Shtojca për Kulturë

A na takon edhe dhimbja e viktimave të autoritarizmit?

Skenë nga shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë”

Skenë nga shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë”

Na duhet shoqërisht të ulemi e të mendojmë për vijën e hollë, kapërcimi i së cilës na çon në hipokrizi. Hipokrit është edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili dhimbjen e njerëzve e bën pjesë të matematikave gjeopolitike dhe për shkak të presioneve të Konsullatës turke në Prizren e Ambasadës së Turqisë në Kosovë, të cilat operojnë nën udhëheqjen e Tayip Erdoganit, e ndalon prezantimin e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” në Prizren

Shpesh, përgjatë krijimtarisë sonë në Qendrën Multimedia na është lavdëruar guximi artistik. Dy raste më të freskëta të kësaj janë shfaqjet tona “The Handke Project”, prodhuar në vitin 2022 dhe “Negotiating Peace”, prodhuar më 2023. E para dënon haptazi Peter Handken, mohuesin e gjenocidit në Srebrenicë i cili me letërsinë e tij përkëdhel njerëz si Slobodan Milošević, ndërsa e dyta kritikon proceset e ndërtimit të paqes, që nuk u bëjnë drejtësi viktimave.

Udhëheqës/e institucionesh nuk hezituan të na duartrokisnin e të rreshtoheshin haptazi me ne si dhe me shfaqjet, si përmbajtje.

Shumë na kanë postuar nëpër rrjete sociale, na kanë thurur lavde e na e kanë përmendur guximin artistik e politik për të thënë haptazi në skenë atë që e kemi ditur në realitet. Pos kësaj, jo vetëm këto të dyja, por shumë prej shfaqjeve tona — si në prodhimin e tyre si në prezantimet e tyre vendore e ndërkombëtare — kanë krijuar kontekst për biseda për rëndësinë e lirisë së shprehjes artistike dhe mbrojtjes së saj,

Por, shpejt u pa se rreshtimi me të drejtën bëhet veç kur është tepër kollaj. Apo kur është e përshtatshme.

Kur në tetor të vitit 2024 e prodhuam shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë”, që dënon sistemet autoritare të cilat, siç po na bëhet e qartë çdo ditë në botën në të cilën rrojmë, i kanosen çdo shoqërie, mbështetja e entuziazmi u zbehën. Natyrisht, nuk flas këtu për mbështetjen e entuziazmin për aspektin estetik të shfaqjes — kjo është krejt relative dhe nuk është relevante tash për tash. Po flas për entuziazmin rreth përmbajtjes, për atë guximin artistik.

Në shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë”, biseda për autoritarizmin u frymëzua nga një ngjarje e realitetit tonë, nga një ngjarje që e jetuam dhe në njëfarë forme na tregoi se sa pak vlen jeta jonë, e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, kur vendoset përballë interesave gjeopolitike të shteteve të forta, në këtë rast, e shtetit të Turqisë.

Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” merr për shkak ngjarjet e vitit 2018 në Kosovë, kur “gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin e supozuar se përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grushtshtetin e dështuar të vitit 2016.”

Këtu kam përshtypjen se filloi hezitimi për ta mbështetur shfaqjen, siç kishte ndodhur më parë, me shfaqjet e tjera. Por, derisa entuziazmi apo mungesa e tij tregojnë shumëçka, prapëseprapë në vetvete bën edhe pa to. E kur mungesa e entuziazmit sendërtohet pastaj në hapa konkretë të sabotimit nga institucione të ndryshme në Kosovë, atëherë ndërron gjithçka. Po për këtë, më vonë.

Pse atëherë mbështetje e tash sabotim?

Për shfaqjet “The Handke Project” dhe “Negotiating Peace”, u frymëzuam nga ngjarje prej historisë së re të Kosovës — luftës së viteve 1998-99, të mbijetuarve e viktimave të kësaj lufte e më pas negociatave të paqes.

Këto janë ngjarje më të afërta për secilin prej nesh dhe rreshtimi pro shfaqjeve ishte i lehtë. Në shumë raste, i preferueshëm për institucionet — mirë duket në sy të publikut rreshtimi me shfaqje të tilla. Në këtë lehtësi, pastaj përvidheshin edhe ato komentet për rëndësinë e guximit politik e lirisë së shprehjes artistike. Ndoshta dikujt edhe ia kemi ledhatuar ndonjë tel nacionalist, kur në mes të Beogradit kemi brohoritur “Fuck you, Slobodan Milošević!”

Por, ajo që e bën Qendrën Multimedia atë që është, është fakti se ashtu siç brohorasim “Fuck you, Slobodan Milošević!” në mes të Beogradit, brohorasim edhe emrat e autokratëve tanë dhe gjithë autokratëve në botë. Në Qendrën Multimedia, diktatorët e autokratët s’janë të tillë vetëm kur diktaturën e autokracinë e ushtrojnë ndaj nesh — në perimetër. Ne nuk e shohim realitetin tonë si të shkëputur nga realitetet e shoqërive të tjera në botë, e sidomos jo të shkëputur nga realitetet e shoqërive fqinje. Si për të mirë, si për të keq, shoqëritë shkëmbejnë me njëra-tjetrën. Ajo që ndodh diku në botë, si për të mirë, si për të keq, na kanoset edhe neve.

Prandaj, kur dikush vendos qëllimshëm të krijojë mure e distanca ndërmjet këtyre realiteteve dhe madje t’i përkthejë ato në veprime institucionale, në rastin më të mirë vuan nga injoranca e në rastin më të keq, nga dashakeqësia. Dashakeqësia mund të jetë kategori morale dhe ndoshta nuk është relevante kur flasim për individë, por bëhet fort relevante kur përkthehet në veprime institucionale censuruese.

Tash po e kuptojmë edhe më mirë pse na është dashur shfaqja – sepse sjelljet janë të njëjta me ato që ishin në vitin 2018: Çka thotë i forti, bëhet.

Në vitin 2018, në Kosovë u zgjuam në mëngjes nga pamje të një grabitjeje banditeske të gjashtë mësuesve turq, që u përzunë nga Kosova sa çel e mbyll sytë, sepse kështu kërkohej nga pushteti i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të cilit institucionet tona ia bënë argatin.

E kur ne flasim për këto viktima dhe të gjitha viktimat e autoritarizmit në botë, në një kontekst ku ky autoritarizëm edhe e ka instrumentalizuar vogëlsinë e shtetit tonë për të shtyrë përpara qëllimet e veta, njerëzit këtu lemerisen. Sepse tash dhimbja është e largët. Viktimat tashmë tjetërsohen. Sepse viktimave nuk ua dimë emrat e mbiemrat, ose sepse viktimat nuk janë të afërmit tanë; ose s’janë shqiptarë; ose s’duken krejt si ne; ose… Kur fillon të vendosësh ‘ose-të…’ për rreshtimin a mossrreshtimin tënd me viktimat, bëhet problematike.

Nuk dua t’ua bart ujin regjimeve autoritare duke e vendosur barrën e reagimit tek individi e as duke e bërë të tingëllojë që këtu kemi të bëjmë me frikë nga individët – ky nuk është ndonjë farë mësimi i ri shoqërisht, e as ndonjë farë problemi madhor shoqëror, frika është instinktive, diçka thellësisht esenciale e njerëzore. Frika është simptomë, e autoritarizmi është sëmundja. Prandaj, si shoqëri duhet të këmbëngulim që kritikën ta mbajmë të përqendruar tek autoritarizmi, ashtu që frika të çrrënjoset si rezultat. Por mësimi i duhur e shoqërisht relevant është që për aq gjatë sa shoqërisht vendosim t’i qesim dhimbjet në kandar, pra të vendosim se njëra është më e vlefshme për t’u trajtuar sesa tjetra, ose të mendojmë se një dhimbje që na prek ne drejtpërdrejt është më e vlefshme për t’u problematizuar, sesa një tjetër që na prek tërthorazi, jemi duke ja bërë argatin autoritarizimit, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm.

Shoqëritë nuk shërohen në izolim, ato shërohen vetëm në shkëmbim e në komunikim me njëra- tjetrën. Njëlloj, në këtë botë gjithnjë e më të vogël, autoritarizmi atje diku, nuk nënkupton jo autoritarizëm këtu. Por nënkupton bash mprehje të dhëmbëve për autoritarizëm këtu.

Mirë që njerëzit rreshtohen me viktimat dhe kundër gjenocidit e mohuesve të tij, edhe nëse rreshtimi në këtë rast u bëhet i lehtë. Por e kemi obligim shoqëror të rreshtohemi me viktimat edhe kur kjo gjë na bëhet e vështirë. Ne jemi të njëjtit njerëz që me entuziazëm jemi rreshtuar me popullin e Ukrainës, dhe mirë që kemi bërë kështu. Por po ashtu jemi të njëjtit njerëz (lexo: njeriu shoqëror, jo njeriu individual), që nuk po tregojmë shumë entuziazëm për t’u rreshtuar kundër agresionit izraelit në viktimat civile në Palestinë e kundër Hamasit.

E siç na u bë e qartë këta muaj, jemi po ashtu të njëjtit njerëz që vihemi pak në siklet të rreshtohemi me viktimat kur ata janë thjesht gjashtë shtetas turq, me emra e mbiemra turq dhe s’janë viktima të të njëjtit armik imediat me ne.

Në fund të fundit, kush jemi ne ta qesim në kandar dhimbjen e tjetrit? Ta kapim shkopin e zellshëm të ndajmë dhimbjet që duhet të na preokupojnë nga ato që nuk duhet të na preokupojnë?

Na duhet shoqërisht të ulemi e të mendojmë për vijën e hollë, kapërcimi i së cilës na çon në hipokrizi.

Hipokrit është edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili dhimbjen e njerëzve e bën pjesë të matematikave gjeopolitike dhe për shkak të presioneve të Konsullatës turke në Prizren e Ambasadës së Turqisë në Kosovë, të cilat operojnë nën udhëheqjen e Tayip Erdoganit, e ndalon prezantimin e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” në Prizren.

Zotëri Totaj, mos e fshih dorën pas gjuajtjes së gurit. Ne nuk mund të sillemi sikur ju nuk jeni prapa këtij sabotimi që i është bërë shfaqjes në dy tentimet tona për ta prezantuar atë në Prizren. Fillimisht, në dhjetor, kur arsyetimet banale për çështje të ngrohjes, vendosëm t’i pranojmë dhe tani në mars, kur e keni thënë përmes njerëzve tuaj se shfaqja nuk guxon të luhet në Prizren, duke i futur hundët në punët që s’ju takojnë në Teatrin “Bekim Fehmiu” të qytetit të Prizrenit.

Në fakt, e vetmja ndërhyrje e juaja në punën e teatrit, do të duhej të ishte për të rritur buxhetin e për të përmirësuar kushtet e punës në atë teatër. Por jo, ju keni zgjedhur që në teatër të ndërhyni si censurues. Kur hapet kjo derë, kushedi ku mbyllet: sot e ndaloni shfaqjen tonë, nesër diçka tjetër, nesër edhe diçka tjetër. Këtë derë që e keni hapur dhunshëm sot — përmes ndalimit të shfaqjes sonë — duhet t’ua përplasim hundëve sa më shpejt, para se ju të vazhdoni ta tërhiqni deri në pafundësi vjegëzën e censurës.

Hipokritë jemi edhe ne, që lirisë së shprehjes artistike e guximit politik të artistëve u thurim elozhe në kontekste që na e bëjnë këtë të lehtë, ndërsa kur kjo bëhet paksa e vështirë, nuk e zëmë në gojë lirinë e shprehjes artistike e as të guximit politik.

Hipokritë jemi edhe ne që, për autonominë e institucioneve publike të kulturës, flasim vetëm kur ajo na shërben për interesat tona të atypëratyshme, ndërsa nuk bëzajmë kur ajo haptazi shkelet e nëpërkëmbet para syve tanë për një dhimbje që nuk është bash ashiqarshëm e jona.

Autorja Aurela Kadriu është drejtore e programit në Qendrën Multimedia.