Sex, Love, Dreams’. Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që na u bashkuan në këtë udhëtim. Ka qenë udhëtim i gjatë dhe kemi shumë njerëz për të falënderuar”, ka thënë ajo.
Filmi, sipas përshkrimit, kap thjerrëzën çorientuese të dashurisë së parë. Në një anë është një lloj mjegulle hormonale ndërsa në anën tjetër personazhet shohin veten më qartë se kurrë më parë.
“Në moshën 17-vjeçare, Johanne bie kokë e këmbë në dashuri me mësuesen e saj. Në një përpjekje për të kapur këtë dashuri të parë, ajo i hedh përvojat e saj në letër me ndershmëri të papërpunuar. Kur nëna dhe gjyshja zbulojnë shkrimet e saj, tronditja e tyre fillestare nga përshkrimet intime ia lë vendin admirimit për meritat e tyre letrare”, shkruhet në përmbledhjen e shkurtër për filmin në ueb-faqen e “Berlinales”.
“Dy gratë e moshuara fillojnë të reflektojnë mbi jetën e tyre të dashurisë, kënaqësitë dhe mundësitë e humbura dhe kujtohen për ndjesinë dërrmuese të dashurisë së parë; dhe të mallit për diçka më shumë. Gjyshja e Johanne, vetë një poete e njohur, ndien krenari dhe shqetësim për talentin natyral të mbesës së saj. Por mbeten pyetjet: Çfarë ndodhi në të vërtetë mes Johanne dhe mësueses së saj? Ku mbaron realiteti dhe ku fillon fiksioni? Dhe a duhet të gjejnë ndonjëherë rrugën e tyre drejt botimit këto shkrime thellësisht personale?”, vijon shpjegimi më tej.
Çmimin e Madh të Jurisë, që është i dyti për nga rëndësia në “Berlianle”, e ka marrë filmi “The Blue Trail” i Gabriel Mascaros, një film që sfidon mënyrën sesi shoqëria i trajton qytetarët e saj.
“Nuk është kurrë vonë për të gjetur kuptim të ri në jetë”, ka thënë regjisori.
Filmi zhvillohet në një Brazil të së ardhmes së afërt, ku qytetarët e moshuar nderohen me homazhe qeveritare ku regjimi i detyron ata të dalin në pension dhe i zhvendos në një koloni të izoluar banimi për të moshuarit. Kjo, në mënyrë që brezat e rinj të mund të fokusohen në produktivitetin dhe rritjen pa u shqetësuar për të moshuarit.
E Çmimin e Jurisë e ka marrë filmi “The Message” i Ivan Fundit. Regjisori argjentinas pasi ka pranuar çmimin ka theksuar “çmontimin e kinemasë dhe kulturës në Argjentinë”.
Në ceremoninë e çmimeve pasditen e së shtunës, aktorja Rose Bryne mori “Ariun e Argjendtë” për performancën më të mirë në rol kryesor për performancën e saj në filmin “If I Had Legs, I'd Kick You” të Mary Bronstein. Aktorja luan një nënë të dërrmuar që mashtron punën e saj si terapiste dhe kërkesat për të rritur një fëmijë me nevoja të veçanta.
“Jam shumë e lumtur që kam qenë në film për të sjellë në jetë vizionin e regjisores Mary”, ka thënë aktorja Bryne në skenë.
Ndërsa Andrew Scott mori çmimin për rol dytësor për rolin e tij në “Blue Moon” të Richard Linklater.
“Ariun e Argjendtë” për Regjinë më të Mirë e ka marrë kinezi Huo Meng për filmin “Living the Land” i cili tregon se si transformimi socio-ekonomik i Kinës ndikoi në jetën e familjeve në të gjithë vendin.
“Ariun e Argjendtë” për Skenarin më të Mirë e ka marrë Radu Jude për filmin “Kontinental’25” për “shprehjen e efekteve çnjerëzore të shoqërisë tekno-kapitaliste”. Rumuni ia kushtoi çmimin Luis Buñuel, i cili lindi në po këtë ditë të vitit 1900. Shprehu shpresën e tij se do të kishte më pak “solidaritet budallallëk” në Evropë dhe se Haga duhet të bëjë punën e saj në lidhje me “bastardët vrasës”.
“Ariun e Argjendtë” për kontribut të jashtëzakonshëm artistik e ka marrë Lucile Hadžihalilović për filmin “La Tour de Glace”.
Sa u përket dokumentarëve, Dokumentari më i mirë u zgjodh “Holding Liat” nga Brandon Kramer. Filmi dokumentar flet për rrëmbimin e Liat nga anëtarët e Hamasit më 7 tetor të 2023-tës dhe pak kohë më pas Brandon Kramer fillon xhirimet me familjen e saj. Ai është me ta derisa përpiqen të përballojnë frikën, ose të ndryshojnë fatin e vajzës së tyre.
“Ne ndjemë përgjegjësi të merrnim kamerat dhe të shkonim në epiqendrën e kësaj krize kur personazhet në dokumentar nisën të largohen nga shtëpitë e tyre. Kjo është saktësisht pse kjo histori është shumë e rëndësishme të tregohet. Filmi dokumentar na ndihmon të shohim humanitetin”, ka thënë regjisori Kramer.
Çmimin në kategorinë “GWFF Best First Feature” e mori filmi “The Devil Smokes (and Saves the Burnt Matches in the Same Box)” nga Ernesto Martínez Bucio.

“Historitë e vogla vlejnë, kjo është një histori e sinqertë e treguar nga pesë fëmijë që ma ndryshuan jetën. Kanë punuar shumë për të treguar me sinqeritet nga zemra e tyre këtë histori. Nëse duhet të zgjedhësh midis frikës dhe dashurisë, gjithmonë zgjidhni dashurinë, ju lutem, ju lutem”, ka thënë i emocionuar regjisori Bucio në skena.
Në kategorinë e filmave të shkurtër, “Ariun e Artë” e mori filmi “Lloyd Wong, Unfinished” nga Lesley Loksi Chan.
“Ky film më ka bërë të mendoj për filmbërjen si lloj kujdesi. Të jem këtu është e mrekullueshme. Faleminderit ekipit të ‘Berlinales’. Më shumë dashuri midis filmbërësve për më shumë frymëzim. Filmi flet sesi të kujtosh diçka që kurrë nuk do të përfundohet. Është edhe homazh për viktimat e HIV-AIDS”, ka thënë ajo pasi ka pranuar çmimin. E “Ariun e Argjendtë” në këtë kategori e mori “Ordinary Life” nga Yoriko Mizushiri.
“Faleminderit, jam e nderuar që filmi është vlerësuar me këtë çmim. Të gjithë mund ta perceptojnë filmin ashtu siç duan”, ka thënë regjisorja japoneze nëpërmjet një mesazhi.
Në edicionin e sivjetmë të “Berlinales” rrëfimin e vet e ka çuar edhe Kosova. “Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës u dha premierë të dielën e 16 shkurtit, pasuar edhe prej dy reprizave të tjera, njëra prej të cilave edhe të shtunën. Në kuadër të programit jashtë gare “Forum Expanded” ka shpalosur rrëfimin e Skënder Mujës, babait të artistit e regjisorit, i kidnapuar më 1999. Urdhërohet prej komandantit që ta portretizojë. Nëse do ta realizonte mirë, do të shpëtonte.
“Atmosfera ishte shumë e mirë. Pritja e publikut ishte shumë e mirë. Por ajo që është më e rëndësishmja besoj që është historia e babait ose historia e atij portreti të tregohet para publikut këtu. Njëkohësisht të tregojmë se edhe nëpër situata të tilla të pazakonshme arti mund të kryejë punë”, kishte thënë regjisori Alban Muja në një komunikim me KOHËN pas premierës.
Se arti duhet të kryejë punë, ka qenë mesazh i “Berlinales” qysh në hapje të enjten e 13 shkurtit me “The Light” e regjisorit gjerman, Tom Tykwer. Filmi i cili u shfaq jashtë garës për çmimin kryesor të “Berlinales”, rrëfen historinë e një familjeje të klasës së mesme në Berlin, jeta e së cilës ndryshon kur ata punësojnë një punonjëse të re që të kujdeset për punët e shtëpisë.
Zyrtarisht “Berlinale” mbyllet të dielën – të njëjtën ditë kur zhvillohen zgjedhjet e parakohshme në Gjermani, të cilat u caktuan pas shembjes së koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz, në fund të vitit të kaluar. Mediat botërore kanë raportuar se me partinë ekstreme të djathtë AfD, që po përparon në sondazhe, migrimi ka qenë një çështje kryesore në agjendën e fushatës, në prag të votave të kontestuara ashpër.
“Berlinale”, që bashkë me “Cannesin” dhe “Venecian” renditet mes festivaleve kryesore evropiane, shërben si pikënisje kryesore për filmat nga e gjithë bota.
Presidenti i jurisë së sivjetme, Todd Haynes, në një konferencë për media para hapjes zyrtare të festivalit të enjten e 13 shkurtit, kishte thënë se bota ndodhet në një “gjendje krize” dhe kineastët kanë parë kthimin e presidentit amerikan, Donald Trump, me një shqetësim të jashtëzakonshëm. Regjisori kishte thënë se shpreson që “Berlinalja”, që gëzon reputacionin e festivalit më politik ndërkombëtar të filmit, do të shërbejë si forum për t’i trajtuar ngjarjet globale.