Pa i mbushur 55 vjeç, mbrëmjen e 27 shkurtit, e mbylli kapitullin jetësor. Pa “zhurmë” ashtu siç e ka bërë edhe punën e tij prej 1997-s kur nisi rrugëtimin me “Kohën Ditore”, gazetë e përditshme prej atij viti. Qe në punë edhe në ditën e fundit të jetës. Alban Bujari i bëri shkrepjet e fundit me detaje të shumta. Dhe iku duke i lënë vendit imazhet e ditëve të luftës e të lirisë. Sepse ai ishte fotoreporteri i së vërtetës
E kaplonin djersët e merrte frymë thellë para se të nxirrte nja tri katër fjalë. Zakonisht ato fjalë ishin për të falënderuar të pranishmit në ekspozitë e edhe për të thënë se fotografitë flasin vetë.
Kur të pranishmit insistonin për të marrë pak rrëfim prapa atyre shkrepjeve që ekspozoheshin, djersitej edhe më. Nxirrte nja dy a tri fjalë më tepër. S’shkonte më tej. Tregonte krejt pak dhe pjesa tjetër nënkuptohej përballë fotografive. Nënkuptohej se për të arritur deri tek ato fotografi, duhej guxim, rrezikim i madh. Mbi të gjitha duhej ta doje shumë vendin.
“Ndjeva që titulli ishte në ajër ‘Erë gjaku’ – që e kujtoj ende”, do të thoshte fotoreporteri Alban Bujari në janarin e 2023-tës në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës kur hapi ekspozitën “Erë gjaku”. I shoqëruar nga gazetari Naser Miftari e shoferi Afrim Vitia kishte dokumentuar masakrën e ushtarëve të UÇK-së të rënë në pritë në Rogovë të Hasit, Komuna e Gjakovës. Në krejt ato shkrepje dominon gjaku që shkonte rrëke. I rrethuar nga ato fotografi, Bujari sikur nuk e duronte hapësirën. I kthehej “filmi” i 1999-s.
“Madje, më kujtohet që çizmet që kam pasur mbathur këtë ditë, nuk i kam mbathur më kurrë, sepse nuk kam ditur në gjak të kujt kam shkelur”, do të shtonte Bujari, për t’i dhënë fund rrëfimit të tij për atë ditë.
Fotografitë janë rrëqethëse. Kush pa një pjesë të kokës e kush me organe të nxjerra në tokë, 21 ushtarët e UÇK-së ishin masakruar në atë ditë të janarit. Alban Bujari, asokohe djalosh pa i mbushur të 30-at kishte kapur detajet.
E të tilla ka përplot gjatë vitit 1998-1999.
Të gjitha bashkë formojnë një mozaik jo të vogël të luftës në Kosovë, të masakrave mbi civilët, të fronteve të luftimeve e të ndërhyrjes së NATO-s. Bujari vdiq në mbrëmjen e së enjtes së 27 shkurtit. Pa i mbushur 55 vjeç e mbylli kapitullin jetësor. Pa bërë “zhurmë” ashtu siç e ka bërë edhe punën e tij prej 1997-s kur nisi rrugëtimin me “Kohën Ditore”, gazetë e përditshme prej atij viti. Qe në punë edhe në ditën e fundit të jetës. I bëri shkrepjet e fundit me detaje të shumta, dhe iku duke i lënë vendit imazhet e ditëve të luftës e të lirisë. Sepse ai ishte fotoreporteri i së vërtetës.

Ritualet e detajistit
Alban Bujari s’ka qenë thjesht detajist. Ka pasur njëfarë rituali të detajeve. Ata që e kanë njohur e pasur edhe mik, e dinë se ai kishte ritual detajesh edhe kur pinte një kafe. Fliste për shijen e saj, të ndonjë tjetre që i kishte pëlqyer e deri te nuancat e aromës. Në kafehane kur porosite një birrë, atë e kërkonte më të ftohtën të mundshme. Ata që e kishin klient të shpeshtë i përshtateshin asaj ceremonisë së tij për të shijuar momentin. Ia sillnin fillimisht shishen, për ta prekur e për t’ia matur ftohtësinë. E më pas me kokë, e disi mrrolshëm u jepte shenjë për ta hapur. Në muhabet e sipër, mund të nxirrte nga xhepi një duq letre me fara karafilash. Me njëfarë rituali të vetin, u merrte erë, e “detyronte” shoqëruesin ta bënte të njëjtën gjë e më pas kapte një fije për t’ia konsumuar krejt aromën. Mund të fliste gjatë për aromën, benefitet e çka jo tjetër. Në kafene e gjeje edhe vetëm. Mendueshëm e nganjëherë edhe me njëfarë disponimi a nevoje për të rrëfyer krejt pak nga e kaluara. Fati kishte dashur që të niste punë me fotoaparat në kohë të vështira.

Hazir Reka tashmë fotoreporter veteran, kishte përvojë më të gjatë dhe ishte më në moshë sesa Bujari.
“Si i ri ka pasur nevojë për këshilla dhe i ka kërkuar vetë. Na kanë lidhë ngjarjet dhe mandej filloi lufta”, kujton Reka një ditë pas ceremonisë së lamtumirës së kolegut të tij.
“Ia kemi me borxh Albanit”, thotë kur i kërkohet falje për shqetësim pasi po në ditën e varrimit të Bujarit, ka pasur një ndërhyrje kirurgjike. Bashkë, profesioni i ka çuar në Prekazin e marsit të vitit 1998, Reçakun e janarit 1999 e shumë vende të tjera ku po dokumentonin tmerrin.
“Ai e ka pasur një kënd të veçantë të fotografimit dhe ka qenë shumë i kujdesshëm në profesion”, thotë Reka. Në këtë rast shton se Bujari e ka pasur më të veçantë paraqitjen e portretit.
“Portretin e ka me më shumë emocion. Janë foto pak si të realizuara në stilin ‘paparaci’. Personazhet nuk e kanë ditur se po fotografohen. Kur e dinë ndryshon pamja e personazhit dhe shkrepja nuk e përçon krejt emocionin. Këto detaje e kanë bërë të veçantë paraqitjen e portretit nga Albani”, thotë Reka.
Kjo vërehet te shkrepjet e Bujarit. Donte të kapte emocionet e momentit të refugjatit, familjarëve që po varrosnin të afërmit e vrarë, apo të forcave serbe që po ia mësynin masakrës së radhës. Në fotot e tij, shihet teksa përballë ka edhe tytat që e marrin në shënjestër.

“Janë rivarrosur trupat dhe jemi kthyer në Prishtinë...”
Hazir Reka përmend Prekazin e marsit të 1998-s. Bujari bashkë me ekipin e “Kohës Ditore” ia kishte dalë të shkonte deri në Prekazin e Epërm në ditët kur familja Jashari po përballej me forcat serbe.
“Ndihem shumë keq...”, i thotë Bujari ekipit gjerman të televizionit ZDF me 11 mars 1998 derisa po i voziste drejt Prekazit. Mediumi gjerman po përgatiste një reportazh pikërisht për punën e fotoreporterit Bujari. Bashkë me të ia kishin mësyrë Prekazit. Atë ditë do të bëhej rivarrimi i trupave të familjes Jashari. Në pamjet e ZDF Bujari shtathedhur e me dorëza të zeza përjetëson pamjet e kompleksit të shtëpive të Jasharëve e të rivarrimit. Janë fotografi që kundërmojnë shkrumb.
“Ushtria jugosllave i kishte varrosur mbrapsht me buldozerë. Mandej është dashur të rivarrosen. Krejt i kemi hequr rripat prej brezit dhe ata kanë shërbyer për t’i lëshuar në varre arkivolet. Duket e lehtë kur e flet por ka qenë e vështirë të bëhet ajo punë”, kujton fotoreporteri Hazir Reka. Fotografitë e Bujarit të shkrepura atë ditë tregojnë dhjetëra varre të hapura. Shpesh përsëriste se më shumë ka pasur trupa për t’u varrosur sesa njerëz që e kryenin këtë punë. Bashkë me kolegët e tjerë fotoreporterë do të varrosnin edhe njerëz nderi në mbrëmje.
Bujari s’ka folur shumë për atë ditë. Edhe në intervistat që tash janë të qasshme në platformat online përgjigjet i ka të thjeshta. Rëndom të shkurtra. Tepër të shkurtra si shkrepje fotoaparati.
“Kemi shkuar me një ekip gjerman. Serbët i kishin varrosur mbrapsht. Janë rivarrosur trupat dhe jemi kthyer në Prishtinë”, kaq thoshte. Por kohëve të fundit, shtonte edhe një detaj.
“S’kam qenë kurrë më në Prekaz...”, thoshte ai derisa niste t’i lidhej gjuha. E këtu nënkuptoheshin përjetimet e asaj dite. Nënkuptohej se pas secilës shkrepje ka një histori jo të vogël.
Duhej kthyer në Prishtinë për t’i zhvilluar fotografitë e më pas të botohen në “Kohë Ditore” e të publikoheshin në atë që kompania asokohe e kishte hapur si agjenci lajmesh “Arta”, në mënyrë që materialet të mund të merreshin nga mediat botërore. E Bujari shpesh, siç kujton në një shkrim për të gazetari Dukagjin Gorani, fotografitë do t’i dorëzonte duke i shpëtuar lotët nga ajo që kishte dokumentuar. Sytë me lot do t’i mbusheshin shpesh edhe pas luftës, sidomos në ekspozitat që hapte vetë apo me kolegët. Qe ushtar i dokumentimit të asaj që po i ndodhte Kosovës dhe dhimbja për atë që shihet s’ishte e vogël. Por Alban Bujari me kolegë kishin vendosur që t’i bënin ballë çdo gjëje, që tmerri të dokumentohej.
Lufta për mbrojtjen e fakteve
Dokumentimin e vazhdoi pa u ndalur.
“U nisëm herët për Reçak. U desh të shkojmë në një kodër sipër fshatit. Aty ishin mbi 40 të vrarë. U kthyem në Prishtinë për t’i zhvilluar fotografitë”, qe rrëfimi i tij i zakonshëm për masakrën që bëri kthesën e madhe dhe bota demokratike konstatoi se Serbia po kryente krime kundër njerëzimit në Kosovë. Fotografitë e Bujarit me njerëz të shtritë në kodrinën lart fshatit e dokumentojnë atë tragjedi si shumë të tjera.
“Secila lëvizje ka qenë gjithmonë rrezik. Sidomos shkuarja në Reçak. Normal që kemi shkuar shumë herët. Albani i ka nja dy fotografi nga vetura me një konvoji të Ushtrisë Jugosllave komplet të maskuar. Ajo më sa di është lufta për mbrojtjen e kufomave”, kujton kolegu i tij Hazir Reka. Bujari bashkë me kolegë në këto raste po bënin luftën për t’i mbrojtur faktet. Për t’i treguar botës se s’bëhet fjalë për terroristë shqiptarë që bëjnë krime, siç propagandonte Serbia, por për aparaturë shtetërore kundër civilëve.
“Kemi pasur një propagandë të ashpër nga ana e Serbisë, e cila mohonte çdo gjë dhe për çdo gjë fajësonte gjoja terroristët shqiptarë dhe se kur vritej ndokush, ishte një terrorist shqiptar. Ne treguam që ata ishin fëmijë dy vjeç ose plaka tetëdhjetë vjeçe ose qytetarë të rëndomtë”, thotë publicisti e themeluesi i “Kohës Ditore”, Veton Surroi. Sipas tij, fotografitë e Bujarit e të kolegëve të tij tashmë po i tregonin botës për atë që po ngjante.
“Kjo ka qenë gjenerata e cila, duke e zgjeruar lirinë e shprehjes brenda nesh, krijoi edhe lirinë e Kosovës”, thotë Surroi.
Të pavdekshme e ka cilësuar punën e Alban Bujarit, kolegia e tij Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e KOHËS.
“Albani ishte njëri prej nesh që u rritëm bashkë me ‘Kohën Ditore’, që të gjithë energjinë, vullnetin për punë, dashurinë për punë e çoi te raportimi përmes fotove, te argumentimi, te dokumentimi i asaj që po ndodhte në Kosovë”, thotë ajo.
Bredhjet e Bujarit bashkë me mikun e tij të përhershëm Afrim Vitinë – Xhovanin, nëpër vatrat e luftës e të refugjatëve ishin tejet të shpeshta. Nën shoqërim të gazetarëve të “Kohës Ditore” e atyre ndërkombëtarë sillnin rrëfime e ilustrime të ndryshme. Emri i Alban Bujarit, i lindur më 13 maj 1970 në Prishtinë, gjatë vitit 1998 dhe 1999 do të zinte vend në mediat prestigjioze si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian” e “El Pais” dhe më gjerë. “Koha Ditore” në ato vite do të ishte shtëpi e shumë reporterëve të mediave të huaja.
“U jam mirënjohës atyre si Albani...”
Fotografi Alain Chin që asokohe ishte edhe fotoreporter i “The New York Times” në ditëvdekjen e Bujarit e ka kujtuar takimin me të më 1997. E ka përshkruar si mikpritës e bujar në raport me reporterët e huaj.
“Ne kurrë nuk do të kishim arritur asgjë pa mbështetjen e kolegëve tanë kosovarë të cilët jetuan nën rrezik dhe stres shumë më të madh nga represioni i qeverisë serbe sesa ne”, shkruan Chin në rrjete sociale. Ka shkruar se tashmë kanë kaluar më shumë se 25 vjet, një brez dhe qe fat që ishin miq.
“U jam mirënjohës atyre si Albani që ishin shoqërues të dashur në një pjesë të rrugës. Lamtumirë, mik i vjetër, dhe vërtet uroj që të kishit pasur një kohë më të gjatë në këtë planet. Shumë e shkurtër”, ka shkruar ai.
“Ka pasur ende se çfarë të tregojë...”
Alban Bujari vdiq pa i mbushur 55 vjet jetë. Miku i tij Afrim Vitia i ka kaluar me të gati tri dekada. Kur të dy bëheshin bashkë rrëfimet për luftën ishin të shumta. Vitia është më i gojës dhe humori që e karakterizon e bënte edhe Bujarin të shpaloste sirtarët e kujtesës së fortë. Midis miqsh nuk e kishte telashe të fliste më shumë për luftën. Muhabetet me Vitinë ishin të shumta. Por veç për vdekjen jo.
“Këtë muhabet nuk e paskemi bërë kurrë...”, thotë Vitia derisa mezi nxjerr fjalët.
Mezi flet edhe Hazi Reka për të cilin Bujari ka pasur alamet respekti. Reka thotë se ngado që ka shkuar Bujari ka folur mirë për të. I kthehet prapë veçantisë së fotografisë së Bujarit. Në bulevardin qendror të Prishtinës gjendet një shtatore që e paraqet Faik Rexhepin ulur. U bë në saje të fotografisë së Rekës kur në gusht të vitit 1990 po dokumentonte vizitën e parë në Kosovë të senatorëve amerikanë. Derisa forcat serbe po shpërndanin turmën e shqiptarëve të mbledhur, Faik Rexhepi ishte ulur në tokë për t’u bërë imazh i rezistencës.
“Kur e kam pasur ekspozitën në bulevard ishte edhe fotografia e Faik Rexhepit që vdiq këto ditë. Albani e ka pasur një kënd tjetër të fotografimit. Faiku ishte afër fotografisë së vet. Albani kishte shkrepur një fotografi pa e ditur Faiku dhe ishte madhështore”, tregon Reka. Shton se po shkruante një porosi për Alban Bujarin për t’ia kërkuar pikërisht atë fotografi kur mori vesh se kolegu i tij nuk jeton më.
“Mesazhi më ngeli në gjysmë...”, thotë ai derisa nuk e vazhdon më fjalinë. Pasi pushon pak thotë se trashëgimia e Bujarit duhet të dalë në pah edhe më shumë.
“Ka pasur ende se çfarë të tregojë...”, përfundon Reka.
Visar Kryeziu dikur koleg i Bujarit në “Koha Ditore” e më pas fotoreporter i “Associated Press”, e vlerëson Bujarin si një profesionit që ia ka lakmi gjithkush.
“Kronist i shumicës së ngjarjeve historike të Kosovës me një sy të jashtëzakonshëm për t’i përcjellë ngjarjet deri te lexuesi edhe me një humor të sofistikuar. Na ka bërë të gjithëve ne me qeshë edhe në disa situata më të vështira”, thotë Kryeziu.

Lotët e gëzimit në liri
Alban Bujari shpesh tallej me jetën. Me ato ditët kur mundësia që të mos kthehej në Prishtinë shkaku i ndonjë plumbi ishte e madhe. E bënte këtë si njëfarë autoterapie për t’i shmangur ato që kishte kaluar. Ditët kur ishte në fronte, ato të vendmasakrave e ato të bombardimeve të NATO-s. Me të nisur bombardimet, redaksia e “Kohës Ditore” do të thyhej e shtypshkronja do të digjej. Nga banesat e gjelbra të “Kurrizit” ku ishte i strehuar te motra e tij, Bujari do të shkrepte fotoaparatin për të regjistruar bombardimet e NATO-s mbi bazën ushtarake të Ushtrisë Jugosllave, tash kazerma “Adem Jashari”. Më pas në Tetovë do t’i bashkohej ekipit të “Kohës Ditore” që kishte nisur botimin e gazetës atje.
Pasluftën do ta dokumentonte po ashtu. Gëzimin e lirisë, rindërtimin e po ashtu edhe dëmet e bëra gatë periudhës së rëndë. Respektohej shumë nga ai që njihet si krahu i luftës. Qe ai djali i Prishtinës që shkonte fronteve dhe për këtë vlerësohej. Kolegët e tij që kanë qenë me të në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, rrëfejnë t’i ketë plasur fort vaji. S’ishte përmbajtur. Do t’i silleshin nëpër mendje imazhet e krimet mbi njerëzimin. Edhe atë ditë do të dokumentonte me detaje atë ngjarje.
Si detajist e kujton edhe kolegu i tij fotoreporteri Driton Paçarada. Ka kujtuar ditët e para në “Kohën Ditore” dhe Bujarin si mentor të tij. Bujari do t’ia shikonte fotografitë dhe do t’ia bënte me dije një gjë.
“Më tha: ‘Nëse don të të botohet fotografia në ‘Kohë Ditore’, para se me shkrepë fotografinë, duhet të mendosh, kështu që nëse dëshiron të të botohen fotografitë në ‘Kohë Ditore’, mendo para se ta realizosh fotografinë dhe storien. Albani më ka ndihmuar ta krijoj një mënyrë të fotografisë timen, kështu që...”, thotë Paçarada. I lidhet rrëfimi në fyt dhe krejt dhimbja i dallohet në sy. “Vetëm mund t’i them faleminderit Alban...”, e thotë krenueshëm.
Me alamet qejfi Bujari do të hapte ekspozitën e fundit në dhjetorin e vitit të kaluar. Me titullin “Evolucioni” nëpërmjet imazheve rrëfehej rruga prej UÇK-së në TMK e deri te FSK-ja. I vërehej gëzimi se shteti i tij tash ka ushtri.
“Mendova që t’ia bëj me dije rinisë që njerëzit kanë kaluar nëpër shumë etapa për të arritur deri në këtë kohë që jemi sot. Që duhet me u sakrifiku dhe që janë sakrifikuar njerëzit”, do të thoshte ai. E midis atyre që kanë sakrifikuar shumë është edhe Bujari.
Mjafton të shikohen fotografitë që ka shkrepur për të parë sakrificën që ka bërë. Secila, rrëfim më vete. Jetoi me erën e gjakut që e ndiente shpesh nga Masakra e Rogovës së Hasit e të tjerat. Me atë duhmë gjaku që i lidhej goja kur fliste për të. Dhe, ia doli që atë aromë t’ua lërë edhe brezave nëpërmjet fotografive që kundërmimi i gjakut u ndihet në shikim të parë. Aso që janë rrëfime të gjalla, e ai fliste nëpërmjet imazhit. Sepse Alban Bujari është fotoreporteri i së vërtetës.