Shtojca për Kulturë

Abdulatif Arnauti – zëri i letërsisë shqipe në arabisht, sinonim i shqiptarëve në Siri

Abdulatif Arnauti

Abdulatif Arnauti

Ai nuk ishte vetëm përkthyes e promovues i letërsisë shqipe në arabisht, por figurë e njohur e kolonisë shqiptare në Damask, me derë të hapur për shkrimtarët e gazetarët që shkonin gjatë dekadave të kaluara në Damask ose kaluan Damaskun në rrugë për Bejrut e Amman, etj. Si i tillë, Abdulatif Arnuati do të mbetet gjithnjë në kujtesë si mikpritës i mysafirëve nga bota shqiptare dhe promovues i letërsisë shqiptare në botën arabe. Mund të thuhet lirisht se më shumë se 50 shkrimtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë gjetën rrugën për atë rajon në saje të punës 70-vjeçare të A. Arnautit

Në ditën e katërt të marsit të sivjetmë na vdiq Abdultatif Arnauti, shkrimtari dhe përkthyesi që promovoi letërsinë shqipe në gjuhën arabe për më se 70 vjet të jetës. Viteve të fundit, përveç halleve të moshës, ai sikurse shumica e banorëve në Damask, jetoi në izolim pa lëvizje të lirë si pasojë e luftës 10-vjeçare që kishte pasoja të rënda për shqiptarët e Sirisë. Kolonia shqiptare në Siri, që u formua para 100 vjetësh, kishte përfaqësues të vetin Abdulatif Arnautin, i cili tani vdiq në moshën 91-vjeçare, pra gati sa mosha e kolonisë shqiptare atje.

A. Arnauti u lind në Damask në një familje të shpërngulur nga Dobërlluka e Vushtrisë si pasojë e Luftës ballkanike, e përcjellë me shumë masakra në Kosovë kundër civilëve shqiptarë. Për në Damask u nis gjyshi Hasan, me tre djemtë (Huseini, Abdurruahmani dhe Islami), ku gjetën strehim deri sa u vendosen në “Lagjen e arnautëve” në veri të Damaskut. Huseini kishte interesim për arsim, por atë që nuk arriti ta gëzonte, i nxiti djemtë për të vazhduar studimet deri në fund. Në këto rrethana u lindën dhe formuar tri emra që do të bëheshin të njohur në Siri e jashtë saj: Abdulatifi, Abdulkadri dhe Ajshe Arnauti.

Abdulatif Arnauti ishte i pari prej djemve të muhaxhirëve që kreu shkollën e mesme dhe normalën, duke punuar pastaj si arsimtar dhe drejtor shkolle, kurse më vonë kaloi në Ministrinë e Arsimit si sekretar i revistës “al-Mu’allim al-Arabi” (Mësuesi arab), që e freskoi me shkrime e përkthime nga letërsia shqipe. Ndonëse zuri rrënjët e shqipes së vjetër në familje, ai e freskoi gjuhën me ardhjen e opozitës antikomuniste nga Kosova e Shqipëria në Damask gjatë viteve 1946-1948, me politikanë, intelektualë e ushtarakë (Xhafer Deva, Adem Dushi, Mul Bajraktari, Xhelal Bushati, Ismail Gorani e të tjerë ).

Ndonëse, pas shkollimit, ka filluar të punojë në arsim e më vonë në Ministrinë e Arsimit, A. Arnauti filloi herët të interesohet për prezantimin e letërsisë shqipe në gjuhën arabe në saje të literaturës së re që arriti në Damask me opozitën antikomuniste. Kështu, në moshën 20-vjeçare e përktheu dhe e botoi në arabisht vjershën “Jetimi” të Ndre Mjedës, e cila u botua në revistën siriane “al-Janbu’” më 2.7.1951. Një vit më vonë përktheu dhe botoi vjershën “Ngushëllim” të Vehbi Ronës e të tjera. Me këtë mund të thuhet se A. Arnauti është përkthyes i parë që prezantoi letërsinë në Siri, kurse i dyti në nivel të botës arabe pas Vehbi Ismailit (1919-2008).

Pas stabilizimit dhe avancimit në punë, në Ministrinë e Arsimit, A. Arnauti u bë shumë aktiv në vitet ‘60 të shekullit XX, në dy drejtime të ndërsjella: krijimi i poezisë në gjuhën arabe me motive shqiptare dhe prezantimi i letërsisë shqiptare në gjuhën arabe, duke përfshirë shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare, të Kosovës dhe të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë drejtim ndikuan dy elemente që dhanë fryte më shumë në vitet ‘70 të shekullit XX: vizitat e para në Kosovë (në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare për të huaj) dhe në Shqipëri, përkatësisht takimet me shkrimtarët shqiptarë dhe kthimi në Damask me literaturë më të re të botuar në Prishtinë e Tiranë, si dhe puna e re si redaktor në revistën tremujore “al-Mu’alim al-Arabi”, që e nxirrte Ministria e Arsimit. Tani me literaturë të re dhe me hapësirë për kulturë në revistën e përmendur, A. Arnauti u afirmua më shumë si përkthyes i letërsisë shqiptare në botën arabe.

Kështu, në fillim të viteve ‘70 të shekullit XX, letërsia shqipe e Kosovës gjeti rrugën e vet për lexuesin arab në saje të përkthimeve të A. Arnautit. Në vitin 1971 ai përktheu dhe botoi dy vjersha të Jakup Cerajës dhe një tregim të Ramiz Kelmendit, kurse më 1972 një prozë tjetër të Din Mehmetit, kurse më 1973 disa vjersha të Latif Berishës.

Viti 1974 shënoi një kthesë që do ta afirmonte më shumë A. Arnautin në një fushë tjetër, përkatësisht përkthimi i letërsisë bashkëkohore në Shqipëri. Kështu, ai përktheu dhe e botoi në atë vit poemën e Ismail Kadaresë “Ditari i gjeneratës”, si dhe poemën “Baballarët” të Dritëro Agollit, kurse më vonë edhe vjersha të Fatos Arapit.

Megjithatë, mund të thuhet lirisht se vitet ‘80 të shekullit të kaluar shënuan një kulm të prezantimit të letërsisë bashkëkohore të Shqipërisë me botimin e katër romaneve të dy shkrimtarët më të njohur të Shqipërisë në atë kohë. Kështu, më 1981 doli “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, më 1985 “Dasma”, kurse më 1986 “Kështjella” e Ismail Kadaresë, kurse më 1985 “Njeriu e topi” i Dritëro Agollit. Ato vite përkuan me interesimin e madh për Kadarenë në botën arabe, kështu që pas atyre përkthimeve të A. Arnautit, u përkthyen dhe u botuan disa romane të tjera të Kadaresë prej frëngjishtes e anglishtes.

Vitet ‘90 të shekullit XX kanë edhe një rendësi tjetër për A. Arnaut, sepse janë ato vite kur kaloi në Lidhjen e Shkrimtarëve në Damask pas pensionimit prej Ministrisë së Arsimit, ku ai kishte më shumë fushëveprim si redaktor i së përjavshmes letrare “al-Usbu’ al-Arabi”. Kështu, në faqet e kësaj gazete botoheshin shpeshherë përkthime që prezantonin letërsinë shqiptare në Kosovë e në Shqipëri.

Ndonëse A. Arnauti u pensionua më 1997 nga Lidhja e Shkrimtarëve, ai hyri në shekullin e ri me energji, duke vizituar Shqipërinë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe Kosovës për herë të fundit më 2016 me ftesë të Seminarit, e duke vazhduar punën e tij shumëvjeçare me përkthimin e promovimin e letërsisë shqiptare në gjuhën arabe.

Ndërkohë, A. Arnauti nuk ishte vetëm përkthyes e promovues i letërsisë shqipe në arabisht, por figurë e njohur e kolonisë shqiptare në Damask, me derë të hapur për shkrimtarët e gazetarët që shkonin gjatë dekadave të kaluara në Damask ose kaluan Damaskun në rrugë për Bejrut e Amman, etj. Si i tillë, A. Arnuati do të mbetet gjithnjë në kujtesë si mikpritës i mysafirëve nga bota shqiptare dhe promovues i letërsisë shqiptare në botën arabe. Mund të thuhet lirisht se më shumë se 50 shkrimtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë gjetën rrugën për atë rajon në saje të punës 70-vjeçare të A. Arnautit.

Për këto merita, ish-presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia, e nderoi Abdulatif Arnautin me shtetësinë shqiptare, si dhe u nderua nga kohën e demokracisë më 2012, duke ftuar atë në festimet e 100 -vjetorit të Pavarësisë.

Abdulatif Arnauti do të mbetet gjallë si sinonim i kolonisë shqiptare në Siri (që gati u shkatërrua tani) dhe si promovuesi më i madh i letërsisë shqiptare në botën arabe.