Shtojca për Kulturë

Aleksandri i Madh dhe perandoria e “të fortit”

Një çerekdhrami argjendi paraqet Aleksandrin (majtas) në pjesën e përparme dhe perëndinë greke Zeus (djathtas) me emrin e Aleksandrit në anën e pasme

Në verën e vitit 323 p.e.s., Aleksandri ishte në Babiloni duke planifikuar pushtime të mëtejshme, kur papritmas u sëmur dhe vdiq. Ai nuk kishte caktuar asnjë trashëgimtar dhe kur shokët e tij e pyetën se kujt ia kishte lënë perandorinë e tij, ai u përgjigj me frymën e fundit: “Të fortit”. Një sërë zbulimesh arkeologjike në Greqinë veriore, e cila sot përfshin territorin e Maqedonisë së lashtë, po transformojnë të kuptuarit e studiuesve për këtë mbretëri dhe, bashkë me të, historinë e Aleksandrit të ri

Aleksandri doli të jetë djali më i aftë i Filipit dhe u ngjit me shpejtësi në pushtet. Kur ishte vetëm 16 vjeç, në vitin 340 p.e.s., ai u emërua regjent, duke e fuqizuar atë të sundonte në mungesë të Filipit. Rreth kësaj kohe, Aleksandri kreu fushatën e tij të parë, duke marshuar në territorin e pushtuar rishtazi në Traki ku nënshtroi vendasit rebelë dhe themeloi një qytet që e quajti Aleksandropolis. Në moshën 18-vjeçare, ai ishte vendosur në ushtri dhe e ndihmoi babanë e tij të fitonte një betejë vendimtare për Athinën dhe Tebën në Chaeronea në rajonin grek të Boeotias. Dy vjet më vonë, në vitin 336 p.e.s., ai mori pjesë në festimet fatale të dasmës së motrës së tij në Aigai.

Sot, fshati Vergina mbivendoset me vendin e lashtë të Aigait, ose “vendi i dhive”. Aigai ishte kryeqyteti i parë i Maqedonisë antike dhe mbeti një qendër e rëndësishme ceremoniale pavarësisht se u zëvendësua nga Pella. Më pak se 10 për qind e lokalitetit është gërmuar deri më tani, por megjithatë, janë zbuluar mbetje të rëndësishme arkeologjike. Këtu përfshihet një nekropol i përhapur parahistorik, i datuar midis viteve 1000 dhe 700 p.e.s.; grupe varresh mbretërore, të datuara në shekullin e gjashtë deri në të tretin p.e.s.; dhe dy vende të shenjta, një teatër dhe një pallat i madh mbretëror, të gjitha të datuara në shekullin e katërt p.e.s. Pallati i është nënshtruar restaurimeve në shkallë të gjerë që prej vitit 2007, dhe ndër morinë e gjetjeve të reja që burojnë nga kjo vepër, është rivlerësimi i kompleksit në kohën e mbretërimit të Filipit.

Pallati është ndër ndërtesat më të mëdha të njohura nga Greqia Antike dhe është projektuar për të bërë përshtypje. Në skajin lindor, një hyrje e madhe në formë tempulli ofronte qasje në një oborr të madh, të rrethuar me kolona dhe të veshur me dhoma madhështore banketi. Dy nga këto dhoma në skajin jugor janë të zbukuruara me mozaikë me guralecë, njëra që përshkruan një motiv lulesh spirale dhe tjetra perëndinë Zeus në maskën e një demi që rrëmben vajzën Europa. Kompleti perëndimor i dhomave është më i shtrirë në pallat. Hapësira e saj katrore, me një hyrje me pesë kolona, mund të kishte vend për t’u ulur 500 veta dhe ndoshta ishte vendi ku mbreti zhvillonte punët e tija. 

Vendi i Aigait, kryeqyteti i parë i Maqedonisë së lashtë, i cili u bë një qendër e rëndësishme ceremoniale gjatë mbretërimit të Filipit II (mbretëroi 360–336 p.e.s.) dhe Aleksandrit Foto: Alex Rowson

Teatri ngjitej me pallatin në veri dhe pikërisht aty në tetor të vitit 336 p.e.s, familja mbretërore po festonte, derisa thika e atentatorit ndërpreu festimet e dasmës. Me Filipin të vdekur, një asamble e shpalli Aleksandrin mbret të ri maqedonas. Mbajtja e tij në fron ishte e dobët në fillim. Kishte përçarje në oborrin mbretëror dhe midis aleatëve të Filipit dhe shumë popuj të nënshtruar ishin në prag të rebelimit. Në këtë sfond të pasigurt u organizua funerali i mbretit. Burimet e lashta kalojnë mbi atë ngjarje, duke dhënë pak detaje, por gati një gjysmë shekulli më parë, ajo u rikthye gjallërisht nga një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të bëra ndonjëherë në Greqi.

Arkeologu Manolis Andronikos i universitetit “Aristoteli” të Selanikut kishte hulumtuar Tumën e Madhe në Vergina për dekada por nuk kishte shumë për të treguar për të. Ishte varri më i madh në rajon dhe madhësia e tij kishte rezultuar një pengesë për gërmimet e tij. Më në fund, në vjeshtën e vitit 1977, me ndihmën e një gërmuesi mekanik, Andronikos filloi të zbulonte disa struktura të lashta brenda tumës. Ngadalë, ai zbuloi një faltore dhe një varr të vogël në formë kutie, dhe më pas një varr shumë më të madh me një fasadë të pikturuar dhe dhomë varrimi prej gurësh. Edhe faltorja edhe varri i vogël ishin grabitur në lashtësi dhe Andronikos dyshonte se varri më i madh kishte pasur të njëjtin fat. Më 8 nëntor, ekipi i tij ngriti një gur themeli në pjesën e pasme të dhomës së varrimit. Andronikos e futi kokën nga vrima e vogël dhe ndezi një llambë elektrike dore mbi dyshemenë e varrit. Ai pa shkëlqimin e enëve prej argjendi, mbetjet e ndryshkura të armëve dhe, direkt poshtë, një sarkofag të vogël mermeri. Andronikos u habit kur zbuloi se varri nuk ishte plaçkitur kurrë.

Një mozaik nga Shtëpia e Faunit në Pompei, në Italinë jugore, paraqet Aleksandrin duke ecur me kalin e tij Bucephalus gjatë një prej betejave që ai zhvilloi kundër mbretit pers Darius III (mbretëroi 336–330 p.e.s.) përpara se të pushtonte Perandorinë Persiane (Foto: Veronika Pfeiffer)

Kur u hap sarkofagu, u zbulua thesari më i madh i varrit – një arkë, e zbukuruar me një yll ose një shpërthim dielli në kapakun e tij. Brenda larnaksit ishin mbetjet e djegura të të ndjerit, dhe një kurorë e madhe prej lisi dhe floriri. Por gjetjet nuk mbaruan me kaq. Paradhoma e varrit, deri në këtë kohë, kishte mbetur e mbyllur. Andronikos hoqi një bllok nga muri ndarës dhe kaloi nëpër hapje. Ai u përball me një tjetër sarkofag. Duke parë rreth dhomës, vërejti sende varresh të tjera të pasura, duke përfshirë një kurorë të artë me gjethe mërsine, një palë thika të praruara dhe një mbulesë prej ari, të një lloji që përdorej zakonisht nga luftëtarët skitian të stepave. Brenda këtij sarkofagu të dytë ishte një tjetër larnaks ari më i vogël. Ai gjithashtu mbante mbetje njerëzore të djegura dhe materiali me ngjyrë ari dhe vjollcë që përdoreshin për të mbështjellë kockat ku ruheshin. Kishte edhe një diademë të jashtëzakonshme të artë. Datimi i sendeve të varreve në mesin e shekullit të katërt p.e.s. dhe madhësia e tumës bëri që Andronikos të supozonte se varri i përkiste Filipit II dhe njërës prej grave të tij, një teori që pranohet gjerësisht sot.

Varri (majtas) i Filipit II u gjet në fshatin modern grek të Verginas, vendi i Aigait (Foto: Konstantinos Lagos)

Përveç ostuareve të arta, armaturës dhe kurorave, ndër gjetjet më mbresëlënëse nga vendi janë mbetjet e vendit së djegies së mbretit, të cilat u gjetën mbi dhomën e varrimit. Pira ishte monumentale, duke kujtuar ato të heronjve homerikë. Aty kishte dhurata duke përfshirë ushqime, pije dhe qenë dhe kuaj të flijuar. Fasada e varrit të Filipit ishte pikturuar në një të bardhë fantazmë, me të kaltër, të kuqe dhe gjelbër që nxjerrin në pah disa nga relievet e tij. Në të gjithë pjesën e sipërme të fasadës është një cohë e madhe e pikturuar që përshkruan një gjueti mbretërore. Në skajin e djathtë të skenës, një gjahtar shfaqet gati për t’i futur shtizën e tij një luani që ulërin. Ky është kulmi i fabulës – luani ishte preja mbretërore – kështu, zhvendosja e këtij momenti vendimtar anash mund të duket fillimisht e çuditshme. Megjithatë, identiteti i një figure që po nxiton me kalë për të ndihmuar, shpjegon kuptimin e skenës. Kjo figurë mban një tunikë vjollcë, dhe një kurorë ulliri. Studiuesit besojnë se ai është mbreti i ri, Aleksandri, dhe se skena e gjuetisë është një alegori për marrjen e tij të pushtetit, një deklaratë politike që thekson gatishmërinë e tij për të marrë përsipër mbretërimin.

Një kurorë ari me gjethe dhe lule mërsine, një mbulesë floriri, një larnaks ari i zbukuruar me një shpërthim diellor ose yll që ka të ngjarë të përmbajë mbetjet e Filipit dhe një stoli ari që paraqet Medusan

Në pranverën e vitit 334 p.e.s., një vit pasi varrosi Filipin, Aleksandri pushtoi Perandorinë Persiane, duke ndjekur planet e babait të tij. Ai mundi mbretin Darius III (i cili mbretëroi 336–330 p.e.s.) në një seri betejash dhe mori sundimin mbi territorin e mëparshëm të Darit. Për të siguruar perandorinë e tij të sapofituar, Aleksandri bëri fushatë në Afganistanin modern, Uzbekistan dhe Pakistan, ku kali i tij besnik Bucephalus ngordhi. Aleksandri ndërtoi një qytet rreth varrit të kalit, duke e quajtur Alexandria Bucephala. Në verën e vitit 323 p.e.s., Aleksandri ishte në Babiloni duke planifikuar pushtime të mëtejshme, kur papritmas u sëmur dhe vdiq. Ai nuk kishte caktuar asnjë trashëgimtar dhe kur shokët e tij e pyetën se kujt ia kishte lënë perandorinë e tij, ai u përgjigj me frymën e fundit: “Të fortit”.


Marrë nga revista “Archeology”. Përktheu: Enis Bytyqi