Kitara duket e pamjaftueshme në lojën e saj, ajo zbërthen vepra komplekse por mbi të gjitha është ndjeshmëria në interpretim. E, ajo shpërndahet lehtë deri te audienca, jo më kot i madhi Paco de Lucia e ka cilësuar si kitariste që ka “kontakt të ngrohtë dhe të thellë me audiencën e saj”, përderisa lista e çmimeve është e gjatë. Nga skena të sojit si “Carnegie Hall” në Nju-Jork dhe e shoqëruar nga alamet orkestrash, Anabel Montesinos në Mitrovicë, e vetme në skenë ka sjellë një dialog intim dhe elegant nëpërmjet kitarës me të cilën shëtit e shkrin epokat me vepra që gjëllijnë nga baroku
Baroku i qëndron larg kur merr e kupton origjinën dhe stilin e saj, por kitaristja spanjolle me nam botëror, Anabel Montesinos arrin ta ndërthurë atë duke nderuar në një repertor, figurat si Bachu e Piazzola. Me kitarën duket se e ka një raport të ngjeshur me plot ndjeshmëri. E performanca e saj është spektakël më vete.
Para publikut mitrovicas, për herë të parë në Kosovë ajo u shfaq në koncertin e parë të festivalit “Mitrovica Guitar Days”, në hapjen e edicionit të gjashtë me radhë. E përshkruar nga legjendari Paco de Lucia si kitariste që ka “kontakt të ngrohtë dhe të thellë me audiencën e saj”, Anabel Montesinos është fituesja më e re e konkursit prestigjioz ndërkombëtar të kitarës “Francisco Tárrega”, duke marrë atë titull kur ishte në moshën 17-vjeçare. Është laureate e më shumë se dhjetë çmimeve të para në garat kryesore të kitarës dhe ka performuar në skena të njohura në mbarë botën, duke përfshirë dhe “Carnegie Hall” në Nju-Jork. Por biografia e saj është e gjatë.
Me të hyrë në skenë, në atë të Muzeut të Qytetit, Montesinos me ngrohtësinë iberike publikut mitrovicas iu qas sinqerisht duke treguar fillimisht se ndihet e lumtur që ka shkelur Kosovën. Nuk ia ndan shpjegimit të çdo pjese që luan. Ajo ka bashkëpunuar me orkestra kryesore si ADDA Simfònica, Orkestra Simfonike Simón Bolivar dhe Filarmoninë e Berlinit. Performoi “Concierto de Aranjuez” për mbi katërmijë njerëz në Berlin. Regjistrimet e saj me “Naxos” kanë marrë vlerësime ndërkombëtare dhe albumi i saj i parë madje u shfaq në fluturimet ndërkontinentale të “British Airways”. Repertori i larmishëm i Anabel përfshin vepra klasike dhe popullore, duke përfshirë përshtatjet për kitarë të muzikës nga “The Beatles” dhe “Queen”.
Në vitin 2022, publikoi albumin e saj të tretë solo, “Alma Llanera”, kushtuar muzikës latino-amerikane. Së fundmi dha premierë “Concerto Allegro” nga Nicola Campogrande dhe mori pjesë në 100-vjetorin e klubit të futbollit “Villarreal”, duke interpretuar muzikë nga Francisco Tárrega. Aktualisht, jep mësim në Liceun e Barcelonës, është artiste e “Savarez” dhe luan në një kitarë të punuar nga mjeshtri i kitarave Steve Connor.
Por në Mitrovicë ajo nuk e kishte me vete kitarën e saj. Këtë detaj e bëri të ditur qysh në fillim, por kjo nuk qe pengesë për të që të mishërohej me instrumentin.
“Koyunbaba” nga Carlo Domeniconi ishte zgjedhja e saj për ta nisur koncertin. E njohur si ndër veprat më unike të shkruara për kitarë, Montesinos e solli rrëfimin melankolik për një bari turk me elegancë e ndjeshmëri në interpretim. Në repertorin që zbërthen plot pasion e thellësi që vetëm një kitarë e vetme mund të realizojë denjësisht, ajo ka futur edhe Astor Piazzolan, Isaac Albeniz, Agustin Barrios e Manuel Poncen. Këtë përthyerje të kompozitorëve latinë e spanjollë ajo nuk e ka bërë krejt rastësisht.
“Vitet e fundit kam punuar në një sërë projektesh, fillimisht një të tillë të dedikuar muzikës latine, edhe pse kemi të bëjmë me kompozitorë klasikë, kemi te bëjmë me ritme folklorike nga popujt e tyre. Pastaj kam punuar dhe me muzikën barok dhe kështu kam arritur të bëj këtë përzierje sonte, e cila në fakt qëndron larg barokut të Evropës. Por kemi të bëjmë me vepra të kompozitorëve të inspiruar nga ajo periudhë dhe mendova që ndoshta do të ishte ide shumë e mirë të bëja një program me gjithë këto ide brenda”, është shprehur për KOHËN, pas koncertit.

Fakti se publiku mitrovicas historikisht e ka pasur namin e një shoqërie e cila kultivon estetikën e angazhimin direkt me kulturën e kishte vënë re dhe vetë kitaristja. Vëmendja dhe respektimi që iu dha asaj në një program pa u dëgjuar asnjë pipëtimë e pa ia huqur asnjëherë me rendin e duartrokitjeve, ishin dëshmi se kjo audiencë meriton më shumë mundësi të ekspozimit në ngjarje të tilla.
“Isha shumë e lumtur ta ndaja këtë koncert me një publik të tillë fantastik. Ata ishin shumë të vëmendshëm në çdo pjesë që luajta, dhe shpresoj shumë t’u ketë pëlqyer programi. Nganjëherë disa audienca janë shumë të ngrohta që në fillim, por kjo nuk do të thotë që u pëlqen domosdoshmërisht. Ky publik sonte dallon le të themi nga një turmë në Amerikën Jugore, ata shpesh shpërthejnë në ovacione, janë shumë të gjallë, por sonte këtu pashë se të pranishmit ishin shumë të kënaqur dhe të thelluar në dëgjim. Më pëlqen shumë kur ndodh kjo”, ka thënë Montesinos.
Plot me dinamizëm, por gjithmonë stoike në proporcion me kitarën, e veshur me një fustan elegant, Montesinos sinjalizoi se do të luante edhe pjesën e fundit: “Asturias” të Albeniz. Nisi me natyrën e qetë e melodike të veprës tek e përmbylli me një përshkallëzim të energjisë që iu vu pika me ngritje në këmbë nga audienca e pranishme.
Si edicion, i gjashti me radhë e tregon madhështinë e vet që në emrat të cilët ngjiten skenën e sivjetme. Kishte nisur me artistë lokalë, por këtë edicion ata shkojnë larg deri në Japoni me artistët e përzgjedhur. Por kjo punë dhe angazhimi i shërben edhe një misioni tjetër kolektiv të skenës kulturore në këtë qytet: decentralizmit të skenës kulturore nga kryeqyteti, Mitrovica e ka nisur kaherë si iniciativë e mision.
Koordinatorja e festivalit Anisa Suhodolli-Mujka është shprehur falënderuese për publikun teksa ka shpalosur se ky edicion përveç artistes nga Spanja do të mundësojë që në Mitrovicë të parakalojnë edhe yje të tjerë nga shumë vende të botës.
“Unë jam shumë falënderuese nga publiku sepse festivali tashmë e ka publikun e vet besnik, dhe e dimë që njerëzit do të jenë aty. Por është shumë ndjenjë e madhe, emocion i fortë kur ne shohim çdo vit fytyra të reja kur marrim feedback pas festivalit dhe më e mira është që pas koncerteve njerëzit dalin të relaksuar. Kur të mendojmë pak më larg Mitrovica ka qenë një qendër e kulturës dhe ne në Mitrovicë jemi disa organizata që po punojmë tepër shumë që ta rikthejmë gjendjen kulturore sepse një kohë fatkeqësisht për shkak të politikës Mitrovica ka qenë më e shuar por tash kemi marrë njëfarë ndezje të kulturës”, është shprehur ajo.
“Mitrovica Guitar Days” vazhdon deri më 11 shtator. Skenën e festivalit do ta prekin dhe Moeko Sugiura nga Japonia dhe Nejc Kuhar nga Sllovenia, Aniello Desiderio e kroati Zoran Dukiq. Por në natën e fundit vëmendja do të zhvendoset në një tjetër aspekt qenësor të vetë ngjarjes. Artistët e ftuar që të performojnë, përvojat e tyre dhe dijen për muzikën do t’i shpalosin dhe me të rinjtë kosovarë. Xheneta Durguti Tara, Gjulian Bytyqi, Elvis Bytyqi dhe Erhan Mujka do të jenë ndër profesionistët e tjerë që do të ndajnë përvojat e tyre me vijuesit e masterklasave, të cilët në fund do të bëhen gati për koncertin përmbyllës të festivalit. Sonte (e diel) në skenë ngjiten Moeko Sugiura nga Japonia dhe Nejc Kuhar nga Sllovenia.