Shtojca për Kulturë

“Anibari” – qyteti paralel i mendësisë tjetër

Në korrik Peja është nikoqire e Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar që i ka kapërcyer kufijtë e qytetit e të shtetit kaherë... (Foto: Zana Begolli)

Në korrik Peja është nikoqire e Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar që i ka kapërcyer kufijtë e qytetit e të shtetit kaherë... (Foto: Zana Begolli)

Ka sjellë frymë ndryshimi edhe kur është kritikuar fort, edhe kur është shpifur në raport me të. Krejt kjo është bërë duke pasur vullnet të madh e vullnetarizëm pa karar në raport me prekjen e mendësisë. Sivjet, prerazi bëhet thirrje për “Shembje të patriarkatit”, pasi “Anibari” është qytet paralel i mendësisë tjetër. Rrëfimi për të nisur te “Exiti” me “Xhumatë e artit”, kapërcen tek edicioni i parë dhe misioni që vazhdon

Vjet në korrik, Petrit Gora pas një takimi të shkurtër do të hynte në banjë për t’ia plasur vajit. Qe vaj keqardhjeje, por më shumë i gëzimit dhe i krenarisë. I keqardhjes, pasi personi që e takoi kishte shtatë vjet që nuk e frekuentonte Pejën, shkaku që shoqëria e mentaliteti i këtij qyteti nuk e pranon. Kurse vaj i gëzimit dhe krenarisë, pasi Gora tok me bashkëpunëtorët ia kishin dalë që nëpërmjet punës së tyre t’ia mundësojnë kthimin në qytetin e tij një anëtari që u takon komuniteteve të margjinalizuara. Kishte ardhur në “Anibar”. 

Ky është veç një rast e rrëfimet si ky për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Animuar janë të shumta. Shkojnë deri në nivelin sa merret vesh se ky organizim nuk është veç i shfaqjes së dhjetëra a qindrave filmave të animuar. Por është vullnetarizëm, është aksion shoqëror, luftë për zhvillim në shumë dimensione e erë që mundohet të paktën të lëvizë degë të rrënjëve që i ka bjerrë koha e s’çojnë kund.

Peja është konservative në masë. Organizatorët e “Anibarit” s’pajtohen me disa prej normave të qytetit ku jetojnë (Foto: Tuğhan Anıt)

Revolta në “Xhumatë e artit”

Në korrik Peja është nikoqire e Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar që i ka kapërcyer kufijtë e qytetit e të shtetit kaherë. Tri lokacione ku shfaqen filma, një tjetër ku mund të ndiqen animacione në “VR” e një shtand informimi bashkë me produkte si bluzat verore me shenjat e “Anibarit”, marrin të tjera ngjyra. Shpërndarja është edhe më e madhe. Janë rreth 60 vullnetarë që gjenden gjithkund nëpër qytet. Takojnë mysafirë, flasin me miq e me familjarë. Tregojnë se çfarë po ndodh në Festival dhe bartin të paktën një fije fryme të Festivalit. Krejt aktivitet bashkë e formojnë një mozaik me turli ngjyre që Pejës – deri diku të hirtë – ia kthejnë shkëlqimin tash e 15 vjet dhe secilën herë më shumë. 
Kafeneja “Exit” e Sokol Beqirit është pikëtakim i pashmangshëm për krejt ata që shkojnë në Pejë dhe duan ta shohin shpirtin e qytetit ose perspektivën e tij, të paktën si tentativë. Galeria e dikurshme me nam – e për atë kohë me rëndësi përmbajtjesore edhe më të madhe se Galeria Kombëtare e Kosovës – mbledh krejt ata që janë mendojnë më ndryshe. Petrit Gorën e njohin të gjithë. Djalë i gjatë me flokë të gjata të lidhura prapa e mjekër të gjatë të zezë korb. Takimi me të s’ka ku bëhet tjetër pos në “Exitin” që edhe si pamje brenda e jashtë nuk ngjanë me kafenetë e Pejës “zyrtare”. Si thjeshtësi e gjen në Paris, Berlin a kudo në Evropë. Gora njihet fort. Është individ që shumë e duan e edhe më shumë e urrejnë. Qysh prej vitit të dytë është pjesë e “Anibarit” që sivjet u bë 15-vjeçar. Studenti i dikurshëm i dizajnit në Prishtinë nuk e mendonte veten brenda normave të vendlindjes. 

“Në ‘Xhumatë e artit’ që i bënin të enjteve Mehmet Behluli e Shkëlzen Maliqi në Bibliotekë e pata parë edhe një film për Baksyn e qaty e pashë që arti është edhe revoltë”, kujton Gora përjetimet e para më shumë se një dekade. Në edicionin e dytë të “Anibarit” do të angazhohej për të ndërtuar një kinema të hapur në hapësirën që në Pejë njihet si “Kosharka”. Të nesërmen struktura do të binte dhe do ta rindërtonin me inat të madh. 

“Ka qenë ramazan dhe e shkruanin në mure ‘Jo Anibar, ramazan’. Mendonim që na e kanë rrënuar atë ekran të improvuzar”, kujton ai. Prej atij edicioni nuk i është ndarë “Anibarit” e prej të shtatit është edhe drejtor artistik. “Anibar” sivjet shfaq 158 filma të animuar në 10 kategori e 3 programe të veçanta në Pejë do të vinte nga të rinjtë entuziast si Rron Bajri, Vullnet Sanaja e të tjerë. Vinte në një qytet ku jeta kulturore, pas mosfunksionimit të galerisë “Exit”, ishte gati e barabartë me zero. Për punë vullnetare as që ishte dëgjuar nga shumica e të rinjve të qytetit. Se për të çuar krye për kauza shoqërore nëpërmjet artit, as që bëhej fjalë.

Janë rreth 60 vullnetarë që gjenden gjithkund nëpër qytet. Takojnë mysafirë, flasin me miq e me familjarë. Tregojnë se çfarë po ndodh në Festival dhe bartin të paktën një fije fryme të Festivalit (Foto: Tuğhan Anıt)

Shembja e normave

Kur flitet për të qenët konservativ, Ballkani prin në Evropë. Mandej secili shtet e secili qytet është njëfarë variacioni më vete. Peja është konservative në masë. Organizatorët e “Anibarit” s’pajtohen me disa prej normave të qytetit ku jetojnë. Sikur në krejt Kosovën ekziston njëfarë ironie e kotë me çdo gjë të re dhe njëfarë mosbesimi se dikush është idealist që i jep zor për të ardhmen e shoqërisë. Fotografia më përshkruese e mendësisë së pejanit – jo në krejt rastet por nga ajo që vërehet fort – është dyqanxhi. I ulur para dyqanit në një stol – me tri a katër këmbë – e kafenë përpara personazhi i tillë ka aso qëndrimi sikur të jetë në tarracën e ndonjë alamet pallati prej ku qeverisen miliona njerëz e jo që aty thjeshtë menaxhohen fustane sezonale a gjësende të tjera pa kurrfarë vlere përmbajtjesore për të ardhmen e shoqërisë. Ky realitet i bën organizatorët e “Anibarit” që të mobilizohen fort.

Përderisa vjet tema ishte “Dashni” duke u bërë strehë e duke u dhënë përkrahje grupeve të margjinalizuara, sivjet tema është “Shembe patriarkatin”. Ata duan të prekin mendësinë. Dhe, nuk e kanë të lehtë. Për shumëkënd janë “dele e zezë”. Ndoshta sulmi i ashpër që e bëjnë shkaku i pasionit edhe keqkuptohet. Në qytet takon alamet instrumentisti që si mësimdhënës ka nxjerrë kuadro që sot i njeh Evropa e i cili edhe thotë: “Për besë i kanë do tema që po duan me i shkatërru familjet”. Por të rinjtë e “Anibarit” mendojnë ndryshe.

“Mendoj se Pejës të ia heqim ‘Anibarin’ nuk e di çka i mbetet. Qytet i vdekun kulturalisht. ‘Anibar’ është ngjarja kryesore kulturore...”, thotë Petrit Gora njëri prej atyre me të cilët identifikohet “Anibari” (Foto: Anibar/FB)

Fryma e punës vullnetare

Fëllanza Taraku (26) si fëmijë prej edicionit të parë ka qenë në Festival për të parë filma. Mezi nuk ka pritur që të bëhet 16-vjeçare për t’ia nisur punës vullnetare. Tash është koordinatore e komponentit të edukimit në organizatë. Në shtator i mbush dy vjet që ka marrëdhënie të rregullt pune me organizatën. Është e bindur që ky Festival ta mëson jetën e njëmendtë. 

“’Anibari’ e ka sjellë frymën e punës vullnetare në Pejë. Vullnetari këtu merr përgjegjësi dhe e mëson si është bota njëmend, si i ri ose e re mëson si është tregu i punës. Zakonisht kush vjen vullnetar një vit vjen, pastaj për disa vjet. Është qejf dhe të vlerësohet puna. Pastaj mëson shumë për botën reale”, thotë ajo në mbrëmje te “Kino Liqeni”. Fëllanza pos punës së rregullt që bën, është edhe anëtare e korit “Siparantum”, një tjetër organizatë me të angazhuar vullnetarisht që jo që e ka bërë Pejën me muzikë korale, por viteve të fundit e ka çuar zërin e Kosovës në festivale evropiane e botërore, duke zënë vende të para. Në “Anibar” tash konkurrojnë rreth 300 veta për punë vullnetare, por s’mund të angazhohen më shumë se 60 deri në 70 veta. Për këtë i vjen fort keq Petrit Gorës. Ai tash e pesë vjet në pjesën më të madhe të kohës jeton në Uppsala të Suedisë, qytet afër Stokholmit. Edhe atje merret me festival të animacionit. Tash e tri vjet është drejtor artistik i Festivalit ndërkombëtar të animacionit “Rex” në Stokholm. Kjo nismë e para dhjetë vjetësh ishte njëfarë platforme ku disa ambasada të vendeve të tjera sillnin në Suedi filma të animuar për t’i shfaqur. Por Gora e ka çuar në tjetër nivel. Tash ka kategori garuese, kurse në anën tjetër në një program të veçantë shfaqet nga një film i përzgjedhur nga propozimet e ambasadave. Përvoja e tij që tash i hyn në punë një festivali ndërkombëtare të shtetit nordik bazën e ka te “Anibari”.

Ata që mendojnë ndryshe

Petrit Gora beson verbërisht te liria e individit. Flet me pasion për këtë. Bile, kur përmend rastin e vjetëm – me një pjesëtar të grupeve të margjinalizuara që ishte kthyer në qytetin e tij pas shtatë vjetësh, shkaku i temës së “Anibarit” – rrëqethet fort. 

“Mendoj se Pejës të ia heqim ‘Anibarin’ nuk e di çka i mbetet. Qytet i vdekun kulturalisht. ‘Anibar’ është ngjarja kryesore kulturore. Të rinjve nëse me ua heq festivalin mendoj se ikin. Është qytet i pajetueshëm. Janë të rinj me mendje të hapur dhe fatkeqësisht nuk pranohen nga shoqëria”, thotë ai. Thotë se rinia është fort e pakënaqur me realitetin. 

“E ‘Anibar’ është strehë e grupeve të margjinalizuara dhe atyre që mendojnë ndryshe”, thotë ai derisa pi kafen e mëngjesit. Kënaqet kur sheh kreativitetin e gjeneratave të reja. I gëzohet faktit se rreth 60 të rinj janë në punëtoritë e Festivalit. Vullnetarët i ka fort për zemër. 

“Gjenerata e re më duket se është shumë kreative. Ky grup po rritet çdo vit. Nuk jam i sigurt që ky grup po shpërndahet jashtë ‘Anibarit’. Aty është ideja që ku grup të funksionojë edhe jashtë”, thotë ai. Pa menduar dy herë thotë se Peja është qytet shumë konservativ. Madje i shkon mendja që mund të jetë edhe më konservativi në Kosovë. 

“Bile mendoj se është qyteti më konservativ. Nuk e di a është i pari a i dyti në raport me Prizrenin. Janë disa norma sociale që i kanë bërë në qyet. Krejt jetën kam qenë në luftë me këto norma. Gjysma e qytetit më shohin si dele të zezë, por ka edhe që më duan shumë. Është shumë zor të mbijetosh në këtë qytet duke qenë ndryshe”, thotë ai. Është i mendimit se Festivali është platformë që të paktën mund t’i mbajë njerëzit më afër Pejës. “Nuk ka sende që qyteti ofron për t’i mbajtur ata...”, thotë ai përderisa ndërpritet biseda nga përshëndetja e Arba Hatashit, drejtoreshës së Festivalit. Ajo kishte nisur të angazhohet në Festival si 15-vjeçare. Pasi ishte një vit më e re se pragu i moshës së vullnetarëve, për të kishte “intervenuar” artisti Sokol Beqiri dhe atë vit ishte angazhuar edhe e bija e tij.

Tri lokacione ku shfaqen filma, një tjetër ku mund të ndiqen animacione në “VR” e një shtand informimi bashkë me produkte si bluzat verore me shenjat e “Anibarit” (në foto), marrin të tjera ngjyra (Foto: Anibar/FB) 
 

Dalja me “Exit” tek identiteti i munguar

Sokol Beqiri është prej personazheve më të pazakonta të qytetit perëndimor. Artist me studime në Prishtinë e Lubjanë, veprat e të cilit kanë mbërritur deri tek edicioni i vitit 2017 i ngjarjes me nam në botën e artit bashkëkohor “Documenta”. Atë vit kishte ekspozuar në Kassel, e po ashtu në Athinë, pasi ashtu kishte funksionuar ai edicion, me dy lokacione, vendlindjen dhe kryeqytetin grek. Bashkë me Mehmet Behlulin e Erzen Shkolollin pas luftës së fundit do të themelonin galerinë “Exit”, ku tash është kafeneja e tij, ngjitur për qendrën e qytetit. Realisht, “Exit” ishte regjistruar si Institut i Artit Bashkëkohor dhe për gjashtë vjet kishte funksionuar ashtu. Kishin arritur të bënin shumë më shumë se institucionet publike të artit pamor në atë periudhë. Çdo muaj organizonte ekspozita me alamet emrash të kohës, prej Anri Salës e te Dan Perjovschi, Sanja Ivekoviq, Ayşe Erkmen; Róza El-Hassan, Christoph Keller, Vlatka Horvat e shumë të tjerë. Emrat më të njohur të asaj që mund të quhen tash gjeneratë e mesme e artistëve në Kosovë kanë kaluar nga programet e “Exit” që mundësonte edhe internshipe në akademi prestigjioze të Evropës, midis tyre, Flaka Haliti, Jakup Ferri e shumë të tjerë. Krejt projekti bazën e kishte te titulli “Identiteti i munguar”. Vitet ‘90 ishin të vështira nën okupimin serb dhe Beqiri me shokë nuk kishin arritur të bënin atë që donin. 

“Donim që atë që nuk kemi mundur ta bëjmë ne, t’ua ofrojmë si mundësi të rinjve, përfshirë udhëtimet e eksperiencat”, kujton ai. “Exit” për gjashtë vjet ka dhënë kontribut të madh edhe duke e sjellë një pjesë të botës së artit pamor në Kosovë. 

Edhe “Anibar” ishte identitet i munguar për Pejën por dhe për Kosovën. Solli botën e animacionit rrëzë Bjeshkëve të Rugovës dhe preku e vazhdon të prekë nervin e mendësisë. 

“Gjatë javës së ‘Anibarit’ ndërron struktura e njerëzve. Vërehet edhe në lokalin tim. Gjallërohet shumë qyteti. Gjallërohet dhe sipas meje shtresa më e shëndoshë e shoqërisë. Struktura e njerëzve në ‘Anibar’ është më e mira që është fatkeqësisht e rrallë te ne. Puna që e bëjnë këta është fantastike”, thotë Beqiri. Në këtë rast përmend Akademinë e Animacionit që u ka dhënë dhe u jep krah animatorëve të rinj në Kosovë. 

“Mendoj se më shumë mësohet në këtë Akademinë e Animacionit sesa në Fakultet të Arteve. Ata provuan të hapen, por u hapën keq. Dhe kur hapesh keq, e merr gol”, thotë Beqiri.

Akademia dhe një ngjarje pa tepih të kuq

Akademia e Animacionit sivjet ka përfituar shumë. Janë 480 mijë euro donacion i Francës për animatorët e rinj. Projekti do të implementohet nga “Anibari” dhe Instituti Francez në Kosovë. Synohet që të shkohet deri te inicimi i themelimit të kompanive për prodhimin e animacioneve. Akademia e iniciuar në Pejë më 2017 viteve të fundit ka funksionuar veç në Prishtinë. Tash do të jetë edhe në Pejë. 

“Tash kemi në staf studentë të Akademisë. Nuk do të thotë që të jenë veç animatorë, por mund të bëjnë edhe punë të tjera, merren me program e shumë e shumë punë të tjera”, thotë Petrit Gora derisa flet për krejt platformat e organizatës. Filma, ligjërata nga animatorë botërorë, panele e takime të shumta me filmbërës të huaj janë komponentët e Festivalit. E ardhmja e “Anibar” në sytë e Gorës del të jetë shumë shpresëdhënëse. Por thotë se veten nuk mund ta shohë edhe shumë aty pasi mendon se nuk i bën hair organizatës e as vetes duke qëndruar shumë. 

“Të ardhmen e shoh me një Akademi të animacionit shumë më të mirë. E shoh duke e pasur garën kombëtare. Kur e kam marrë pozitën më patën pyetur për të ardhmen ose për qëllimin kryesor dhe përgjigja ka qenë gara kombëtare. Dua të shoh prodhim filmash që të ketë një garë kombëtare”, thotë ai. Sivjet s’ka asnjë film vendor dhe ky është shqetësim më vete. Vendi që ka alamet festivali të animacionit të mos ketë në program asnjë film të animuar është hije edhe për Akademinë edhe për Festivalin. Gora nuk e sheh të ardhmen e organizimit si një festival me tepih të kuq. 

“Shpresoj të rritet festivali, por jo aq sa të mos mund të rrimë bashkë me vullnetar të flasim me gjithsecilin, pasi ky është shpirti i “Anibarit’", thotë ai. Festivali njëmend është njëfarë shpirti i qytetit për shumëkënd. Në kohën kur të rinjtë e Kosovës nuk mund të lëviznin pa viza – deri në janarin e sivjetmë – Festivali sillte profesionistë të ndryshëm në Kosovë. Bënte që bota të jetë pak e pranishme në këtë anë e njëkohësisht Kosovën ka kohë që e ka vendosur në hartën e festivaleve të animacionit. Ka sjellë frymë ndryshimi edhe kur është kritikuar fort, edhe kur është shpifur në raport me të. Krejt kjo është bërë duke pasur vullnet të madh e vullnetarizëm pa karar në raport me prekjen e mendësisë. Sivjet, prerazi bëhet thirrje për “Shembje të patriarkatit”, pasi “Anibar” është qytet paralel i mendësisë tjetër.